“Fjalori me fjalë e shprehje nga Ujemuja” dhe tabloja e tij jashtëgjuhësore*


Ujemuja shtrihet në veri të qytetit të Peshkopisë – rreth 25 km larg, fshati më i tejmë. Është një rrafshnaltë, me toka prodhuese, me shumë gjelbërim e me shumë drurë e pemë. Siç e tregon vetë emërtimi (gjuhësisht, një përngjitje: ujë + e + më + ujë “nga uji tek uji”), krahina kufizohet me ujëra (në tri anë): Veleshica (në veri), Drini (në perëndim), Përroi i Gramës (në jug). Në lindje ka zabele, livadhe, pyje e bjeshkë që shkojnë deri në Korab. Ujemuja përfshin fshatrat Kallë, Vleshë, Sllovë, Ratke, Zall-Kalis, Lugjej (shqiptimi vendës: Lugje), Palamán (shqiptimi vendës: Palamó-ni), Trojak (shqiptimi vendës: Tërják), Shumbat (shqiptimi vendës Shumat), Sllatinë, Venisht dhe Dypjakë (shqiptimi vendës: Sllatáin / Venáisht / Duqák dhe Diqak).
Emërtimi toponimik “Ujemuja” duhet të jetë i vonshëm. Në “Defterin emëror të vilajetit të Dibrës (1467)”1 nuk është, por janë emra të katundeve të Ujemujës: Shëmbat, Velishtë (sipas leximit të përkthyesit të Defterit nga osmanishtja; sot Vleshë), Sllatinë, Dypjakë etj. dhe mbiemra njerëzish (e edhe emra), interesantë edhe në punë të formimit gjuhësor (Bardhi, Murrizi, Buzëziu etj.: Gjon Bardi, Gjon Murrizi, Gjon Buzuzije).2 Fshati më i madh del Shumbati3, me 26 shtëpi. Në Shumbat është një vendbanim eneolitik.4 Në një regjistër të hartuar nga Instituti Gjeografik i Bullgarisë, botuar në Sofje më 1903, përmenden këta fshatra: Venisht, Sllatinë, Vleshë, Dypjakë, Shumbat, Palaman, Trojak, Ratke (emrat janë sipas shqiptimit të sotëm).5 Ndër 11 fortesa peneste, profesor Kristo Frashëri lokalizon Kalanë e Çukit pranë Dypjakës dhe Kalanë e Venishtit.6 Edhe sipas një pohimi gojor nga Halil Robi (Venisht), flitet për një kala të hershme, shumë të fuqishme në Zhuparrë – një vend midis Venishtit e Sllatinës. Ujemuja është fqinje me vendlindjen e Kastriotëve. Ali Hoxha e vendos Betejën e Torviollit midis Rrafsheve të Shumbatit dhe Fushës së Kastriotit7.
Ndër taksat që i paguheshin timarit, gjithnjë sipas Defterit, ishte edhe mushti, çka do të thotë se përveç grurit, thekrës etj., kanë qenë kultivuar edhe rrushi e pemë të tjera. Që atëherë, fshatrat e Ujemujës janë rritur shumë. Jeta dhe jetesa kanë ndryshuar shumë. Dhe vijojnë të ndryshojnë. Kësula e bardhë si bora në Korab rrallë po shihet në Ujemujë. Edhe koparania e zezë e dibranit – e zezë për zi të vdekjes së Skënderbeut8 – rrallë shihet. Edhe tirqit e bardhë me gajtana të zinj e me shkeka rrallë shihen. Çorapet e leshta me mediskambe e ndortat, gjithashtu të bardha si bora në Korab, ka vite që janë zhdukur. E reja, zhvillimi, ka bërë të veten. Edhe kërrabëzat e gjergjefi po rrallohen. Shtëpitë nuk i kanë më divanhanet, aq impozante e aq funksionale. Dhomat po bëhen gjithnjë e më shpesh pa oxhaqe. Nuk ka më polica e boksa në mur sepse ka bufé. Edhe këtu e reja ka bërë të veten. Në Defterin kadastral të vitit 1467 shënohen edhe liri, meli e thjerrëza për taksë. Sot, e edhe më parë, liri, meli e thjerrëza nuk njihen më në këtë zonë. Por nuk ka humbur kënga, sido që me raste. Nuk kanë humbur këngët e motmotit, që janë një simfoni e vërtetë sepse festohen bukur festat e pranverës – Ditëverja dhe Shëngjergji. Këngët e dasmës gëlojnë e shpërthejnë kumbueshëm, herë-herë – natën e kurës (gjerdekut), edhe si të lirshme e pak si tej moralit shumë të lartë e koncepteve shumë të larta kulturore që ka krahina. I lejon dasma. Është kohë gëzimi e gazmendi. Në oda këndoheshin këngë trimash. Tani ato vijnë më shumë nga Radio “Kukësi”. Përralla nuk tregohen, por histori e bëma, po. Edhe legjenda e gojëdhëna. Në oda. Në odat dibrane. Me urtësinë burrërore dhe replikat e tyre të holla. Më së shumti, kur s’ka aheng, çifteli, curle e televizor a radio.
Ujemuja ka shumë vise turistike: Gjeshka (= Bjeshka) e Shehit, Kroi i Nxhexhit (= Shëngjergjit) e Uji i Ftoftë. Uji i Ftoftë (në Vleshë) është burim i madh sulfuror, që shëron sëmundje reumatizmale. I ftohtë akull. Thonë se ka qenë në hartat topografike të austriakëve si ujë mineral. Lugjejt është mu afër Drinit; Zall-Kalisi, mu afër Veleshicës; Dypjaka, mu afër Përroit të Gramës.
