Nisin punimet në Rrugën e Arbrit, presidenti i Gjoka Konstruksion deklaron: Punimet mbarojnë për 2 vjet


Opozita kundërshton: “Nuk ka transparencë. Kontrata e rrugës së Arbrit është bërë për interesat e Ramës e jo dibranëve”.

Presidenti i Gjoka Konstruksion: “Pavarësisht se në kontratë punimet janë parashikuar të zgjasin 44 muaj, punimet ato do të mbarojnë për dy vite. Projektit fillestar i janë bërë ndryshime thelbësore, duke siguruar një rrugë me standarde europiane. Janë shtuar në projekt edhe dy tunele të tjera në fshatin Fshat duke e bërë rrugën e Arbrit një rrugë me 5 tunele. Ndryshimi më i rëndësisshëm i projektit është tuneli i Qafë Murrizës, për të cilin ai hodhi poshte idetë e mëparshme për një terren të papërshtatshëm, sidomos për praninë e shumtë të ujërave, duke theksuar se tuneli është ulur 100 metra në lartësi në krahasim me idetë e mëparshme, duke e zgjatur tunelin nga 2.3 km të parashikuar në 3.2 km.

Tymi i kuq shpërtheu në një tunel të vogël në Klos më 17 qershor në mesditë, që shënoi nisjen e punimeve në Rrugën e Arbrit, në segmentin krejtësisht të ri prej 26.2 km, që do të bëjë bashkë Dibrën dhe Tiranën.
Ky tym i kuq, përveç simbolikës për nisjen e punimeve, hapi më parë edhe debatet politike në Shqipëri për tre ditë – siç është zakoni, ku opozita dhe qeveria dhanë deklarata kundër njëra-tjetrës në lidhje me këtë çështje.
I pari ishte kryeministri Edi Rama, i cili gjeti një mënyrë origjinale për të dhënë lajmin e inaugurimit të punimeve, postoi më 15 qershor në FB një letër të shkruar me dorë ku thoshte se “çdo dibran që më ka telendisur në FB me sharje e tallje për Rrugën e Arbrit, i ka hallall të gjitha, po erdhi të dielën në Peshkopi e në Klos për fillimin e punimeve të pritura 100 vjet. Fjalët mbrapsht kush nuk çon të paktën një buzëqeshje në FB në pamundësi për të ardhur”.
Në të dy takimet, në Peshkopi dhe Klos, kryeministri u prit me protesta të organizuara nga opozita. Deputeti i PD së Dibrës, Xhemal Gjunkshi, i ka cilësuar premtimet e reja të kryeministrit si mashtrimet e radhës. Ai shkroi në faqen e tij zyrtare në Facebook se “Edi Rama i pashpresë thërret dibranët të marrin pjesë në takimin e tij të “shplarjes së trurit”, se gjoja do ua falka sharjet e ofendimet në facebook për Rrugën e Arbrit. Rruga e lavatriçes së pastrimit të Narko Euros. Rrugës ndaj së cilës nuk ka bërë asgjë transparente përballë publikut”.
Deputetja tjetër e Dibrës, Dhurata Çupi Tyli, shkroi në FB se Edi Rama t’u thotë dibranëve se “sa transparente është kontrata e Rrugës së Arbrit dhe se është bërë për interesat e Ramës e jo dibranëve. Sa ju kushton kjo rrugë banorëve të kësaj treve të varfër. T’u thotë dibranëve a do t’i taksojë ata që të kalojnë nga kjo rrugë ashtu siç ka nisur me trendin e ri të taksimit të akseve rrugore”.
Kryeministri nuk i kurseu sulmet në mitingun e Peshkopisë dhe ceremoninë e inaugurimit në Klos ndaj opozitës.
“Kur morëm mandatin ne na u desh t’i paguanim një më një 5 kontrata me vlerë 2.9 miliardë lekë për ta hapur rrugën e Dibrës si skenë për daulle e për shirita, edhe pse Rruga e Arbrit nuk dukej gjëkundi. Kështu ishin kontratat e nënshkruara nga ata që vazhdojnë sot e gjithë ditën t’u bien daulleve, kontrata për rrugë daullesh e shiritash pa buxhet, pas të cilave nuk u bënë rrugë, por vetëm copa rrugësh me gropa borxhesh”, tha ai në Peshkopi.
