Zenel Hoxha dekorohet nga Presidenti Nishani me titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”


Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ka dekoruar pasditen e 12 prillit presidentin e Dhomës së Tregtisë Shqiptaro-Britanike, një nga themeluesit e PD-së, z. Zenel Hoxha, për kontribute të çmuara në veprimtarinë e tij. Në ceremoninë e rastit, në institucionin e Presidencës, ku merrnin pjesë familjarë, miq, të afërm, akademikë, politikanë, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, i akordoi me nr. dekreti 10123 zotit Zenel Hoxha titullin “Kalorës i urdhrit të Skënderbeut” me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi ndaj kontributit të tij në lëvizjet demokratike të fillimviteve `90, për ndihmesën e vyer të dhënë përgjatë luftës për pavarësinë e Kosovës, si dhe për angazhimin e tij për të afruar popullin shqiptar dhe atë britanik, përmes ofrimit të shërbimit ndaj zhvillimit të biznesit shqiptaro-britanik dhe përhapjes së gjuhës angleze në Shqipëri”. Në fjalën e tij, Presidenti Nishani ndër të tjera vlerësoi angazhimin e Zenel Hoxhës prej rënies së komunizmit deri sot, duke pohuar se ka qenë një zë i rëndësishëm në funksion të çështjes shqiptare brenda dhe jashtë kufijve shtetërorë. Gjatë fjalës së tij, Presidenti Nishani përmendi kurajën e Zenel Hoxhës për t’u përshirë fuqishëm në ngjarjet demokratike për rrëzimin e komunizmit në Shqipëri, duke e vlerësuar si një njeri kurajoz dhe të aftë për të ecur me hapin e kohës në çdo rast. Kreu i Shtetit pohoi se z. Hoxha jo vetëm që nuk e mendoi dy herë përfshirjen fuqishëm në proceset demokratike dhe rrëzimin e komunizmit, por ai ishte edhe i përshirë direkt në politikën aktive në atë periudhë, duke qenë dhe një nga themeluesit e Partisë Demokratike, të parës forcë antikomuniste në Shqipëri, e cila shihej si shpresë nga qytetarët. Në vijim të fjalës së tij, Presidenti Nishani vlerësoi z. Zenel Hoxha edhe për ndihmesën e vyer të dhënë përgjatë luftës për pavarësinë e Kosovës, si dhe për angazhimin e tij për të afruar popullin shqiptar dhe atë britanik, përmes ofrimit të shërbimit ndaj zhvillimit të biznesit shqiptaro-britanik dhe përhapjes së gjuhës angleze në Shqipëri. Sipas z. Nishani, Zenel Hoxha, me kontributin e dhënë, ka qenë një urë lidhëse mes Britanisë së Madhe dhe Shqipërisë në rritjen e bashkëpunimit tregtar, ekonomik dhe kulturor. Në fjalën e tij, z. Zenel Hoxha shprehu mirënjohjen e thellë për z. Bujar Nishani – President i Republikës Shqipërisë – i cili i akordoi titullin e lartë “Kalorës i urdhrit të Skënderbeut”. Gjatë fjalës së tij, z. Hoxha falënderoi miqtë dhe të afërmit e pranishëm në ceremoninë e dekorimit si dhe të gjithë ata me të cilët ndër vite ka pasur komunikim dhe bashkëpunim. “Sot është një ditë e veçantë për mua dhe familjen time. Përkushtimi ndaj atdheut është një emocion shumë i këndshëm, energji në rritje dhe e pandalshme. Këtë vlerësim dua t’jua dedikoj të gjithëve juve që jeni në këtë ceremoni, familjes sime, të parëve të mi, origjinës sime, Dardhës, Reçit, Lurës e Dibrës, bashkëmoshatarëve, miqve, bashkëpunëtorëve”, – tha në fjalën e tij z. Hoxha.

Kush është Zenel Hoxha?
Zenel Hoxha u lind më 1 shtator 1958, në Peshkopi. Vendlindja e Zenel Hoxhës është Zall-Dardha, një zonë e njohur për përdorimin profesional të burimeve natyrore përmes punës së palodhur. Gjyshi i tij, Hasim Hoxha, dhe babai i tij, Mustafa Hoxha, një familje patriote, me traditë dhe zakon si dhe emër të mirë në Dardhë dhe më gjerë, ushtruan një ndikim të jashtëzakonshëm në edukimin dhe aftësitë e tij në jetë, gjithnjë pa e shkëputur vëmendjen nga djaloshi i ri, duke e frymëzuar me rëndësinë që ka arsimimi i duhur. Sa përmenda më sipër, por edhe të tjera virtyte si dhe të qenët fisnik dhe bujar mishërohen tek Zenel Hoxha.