Thonë që në Vleshë ka bujtur Abdyl Frashëri në rrugën e tij për në Prizren, për Lidhjen e Prizrenit.9 Shkolla e parë shqipe është hapur më 1914 në Trojak e pastaj ka kaluar në Sllovë10. Më 1922 është bërë shkollë e re në Sllovë. Shkolla unike (7-vjeçare) është hapur në Sllovë në vitin shkollor 1946-1947. Tani, ka shtatë shkolla të ciklit të ulët, dy shkolla 9-vjeçare (Sllovë, Shumbat) dhe një të mesme të përgjithshme (Sllovë). Më 1987, në Sllovë, atëherë, qendër lokaliteti, është zhvilluar një sesion shkencor në shkallë rrethi për probleme të gjuhës së popullit e sidomos, të leksikut popullor. Kanë marrë pjesë edhe profesor Androkli Kostallari (akademik), profesor Remzi Përnaska e të tjerë. Në kohën e socializmit, Ujemuja bënte pjesë në lokalitetin e Sllovës. Kishte dy kooperativa bujqësore. Pas viteve ’90 qe një komunë.11 Tani është njësi administrative (NJËSIA ADMINISTRATIVE SLLOVË).
Krahina shquhet për jetë të kulturuar e pastërti mjedisore. Edhe për pastërti morale. Edhe për çiltëri e besim të ndërsjellë zemërbardhë e kësisoj, edhe për marrëdhënie fqinjësore e shoqërore shembullore. Edhe për marrëdhënie jetësore dinjitare ndërmjet brezave, çka ka sjellë ndikim të ndërsjellë të vazhdueshëm edhe në punë të leksikut të së folmes.
Është zgjedhur Ujemuja për një Fjalor krahinor jo për ndonjë arsye krahinoriste e lokaliste, por për pasurinë e madhe leksikore që ka ruajtur e që ka. Është një e folme konservative dhe njëherësh, e zhvilluar brez pas brezi. Bartësit e saj historikë dhe aktualë janë njerëzit e saj, aq të mirë, aq punëtorë e aq kuvendarë – bujq, blegtorë, ndërtues, mësues etj.
Leksiku i një të folmeje jep, siç dihet edhe tablonë jashtëgjuhësore. E, Ujemuja është një krahinë me një tablo të gjerë jashtëgjuhësore, që rrok të gjitha anët e jetës në atë truall dhe që flet për një zhvillim të saj të vazhdueshëm. Krahina ka njohur horasanin e dogramën, kishllanë e sharapollin, shalën e kalin e shalës, hutën e kaushin (“qeli burgu”), qilimat e sixhadet, karjollin e hamamin, bardakin “bardhak” e qelibarin, mëndafshin e kumashin, bojëgjakun (“bojë e kuqe e ndezur si gjaku” që përdorej shumë për harxhet e qilimave) e mulinetë, tentenet (“dantellat”) e sedefin, ojnat e teminat, fakfunin e merxhanin (me shqiptimin e së folmes: orrxhon), miskun (“myshk”) e sapunin misk, kánën (“këna”) e livandën (tani, edhe shampon), maravën (“lule bjeshke shumë e merme”, që thahet e vihet tubë në arka a në dollape petkash; zor se ka aromatizues më të këndshëm se ajo) e granabutin, mokrrën (dikush e ruan edhe sot në katundin Vleshë) e dybekun, shtipësin e nishadrën (kloruri i amonit), nderin dhe porotën, shkollën e shkollarët, shnegullën (“shilarth”) e lëpardhën (“daulinë”), horen (“vallja e vajzave”) e Vallen e Brezatarëve, kuviset e bendet (“shpoti”) etj. Sigurisht, dikush do të kishte pritur të dëgjonte në këtë të folme cucë e nuse (“bashkëshorte” e dikujt, sidomos kur i drejtohemi një gruaje, edhe pse mund të jetë edhe e moshuar12), almise e kërlik, li (edhe sot ka ara që quhen Linishte, ngaqë dikur është kultivuar liri) e gres, batërr (“badër”) e shtarë, krení e ndërgjegje (njerivi duhet t’kete nërxhexhe), xhamí e imam, gëzimtar e fakir etj., por mund të mos kishte pritur të dëgjonte rabdishan e mante (grash), potina e skarpina (sepse nuk besojmë të jenë veshur e mbathur), sporta (kryes. sh. çorape leshi grash deri te nyjat) e reglan: mangë reglan (në të folmen e Ujemujës: mog reklam trikoje; mëngët reglan shkojnë deri te qafa e rrobës; reglan – model palltoje, xhakete etj., emërtuar kështu sipas lordit Raglan / [´rēglën] / 1788-1855, kryekomandant i forcave britanike në Luftën e Krimesë; nga hetimet tona, fjala njihet në 16 gjuhë të Europës), pop e abat (dy fjalë të krishterimit / edhe pse ka shekuj që të gjitha fshatrat janë të besimit islam; në parantezë, në Vleshë është edhe toponimi Papaxhurxhe → papa Xhurxhe), llatinkë e pagan (shih formimin dorëpagamë), graduat (ushtarak me gradë) e pajton, lord e pampurr, sfungjer e sulfatë, bende e shifër, fallake e panxhë, lefterisem (“shpëtoj nga diçka e keqe”) e jutë (shih njësinë frazeologjike shkoi jutë dikush a diçka; // jutë është me prejardhje nga bengalishtja e më tej, nga sanskritishtja; duket, është marrë nga një gjuhë e shkruar europiane sepse ka ruajtur trajtën e huaj shkrimore) etj. Por, siç dihet, gjuha bën të veten.
