Ismail Shulku, ushtaraku madhor i Frontit Verilindor


 

Ismail Shulku lindi në Peshkopi më 10 shkurt 1943. Në qytetin e Peshkopisë kreu arsimin 7-vjeçar, si dhe shkollën e mesme. Babai i tij kishte shumë dëshirë që djali të bëhej ushtarak, por Ismaili dëshironte të bëhej mekanik. Duke parë vëllain e madh Ymer, që po ndiqte studimet për ushtarak në Shkollën e Bashkuar, por sidomos uniforma, që e pëlqente shumë, vendosi të bëhej ushtarak. Në vitin 1961, Isamil Shulku nisi studimet në Shkollën e Bashkuar, për t’i përfunduar ato me rezultate shumë të mira. Ato ishin vite tepër të paharruara e të mbushura me një jetë intensive, me ngarkesë mësimore dhe me stërvitje të vazhdueshme, me shokë dhe komandantë shumë të mirë.
Në krah të tij pati shokë të grupit mësimor si Bajram Mane, që u bë deri në zëvendësministër i Mbrojtjes, Fuat Çeliku, që u bë një shkrimtar ushtarak i talentuar, Ramadan Kamberi që ishte një komandant ushtarak etj. Ismaili u stërvit dhe mësoi shumë nga pedagogu Beg Tena, i cili kishte aftësi të larta profesionale, sjellje shembullore dhe një kulturë ushtarake për t’u admiruar.
Me përfundimin e shkollës e caktuan komandues po në shkollë. Komandant i shkollës Enver Begeja, që ishte një ushtarak i klasit të lartë, mjaft korrekt, dinjitoz dhe studentët e oficerët kishin se çfarë të mësonin prej tij. Në shkollë Ismaili qëndroi dy vite edhe si komandues, edhe pedagog, ku mësova më shumë për t’u orientuar në jetë në detyrat ushtarake.

Shkolla e batalionit ishte çelsi i suksesit

Pas kësaj eksperience të mire, emërohet komandant kompanie në brigadën e Peshkopisë, ku pas një viti bëhet shef i shtabit të batalionit dhe shumë shpejt edhe komandant batalioni, për punë të organizuar dhe për marrëdhënie shumë të mira me kuadrot dhe ushtarët. Batalioni artmitralier ishte në buzë të kufirit dhe ushtarët duhej të stërviteshin për ditë me intensitet të lartë. Ishte një punë me përgjegjësi të madhe, ku mbi të gjitha kërkohej gatishmëri e lartë luftarake, pasi ishte repart i organizuar në brezin e parë të sigurimit. Çdo ditë në repart duhet të qëndronte komandanti, komisari, shefi i shtabit, ku kishte rreth 15 kuadro oficerë dhe nënoficerë, si dhe rreth 250 ushtarë të shërbimit të detyrueshëm ushtarak.
Batalioni në periudhë gatishmërie dhe stërvitje luftarake me rezervistë shumëfishohej dhe kërkohej nga të gjithë realizim të detyrave më së miri, pasi batalioni ishte reparti taktik bazë dhe po të kalohej kjo provë mirë, bëheshe oficer dhe komandues i mirë. Këtë përvojë gati 5 vjeçare, Ismail Shulku e përballoi me sukses të plotë. Shkolla e batalionit ishte çelësi i suksesit për çdo oficer karriere dhe për çdo ushtarak që duhej të merrte detyra për në rangje të larta.

