Pëllum  Kaloshi: i riu premtues në botën e aktrimit


Pëllum Kaloshi është një aktor i ri dibran, i lindur në Sinë dhe është shumë i kërkuar nga regjisorë vendas dhe të huaj. Ai nuk ka studiuar akademinë e arteve, por spikat në rolet dhe në lojën e tij amatoreske. Edhe pse i ri dhe pa ndonjë eksperiencë madhore, Pëllumi ka luajtur në 2014 në filmin me regji të Fatmir Koçit që u bë shumë i shikuar “Pit Stop Mafia”. Aktualisht është në mes të një projekti të madh që pritet të bëjë bujë në kinematë shqiptare. Sipas tij, veç aktrimit biznesi është një tjetër fushë ku ka dhënë frytet e tij. Ai merret me biznesin e tregtimit të makinave dhe së shpejti ai dëshiron të bëjë një film me tematikë pikërisht makinat. Kaloshi ka një miqësi të mirë me shumë kolegë me peshë në kastin e aktorëve të njohur shqiptarë, që sipas tij edhe vetë e sheh veten në vend të tyre pas disa vitesh. Ai shprehet optimist dhe njëkohësisht shumë krenar që është nga i njëti vend me Skënderbeun. “Ndihem krenar që jam dibran” – thekson Kaloshi për gazetën tonë.

Pëllum, ti je një zë i ri dhe premtues në botën e aktrimit në Shqipëri.  Na thuaj diçka më shumë për veten tuaj?

Përshëndetje të gjithë lexuesve të “Rrugës së Arbërit”  dhe ju që bëni me të vërtetë një punë të mirë për Dibrën. Unë kam lindur në një fshat të Dibrës që quhet Sinë e Poshtme. Si çdo i ri kërkova një jetë më të mirë duke u larguar nga fshati, sepse dihet tashmë jeta në fshat dhe në Dibër. U largova jashtë Shqipërisë dhe që në atë kohë nuk jam kthyer të jetoj në Sinë, por jetoj në Tiranë për të ndjekur më mirë ëndrrën time.

Si ka qenë fëmijëria juaj?

Fëmijëria në fshat ka qenë me të vërtetë e bukur, duke shijuar çdo çast dhe çdo ditë të fëmijërisë tonë. Duke marrë parasysh mungesat ekonomike, vështirësitë na kanë bërë më të ndryshur dhe më të mbyllur si zonë, duke pasur parasysh dhe kushtet gjeografike. Edhe sot atje në Dibër kushtet lënë për të dëshiruar , jo më në kohën time, ku ka qenë shumë më e vështirë.

Si u gjende në fushën e aktrimit?

Eh, në fakt në fushën e aktrimit jam gjendur me të vërtetë krejt rastësisht. Para 3 viteve unë isha pjesë e filmit “PIP STOP MAFIA” me regji të Fatmir Koçit,  gjë e cila zbuloi për mua një pasion që në fëmijëri e kam pasur. Pasioni për aktrimin. Aktualisht unë jam pjesë e kastit të filmit më të ri aksion shqipëtar që titullohet “Dashuria s’mjafton”, me regji të Drilon Hoxhës me një kast të njohur aktorësh dhe natyrisht aktorë të rinj.

Sa të rëndësishme janë paratë dhe fama për ty.

Ehhh (qesh). Paraja për mua është një mjet jetese si për çdo person tjetër, por mendoj që paraja nuk është gjëja më e rëndësishme në jetë. Unë këtë rrugë e nisa për pasion, jo se dua që të bëhem i famshëm apo ku ta di unë.  Normalisht që kjo rrugë do të çojë drejt famës dhe me thënë të drejtë ndihem mirë për këtë fakt, pse ta mohoj.

Vizitoni shpesh Dibrën?

Normalisht që Dibra është një nga dashuritë e mia, si gjithë dibranët. Aty u linda dhe u rrita dhe u bëra ky që jam. Sa herë kam mundësi shkoj në Dibër dhe çdo herë që shkoj, e them me krenari që jam dibran.

Kush janë pasionet e tjera të tuat dhe kush është Pëllumi në jetën e përditshme?

Pasionet e mia janë të shumta. Makinat e bukura dhe të shpejta janë një pasion me të vërtetë i madh tek unë. Aktrimi dhe futbolli janë pasionet e tjera të cilat bëjnë diferencën nga nga pasionet tjera. Unë kam një jetë të thjeshtë. Jetoj në Tiranë dhe jetoj pa familjen dhe duhet të llogaritet që jetoj vetëm dhe bëj çdo punë të shtëpisë. (qesh) Mua më duhet të gatuaj, të laj, të fshij. Nuk e kam problem për asgjë, madje shpesh nxjerr foto në rrjete sociale me fshesë në dorë. Ahahahha “Voc për shpaj mo|”

Ke dikë që do të falenderoje?

Familja është kryesorja që dua ta falenderoj, sepse më ka mbështetur dhe më ka dhënë forcë për të vazhduar këtë pasion. Regjisorin dhe aktorin Drilon Hoxha, që më ka dhënë me të vërtetë një ndihmë mjaft të madhe. Ne kemi pasur bashkëpunime dhe do të kemi në vazhdim për të sjellë punë të reja dhe akoma më të bukura. Unë po ashtu dua t’u them të rinjve që të punojnë fort dhe të jenë të zotët e vetes së tyre. Ndiqni shkollën dhe pasionet tuaja, sepse në qoftë se nuk i ndiqni sot, më vonë nuk do të mundeni.