Çfarë ka e çfarë ruan kjo e folme në punë të leksikut? Çfarë ruan në dallim nga të folmet e tjera? A kanë përdorim të mëtejmë njësitë leksikore e frazeologjike të kësaj të folmeje që përfshihen në këtë Fjalor? A ka ruajtur kjo e folme diçka nga koha e Buzukut a më pas? Ç’mjete fjalëformuese tipike e karakteristike ka? Çfarë sjellin këto fjalë, këto kuptime, këto njësi frazeologjike për gjuhën letrare? Besojmë që Fjalori e pasqyron këtë ruajtje dhe këtë zhvillim.13
Fjalori me fjalë e shprehje popullore nga Ujemuja na njeh me fjalë dhe sende (shalanike, vandake etj.)14, me emërtime të njerëzve sipas dukës a sipas tipareve morale (sypeshk, syfortë, syunët etj.), me elemente të hershme të leksikut të shqipes (tipi gjegj, jes, nxit), me izoglosa (kalashtoj për përkëdhel, ftorr për turfulloj etj.)15, me elemente të hershme dukurish gramatikore (shumësi dhis, illzi, gurzi etj.), me elemente të veçanta dukurish gramatikore (nyjat i, e, të tek emrat që shënojnë banorë: i dibran / e dibrane / të dibranë), me elemente të stilistikës dialektore (t’i prekim duert e t’ ham ni gjoj buk / i thuhet mikut kështu; shih zgjedhjen prek për laj / sepse miku është i pastër e i ka të lara duart dhe gjoj “gojë” për “kafshatë”, osht me kam t’zona nausja, nuk hyj në një thes me dikë), me tipa fjalëformues prodhues që janë të përbashkët për të dy dialektet e për gjuhën e njësuar letrare (brezahipas, shalahipas, topahipas, vogëlec, vathnaj(të), plehnaj(të) etj.) dhe me një traditë krijuese fjalëformuese – tipike popullore: mbiemra, kryesisht të substantivuar, të formuar me prapashtesën –sh (kur përdoren të pasubstantivuar, vihen para emrit), me kuptim keqësues (gërbulsh, kalbsh, lakavarsh etj.), ose nga një dëshirore e foljes, veta II, njëjës, me kuptim dëshiror, kryesisht për mallkim (fiksh, nxifsh, djegsh etj.) ose mirëdashës (bekofsh), me formime foljore nga tingullimitimet (tipi gumllon, skapllon), me formime me kastër- (kastërgjysh), me formime me infiksin mohues pa- (tipi borxhpalamë, dhambëpalamë, fjokëpakrehëm, punëpadukëm, sypafjetëm, sypangopëm etj.), me formime mbiemërore me –shtë (tipi i breshtë, i drushtë, i dëllishtë, i dhishtë, i verrishtë, i vgjeshtë etj.), me formime me prapashtesën –çk, me ngjyrim përçmimi (përhiçk,-ë, lazniçk,-ë etj.), me formime mbiemërore nga tema foljore + prapashtesën –të (tipi i veltë, i humbtë / i huptë), me formime me parashtesën për-, me kuptim intensiv (tipi përlutem), me formime të përngjitura (tipi sejétë,-a, sesi,-a), me ndajfolje të kohës (tipi parmparmbramë, tjetërmot etj.), me thirrma kur ndjellim a trembim kafshët (çup, kujtna, tuke-tuke etj.) etj. Fjalori na njeh me eufemizma, me njësi frazeologjike e fjalë të urta, të panjohura deri tani në gjuhën e përbashkët letrare (farkofsh,-i = gjarpër; të ha dhevin nër kambë dikush; ha re dikush, në muej të kuq; më ka rrjedhë koci ujë për dikë a për diçka; ta ban verë me gojë dikush etj.). Fjalori na njeh edhe me të dhëna kur njerëzit varroseshin me enë e sende vetjake (ka shkue me ba vorba dikush / me mospërfillje, ka vdekur), me elemente të simbolikës së emrave që shënojnë shpendë (mëlliskë, triskë etj.) etj., me përdorime mbiemërore ose ndajfoljore të mjaft emrave konkretë (berr, caran, hardhiçkë, krand, krue, lerë, lëkitër, mal, manëze, rrush, shpatë, tokël, tra etj.), me mbijetoja paraindoeuropiane të sistemit të numërimit vigesimal / me njëzet (shih katërzet në njësinë frazeologjike asht m’katërzetat dikush “është shumë i inatosur a shumë i nervozuar”) etj. Në Fjalor, duket se sinonimet konkurrojnë edhe vetë brenda së folmes. Është interesant rasti krye / kokë: Më së shumti, përdoret krye; kokë, shumë më pak (ndoshta, ngaqë del homonim me kokë “kokërr”), por del krahas krye si gjymtyrë kompozite dhe frazeologjie: kokëçerr “kokëçjerrë”; kokëmraztë “kokëzbrazët” dhe ia ka ba koka. Kurse te rasti ndigjoj / ndiej / gjegj mendojmë se kemi të bëjmë me dallime përdorimore kohësore, historiko-kronologjike: ndigjoj e sotme; ndiej që po vjetrohet; gjegj e vjetruar. Sinonimet vijnë në këtë të folme edhe me vlerat e tyre stilistike. Shih, p.sh. te njësia frazeologjike ha re dikush: re nuk mund të ndërkëmbehet me vranësi / vranësirë; thuhet e kam litarin në fyt, por (ndoshta, për arsye jashtëgjuhësore) jo e kam tërkuzën në fyt. Brenda së folmes ka edhe variante fjalëformuese (tipi lëvrij / lëvroj; i mërdhizëm / i mërdhiztë etj.).
Fjalori përfshin mbi 8000 fjalë, përveç njësive frazeologjike. Fjalët e urta e proverbat janë njësi ilustruese, ashtu si thëniet. Lënda është qëmtuar prej vitesh drejtpërdrejt në fshatrat e Ujemujës.16 Nuk dimë që krahina e Ujemujës të ketë skripte (skripti është formë e shkruar me tipare dialektore), por ka njëfarë folklori të botuar17 dhe një folklor shumë të pasur, ende të pabotuar. Jemi munduar ta vjelim edhe folklorin e pabotuar të krahinës.18
Lënda kryesore është vjelë nga prindërit e mi, motrat e mia e vëllai im në momente bisede krejt të lirshme, por edhe me pyetje e përgjigje.19 Burimi i dytë kanë qenë banorët e katundit Vleshë. Më tej, ata të Kallës, të Sllovës, të Trojakut, të Palamanit. Janë bërë ekspedita të qëllimshme leksikologjike në Pashnjarë (lagje e Sllovës), Ratke, Shafell (lagje e Palamanit), zall-Kalis, Lugjej, Sllatinë, Venisht, Shumbat, Smaç (lagje e Shumbatit) e Dypjakë. Rast shumë i mirë kanë qenë dasmat, me këngët e vajzave. Në oda, kuvendimet e bisedat serioze për histori, bëma, ngjarje, tradita, punë bujqësie etj.20 Fjalët me vlerësim negativ, mallkimet e vulgarizmat (fjalët dhe shprehjet e ligjërimit të thjeshtë) janë vjelë në rrugë, në lojë, në shakatë e humoret e djemve.
