Pehlivanët e Gollobordës


Nisma e Shoqatës Sportive “Golloborda” për të shkruar librin “Pehlivanët e Gollobordës” bashkoi zemrat e shumë bijve të saj për të kontribuar me të gjitha mënyrat në pasurimin e përmbajtjes me të dhëna dokumentare dhe trashëgimi të vyer gojore që u është përcjellë brezave.
Zelli e përkushtimi i bashkëpunëtorëve të panumërt në këtë sipërmarrje rriti përgjegjësinë e autorëve për të përmbushur dëshirën e tyre, të përjetësojnë një pjesë të artë të traditës gollobordase në historinë e Shqipërisë dhe veçmas të mundjes “pehlivançe”. Po kështu, duhej përçuar dëshira e tyre për të përcjellë mesazhin që kjo traditë të mos humbasë, përkundrazi të ruhet e forcohet në çdo gëzim popullor, në krahinë dhe kudo ku ka gollobordas, pavarësisht vendit ku banojnë. Me theks të posaçëm kjo shënohet në libër për përkujtimin vijimisht të saj në një periudhë që mund të bashkojë sa më shumë gollobordas në një prej qendrave administrative të kësaj krahine, duke respektuar e nderuar vijimisht mjeshtërit me kontribute në këtë traditë dhe bashkuar e miqësuar sa më shumë banorët vendas dhe ata që janë larguar prej trojeve të të parëve të tyre, por që kthehen aty me nostalgji, në respekt të kujtimit e nderimit të eshtrave në varret e tyre.
Teksa intervistonim personazhe të këtij libri, njëri prej tyre, Duro Ibrahimi, nga Ostreni i Vogël, u shpreh: “Ka ekzistuar një mentalitet përbuzës ndaj gollobordasve, shumë herë, ata, janë konsideruar si njerëz të dorës së dytë. Kanë qenë jeta e vështirë në atë zonë dhe shpirti i paepur i gollobordasve për mbijetesë që i nxiti të mërgonin, duke lënë gratë të vetme në shtëpi. Shpesh herë më ka rastisur të dëgjoj “…kam një gog Dibre në punë…”.
Brenda këtij pohimi ka domethënie të madhe. Është fakt i pamohueshëm se gollobordasit janë njohur kryesisht për punët e vështira që kanë kryer, por filli i kuptimit të kësaj shprehjeje duhet të kalojë në vrimën e sitës së aftësive të njerëzve për punë të gjithëllojshme. Punët e vështira kanë qenë sipërmarrje të vullnetshme dhe të vetëdijshme, që u mësuan gollobordasve zanate që nuk i bën askush dhe i motivuan të punojnë e të mbijetojnë edhe në rrethana jo të volitshme. Duket se kjo i ka bëra ata të shquhen, si zezakët në botë, që janë kampionë absolutë në sporte që kërkojnë lodhje e sakrifica, sikurse janë boksi e atletika, ndryshe nga të bardhët që merren apo shquhen në sporte më pak të lodhshme dhe më tepër argëtuese, si golfi, lojërat me dorë, futbolli, pokeri etj.
Në thelbin e përmbajtjes së këtij libri janë pehlivanët, mundësit e livadhit dhe ata të tapetit, janë djemtë e fortë të sportit burrëror, lindur e rritur në këtë krahinë me bukuri të shumta natyrore, por me plot vështirësi jetese, prej mungesës së theksuar infrastrukturore për lëvizje dhe shërbime të tjera. Kontradikta ndërmjet cilësive e vlerave të larta që kanë njerëzit e kësaj zone përkundër gjendjes së mjeruar të kushteve të munguara për një jetë normale dhe pa strese, na nxiti të gërmojmë e të pasqyrojmë vetinë e brendshme të gollobordasve, atë veti që rrallë mund ta gjesh në ndonjë krahinë me kushte me përafërsi të tillë natyrore, klimatike, topografike apo vegjetariane. Kujtesa historike, e ruajtur me fanatizëm e dashuri dhe e përcjellë me kujdes, si dhe dokumentet burimore arkivore historike na zbulojnë se Golloborda është një trevë që ka gjurmë të ngulitura dhe me histori të pasur vlerash në gjirin e historisë së kombit e të shtetit shqiptar. Pa dyshim se është gjeni i veçantë i njerëzve, i cili, i plotësuar me vlera të tjera të spikatura, veçmas nga krahinat përreth, i shquan gollobordasit mbi të tjerët në mbijetesë dhe për punë, për respekt e marrëdhënie njerëzore të admirueshme në gjirin e tyre dhe me të tjerët, për ndjenjë sakrifice e triumfalizëm me optimizëm të çfarëdo lloj vështirësie në jetë, për përballimin me forcë të dhimbjeve e vuajtjeve, por dhe lumturimin pa fre e festimin dëfryes të papërshkueshëm të gëzimeve e ngjarjeve jetësore pozitive. Mjedisi gollobordas ka në palcë dashurinë për jetën, vullnetin për punën, mirësinë për të tjerët, optimizmin për përparimin, frymën e mirëkuptimit, guximin për të provuar e përparuar, bashkëjetesën harmonike, solidaritetin reciprok në rrethana të vështira. Të mëkuar në këtë ambient ambicioz vlerash humane, njerëzit në Gollobordë, natyrisht se do të gatuhen e kaliten për të kryer vepra të mira. Nuk ka se si të ndodhë ndryshe edhe me pehlivanët, të cilët sikurse mjeshtërit gollobordas në fushat e tjera të jetës, edhe ata do të jenë të mbrujtur me të gjitha cilësitë sportive dhe pa dyshim edhe me shpirtin e paepur e me frymë luftarake gare të ndershme, duke u bërë të dallueshëm në përballjet cilësore me kampionë të mëdhenj. Gollobordasit e intervistuar pohojnë se sipas trashëgimisë gojore në breza, kjo krahinë është në rrugëtimin e ligjshmërisë kanunore të Skënderbeut.