E në fakt Zeneli nuk do t’i zhgënjente prindërit dhe as Dardhën që e lindën dhe e rritën. Ai do të shkëlqente jo vetëm gjatë kohës së arsimimit, duke pasur rezultate të shkëlqyera, por edhe si një profesionist i zoti dhe intelektual ka lënë gjurmën e tij në çdo hap të hedhur në karrierën e deritanishme. Zenel Hoxha ka spikatur si një njeri me aftësi të jashtëzakonshme dhe në veprimtarinë e tij ka mundur të jetë i suksesshëm. Veç kontributit të dhënë para vitit 1990 në ndërtimin e mjaft veprave të rëndësishme infrastrukturore, Zenel Hoxha do të ishte edhe njeriu që do të dilte menjëherë kundër regjimit më të egër komunist duke i dalë në ballë lëvizjes popullore dhe duke qenë edhe themelues i të parës forcë antikomuniste në Shqipëri, PD.
Në vjeshtën e vitit 1973, në moshën 14-vjeçare, Hoxha vijon shkollën në kryeqytet, Tiranë. Programi i shkollës “Harry Fulz” ishte hartuar për të pajisur nxënësit me aftësitë më të mira në fushën e teknologjisë, nga profesorë të diplomuar në universitetet më cilësore në mbarë botën. Ndikimi i tyre tek i riu Zenel Hoxha do të shfaqej shumë vite më vonë, teksa në atë moshë, ai kuptoi gabimet e shumta të sistemit komunist. Pas përfundimit të shkollës së mesme në vitin 1977, Hoxha kreu një vit përvojë pune, e detyrueshme nga qeveria e asaj kohe. Ai ka punuar në degën e Bankës Kombëtare për rajonin në moshën 18 vjeç dhe falë pastërtisë së tij në punë, brenda pak muajsh u promovua drejtor i degës. Zeneli më pas arriti të regjistrohej në Universitetin Politeknik të Tiranës për të studiuar në Fakultetin e Gjeologjisë dhe të Minierave. Ai ishte një zë i fuqishëm në mbështetje të studentëve të Universitetit. Në vitin 1981, u zgjodh si drejtues i Unionit të Studentëve të Universitetit të Tiranës. Në vitin 1981 regjistrohet edhe në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit, duke u diplomuar në degën e Gjeodezisë, si edhe atë të Minierave. Pas diplomimit nga Universiteti i Tiranës, Zenel Hoxha emërohet si drejtues i kantierit të bonifikimit në Gramsh.
Ai së bashku me punonjësit, kolegët e tij përfundoi cilësisht dhe në kohë rekord projektet për mbrojtjen nga përmbytjet e lumit Devoll ne Bërsnik, Gramsh. Ai përjetoi drejtpërsëdrejti varfërinë ekstreme dhe persekutimin e popullit të zonës e më gjerë, të shkaktuar nga regjimi i egër komunist. Zeneli, me një kurajë të jashtëzakonshme, mbështeste disa familje të internuara nga Tirana në Gramsh. Zenel Hoxha përfundoi zbatimin e projekteve bonifikuese në Gramsh një vit para afatit, bazuar në aftësitë dhe arritjet e tij ai transferohet në ISPVKU ( Instituti i Projektimit të Veprave Ujitëse) në Tiranë. Puna në Institut i dha mundësinë të vizitonte shumicën e zonave të Shqipërisë në disa prej terreneve më të ashpra dhe me varfëri të skajshme, duke forcuar tek ai bindjen se kishte ardhur koha për ndryshime të mëdha në Shqipëri, sidomos pas erës së përmbysjeve të mëdha në vendet e Evropës Lindore.
Në vitin 1989, Zenel Hoxha, bashkë me një grup prej 32 inxhinierësh të Gjeodezisë, themeluan të parën organizatë joqeveritare të pavarur, si provë për të sfiduar kontrollin e shtetit.