Fjalori i Ujemujës përfshin pesë shtresa fjalësh: a) fjalë të përdorimit vendor, që nuk kanë përgjegjëse sinonimike në gjuhën e njësuar letrare (dikah, ditënisht, kapatherem, i/e kërpudhtë, prekë, puplit, rrugëtisht; që kanë përgjegjëse sinonimike në gjuhën e njësuar letrare (por sigurisht, me prejardhje të ndryshme leksiko-fjalëformuese e edhe me ngjyresa kuptimore e stilistike etj.): dynak, gjuhëtar, kalashtoj, kip, kushmos, lëkitër, lëpardhë, mëshel, parator, i parshëm, pipton, puthtoj, sprehlloj, sharkitet, tëhollëz, zhgerre); b) fjalë të mbarë gjuhës, por me kuptime ose me ngjyresa kuptimore21, të ndryshme a të veçanta vendore (anëtar, arbënesh, kullot / me kuptim të figurshëm, mbaresë, pikëtoj, prekë / fig., thij), ose fjalë, që në krahasim me ato të gjuhës së njësuar letrare, kanë kuptime të pjesshme, më të ngushta (argat, kullosë, ndërmjetëz), a të vjetruara (mafes); c) fjalë që plotësojnë çerdhen fjalëformuese të gjuhës së njësuar letrare (cingëroj, kakushem, lavdëresë, ngen, ngrishëm, pingërimë, pikërrimë); ç) fjalëformime tipike popullore, që pasqyrojnë shpirtin e së folmes (mbiemra të formuar nga një dëshirore / tipi bekofsh, emra më -naj(të), formime me gjymtyrë të dytë –madh (tipi rrebemadh, sherrmadh etj.) etj.; d) variante fjalëformuese të fjalëve të gjithëmbarshme (edhe këto pasqyrojnë shpirtin e së folmes) (ndonjëherë, edhe morfologjike e fonetike22 – i dhishtë, / krahaso në gjuhën letrare i dhirtë, vetësi për vetmi, burrënim / me kuptim përmbledhës., ngasëtar, i vokërr (e ka edhe arbërishtja, i vikërr), vnesht/ë,-a, mçeh, mçik, grumneshë). 23
Në Fjalor është përfshirë edhe ndonjë fjalë që është në Fjalorët shpjegues të shqipes së sotme (b.f., lavër, lavërtar, lëmyshk, lisën, shëmoj etj.) pa dallime a ngjyresa kuptimore. Kjo është bërë për të treguar se njësi të tilla janë shumë të pranishme e shumë tipike në këtë të folme, ose për ndonjë thënie, kryesisht të figurshme a njësi frazeologjike (shih lakmi, kripë, vapë etj.). Në Fjalor pasqyrohen edhe disa variante fonetike brenda së folmes (tipi bushtoj / pshtoj, fkellë / thkellë).24
Në Fjalor ka edhe huazime a fjalë me prejardhje të huaj (kollan, darí, mastraf, brac,-ë, kolir, okolla, fuste, polak, puste, celinë, rrëzbit, zakosë, nemogsh, apet etj.) – pjesa më e madhe e tyre, sllavizma e turqizma që po vjetrohen, domethënë, që janë përdorur nga brezi i parshëm, që mund të përdoren sot nga brezi më i vjetër, ose që hasen në folklorin tradicional. Fjalori mund të gjykohet për këtë përfshirje. Por, fjala e huaj a me prejardhje të huaj është dokument historik, është një fakt. Ajo tregon një dhënëmarrje, një bashkëmarrëdhënie, një kohë kur ka hyrë, por edhe një kohë kur ka dalë tej a kur mund të dalë (gjuhësisht: e vjetruar a që po vjetrohet)25, domethënë, tregon edhe zhvillimin e leksikut të së folmes, mënyrën si mund të zëvendësohet e si është zëvendësuar në kohë. Ajo sugjeron të gjurmohet në të folme të tjera, për të gjetur, ndoshta fjalën shqipe a me formim shqip (p.sh., e folmja e Fushës së Shehrit, Dibër ka tëhollëse për palaré). Mbase, këto huazime e fjalë me prejardhje të huaj kanë vlerë për etnografin, historianin e gjuhës etj. Një pjesë kanë shënimin vjet., çka do të thotë, siç u përmend më lart se janë përdorur nga brezi i parshëm ose në folklorin tradicional. Ato fjalë që na duket se mbijetojnë, janë pa shënimin vjet.
Fjalët dhe shprehjet e Fjalorit rrokin fusha të ndryshme të veprimtarisë jetësore – materiale dhe shpirtërore të krahinës, natyrisht për aq sa kemi arritur të gjurmojmë e të mbledhim. Nga veprimtaria shpirtërore duam të përveçojmë fetarizmat islamë. Sigurisht, ato nuk mund të konsiderohen krahinorizma në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, sepse duhet të kenë përdorim shumë më të gjerë a gjithëvendor; por ne i kemi përfshirë sipas gjykimit që “i kemi hasur në këtë të folme, ashtu si edhe njësitë e tjera të fushave të tjera, të cilat, gjithashtu, mund të kenë përhapje më të tejme”.
