Marko Alia: Mes Italisë dhe Shqipërisë, zgjodha vendin tim!


Marko Alia është talenti 18-vjeçar që veshi fanellën e skuadrës sonë kombëtare U-19, duke ruajtur portën kuq e zi. Fitorja e kësaj skuadre përballë Kazakistanit dhe pritja e tij spektakolare në një rast përballë tij, kanë mbetur në kujtesën e të gjithëve, duke evidentuar djaloshin dibran që luan për skuadrën e Lacios në Itali. Edhe pse Italia e ftoi për të qenë pjesë e skuadrës përfaqësuese të moshave, Marko zgjodhi fanellën kuq e zi dhe atdheun e tij për ta përfaqësuar. Prindërit e tij, Gazmiri dhe Zemria, emigruan pas vitit 1997 në Itali, ndërsa në vitin 2000, bëhen me djalë dhe pikërisht atë vit lindi ky futbollist i spikatur që dashurinë për Dibrën dhe Shqipërinë kurrë s’do ta mohonte.

Marko si e prite ftesën e trajnerit Erjon Bogdani?
E prita me shumë emocion. Kohë më parë kisha ofertën e trajnerit italian për të qenë pjesë e përfaqësues së tyre të moshave, por bëra zgjedhjen e zemrës, erdha me Shqipërinë, vendin ku kanë lindur prindërit e mi, vendin që sado ka probleme, më duket më i miri se askush tjetër. Ftesën e prita shumë mirë. Në fakt Bogdani më kishte testuar tek një turne miqësor që u bë një vit më parë. Edhe aty ia dolëm dhe fituam. Fati e desh që të dallohesha dhe t’ju hyja në zemër edhe stafit dhe trajnerëve.

Përballë Kazakistanit fituat ndeshjen e parë ku ti ishe në formacion. Prite edhe një rast. Si ju përgëzuan pas ndeshjes?
Në fakt unë gjatë gjithë ndeshjes vetëm një rast pata për t’u evidentuar, kur sulmuesin kundërshtar e kisha vetëm pak metra larg portës, por e prita topin pas gjuajtjes së tij dhe e devijova atë mundësi, duke mos pësuar gol. Detyra e një portieri është të mos pësojë gol dhe natyrisht në atë ndeshje nuk pësuam. Shokët dhe trajnerët, por edhe sportdashësit më pritën mjaft mirë. Pas ndeshjes kishin ardhur edhe shume tifozë të më takonin. Aty pashë edhe kushërinj ose sportdashës dibranë që kishin marrë rrugën prej andej. Emocion i bukur patjetër.

Lacio është skuadra juaj, por edhe e disa emrave të tjerë talentesh shqiptarë, si Berisha, Strakosha, etj. A po bëhet një shkollë shqiptarësh ky klub që drejtohet nga Igli Tare?
Është më se e drejtë kjo që ju thoni. Lacio për fatin e mirë ka drejtues të saj një shqiptar të suksesshëm në Itali si Igli Tare, që padyshim ka pasur rolin e tij në promovimin e talenteve shqiptarë. Por duhet përmendur fakti që atje vetëm me punën tënde mund t’ia dalësh, aspak nga ndikimi i të tjerëve. Emrat që ju përmendët më lart, janë pararoja ime, janë vlera dhe kualitete që jo rastësisht erdhën deri këtu, por përmes një pune të pavdërueshme. Edhe unë përpiqem t’ju ngjaj atyre. Punoj me orë të tëra. Stërvitem edhe pasi të tjerët e kanë lënë fushën e stërvitjes.

Si e vlerëson këtë grup që prezantuat Shqipërinë në dy miqësoret me Kazakistanin?
Mendoj se trajneri kishte qëllim konsolidimin e grupit për kualifikueset që mbahen këtë vit dhe jo për të fituar ose marrë pikë në këto dy ndeshje. Njërën e fituam dhe njërën e humbëm me të njëjtin rezultat 1-0. Por mendoj se Bogdani nuk hodhi në fushë një formacion për ta fituar me çdo kush takimin, por për të parë se kush do ti shërbej më mirë në të ardhmen. Unë them që ka kualitete dhe ka frymë grupi. Në një ekip nëse funksionojnë të dyja, atëherë suksesi do të vijë. Këtë e shpresoj edhe për ne, që të kualifikohemi në ndeshjet paraeleminatore të evropianit.

Cila është ëndrra e radhës?
Kuptohet që është Kombëtarja e madhe. Por akoma jam i ri. Uroj që gjërat të vijnë në kohën e vet. Duhet shumë punë dhe kurajo, grinte dhe optimizëm. Mbi të gjitha duhet vullnet dhe besim që gjërat arrihen kur ke pikësynime të qarta.