Nuk mund të anashkalojmë apo të lëmë pa cekur në këtë parathënie edhe cilësi të vyera të gollobordasve, që krahas etjes për punë e zeje mjeshtërore, kanë spikatur edhe për frymën arsimdashëse të fëmijëve të tyre, madje këtu ata kanë qenë më të spikatur dhe më të përparuar se fshatrat e krahinave përreth tyre. Stebleva, Trebishti, Ostreni e Okshtuni janë shënuar si emblema të hershme të arsimit shqip. Në kujdesin e Hasan Moglicës, gjashtë normalistët e parë dibranë të shkollës normale të Elbasanit janë gollobordas dhe hapen shkollat e para shqipe në Luzni, Grevë, Lurë, Macukull, etj1. Nuk është për t’u çuditur se kjo cilësi e tyre ka ndikuar që Golloborda të ketë të regjistruar dy ministra të Arsimit, Shkencës e Kulturës në një hark kohor prej 30 vitesh2, gjë që nuk mund të gjendet as për ndonjë rreth të madh. Golloborda nuk ka djem të shquar vetëm për punët me mistri e peplumçe apo për duelet në livadhe e tapete. Ajo është një fidanishte kuadrosh elitarë, të përzgjedhur për aftësi të rralla në punët administrative dhe me kontribute në fusha të ndryshme, falë cilësive karakteristike që kanë në marrëdhëniet dhe punën në grup, në maturinë e përmbajtjen olimpike por edhe në energjizmin e brendshëm dhe shpirtin krijues e të paepur për kryerjen e punëve që u besohen. Gollobordasit, edhe pse janë prej “gjenit të dueleve” në mejdane sportive e livadhe argëtimi, kanë edhe një veti karakteristike që rrallë mund ta gjesh në mbarë krahinat shqiptare, atë të zgjidhjes me urtësi, mirëkuptim e paqedashje të konflikteve. Djemtë e kësaj krahine nuk e fshehin faktin se në kalitjen e cilësive më të vyera të tyre ka ndikuar krahas të tjerave edhe “nektari” i përzgjedhur në “lulet e livadheve të emigracionit”, dëshmi edhe kjo e cilësive të tyre për përparim e kulturë, ku seleksionohen e mishërohen veti e vlera të popujve të përparuar. Nuk ka asnjë të dhënë dokumentare apo të trashëguar gojarisht që në këtë krahinë të ketë patur raste të konflikteve me armë zjarri, të ketë patur ndonjë rast që të jenë përdorur armët për gjakmarrje apo hakmarrje. Kjo frymë paqeje dhe pajtimi njerëzor manifestohet edhe pas ndeshjeve shumë luftarake, ku tifozëritë e zjarrta, rrëmbimet momentale, sedra e ambicia “fshatçe”, përfundojnë në mirëkuptim e dashuri midis fshatarëve, shenjë e veçantë e burrërisë dhe pjekurisë së admirueshme në këtë zonë.