Ligjërimi jobisedor në të folmen e Ujemujës është gjithë kulturë; shih në Fjalor, p.sh. eufemizmat i pamirë për “i sëmurë”, i pabukur për “i shëmtuar”, me kambë të zana e shtatzanë për “me barrë”, të vdjerrët për të vdekurit, m’ka dalë nji dhi për “më ka ngordhur një dhi”, derë e vogël për “nevojtore” (e kanë edhe anglezët: little house “shtëpi e vogël”) etj. Është interesante: fjala nuse përdoret, edhe për gra, madje, edhe të moshuara për bashkëshorte e dikujt. Shih edhe motivimin fjalëformues te dhanëmarrje (krhs. konceptualizmin popullor jap, pastaj marr), sylëshuem etj. Shih përdorimet mbiemërore të emrave që shënojnë veti të spikatshme (p.sh. rrap, plep etj.; rrap është djali; plep është nusja). Shih edhe urimet e fjalët e urta. Ato tregojnë mirëdashje. Por, në Fjalor ka edhe fjalë e shprehje të ligjërimit bisedor (p.sh., përdorime mbiemërore emrash me konotacion negativ). Ka edhe fjalë e shprehje të ligjërimit të thjeshtë (të shkujdesur): vulgarizma e mallkime. Fjalët e ligjërimit të thjeshtë përdoren, siç dihet, në situata të caktuara ligjërimore, kryesisht në rrethana mërzitie e nervozizmi dhe janë dëgjuar, siç u tha, në rrugë. Si në rastin e fjalëve të huaja a me prejardhje të huaj, do të kishte qenë qëndrim joobjektiv e paragjykues dhe parimisht, zgjidhje e padrejtë, po të mos ishin përfshirë në Fjalor vulgarizmat e mallkimet. Është një veprimtari gjuhësore dhe hartuesi i fjalorit e ka për detyrë ta pasqyrojë atë.
Kërkimet leksikologjike e leksikografike e sidomos, ato dialektologjike e dialektografike i kthehen gjithnjë e më shpesh gjeografisë së fjalëve. E, fjalorët krahinorë janë edhe gjeografi e fjalëve. Por, më shumë se kaq, fjalorët krahinorë të shqipes, për arsye gjuhësore dhe jashtëgjuhësore që dihen, nxjerrin në dritë lëndë leksikore për pasurimin e mëtejshëm të leksikut të gjuhës së njësuar letrare: njësi leksikore ose kuptimore (që plotësojnë shtresën bisedore të gjuhës), njësi leksikore shprehëse-emocionuese (si mjet i diferencimit stilistikor), njësi leksikore me funksion normativ (janë njësi leksikore me kuptim konkret–lëndor që mund të asnjanësohen duke e humbur ngjyrimin vendësor). “Kjo gjuhë (gjuha e sotme letrare shqipe – H. Sh.), – thotë profesor Androkli Kostallari, – është demokratizuar edhe më tej, duke ngërthyer me mijëra fjalë e shprehje nga gurra popullore e të gjitha krahinavet”.26 Sigurisht, për arsye të ndryshme, ka ende fjalë e shprehje popullore të pakodifikuara. Mbi të gjitha, sepse populli është gjithnjë gjuhëkrijues. Gjuha e njësuar letrare mund t’i mirëpresë të tilla fjalë e shprehje popullore, siç është argumentuar shkencërisht, pavarësisht nga areali gjeografik. Për t’ia rikthyer popullit si mjet kulture. Do të isha i lumtur sikur të kishte të tilla edhe në “Fjalorin me fjalë e shprehje popullore nga e folmja e Ujemujës”, sepse ky ka qenë edhe një ndër synimet e tij më të para. Do të isha po kaq i lumtur sikur të tjerët të gjurmonin e të zbulonin më shumë se kaq e më shumë se unë e t’i botonin. Atëherë, ky Fjalori i tanishëm do të ishte vetëm bleu i parë. Dhe, po të hartoheshin e të po botoheshin fjalorët e të folmeve të tjera të Dibrës, ky do të ishte vetëm njëri nga blejtë e librit të saj të madh.
* Titulli është i redaksisë së gazetës.


FALËNDERIM i autorit

Në këtë Fjalor është tubuar fjala e ujemujasve dhe unë jam i nderuar e i lumtur që jam bashkatar me ta. Prandaj ata meritojnë mirënjohjen time më të përzemërt. Në këtë punë të përbashkët, të parët janë prindërit e mi – Sadiku e Nazmija, vëllai im – Hafizi dhe motrat e mia – Dëshira, Ludja dhe Zija. Fill pas tyre vjen Abaz Dervishi. Dhe pastaj: Bajram Çekiçi, Bexhet Rexha, Hajri Xhepa, Haki Abazi, Huzrije Shehu, Merxhane Çorja (Selxhaferi), Ramadan Murati, Sami Shehu, Shahe Shehu (Daku), Tahir Xhemalia, Ymer Çorja, Zabit Shehu. Dhe shumë të tjerë. Për arsye vendi do të shënoj vetëm disa: Abdullah Shehu, Abdurrahim Abazi, Adem Durma, Ahmedije Daci, Aladin Shehu, Ahmet Gjoka, Avni Çorja, Barije Daci, Bedullah (Lah) Abazi, Besnik Sulejmani, Elez Hysa, Emin Ibish Shehu, Emri Deda, Faik Puci, Fuat Abazi, Halil Robi, Halim Shehu, Hamdi Cala, Hasan Shehu, Iljaz Karçi, Mahmut Çima, Mehmet Shira, Muharrem Shehu, Nuri Smaçi, Nuz Mala, Pijazit Shehu, Qamil Hasani, Ramadan Çera, Sali Shehu, Sinan Hysa, Sefedin Merhadi, Shahe Xhepa, Shaqir Shehu, Shemsi Çorja, Teki Çera, Xhavit Hysa, Zabit Xhepa, Zenel Gjoka, Zeqir Mandrri etj.
