m e d i a | “Rruga e Arbërit”, një zë origjinal në median e shkruar


Gazeta “Rruga e Arbërit” është futur në vitin e 11-të të botimit dhe gjatë gjithë kësaj periudhe ka dëshmuar korrektesë me lexuesit dhe bashkëpunëtorët, duke u kthyer në një medium që u ka dhënë zë opinioneve dhe analizave të autorëve të ndryshëm. Lexues jo vetëm nga Dibra, por edhe nga rrethe të tjera të vendit, si Lezha, Shkodra, Miloti, Durrësi, Tirana etj., shprehin vazhdimisht falënderimet që kanë gjetur një hapësirë të re mediatike.

Mbi 2000 lexues shkarkojnë gazetën në versionin PDF nga interneti dhe qindra të tjerë e marrin atë çdo muaj falas nëpërmjet emaile-ve të miqve e shokëve të tyre.

Çështje dhe problematika që janë aktuale në rajonin e Dibrës, brenda dhe jashtë kufijve shtetërorë, kanë zënë hapësirë ta konsiderueshme, duke informuar opinionin publik në mënyrë korrekte dhe të hapur.

Informacionet dhe opinionet lidhur me rrugën e Arbërit, hidrocentralin e Skavicës, ujërave të Radikës, zhvillimit të turizmit rajonal dhe bujqësisë, pyjeve, etj., janë bërë kauza për grupe të caktuara lexuesish, duke ngjallur interes dhe duke lëvizur vendimmarrjen lokale dhe qendrore t’i shohin këto çështje më me prioritet dhe në dobi të vendit.

Kritikat dhe recensat për botimet e autorëve dibranë, të shkruara me profesionalizëm dhe të botuara në faqet e gazetës, janë bërë pika referimi për studiuesit e kësaj fushe, duke e krahasuar gazetën Rruga e Arbërit me mediume të rëndësishme kombëtare.

Figura historike të harruara ose pak të shkruara për to, janë rikujtuar për lexuesin nga studiues të historisë dhe dashamirës të saj.

Në këtë kuadër, duke pasur kërkesa për të rritur në një stad më të lartë mënyrën e shkrimit dhe paraqitjes, si dhe duke marrë në konsideratë edhe mediat e reja, kryesisht online, që kohët e fundit janë shtuar në hapësirat dibrane, gazeta “Rruga e Arbërit” ka si qëllim ruajtjen e zërit origjinal të saj, duke e vendosur veten kështu jo në konkurrencë me to, por një zë të pazëvendësueshëm në hapësirat mediatike rajonale.

Gazeta prej disa kohësh ka nisur të botojë shkrime dhe foto, që ruajnë origjinalitetin dhe autorësinë, duke dëshmuar kështu se është e përkushtuar të ruajë të drejtën e autorit për çdo rast dhe, kur ka qenë e nevojshme, të shënojë edhe falënderimet përkatëse.

Gazeta ka synim që në të ardhmen të fokusohet të shkrimet ekskluzive të bashkëpunëtorëve të saj, shkrimet origjinale të tyre. Çdo shkrim do t’i nënshtrohet kontrollit të plagjiaturës apo kopjimit dhe për çdo rast, kur konstatohet një gjë e tillë, materialet nuk do të botohen.

Gjithashtu, redaksia i njofton bashkëpunëtorët e saj, se të njëjtat shkrime të botuar në mediumet e tjera nuk do të mund të botohen në faqet e gazetës, përveç rasteve kur çështja mbetet aktuale dhe e nevojshme për riinformim.

Redaksia angazhohet si deri më tani, të krijojë më shumë hapësira dhe t’u japë mbështetje zërave të rinj në fushën e publicistikës, letërsisë, gazetarisë, sidomos gjimnazistëve dhe studentëve.

Gazeta i fton të rinjtë të fokusohen jo vetëm në krijimtarinë e tyre, por edhe në problematikën që shqetëson komunitetin ku ata jetojnë dhe punojnë, duke i dhënë më shumë zë mendimit dhe shqetësimit të qytetarëve.

Gjithashtu, besojmë se në të ardhmen edhe të zgjedhurit vendorë do të kenë më shumë dëshirë dhe vullnet, që nëpërmjet gazetës të komunikojnë me bashkëqytetarët e tyre jo vetëm në prag fushatash elektorale, por gjatë gjithë kohës që qeverisin.

Redaksia fton gjithë bashkëpunëtorët dhe lexuesit e saj ta mirëpresin dhe të na mbështesin në këtë përpjekje për krijuar një model të ri dhe të veçantë të gazetës “Rruga e Arbërit”, duke i dhënë më shumë medias rajonale, si në aspektin sasior, ashtu edhe në atë cilësor dhe, njëkohësisht, lexuesve të saj një aromë të re nga vendlindja.