Në do të njohësh vendlindjen, njih toponiminë dhe onomastikën e saj


Fshati Peladhi është i pozicionuar në veriperëndim të Grykës së Madhe,
Njësia Administrative Zerqan. Është vendbanim i hershëm i regjistruar
në defterin turk të vitit 1467.

Fshati im quhet Peladhi. Ky fshat është i pozicionuar në veriperëndim të Grykës së Madhe, Njësia Administrative Zerqan. Është vendbanim i hershëm i regjistruar në defterin turk të vitit 1467. Përpara pushtimit osman fshati ka qenë i banuar nga banorë të besimit katolik. Këtë e faktojnë edhe disa toponime, të cilat përdoren edhe sot në të folurën e banorëve vendës, si : Lama e Kasmit, varret e kaurrit, kisha e kaljet etj. Pas pushtimit turk ashtu si kudo edhe në fshatin Peladhi mbizotëroi feja myslimane bektashi. Fshati ka pasur një xhami në veri të tij, në të cilën fshatarët kryenin ritet fetare myslimane. Fshati Peladhi nuk ka pasur më parë emër tjetër. Ky është emër që vjen nga legjenda. Skënderbeu ushqeu me grurë një pelë për të mashtruar turqit, se ka ushqim të bollshëm për ushtrinë e tij, ndaj ishte i kotë rrethimi nga armiku. Për t’i bindur ata, ai e hodhi pelën nga shkëmbi poshtë. Asaj i plasi stomaku. Turqit, kur e panë ashtu të copëtuar, diskutuan se çfarë kafshe duhet të jetë kjo e ushqyer me grurë, pelë apo dhi, Peladhi… Fshati i takon Trevës së Grykës së Madhe, Njësia Administrative Zerqan, dhe rrethohet nga fshatrat, Godvi, Zerqan, Valikardhë, në perëndim, Fushë Bulqizë, Dushaj, dhe më tej në veri me Bllacën. Fshati është i ndarë në pesë lagje. Hysa, Gjura, Gjoka, Rama dhe lagjja e sipërme, (katund). Banojnë 21 barqe vëllazërie me mbiemra: Lila, Dufi, Kala, Rama, Disha, Kamberi, Meta, Gjoka, Deda, Plaku, Pata, Pasha, Gjura, Hysa, Neziri, Alla, Lami, Krasniqi, Muca, Lala, Shahini. Në vite disa familje në fshat në kërkim të disa kushteve më të mira jetese kanë ndryshuar vendbanim, duke zbritur nga lagjja e epërme në të poshtmen. Ka edhe disa familje që gjatë lëvizjeve demokratike janë larguar në rrethe të tjera. Kjo ka bërë që në disa lagje, veçanërisht në lagjen e epërme, ka shtëpi të braktisura Në këtë fshat sot banojnë 77 familje me rreth 400 banorë. Ka edhe familje me emër të shuar, si Hurcja, Zeqiri. Ka familje të larguara, si: Elmazi, Nega, Zogu, së fundmi Muca, por ka edhe familje të ardhura, si Krasniqi, Shahini.
Në fshatin tonë sot ka tri qendra tregtare të vogla private. Dy qendra ndodhen në lagjen Hysa dhe një midis lagjes Rama dhe lagjes së epërme. Por qendrën e tregut më të madh e ka në Shupenzë, pazari. Kjo qendër frekuentohet çdo ditë të diel.
Në perëndim të fshatit, në kufi me fshatin Valikardhë, aty ku nis hyrja për në luginën e Bulqizës, Gryka e Qytetit, ka qenë ndërtuar në periudhën e hekurit, Qyteti i Valikardhës. Sot aty duken qartë rrënojat e mureve të qytetit dhe të kalasë së tij. Gojëdhëna flet se në qendër të qytetit, i cili kishte rreth 12000 banorë, sundimtari i vendit, romak, kishte ndërtuar një statujë, ku paraqitej një kalë me fre, me kalorësin sipër. Përreth qytetit ka murana kishash të vjetra. Për vendndodhjen e qytetit flasin toponimet e krijuara dhe të përdorura edhe sot nga banorët vendës, si; Kalaja e Qytetit, Gryka e Qytetit, Ura e Qytetit, Lagja; Rrethje; si edhe gjetja e disa materialeve, mbetje poçerie dhe objekte kishtare. Poshtë shkëmbit, ku është ndërtuar qyteti me kalanë e tij, ecën lumi i Bulqizës. Mbi të u ndërtua Ura që bashkon dy brigje te tij. Mendohet se ajo është ndërtuar njëkohësisht me qytetin. Folësit popullor tregojnë se ura u rindërtua nga Sheh Zyberi i Bulqizës, bashkë me Grykën e Madhe. Mbi këtë kalonin karvanë kuajsh dhe këmbësorë që vinin nga dy Dibrat nëpërmjet Rrugës së Arbrit. Gojëdhëna flet se në themelet e urës u bënë kurbanë berra të sjellë nga banorë të të dy zonave, që ajo të bëhej më e fortë dhe të kishte një jetëgjatësi më të gjatë.