Shumë fjalë e shprehje i kam dëgjuar në biseda odash e tubime të ndryshme e s’kam mundur t’i shënoj emrat e folësve. I falënderoj të gjithë këta e njëherësh, u kërkoj ndjesë që s’i përmend dot. Më vjen keq, gjithashtu që s’përmend dot emrat e djemve, nga të cilët kam dëgjuar vulgarizmat. Kanë qenë çaste loje e bisedash të shpejta adoleshtentësh e kësisoj, nuk kam mundur t’i shënoj emrat e tyre. Nuk kam shënuar dot as emrat e vajzave në lojërat e tyre në oborre e në festimet e tyre popullore. Ani. Pa emra, por u jam shumë mirënjohës.
Kam vjelë për këtë Fjalor gjithë lëndën leksikore të Hafiz Shehut, ish-drejtues i kulturës në zonë, botuar në “Studime filologjike” dhe “Gjuha jonë”, ose dërguar në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë për Kartotekën e leksikut të shqipes dhe lëndë leksikore nga kumtesat e mësuesve Ibrahim Daci, Naim Plaku, Nilkë Shehu e Sejdi Hysa, mbajtur në sesionin shkencor të Sllovës, më 1987. U jam shumë mirënjohës. Falënderoj folkloristin, dr. Fejzulla Gjabri e mësuesin e biologjisë, Metush Skeja, për disa plotësime e saktësime fjalësh a kuptimesh dhe gazetarin Shaqir Skara, për disa nga toponimet, që i kam cituar në një poshtëshënim. Një falënderim të veçantë e kam për prof. dr. Vesel Hoxhën (inxhinier gjeolog), për hartat e Ujemujës dhe për pilotin Floran Delia, për fotografimin nga ajri të visoreve të Ujemujës. Një mirënjohje e falënderim prej kolegu e shoku i kam për recensuesit e Fjalorit – akademik, prof. dr. Jani Thomain e prof. dr. Enver Hysën dhe për Këshillin shkencor të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë. Një mirënjohje e falënderim, gjithashtu prej kolegu e kam për Qendrën e Studimeve Albanologjike, që e bëri të mundur botimin e fjalorit.
Falënderoj përzemërsisht vajzat që i dhanë formë fjalorit: Mirela Mihalin, Engjëllushe Karajn, për durimin e kujdesin e tyre të veçantë, për radhitjen (Mirela), korrekturën teknike, faqosjen e përgatitjen për shtyp (Engjëllushja) të kësaj lënde kaq të panjohur e kaq të vështirë për to. Për ballinën falënderimet shkojnë për Dorina Mukën. Për korrekturën letrare falënderoj Bledarin, tim bir.


Referimet

1 Shih në arkivin e Institutit të Historisë, Tiranë: Defteri emëror i vilajetit të Dibrës (1467) (përkthyer nga V. Buharaja).
2 Shih edhe emra e mbiemra të tjerë. Aleksi Rrenësi (sot ka fshat me emrin Rrenz pak më tej se Ujemuja), Bard Bullaçi, Gjin Kalja, Gjin Korojashenda, Gjon Bullaçi, Gjon Korojashenda, Gjon Kotori, Gjon Zografi, Kolë Kudhoni, Kolë Luzi, Kolë Mizi, Kolë Morini, Kolë Punikiqi (mund të lexohet edhe Punëkeqi / shënim i përkthyesit të Defterit, V. Buharaja), Lekë Lolashi (ndoshta Luleshi / shënim i përkthyesit të Defterit; // mbase, edhe Lulashi – H.Sh), Llazar Bërzili, Llazar Rrenësi, Mekshe Prifti, Mile Bratislavi, Muzi Debri (krhs. mbiemrin me Dibër, Dibra/H.Sh.), Nikollë Koleci, Nikollë Llagari (Llazari (?)), Petër Gjasht/e/iglishti (me gjashtë gishtërinj / shënim i përkthyesit të Defterit), Petër Lura, Petër Mataranku, Petër Piluga (sot ka ara në Kallë që quhen Piluga), Petër Prifti, Pip Shëmbati (sipas leximit të përkthyesit të Defterit; krahaso Shumat / Shumbat / Shëmbat), Tole Bardi, Vllatko Lloshi etj. Siç shihet, pjesa më e madhe e emrave dhe e mbiemrave janë antroponime tipike shqiptare.
3 Për Shumbatin shih: Shaqir Skara, Shumbati (histori dhe tradita), Tiranë, 2004.
4 Shih Adem Bunguri, Prehistoria e Dibrës, Tiranë, 2010, f. 153.
5 Shih K. Frashëri, Historia e Dibrës, Tiranë, 2012, f. 570, 571. Administrativisht, Zall-Kalisi ka qenë me Kalisin (rrethi i Kukësit) deri në vitin 1946, kurse Lugjejt, me Zall-Dardhën deri më 1955; edhe tani, Lugjejt është me Zall-Dardhën.
6 Shih K. Frashëri, Historia e Dibrës, Tiranë, 2012, f. 39, 56.
7 Shih Ali Hoxha, Mbi lokalizimin e Fushës së Betejës së Torviollit, në “Studime historike”, 1979, 3, f.229-236.
8 Sipas një kumtimi gojor nga Murat Hysa. Shih edhe një shkrim tonin në gazetën “Mësuesi”, dhjetor, 1968.
9 Shih 100 personalitete shqiptare të kulturës islame, Tiranë, 2012, f. 230.
10 Shih Xhemal Domi, Shkollat e para shqipe në Dibër, në “Rruga e Arbrit”, nr. 29, shtator 2008, f. 11.
11 Shih Hysen Çera, Ujë e m’Uja, Tiranë, 2000; shih edhe te Fjalori Enciklopedik Shqiptar (zëri Sllova), Tiranë, 1985 e te Fatos Daci, Enciklopedia e Dibrës, Tiranë, 2006 dhe te Shaqir Skarra, Trokitje në portat e Dibrës, Tiranë, 2013. Shih edhe Xhelal Ndreu, S’ka qetësi në Lisivalle, Tiranë, 1996.
12 Nga pesë fjalë të përbëra me gjymtyrë të dytë -mirë, na duket se pesë vlerësime i kanë të radhës së parë ujemujasit – nusen (bashkëshorten), punën, fjalën, zemrën, shpirtin. Ato janë nusemirë, punëmirë, fjalëmirë, zemërmirë, shpirtmirë. Antonimet janë nusekeq, punëkeq, fjalëkeq, zemërkeq, shpirtkeq.
13 Në të folmen e Ujemujës e më tej ruhen edhe toponime e mikrotoponime të vjetra e interesante në punë të formimit e të motivimit: Bumatroll, Deluzë “Delujëz”, Derëz, Gështejas, Gramë, Gjuri Shqipes, Kallë, Kapç, Kriçza, Linishte, Lisivalle, Mbaslerë, Nërgjurz, Paraspore, Rraina “Rrina”, Rrasagulë “Rrasangulë”, Shënapremte, Shënxhexhe (= Shëngjergje / emër arash), Shilbatër, Shkekë, Shtodër, Shumarenë, Shumat “Shumbat” etj. Mikrotoponimia e Vleshës është mbledhur nga ne dhe është në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë, Tiranë; por kjo nuk mjafton kurrsesi; duhet mbledhur sa më parë toponimia e mikrotoponimia e gjithë Ujemujës dhe më tej. Besojmë të jetë një lëndë me vlerë për të folmen e, mbase edhe për gjuhën shqipe, për historinë e saj, por edhe për leksikun e saj.
14 Për kuptimet e fjalëve a të njësive frazeologjike që jepen si shembuj ilustrues në këtë parathënie, shih në këtë Fjalor në vendet përkatëse.
15 Në të folmen e Ujemujës, sidomos te brezi i parshëm a te mosha e sotme e tretë, nuk njihen fjalët barí, fshat, fundërron, i gjelbër (i blertë), gjemb, kofshë, kope, kumbim, kumbon, mbyll, nofull, nxitoj, nxjerr, pyll, rregulloj, rroba, i sipërm, shikoj, shpejt, shpejtoj, shuplakë, zgjoj, zgjohem etj., por përkatësisht (me shqiptimin krahinor) çoban, katund, rrësmon, jeshil, ferrë, vegë, tufë, gjëmim, gjëmon, mëshel, fulqi, vriktoj, qit, mal, ndreq, petka, i epër (i epërm), shoh, vrik, vriktoj, shpullë, mçoj, mçohem. Ndërkohë, ka fjalë të gjuhës së përgjithshme (tipi lumë etj.) që nuk njihen a nuk përdoren në kuptimin e parë, themelor, por në kuptimin e dytë a në kuptimet e prejardhura.
16 Fjalë e shprehje nga ky Fjalor (ballosh, barrëtor, bethyem, brezatar, derdhmas, djegë / fig., farkofsh, lakavar, parsë, pikëtoj, rrësmon, rrudhake, skabardh, skapllon, skepator, skithem, syfortë, sypafjetëm, syuntë, tëthacë, valëmadh / vokërr (i), vrugohem / fig., vrugoj / fig., të ha dhevin nër kambë dikush etj.) janë botuar nga ne edhe në revistat “Studime filologjike” e “Gjuha jonë”. Këto e të tilla si këto janë marrë e përfshirë edhe në “Fjalor i gjuhës së sotme shqipe” (Tiranë, 1980), “Fjalor i gjuhës shqipe” (Tiranë, 2006), “Fjalor i gjuhës shqipe” (i Mehmet Elezit / Tiranë, 2006). Ka edhe fjalë e shprehje nga ky Fjalor që janë sugjeruar e përfshirë drejtpërdrejt në Fjalorët e gjuhës shqipe të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë. I përmendëm këto për të thënë se këto fjalë e shprehje i ruajnë edhe statusin si njësi popullore krahinore në Fjalorin tonë, edhe burimin si njësi popullore të mbledhura për së pari në të folmen e Ujemujës. Në raste të tilla, thuajse nuk përdoret formula e shpjegimit “si FGJSSH”.
17 Shih: Naim Plaku, Krojet e zanave, Tiranë, 2010; Sami Shehu, Një bilbil n’trëndafil, Tiranë, 2003; Shaqir Skarra, Gurrat e Korabit, Tiranë, 2011.
18 Është vjelë shterueshëm lënda folklorike e mbledhur nga ne në Ujemujë në vitet 1962-1965 (pronë letrare e ish-Institutit të Folklorit, tani, Instituti i Antropologjisë dhe i Studimeve të Artit, Tiranë). Janë qindra vargje këngësh popullore të motmotit, të dashurisë, të dasmës, të trimërisë etj. dhe shumë proverba, gjëegjëza etj.
19 Mbaj mend si u regjistrua fjala parsë. Një nga shoqet e pyeti motrën time: “A e bone fenellën?”. Ajo i tha: “Shpainën, po; kam ne di parsat”. Shkova te dhoma ime e shënova me të shpejtë fjalën; qe një formim që lidhej me parë. Ditë më pas, kur fryu një erë e fortë, im atë tha: “Duhet me e lie (= suvatue) parsën e shpais me harason, t’mos e hane sharraina”. Kjo më ngacmoi edhe më shumë, sepse doli një fjalë shqipe që zëvendësonte fjalën e huaj fasadë në kuptimin konkret, krahas sinonimit ballinë të gjuhës së përbashkët letrare. Një herë tjetër, nga goja e tim eti dolën krejt natyrshëm fjalët bashkatar, gabimtar e parator. Unë u mrekullova, por edhe u mahnita, sepse nuk i imagjinoja formime të tilla dhe një intuitë kaq të hollë gjuhësore. Kurse te fjala ylltoj pashë ngjyrimin e mendimit me anë të fjalës, konotacionin e zgjedhur, mjetin stilistik, krahasuar me fjalën asnjanëse hijeshoj, kur rastisa të shoqëroja nënën te një i afërm. Në atë shtëpi kishte lindur një fëmijë – djalë. E kishin vënë djepin me djalë në krye të odës në cep. Nëna, ende pa u ulur, tha: “U, sa mair, sa mair! E paha (= paska) illtaue venin voci. Shiqir! Shiqir! Me jet t’gjat! Me jet t’gjat! U rraitt me non e me bab!”. Fjala ylltoj është në “Fjalorin e gjuhës shqipe”, 2006. Një thënie tjetër e thjeshtë e nënës, në një çast krejt të zakonshëm komunikimi më solli fjalën katërzet: Mos u dukro sot anej se ai (aksh njeri) ishte m’katërzetat, veç bërtaitte, i ishte pkut kali e hi n’maisër.