Vetëm disa muaj më vonë, pra në 9 dhjetor të vitit 1990, Zenel Hoxha mbështet dhe i bashkohet Lëvizjes Studentore antikomuniste, duke dhënë një kontribut të spikatur, sidomos në momentin kritik të përplasjes së studentëve me policinë, ku dhjetëra studentë u arrestuan së bashku me zotin Hoxha, atëherë banor i Qytetit Studenti dhe pedagog i jashtëm i Universitetit. Zenel Hoxha së bashku me studentë proaktivë të lëvizjes ishin frymëzues, drejtues të lëvizjes, duke i dhënë përfundimisht orientim politik asaj lëvizjeje madhështore historike për të ardhmen e Shqipërisë. Lëvizja Studentore e nisur që në javën e parë të dhjetorit 1990 nuk mbeti thjeshtë një “lëvizje për kushte më të mira të jetesës së studentëve”, siç dëshironin ta konsideronin zyrtarët burokratë të regjimit komunist. Zenel Hoxha fitoi besimin e studentëve që në momentet e para të bashkimit me studentët protestues, te Liceu Artistik i Tiranës në mëngjesin e datës 9 dhjetor. Aty ai së bashku me studentët trima u ndeshën heroikisht me forcat policore ushtarake të armatosura edhe me autoblinda. Ai ka kontribuar shumë në themelimin e partisë së parë opozitare, Partia Demokratike e Shqipërisë, dhe është një nga anëtarët e Komisionit Nismëtar të PD (15), të cilët udhëhoqën popullin për përmbysjen e regjimit të egër komunist. Ai është drejtuesi i parë i degës së Partisë Demokratike të Tiranës.
Zoti Hoxha, pas vitit 1992, vendosi të ishte i pavarur si biznesmen. Ndërkohë që vazhdonte biznesin e tij të suksesshëm, një vit më vonë, në mars të vitit 1993, me nismën e një grupi biznesmenësh të suksesshëm, e zgjedhin unanimisht sekretar i Përgjithshëm të Dhomës Tregtisë dhe Industrisë të Republikës të Shqipërisë dhe pas tre muajsh – korrik 1993 – zgjidhet unanimisht si president i Dhomës të Shqipërisë.
Zenel Hoxha është ideatori, themeluesi i Dhomës moderne të Tregtisë të Shqipërisë. Ai është hartuesi i ligjit të parë bashkëkohor të dhomave të tregtisë. Ai udhëhoqi ngritjen e dhomave në çdo qytet të Shqipërisë. Zenel Hoxha me ekipin e tij bënë të mundur anëtarësimin e Dhomës Tregtisë të Shqipërisë në Dhomën Botërore të Tregtisë me qendër në Paris (ICC).
Në maj të vitit 1994 vendoset në Londër. Në vitin 1995, kurorëzoi martesën me Silvana Hoxhën. U kthye në Shqipëri në vitin 2001, pasi pati jetuar në Britaninë e Madhe për shtatë vjet. Në Londër, Hoxha ndoqi studime të ndryshme në gjuhësi, politikë dhe ekonomi. Ai motivoi edhe komunitetin shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar për të marrë një rol më aktiv. Hoxha drejtoi të parin Komitet të Krizës së Kosovës, duke lobuar në mbështetje të të drejtave të njeriut dhe pavarësisë së Kosovës. Komiteti ka dhënë edhe mbështetje financiare për shqiptarët nga Kosova gjatë luftës së vitit 1999. Zenel Hoxha është themelues dhe president i Dhomës Shqiptaro-Britanike të Tregtisë dhe Industrisë, me qëllimin për të mbështetur kompanitë britanike dhe ndërkombëtare në Shqipëri dhe për të rritur shkëmbimet tregtare mes dy vendeve. Shumë shpejt kuptoi se Dhoma duhej të ofronte shumë me tepër shërbime dhe mbështetje për të kompensuar mungesën e ekspertizës në vend, tipike e një vendi post-komunist, si Shqipëria. Në vitin 2009, Hoxha themeloi English Speaking Union në Shqipëri, duke integruar Shqipërinë me rrjetin e botës anglo-saksone dhe duke e drejtuar atë drejt shpalljes së gjuhës angleze si gjuhën e dytë zyrtare në Shqipëri. Që atëherë, Hoxha është një personalitet i shquar, i cili krijon trende në hartimin e politikave, duke mbështetur progresin dhe duke ofruar vizion të guximshëm në ecurinë përpara të vendit. Këta janë gurët kilometrikë që tregojnë se Zenel Hoxha është përfaqësuesi dinjitoz dhe i zoti, një zë i fuqishëm i botës së biznesit, duke mbetur në histori për çfarë ai realisht ka dhënë deri më sot dhe që pritet të japë. Si në vendlindjen e tij Zall-Dardhë, për dibranët në Dibër, Tiranë e më gjerë në Londër e diasporë, Zenel Hoxha vlerësohet për thjeshtësinë që e karakterizon, gjë që e ka treguar haptazi në raportet me çdo person që ka pasur të bëjë me të.