Disa mendime rreth romanit të dytë të shkrimtarit dibran Dogjan Dervishi


ROMANI “SHPRESË E THYER”, “VETINGU” I DEMOKRATAHURËS SHQIPTARE

Pamëdyshje e them qartazi se letërsia bashkëkohore dhe shoqëria shqiptare ka në dorë një vepër të re, një roman social-shoqëror që si i thonë prek në plagë, aty ku gëlon jeta e njerëzve të thjeshtë. Besoj se është i motivuar fakti sesi romani i shkrimtarit Dogjan Dervishi është pasqyra e kohës, pasqyra e dukurive të jetës e mbi të gjitha vetingu, i demokratahurës (apo siç thoshte i madhi Dritëro i demoshkërdhatërisë shqiptare). Dogjan Dervishi në këtë roman të dytë bën diagnozën e sistemit, realizon me qartësi ide, mesazhe, pasqyron vlera, personazhe me botë të pasur e përkushtim për jetën, për drejtësinë, për demokracinë e vërtetë, për vlerat e dritën e shpirtit, dritën rrezatuese të dashurisë njerëzore.

 

***

Vetëm një intelektual i përkushtuar i drejtë i thjeshtë e human besimtar e shpirtbardhësi si Dogjan Dervishi – arrin të na japë talli-realiste të jetës bashkëkohore, personazhe me vlerë motive që pasqyrojnë të vërtetën nëpërmjet përshkrimit, dialogut e shprehjeve të spikatura, domethënëse e filozofike.

 

***

Dogjan Dervishi lindur në Lugjej të Dibrës më 29.03.1943. Ka punuar si gjeolog deri në vitin 1975 në rrethin e Dibrës. Pasi mbaroi fakultetin ekonomik punoi si kryetar i degës së planit në minierën e kromit Bulqizë deri në vitin 1980. Nga miniera transferohet në ish Komitetin e Partisë Dibër ku punon në sektorin ekonomik deri në vitin 1986. Në vitet 1982-1983 mbaroi kursin e lartë të ekonomisë politike. Emërohet drejtor në ndërmarrjen e bonifikimit Dibër dhe punon deri në vitin 1989. Pas ndryshimit të sistemit punon në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë si drejtor finance dhe pastaj si financier në strukturat e këtij institucioni. Fisi Dervishi, kullat e dervishëve të Lugjejve kanë vllazërim me Dardhën dhe Lukanin e Dibrës. Ky fis i madh arbëror ka nxjerrë burra të kararereve, të besës të bujarisë e të mençurisë, si plaku i kullës, Elez Dervishi, Sali Dervishi, gjeologun e shkrimtarin Dogjan Dervishi, këngëtarin e talentuar Sherif Dervishi, mësuesin Islam Derivshin, qëndrestarin e intelektualin Shaban Dervishi, poetin e mirënjohur Ilmi Dervishi e plot të tjerë. Fis e gen trimëror, bujar e pendëblertë për kohën e kombin e brezat.

 

***

Romani “Shpresë e thyer” ka një titull metaforik një titull që shpërfaq dramat dhe realitetin e njerëzve të thjeshtë të një populli të shumëvuajtur nga vetëshpërdoruesit, nga tradhtarët e besimit nga karrierstët e trefytyrësisë nga çakenjtë e politikës (pordhithikës – siç i thonë lukanjakët e Dibrës, njerëzit vital të trimërisë e të punës “Dogjan Dervishi” shkruan recensenti i nderuar Kiço Kokreva, – është një vëzhgues i hollë dhe proza e tij rrjedh nga një fantazi e lirë përmes një ndërgjegje të pastër duke përfaqësuar kështu dëshirat e njerëzve të thjeshtë që kërkojnë një botë të drejtë, me humane të krijuar nga shpresa që duhet të jenë të mëdha… Prozatori merret me shtresat më të nëpërkëmbura të shoqërisë me pensionistët, rangjet shoqërore, kanë qenë dikush e sot ndodhen në zgrip ekzistencial, njerëz që mezi nxjerrin kafshatën e gojës, pastaj kalon tek tablo të tjera me teknikën e ndërkëmbimet të pamjeve drejt lidhjes se një boshti tematik, që ka të bëjë me gjendjen dhe shpresën për ndryshimin e saj. Kjo traumë shoqërore vërtet si një makth dhe krijon frymën e romanit, i cili lexohet përmes një gjuhe gati …. dhe me ndikim në formimin e një përfytyrimi të caktuar mbi absurditetin, politikës dhe të dilemave të tjera sociale… (f. 4).