I sollëm këto raste për të sugjeruar që fjala e popullit mund të mblidhet e të gjurmohet kudo e gjithnjë, edhe pa pyetje e përgjigje, edhe kur flasim e bisedojmë me njerëzit e familjes, të afërm, miq e shokë. Nga populli mund të marrim, siç marrim një frutë nga dega e pemës. Por kudo e gjithnjë duhet përdorur blloku e stilolapsi.
20 Fatkeqësisht, nuk është shfrytëzuar lëndë leksikore dhe frazeologjike e ardhur nga ndonjë mbledhës tjetër i krahinës, sepse atë kohë unë mblidhja vetë leksik popullor për Institutin e s’kisha synim për të hartuar e botuar ndonjë fjalor krahinor. Ideja për fjalor më ka lindur vonë, aty nga viti 2000, kur mendova se kisha njëfarë lënde të grumbulluar. Ndërkohë, lënda e ardhur nga mbledhës të veçantë futej në Kartotekë e zor se mund të qëmtoje ndonjë skedë në 5 milionë skedat që ka ajo. Do të kishte qenë ndihmë e paçmuar po ta kisha konsultuar e krahasuar atë lëndë. Sipas një kumtimi gojor nga Rr. Lahi (ish-mësues në ciklin e ulët), në vitin 1993, në bibliotekën e shkollës së mesme të Sllovës ka qenë grumbulluar një lëndë jo e vogël leksikore nga e folmja e zonës. Ajo do të kishte qenë, gjithashtu, ndihmë e paçmuar për këtë Fjalor, sikur ta kisha pasur (sigurisht, pasi të përzgjidhej e të përpunohej nga ana leksikografike). Ani. Lutem të kem shkuar edhe unë në gjurmët e mbledhësve të tjerë.
21 Mospasqyrimi i ngjyresave kuptimore të çon në agnosticizëm leksikografik sepse ato janë objektive, ashtu si kuptimet.
22 Në thelb, një fjalë dialektore a krahinore që përfshihet në fjalor duhet të ketë në mos plotësisht, pjesërisht njëfarë dallimi a ndryshimi nga fjala gjegjëse e gjuhës së përbashkët; pra, teorikisht, mund të ketë arsye leksikore, semantike ose formale për ta futur në fjalorin dialektor a krahinor. Ajo mund të jetë, për shembull, fjalë e ligjërimit të thjeshtë, që mund të njihet në gjuhën e përbashkët, por që për arsye jashtëgjuhësore, siç u cek më lart, nuk mund ta pranojë një fjalor i gjuhës së sotme shqipe e nuk mund të hyjë në gjuhën letrare; të tilla mund të jenë edhe trajta nëndialektore e krahinore fjalësh, ku pasqyrohet ndonjë dukuri gramatikore a fonetike krahinore, jo se nuk dallohet dot kufiri midis shtresës leksikore, gramatikore e fonetike të gjuhës letrare dhe trajtave të tilla, por për informacion gjuhësor.
23 Kësisoj, Fjalori ka edhe elemente dialektore.
24 Edhe ndonjë variant fonetik që na duket se është huazim nga ndonjë e folme tjetër (tipi me ner (= nder) ç’fjasëm / në këtë të folme nuk njihet flas / fjas, por foli; në këtë të folme, fjala nder është në gjininë mashkullore, por pasthirrma e përshëndetjes nuk është faleminderit, por faleminerës).
25 Një i brezit të vjetër do të thoshte, p.sh., kam omun, kurse një i brezit të sotëm, kam shpres.
26 A. Kostallari, Gjuha e sotme letrare shqipe dhe disa probleme themelore të drejtshkrimit të saj, Tiranë, 1973, f. 45.

Rreth autorit:
Hajri Shehu

Ditëlindja: 10.06.1942
Vendlindja: Vleshë, rrethi i Dibrës
Arsimimi:
– Shkolla e mesme pedagogjike, Peshkopi (1956-1960)
– Institut Vastoçnih Jazikov, dega “orientalistikë”, Moskë, 1961
– Universiteti Shtetëror i Tiranës, dega “gjuhë angleze – gjuhë shqipe” e me vetëdashje, “pedagogji-psikologji” (si degë e dytë) (1961-1965)
– Ka gradën shkencore “Doktor” dhe titullin shkencor “Profesor”

Punësimi:
– Mësues i gjuhës angleze në Peshkopi (1965-1966 dhe 1968-1970 në shkollën 12-vjeçare “Demir Gashi” dhe në gjimnazin “8 Nëntori”)
– Mësues i gjuhës angleze në Gjirokastër (1966-1968 në shkollën 12-vjeçare “Koto Hoxhi” dhe në gjimnazin “Asim Zeneli”)
– Punonjës shkencor në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave (1971-1993 dhe 1997-2010). Anëtar i këshillit të profesorëve të Institutit. Anëtar i këshillit shkencor të Institutit.
– Përkthyes me shkrim nga gjuha angleze në gjuhën shqipe dhe redaktor për përkthimet nga gjuha arabe në “International Islamic Relief Organization”, me qendër në Mbretërinë e Arabisë Saudite, Zyra e Shqipërisë (1993-1995)
– Pedagog në katedrën e gjuhës angleze në Universitetin e Tiranës (1995-1997)
– Ka marrëdhëdhënie pune me Shtëpinë Botuese të Oksfordit (Oxford University Press). Është anëtar i Euraleksit (Shoqata Europiane e Leksikografëve) dhe i “Alex Nash Fellowship of Albanian Studies” në Universitetin e Londrës.