Gollobordës nuk i kanë munguar publikimet e as botuesit, madje nga studiues të spikatur që janë pinjollë të shquar të kësaj krahine, të cilët kanë prodhuar me shumicë botime ku paraqesin tablo shumëdimensionale, por vlen të evidentohet se i është mëshuar me forcë heroizmit luftarak, patriotizmit të zjarrtë e punës stërmundimshme kolosale ndërtimtare të vendit dhe shumë pak kësaj teme që kemi rrokur, e cila mbështjell brenda vetes një kurorë të artë lavdie, mbuluar gradualisht nga pluhuri i harresës e shpërfillja e kohës. Libri është si një udhëtim ngjarjesh e kujtimesh që mbartin histori mbushur me lavdi por edhe me mesazhe tradicionale e kulture, një bagazh dijesh praktike të ustallarëve gollobordas, pa arsimin e duhur tekniko-profesional, të cilët shkruan historinë e tyre në gur e në beton. Është mëkat që këtë pasuri, mbrujtur në gjakun e njerëzve fisnikë, që kryenin punë heroike por edhe fisnike ta lëmë në harresë, të mbulohet nga pluhuri i kohës. Gollobordasit nuk mund të jetonin vetëm në “liqenin e tyre natyror”, midis kodrave e maleve, por si zgalemi në stuhi çanë përmes shtrëngatave oqeanike duke kërkuar jo tokën e premtuar, por punën mjeshtërore, që vetëm ata dinë ta kryejnë. Në këtë fragment zë vend përcaktimi i mendjemprehtit Mit’hat Frashëri, i cili duke folur për dibranët dhe gollobordasit përcaktoi: “…rrallë mund të shohësh njerëz të thjeshtë, analfabetë, me prirje të madhe për një mjeshtëri që kërkon mjaft inteligjencë dhe shumë studime paraprake…”. Libri është strukturuar me 4 pjesë dhe secila prej tyre me disa kapituj, të cilët plotësohen me referenca të shumta burimore .
Pjesa e parë, titulluar “Golloborda-truall me diamante”, ka dy kapituj, në të cilët prezantohet një vështrim i shkurtër gjeografik e historik i trevës dhe cilësohen vetitë karakteristike në shumë fusha, duke përmendur edhe protagonistë të shquar, në atdhetari, art, kulturë, heroizëm, besnikëri, siguri, mjeshtëri, politikë, mjekësi, biznes, sport etj.
Pjesa e dytë trajton “Mundja-traditë sportive e vyer në Gollobordë”, ka 7 kapituj, në të cilën lexuesi do të gjejë një trajtesë për mundjen, për traditën e mundjes në Gollobordë dhe ritet e dasmës gollobordase, një përmbledhje rregullash të pashkruara për mundjen “vençe” në livadh, duke kulmuar me përshkrime e rrëfime episodike të këndshme të protagonistëve dhe shikuesve të mundjes në livadh dhe me listimin e mundësve sipas fiseve, përcjellë nga kujtesa e individëve. Në këtë pjesë zë një vend të rëndësishëm trajtesa dokumentare shteruese, referuar publikimeve zyrtare mediatike për sportin, nga viti 1946 deri në vitin 2002, nëpërmjet të cilëve plotësohen e saktësohen të dhënat e përmendura në kapitujt e tjerë dhe pasurohet më tej historia e mundjes në Gollobordë, Peshkopi e më tej edhe për shumë kampionë, të cilët “portretohen” me të dhëna koncize jetëshkrimore. Kjo trajtesë ka një vlerë të madhe dokumentare dhe mbi të gjitha shpluhuron harresën për kampionë të hershëm, jashtë Gollobordës, madje të shquar dhe kampionë në klube të mëdhenj sportivë.
Pjesa e tretë, titulluar “Nderimi i protagonistëve, përjetësimi i arritjeve e vlerave të mundësve” është strukturuar me 5 kapituj specifik, në të cilën ka trajtesë për shoqatën e mundjes “Golloborda”, misionin e rolin e saj në nderimin e mundësve, ringjalljen e traditës së mundjes dhe mbështetjen e gjithanshme të ekipit të sapokrijuar “Golloborda”, në mundje, nga fëmijët e deri në ekipin e të rriturve. Me interes dhe vlerë përgjithësuese e dokumentare janë edhe trajtesat për zhvillimin e aktiviteteve sportive tradicionale në vite, në Gollobordë, me theks kupa “Veli Muça”, kupa Aziz Karasani dhe “Golloborda 2015” e “Golloborda 2016”. Vlerësimet e kampionëve, trajnerëve dhe specialistëve të mundjes janë përmbledhur në kapitullin e fundit të kësaj pjese dhe janë shumë mbresëlënëse dhe me vlera për Gollobordën.
Pjesa e katërt është ilustrim me foto, me pak tekst, duke synuar të “flasin fotot”, të cilat janë kontribut i protagonistëve, hulumtuesve dhe miqve të Shoqatës Sportive “Golloborda”, duke rifreskuar kohërat dhe “ringjallur” eventet, kampionët dhe përjetësuar me pamje ato që janë hedhur me shkrim, në pjesët e tjera.
(Marrë nga libri me të njëjtin titull, botim i shtëpisë Botuese Mirgeeralb, Tiranë, 2017.)