Ky roman i shkruar me ndjenjë e dlirësi rrok temën e ditës aktualitetin shqiptar, bën diagnozën e politikës, zbardh si i thonë antivlerat në krye të partive e të pushtetit, na jep si në pëllëmbë të dorës vlerat e njerëzve të thjeshtë, dramat, bukuritë e dashurisë, mençurinë e bijve të popullit, dilemat e përpjekjet në detyrë të atyre që e ndjejmë peshën e rëndë të saj. Çdo personazh mbart një botë, shpërfaq mesazhe jete, mesazhe të dritës së karakterit. Sokol Morina, bashkëshortja e ndarë nga jeta Zamfira, i biri Arben Shkreli, pensionisti i varfër doktori i shkencore në bujqësi, ngjitja dhe dashuria e Arben Shkrelit janë fillimi dhe vijimësia e romanit. …. shpirtërore të Sokol Shkrelit, drama e vetmisë, ndarja nga jeta e Zamfirës, dialogu me shokun e vjetër Astrit Seferi të ngjallin emocion shpërfaqin dritë shpirti, dritë intelektuale, dëshmojnë se ç’ka sjell politika shterpë.

“Fol dhe çlirohu, Astrit, po të dëgjoj:

(Thotë Sokol Morina – M.B.)

“Këta politikanë, të cilët fati na i ka sjellë në krye të pushtetit, qofshin të majtë apo të djathtë janë kontingjenti më i pamoralshëm që mund të ketë kombi ynë, më i paaftë dhe kontigjenti më antikombëtar dhe, më tej, më antinjerëzor. Ata nuk kanë ndjeshmëri njerëzore. Është lumpeni i shoqërisë dhe këtu po e mbyll bisedën, i dashur… (f. 13).

Biseda mes dy shokësh përmban sinqeritet, dëshmi vuajtjesh, dëshmi dhimbje si dhe na japin tablo të politikës mafioze, pabesinë e politikanëve të etur për karrierë, vjedhje e shthurje (trinom këtë që e provon jeta çdo ditë – M. B.).

Autori Dervishi ndërmjet udhës së personazheve pasqyron udhët e jetës, udhët njerëzore, dritën e shpirtit, të besimit e të dashurisë. Mjaft bukur, me realizëm e çiltërsi na jepet dashuria (lidhja) midis Arben Shkrelit e Katerina Priftit. Portretizimi i Arbenit dhe i Katerinës, zbulimi e përshkrimi i ndjenjave, vlerave e çiltërsisë së tyre tregon sesi duhet të jetë njeriu në liri, sesi duhet të triumfojë e mira e bukura dashuria. Bisedat, dlirësia e mendimeve, detajet e përshkruara midis lidhjes Arben – Katerinë dëshmojnë se shkrimtari e intelektuali i shquar z. Dervishi është njohës i thellë i psikologjisë vëzhgues i hollë i jetës, mjeshtër i fjalës dhe i dialogut ku me realizëm e besueshmëri zbulon botën e brendshme të personazheve, na jep mesazhe të çmuara, mesazhe të dritës së shpirtit, portrete model por shoqërinë tonë të lodhur nga tranzicioni i stërgjatur, nga politika (pordhitika) pa fryt, pa moral, pa dinjitet e pa prova vërtetësie, pa prova përparimi në liri (demokratahura – demoshkërdhatorkraci). Dilemat meditimet, shpirtdrita dhe vlerësimi i detyrës dhe e msiionit të Arben Shkrelit janë moto a intelektualët me vlera, të aty që ngjitet, por nuk harron popullin, nuk harron burimin si i thonë, është ai që nuk joshet nga pozita, nuk bie pre e “të madhit” në fushatën katrahurë, në fushatën rrasahipas. Meditimi i intelektualit Arben Shkreli është një monument drejtësie, është një dritë në tunelin katrahurë të politikanëve të sotëm, llafollog, interesaxhi e të pa moral politik dhe njerëzor: Shkrimtari Dervishi ky bir human e dinjitoz i Lugjejt, ky gen i atdhetarisë dhe diturisë shkruan: për Arben Shkrelin: “… Duhej që të luante rolin e dyfytyrësit, gënjeshtarit, të mashtronte, të trumbetonte dhe të premtonte pa kandar. Por duke monologuar në vetveten, ai shtronte pyetjen:

– A mund të kthehem në një njeri lider, me dy fytyra, duke shkelur mbi origjinën, trashëgiminë familjare dhe parimet me të cilat jam edukuar, rritur e formuar? (f. 27).

Pasqyrë e njeriut të vlerave, e atij që nuk e josh pozita, pamerita por mediton, vepron dhe është vetvetja. Personazhi i Arben Shkrelit është ndër më të realizuarit në letërsinë bashkëkohore, në prozën aktuale.

Shkrimtari e intelektuali virtuoz Dogjan Dervishi ka jetuar, mësuar, ka provuar e para dhimbjet popullore, pabesinë e superdredhitë e politikës shqiptare, ndaj ka ditur që në roman të na japë pensionistin, intelektualin human, burrin e urtë, Sokol Shkreli, shkencëtarin e vuajtur që kërkon në kazana Astrit Seferin, lidhjet dashurore, veteranin dhimbjet, detaje jetësore që na pasqyrojnë shpirtin, dramat atë ç’ka, ka shkaktuar e shkakton politika (pordhitika – M. B.) antijetës, antikombëtare shqiptare. Monologu i gjetur në tavolinën e Astrit Seferit dëshmon të vërtetën aktuale, çnjerëzore:

 

… O pushtetar epshshfrenuar

Si kërkon të më komandosh mua

Kur s’komandon epshet e tua?!

Si kërkon të kesh kaq pushtet

Si të turresh si pushtues

A si ujk i tërbuar?

Si kërkon të drejtës shtet

Kur dhe fëmijën tënde se ka drejtuar?

Si kërkon ti famë dhe emër

Tek këta njerëz me plagë në zemër?!

 

Personazhet si Meri Lame, Lami Meneshi, Tasim Elezi, Resmi Kurti, Artur Bori, Ramie Sula, Rudina Selimi, Kastriot Kota, plot të tjerë na japin mesazhe, ide dhe prova të mirësisë njerëzore, prova, përrallë një politikë të shfrenuar e të politikanëve pa shpirt, të pa dinjitet, të cilët mashtrojnë popullin më fisnik, i cili u votëbeson e ata shpërdorojnë mirësinë, besimin. Në faqen 100 shkrimtari human fisniku, njeriu i besimit, gjeologu pendëdritë Dogjan Dervishi citon të madhin Konica: “Në qoftë se Shqipëria do të vdiste një ditë, në pllakën e varrit do të shkruhej epitafi: “Shqipërinë e krijoi zoti, shpëtoi nga rastësia dhe e vdiqën politikanët” (f. 100). Sa domethënëse e aktuale, sa e çmuar dhe dritëdhënëse… Romani “Shpresë e thyer” pa mëdyshje dal nga një pendë e ndritur, nga një intelektual, gjeolog, besimtar, human e dritë praruar, siç është Dogjan Dervishi i Dibrës. Çdo lexues, çdo studiues, çdo intelektual, i përkushtuar për kombin e breznitë pas rileximit me shpirtin e mirësisë do ta konkludojë se romani “Shpresë e thyer”, është “vetingu” i demokratahurës shqiptare…