Kalanë e qytetit bashkë me malet që e rrethonin i e shfrytëzoi më së miri Skënderbeu, duke u zënë pusi turqve. Ky ishte vend strategjik; ishte gryka më e ngushtë nga ku kalohej në Luginën e Bulqizës, Qafën e Buallit, Plani i Bardhë , në drejtim të Krujës. Në veri të qytetit, në anën tjetër të lumit, në malin e Temlës, ai ndërtoi pikën e vrojtimit. Masat e marra bënë të mundur që në Betejën e Torviollit, 29 qershor 1444, në Fushën e kalasë, Skënderbeu doli fitimtar. Nga ajo kohë e kanë zanafillën toponimet; Shkëmbi i Kullës, Kulla e Skënderbeut, Kalldrami I Mushkave, Kalaja e Skënderbeut, Pikë Vrojtimi e Skënderbeut. Kujtojmë këtu se pjesë e Betejës së Torviollit u bë edhe fshati Peladhi .Këtu u përqendruan forcat ushtarake të Skënderbeut në pritje të pushtuesve, këtu kaluan forcat e shumta ushtarake turke me armatimin më modern të kohës. Mali i Temlës shërbeu si mburojë I luftëtarëve të Skënderbeut. Nga këtu rrokulliseshin gurët e binin pa mëshirë mbi trupat e pushtuesve.
Nga ky fshat kanë dalë burra trima, të mençur, që kanë bërë emër. Si të tillë përmendim: Bam Dufin e parë, që u zgjodh si përfaqësues asnjanës i Grykës së Madhe i ndarjes së kufirit në Qafën e Buallit me Matin. Emri i tij kujtohet edhe sot si njeri i zgjuar e përfaqësues i drejtësisë kanunore. Sadik Kamberi mbartës i shquar i patriotizmit, atdhetarizmit, arsimimit të brezave. Abetarja që solli ai nga Stambolli e futur në mes të bukës, me vlerë si Ajo, u bë dritë për brezat. Hasan Pata i Peladhisë mbeti shembulli i paepur i qëndresës heroike përpara armikut. Sergia serbe përshkoi tej e mbanë trupin e tij, por armën nuk e dorëzoi…
Në veri të fshatit, në shpatin jugor të Temlës, ndodhet një shpellë me sipër faqe në brendësi rreth 60 a 80 m. Kjo është një monument natyror i vërtetë. Këtë fshatarët e kujtojnë si një shtëpi të dytë. Këtu në kohët e mëparshme ata strehonin bagëtitë netëve te vjeshtës deri në prag të dimrit, për të qenë më afër kullotës ditën e nesërme. Po kështu, mbi lagjen Hysa, mbi rrugën automobilistike, ndodhet një shpellë e nëndheshme me hyrje sa merr lirshëm trupin e njeriut, me sipërfaqe rreth 20 a 30 m. Këtu strehoheshin banorët sa herë kërcënoheshin nga pushtuesit e çdo kohe. Me këto shpella lidhen toponimet: Shkëmbi Shpellës, Dera e Shpellës, Maja e Shpellës, Softi, Kulmi i Shpellës, shtuar këtu edhe emra të tjerë shpellash, si: Shpella e Korbit, e Kamishit, Shpella e Zezë. Siç u përmend edhe diku më sipër, në verilindje të fshatit ka qenë një kishë, që sot kanë mbetur vetëm rrënojat e saj. Me këtë kanë lidhje toponimet: Kisha e kaljet, Kodër Kishë. Po të kësaj kohe duhet të jenë toponimet: Lama e kasmit, Varret e Ketës, Kroi i Cerës. Fshati ka pasur edhe xhaminë e tij, që sot i kanë mbetur rrënojat. Këtu kryheshin ritet fetare myslimane. Nga këtu u krijuan toponimet: Sheshi i Xhamisë, Foltorja e Xhamisë, Vidhi i Xhamisë.