Akademisti që u emërua komandant brigade

Në vitit 1974 shkoi për studime në Akademinë e Shtabit të Përgjithshëm, e cila përgatiste shtatmadhorë dhe drejtues të lartë të ushtrisë. Në atë kohë kandidatët që shkonin në akademi merrnin një pyetësor dhe bëhej një konkurs, ku dhe fitoi të drejtën për të ndjekur studimet e larta, por për shkak të të ashtuquajturit grup armiqësor, i fillon studimet në vitin 1975. Komandat i Akademisë ishte Thoma Xhixho, një kuadër i përgatitur dhe me përvojë të gjatë, i ditur dhe i arsimuar, po kështu ishin dhe shumë pedagog të zot që kishin nivel shkencor dhe zotëronin kulturë të gjerë. Të tillë Isamil Shulku vlerësoi Moisi Elezi, Vehbi Hoxha, Bejto Isufi, Spiro Shalësi etj., që i kanë mbetur dhe sot ne memorien e tij, si ushtarak kalibri dhe të përgatitur.
Në akademi në atë kohë, ende pa i përfunduar studimet mirrej emërimi. Ishte muaji korrik 1977 dhe përgatitej për të mbrojtur temën, thërritet në instancat eprore dhe emërohet komandant i Brigadës Këmbësore të Gramshit. Nuk e priti mirë emërimin, pasi në Brigadën e Gramshit kishte ndodhur një ngjarje e rëndë, ku nga pakujdesia kishin shpërthyer depot e municionit dhe çdo gjë ishte shkatërruar. Ismaili mbrojti diplomën shumë mirë dhe në shtator filloi punën si komandant i Brigadës së Gramshit.
Brigada e Gramshit gjendej në një terren të vështirë dhe kishte një shtrirje mjaft të gjerë. Kishte batalione me forca aktive deri në zonën e Cërrikut dhe detyra të vështira në drejtim të Burrelit dhe të Korçës. Përvoja e fituar prej Ismailit si komandant batalionit, mosha e re dhe mbështetja nga trupa e oficerëve, si dhe pushteti vendor, arriti që në stërvitjen e zhvilluar në zonën e Belshit, brigada të vlerësohej shumë mirë. Ndërsa në stërvitjen “Shebeniku-80”, ku merrnin pjesë një grup brigadash të Korpuseve të Korçës dhe të Burrelit, brigada që komandonte Ismail Shulku duhej të marshonte në një rajon të vështirë të maleve të Gramshit dhe të përqendrohej në Qafë Thanë. Stërvitja ishte tepër e vështirë, por u morëm masa të forta sigurie për të gjithë trupën. Në këtë stërvitje merituan flamurin si njësia më e dalluar. Kryeministri dhe ministri i Mbrojtjes, Mehmet Shehu u lidh direkt me komandantin e brigadës dhe e falënderoi për lëvizjen e kujdesshme dhe me disiplinë gjatë gjithë itinerarit të marshimit, duke qenë një kohë e keqe, me shi dhe me shtrëngata dhe nuk patën asnjë ngjarje të jashtëzakonshme.

Komandant Korpusi dhe Divizioni

Kur mbusha 5 vjet në detyrë, u transferova në detyrën e shefit të Shtabit të Korpusit të Burrelit, ku komandant ishte Jaçe Lula, por ai u transferua shpejt se në ushtri ndodhën ngjarje madhore. Ishte koha kur pas dënimit të Mehmet Shehut, u dënua dhe Kadri Hazbiu, i cili edhe e kishte emëruar në detyrën e shefit të shtabit. Kështu deri në mars 1983, kreu dhe detyrën e komandantit të Korpusit, por ato u suprimuan dhe mori detyrën e komandantit të Divizionit të Burrelit. Detyra ishte e vështirë, kërkonte angazhim dhe shumë punë jashtë orarit. Divizioni shtrihej në katër rrethe në Librazhd, në Peshkopi, në Burrel dhe një pjesë në Tiranë. Ky divizion kishte një detyrë të vështirë pasi mbronte drejtimin Dibër e Madhe, Kaptina e Martaneshit dhe Tiranë. Ky ishte një drejtim strategjik më i shkurtër dhe më i rëndësishëm për në kryeqytet.
Struktura e re e krijuar me 22 divizione kërkonte vëmendje më të madhe për njohjen dhe fortifikimin e gjithë zonës ku shtrihej Divizioni i Burrelit. Punoi ditë dhe natë për të nxjerrë anët pozitive dhe negative, për të raportuar para Këshillit të Mbrojtjes. Bashkë me komisar Pandeli Martini, që ishte një burrë i mirë dhe mjaft shoqëror, ngulmuan deri në detaje për një përgatitje serioze dhe për arsye se drejtimi që mbulonte divizioni ishte një drejtim tepër i rëndësishëm. Para Këshillit të Mbrojtjes, raportimi ishte i detajuar dhe me argument për të gjitha pikat e përcaktuara që më parë. Raportimi u prit mirë nga anëtarët e Këshillit dhe ju shtruan mjaft detyra për forcimin e gatishmërisë luftarake të njësisë.

