Në Korab me ambasadorin e Zvicrës


Ardiola, nga Shoqata Kombëtare për Udhërrëfyesit Turistik Shqiptar (National Association of Tourist Guides of Albania – NATGA), më njofton se ambasadori zviceran Dr.Christoph Graph dhe e shoqja Nicola kishin planifikuar një vizitë turistike jozyrtare në Dibër në datat 13 dhe 14 maj 2017. Duhej të përgatitej një axhendë turistike për në Korab dhe në burimet e ujërave termale të Dibrës. Rolin e guidës do ta kryeja unë, pasi axhenda u aprovua.
Ambasadori mbërrin në Peshkopi dhe u akomodua në një nga hotelet e qytetit. Pas takimit biseduam për planin e së shtunës, pra, të datës 13 maj në detaje. Pastaj zhvilluam një bisedë miqësore rreth historisë, kulturës dhe natyrës se Dibrës. Sipas axhendës të nesërmen do të realizonim ngjitjen drejt Korabit, pavarësisht kohës dhe kushteve klimaterike që ishin. Ambasadori pranoi me kënaqësi që grupit tonë prej 3 vetash për në Korab, t’i bashkëngjitej edhe Almario.
Nga Peshkopia u nisëm në orën 07.00 dhe në fshatin Radomirë arritëm rreth orës 08.00 Fillojmë përgatitjen për ngjitje drejt Korabit. Vendi i nisjes shënonte 1260 metra mbi nivelin e detit.
Shumëllojshmëria e bimësisë me shkurre, pishave dhe gurëve që janë karakteristike për zonën, na shoqërojnë gjatë gjithë rrugës. Gjithashtu, përrenj të shumtë dhe të vegjël, ku uji ishte i bollshëm e i rrëmbyeshëm të relaksojnë me zhurmat e tyre. Për këtë na u desh disa herë të gjenim pika të përrenjve që ishin lehtësisht të kalueshme. Në horizont duket porta hyrëse e Korabit. Nga larg të jep idenë që aty gjithçka fillon të krijohet një ngushticë që do të na shoqërojë gjatë ecjes. Këtë përshtypje pashë edhe te ky grup, siç e kam parë edhe te grupet e tjera që kam shoqëruar për në malin e Korabit.
Kur afrohemi te portat e Korabit, që është dhe pika ndarëse mes Fushës së Korabit dhe pjesës së fshatit, para na shfaqet peizazhi mahnitës i kësaj fushe. Kjo pamje është mahnitëse për të gjithë vizitorët për në malin e Korabit. Gjithashtu, pamja natyrale e shkëmbinjve me ngjyrën gri në të bardhë të krijonin idenë e portave hyrëse. Stanet për bagëtinë janë të punuara me gurë dhe ndërthurnin grinë me kaltërsinë e qiellit dhe me ngjyrat e tjera të luleve rreth e rrotull. Gjatë ecjes takuam Azemin, djalin 13- vjeçar, banor i zonës. Ai na tregoi se bashkë me shokët po mblidhnin lulegishtin dhe bimë të tjera për t’i shitur në pikën e grumbullimit të bimëve medicinale për t’u përpunuar më tej.

Çdo moment i ecjes drejt Fushës së Korabit për në majë krijoi mbresa për grupin që e vizitonte për herë të parë. Impresionet sa vinin e shtoheshin, sepse pavarësisht ngjitjes në fushat rrëzë majës së Korabit në lartësinë 2000-2500 metra mbi nivelin e detit, dukej sikur gjithmonë po i afroheshim qiellit. Duke u rrethuar nga maja e Korabit dhe majat e tjera rreth e rrotull, liqenet akullnajorë, lulet e para të sapoçela në ato lartësi dhe bora që kishte mbuluar gjithçka në lartësinë mbi 2500 m të krijonin ndjesi vërtetë të mahnitshme, që edhe unë më parë nuk i kisha përjetuar. Pas ndalesave të shkurtra dhe marrjes së impresioneve nga secili, bisedonim me grupin për natyrën, bimësinë dhe historinë e zonës.
Gjatë kthimit për në fshat një ndalesë e realizuam pranë Ujëvarës së Korabit, ku të gjithë ujërat vinin nga burime të ndryshme nëntokësore, liqenet rreth e rrotull si dhe bora që po shkrihej. Peizazhi i bukur pranë liqeneve na nxitnin për të bërë disa fotografi. Rreth orës16.20 arrijmë në fshat tek bujtina e Haxhi Himës. Gjatë një pushimi të shkurtër te bujtina, ambasadori u njoh me ekonominë e zonës, kulturën dhe mënyrën e jetesës nga biseda me Haxhiun. Tjetër element që la përshtypje tek ambasadori ishte ndërtimtaria e shtëpive në unison me përdorimin e gurëve që gjendeshin me shumicë te kjo zonë; pa lënë mënjanë pishat, të cilat ishin ruajtur dhe krijonin një pyll fantastik.

Të dielën, me datën 14 maj ambasadori, pasi bëri një shëtitje në bulevardin kryesor dhe pa pazarin (tregun fshatar), shprehu opinion të mirë nga vizita në Dibër. Vlerësoi maksimalisht natyrën në tërësi; vlerësoi kulturën dhe dashurinë që ofronin njerëzit, sidomos respektin ndaj mikut, e mbi të gjitha vlerësoi ndjenjën për punën. Por në opinionet e tij, mendonte që qeveria qendrore duhej të investonte në infrastrukturën nacionale që t’i japë zhvillim kësaj zone, siç është “Rruga e Arbërit”. Ndërsa qeveria lokale, në bashkëpunim me atë qendrore, duhet të krijojnë mundësi që të rinjtë të krijojnë mundësi punësimi në Dibër, sepse sektori i turizmit është mjaft potencial në këtë drejtim. Sipas tij të rinjtë këtu mund të punësohen nëpërmjet granteve për mirëmbajtjen e rrugëve turistike e deri te guidat lokale.
Foto © Grehans Uka
Kontaktet e guiderit: Grehans Uka
Email: udhetomegresin@gmail.com
Telefon: (+355) 0673625835 / (Ëhat’s app & Viber)