Në jug të fshatit, në drejtimin perëndim -lindje kalon lumi i Bulqizës, i cili shfrytëzohet nga fshatarët për vaditje, peshkim dhe plazh. Mespërmes fshatit kalon rruga nacionale automobilistike Peshkopi – Tiranë, e ndërtuar mbi gjurmët e rrugës së vjetër të Arbrit.
Mali më i afërt i fshatit është mali i Temlës me një lartësi 1704 m. Ky ka qenë dhe mbetet aleat i përhershëm i fshatarëve. Nga mali ata kanë marrë drurin për ndërtim dhe për zjarrin, barin për bagëtitë, bimët mjekësore, ujin e pijshëm dhe për vaditje etj. Në lindje të malit të Temlës, në veri të fshatit, ndodhet fusha e malit, e cila është quajtur Hambari i fshatit. Fusha rrethohet me male e qafa në të katër anët e saj dhe vjen në formën e kupës me fund të rrafshët. Përveçse dallohet për prodhime të bollshme bujqësore, fusha është edhe vend i bukur turistik.
Banorët vendës vendet më të rëndësishme që u janë nevojitur atyre gjatë jetës në shekuj, i kanë emërtuar me emra të veçantë për t’u dalluar nga të tjerët, duke pasuruar kështu të folurën e tyre të përditshme. I kujtoj këta emra vendesh, (toponime) të ndarë sipas emërtimeve: Mrize, Mrizi i Plleve, Mrizi i Shterpave, Mrizi i Ri. Arat: Arat te Plepi, Arat te Hani, Ara e Alcupit, Arat te Botat, Arat te Gurrëza, Arat në Toklla, Arat në Kofna, Arat tek Mërzimi, Arat e Kaljet, Majmullia, Ara e Selës, Fangu. Shkëmbinjtë: Shkëmbi i Epërm, Shkëmbi i Poshtëm, Shkëmbi i Batrave, Shkëmbi i Thyer, Guri i Zi, Guri i Kuq, Guri i Gjatë, Shkëmbi i Mullezës, Shkëmbi i Lëmzave, Rrasas. Luginat: Lugu i Gjerë,Lugu i Pecit, Lugu i Dacit, Lugu i Gjecit, Lugu i Gjanë, Lugu i Mollës, Shtupzat. Qafat: Qafa e Sheshit, Qafa e Plepit, Qafa e Arës, Qafa e Liqenit. Majat e maleve: Maja e Temlës, Maja e Rrasave, Maja e Prognit, Maja e Brinjës. Livadhet: Livadhi i Lamhysës, Livadhi i Asenit, Livadhi Osma dhe Livadhi tek Guri i Hurdhes. Sheshet: Lama e Rrahit, Lama e Kasmit, Varret e Ketës, Varret e Kaurrit, Lamza, Lamza e vreshtit, Vatha e Madhe, Vatha e Vogël. Vendpushimet: Vajdhet, Mangalle, Shulore, Gjollë, Bajraku. Zabelet: Xana, Druri Cup, Brinja e Dishës, Zabeli i Kamerreve, i Hyseve, i Gjureve, i Rameve etj.
Siç u përmend edhe diku më sipër, me pushtimin turk, emrat katolik u zëvendësuan me emra myslimanë. Avdulla, Hajredin, Bajram, Ramazan, Hasan, Hysen, Mevlud, Murat, Hamit, Ahmet… Shumë emra myslimanë përdoren edhe me trajta të dyta të tyre, si: Ahmet/Met, Ramazan/Zan,Hamit/Mit Fatime/Time,Sheqere/ Shere, Beglie/Bege etj. Nisur nga toponimia dhe onomastika e fshatit mendohet se në fshatin Peladhi duhet të kenë banuar edhe fise të tjerë: Gjeci, Peci, Daci, Cani a ndonjë tjetër.
Unë e dua shumë vendlindjen time, se asaj ia vodha jetën. Nuk ka gjë më të çmuar, më të dashur, më të shtrenjtë se ajo. Lum kush e njeh atë.