Komandant i Frontit VeriLindor

Ndryshim i strukturës organizative të ushtrisë nga Korpuse në Divizione ishte i efektshëm, por për të pasur një përqendrim më të mirë të situatës, Këshilli i Mbrojtjes e pa të arsyeshme që ushtria të ndahej në tre Fronte, në vitin 1985. Për çdo front u caktua nga një komandant, ku Ismail Shulku, mbulonte Frontin Veri-Lindor dhe ishte zëvendës i Shefit të Shtabit të Përgjithshëm. Kështu që filloi punë në Shtabin e Përgjithshëm, ku kishte në vartësi një shtab të vogël me oficerë të përzgjedhur gjitharmësh, artilier, prapavijë, xhenio, kimi etj. Fronti Veri-Lindor ishte më i vështirë, pasi mbulonte vijën kufitare prej 474 km nga Qafë Thana deri në Velipojë të Shkodrës dhe kishte në drejtim 6 divizione.
Në këtë periudhë situata politiko-ushtarake ishte mjaft e trazuar. Kosova gjendej në një lëvizje për autonomi. Gjatë kësaj kohe Ismaili ka inspektuar të gjitha divizionet, njësitë dhe repartet artmitraliere të kufirit, për të qenë në gatishmëri të lartë luftarake. Kështu që periudhën me të madhe të kohës e ka kaluar nga një divizion në tjetrin, për të njohur më mirë situatën dhe gatishmërinë luftarake të njësive dhe reparteve të Frontit. Në drejtim të Frontit ishte përqendruar Korpusi i 52 i Ushtrisë Jugosllave, një njësi shumë e njohur dhe e fuqishme. Këtë detyrë e vazhdoi deri në vitin 1989, ku u shkrinë Frontet dhe Ismail Shulku u caktua drejtor i Inspektimit dhe Kontroll-Revizionimit në MM. Këtë detyrë e vijoi deri në vitin 1992, kur filluan proceset demokratike, ku në moshën 49 vjeçare nxirret në lirim.

Rikthimi në detyrë dhe përkushtim

Ngjarjet e vitit 1997 Ismail Shulku i përjetoi si gjithë ushtarakët e tjerë të vendit, duke u dëshpëruar, pasi shikoi me sy si po shkërmoqej e gjithë puna, mundi, djersa dhe sakrificat e panumërta të një brezi të tërë ushtarakësh, të përkushtuar për mbrojtjen e vendit. Në këto ngjarje të rënda dhe tronditëse për Ismail Shulkun ishin humbja e Flamurëve Luftarak të njësive. Dhe të humbësh flamurin luftarak për një njësi dhe ushtarak është disfata më e madhe që mund të ndodhë në betejë, por jo brenda reparteve dhe të sulmuar nga njerëz të shumtë, ku oficerët nuk mundën të vrisnin popullin e vet. Deri këtu kishte arritur politika, i kishte tradhtuar.
Pas ngjarjeve të vitit 1997, rikthehet në MM, në detyrën e drejtorit të Drejtorisë së Personel-Arsimit. Kjo ishte një ndërmarrje e fuqishme për të gjithë, pasi që nga MM dhe deri në repartin më të vogël çdo gjë ishte prishur dhe dëmtuar rëndë. Me përkushtim dhe ndjenjë përgjegjësie u ringritën njësitë dhe repartet, u plotësuan vendet bosh me kuadro të përkushtuar dhe profesional që e donin ushtrinë dhe ishin të përkushtuar ndaj saj. Ngjarjet që erdhën më pas, sidomos gjendja në Kosovë dhe përkeqësimi i situatës në kufirin veri-lindor të vendit treguan se ushtria ishte ringritur dhe se i përballoi me nder dhe sakrifica të mëdha sfidat e kohës. Në vitin 2003 Ismail Shulku, pas mbushi moshën për pension doli në lirim.
Ismaili është autor i mjaft shkrimeve e kumtesave në shtypin ushtarak, si dhe i disa metodikave që kanë shërbyer për zhvillimin e disa stërvitjeve të Shtabit e Komando-Shtabi me shumë njësi të Forcave të Armatosura. Ai ka drejtuar e udhëhequr disa stërvitje të mëdha me trupa, me njësi taktike dhe operative, me pjesëmarrjen e të gjitha llojeve të armëve e shërbimeve. Deri në fund të karrierës ushtarake mbajti me dinjitet gradën e Kolonelit. Në të gjithë veprimtarinë e tij për merita pune e shërbimi është vlerësuar me urdhra e medalje të ndryshme nga Presidiumi i Kuvendit Popullor, nga Ministri i Mbrojtjes dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA.