Qazim Prejsi, vendimi i Byrosë së Partisë dhe reagimi i banorëve të Lurës


Në muajin gusht të vitit 1974 Komitetit Ekzekutiv i rrethit Dibër i propozon Byrosë së Komitetit të Partisë shkarkimin nga detyra të kryetarit të Kooperativës së Lurës Qazim Prajsin dhe çuarjen e tij për ndjekje penale për shpërdorim detyre ngase në këtë kooperativë ishin konsumuar rreth 800 kv misër mbi planin vjetor të caktuar për bukë. Për këtë dhe byroja e Partisë e shkarkon nga detyra si kryetar dhe jep porosi kryetarit të Kooperativës Selishtë për ta vendosur si brigadier arash. Në zbatim të kësaj porosie, ai vazhdon punën atje.
Por nuk do të kalon 2-3 ditë që ai do të lajmërohej për të shkuar në Lurë, mbasi atje do të shkonte një ekip nga byroja e Komitetit të Parisë si dhe nga Komiteti Ekzekutiv, të cilët do të diskutonin në të nëntë fshatrat e Lurës dhe në përfundim dhe në asamblenë e kooperativës për të vendosur në popull shkarkimin ose jo nga detyra e kryetarit të kooperativës.
Për këtë, si në diskutimin në fshatra dhe në fund edhe në asamblenë e kooperativës gati në unitet të plotë u tha se nuk ishin dakort me vendimin e byrosë së Partisë së Rrethit.
Ndër diskutantët e shumtë do të fliste edhe një person nga fisi Çoke të fshatit Lajthizë, ku ndër të tjera tha: “Kjo dasi misri që është shpenzuar nga ana jonë mbi planin e caktuar, atë ne e kemi ngrënë për bukë dhe nuk e kemi marrë me u pasuruar me të, se edhe e kemi ble me lekë e nuk e kemi marrin falas. Unë jam i autorizuar nga banorët e fshatit Lajthizë që t’ju them ju të deleguarve që na keni mbledhur këti se ne jemi gati të firmosim që nuk do të kërkojmë më bukë nga kooperativa, për aq sa kemi marrun nga kooperativa dhe se ne nuk jemi dakord kurrën e kurrës që të shkarkohet kryetari i saj me këtë motivacion, mbasi për ne ky veprim konsiderohet si prerje në besë ndaj tij, e ju siç e dini, populli i Lurës besën e ka shumë e shenjtë e për këtë ka sakrifikuar edhe djalin e saj dhe shkarkimi i tij nga detyra do ta linte atë të turpëruar përjetë, e nëse ju nuk do t’i pranonin këto fjalë të banorëve të fshatit Lajthizë, ata thonë se do t’i drejtohemi Tiranës dhe nuk do të dalim në punë në kooperativë.
Mbas këtij diskutimi pati vetëm solidarizim me parafolësin dhe në sallën e mbushur me mbi dyqind veta do të krijohej ilaritet sidomos kur në këto momente do të ngrihej një person dhe do të thirrte me të madhe: Rroftë Komiteti Qendror i Partisë së Punës me në krye shokun Enver Hoxha! Kjo bëri që salla të gjëmojë nga duartrokitje e brohoritje për Partinë e shokun Enver dhe së bashku me të do të bashkoheshin edhe pjesëtarët e ekipit të ardhur për të zbatuar vendimin e byrosë së Partisë së rrethit për të shkarkuar nga detyra kryetarin e Kooperativës bujqësore të Lurës.
Por, megjithëse Qazim Prejsi mbeti përsëri kryetar i Kooperativës së Lurës nuk do të shkonte viti që atij do t’i gjendej një cen në biografi (nga ana e dajave) dhe do të shkarkohej në masën “kthim në kandidat partie”, por në këtë rast edhe populli i zonës së Lurës nuk mund ta mbronte më.
Kohë më vonë për atë që ndodhi në zonën e Lurës në atë kohë do të prononcohej një nga pjesëtarët e ekipit të Komitetit të Partisë duke thënë se: Ajo që bënë banorët e Lurës në atë kohë unë nuk di nëse mund të kishte ndodhur ndonjëherë në ndonjë vend të Shqipërisë, pasi vendimi i Byrosë ishte absolut i kthyer në tabu, pra aty unë kuptova se burrat e asaj zone bëhen një dhe kthehen në ortek, duke mos njohur, por vetëm për të ruajtur dinjitetin e tyre të ruajtur brez pas brezi.