Në takimin e Klosit, kryeministri vuri theksin te standardet e rrugës. “Ne gjetëm një projekt copë-copë, si projekti i Rrugës së Kombit… Ne gjetëm një projekt që kushtonte shumë më tepër se ky dhe që ishte mizerje, me tunel pa tub emergjence. Gati 3 kilometra tunel për t’i futur njerëzit brenda, pa iu lënë mundësi të dalin, nëse ndodh, largqoftë, ndonjë hata. Është e ndaluar në të gjithë botën, edhe në Afrikë, të ndërtosh 3 kilometra tunel dhe të mos kesh dalje emergjence. Po ashtu, kjo rrugë bën dyfishin e punëve, bazuar në projektin e ri dhe më e bukura për ju është që lidh edhe Klosin. Në projektin e Saliut, Klosi nuk ishte pjesë e rrugës”, tha kryeministri Rama në Klos gjatë ceremonisë së nisjes së punimeve.
Ai premtoi se “gjatë kësaj periudhe që ne do të ndërtojmë rrugën, ju do të shikoni që do të ketë një urë nga njëra anë e tunelit, 220 metra, 150 metra e lartë dhe një urë tjetër nga ana tjetër e tunelit, matanë, po kaq dhe Klosi do të lidhet me Tiranën për 30 minuta, Bulqiza për 40 minuta, Burreli për 60 minuta dhe Peshkopia që është pak më larg, përsëri do jetë shumë më afër, 80 minuta, distanca që ishin të paimagjinueshme”.
Duke folur për standardet e rrugës kryeministri tha në Peshkopi se “rruga që ndërtojmë, kushton me gjithë mirëmbajtjen 10 vjet, me gjithë operimin e tunelit, vetëm 250 milionë euro. Dhe mirë që kushton më pak, por çudia është që standardi i parashikuar prej inxhinierëve të Saliut ishte C3, më i ulëti. Ndërsa ai i sot është C2. E dini çfarë do me thënë? Me projektin e Saliut, do hynit në tunel rrugor, – le që nuk do bëhej ndonjëherë, – por do hynit në tunel rrugor pa tub emergjence. A e imagjinoni dot 3 kilometra tunel pa tub emergjence dhe jashtë të gjitha normave europiane?”.
“Rruga do ishte pa kokë, sepse nuk kishte segmentin 1.1 kilometër që e lidh me Tiranën. Por rruga nuk kishte as bisht sepse 9.1 kilometra që e lidhin sot me doganën e Bllatës nuk ishin. Me fjalë të tjera, 300 milionë euro borxhe për ta bërë këtë arterie jetike një shteg në mes të dy anëve që do ngeleshin siç janë sot. Si në kohën e rrugës së karvanëve. Por do ta pësonte edhe Klosi, ku sot ne do të shkojmë për punimet, njësoj si Tirana, si segmenti Maqellarë – Bllatë, ishte jashtë projektit edhe Klosi. 300 milionë euro për ta lënë Rrugën e Arbrit pa Tiranë, pa Maqellarë, pa Klos dhe pa doganë. Kjo është e vërteta”, tha ai.
“Sot rruga do të ketë tunele më të gjatë me standarde rigoroze, me tunel emergjence, do të plotësohet me të gjithë segmentet, do të ndërtojë degëzimin e Klosit dhe Maqellarë-Bllatë dhe do të mirëmbajë gjithë veprën dhe tunelin për 10 vjet”.

Përtej një debati politik: Çfarë po ndodh me Rrugën e Arbrit?

Vetëm një javë pas shpërthimit të tymi të kuq në Klos, që i shërbeu dhe i shërben debatit politik, më 20 qershor, Këshilli Kombëtar i Territorit ka miratuar lejen e ndërtimit Infrastrukture për objektin: “Për ndërtimin e Rrugës së Arbrit”, me vendndodhje në Bashkinë Tiranë, Klos, Bulqizë dhe Dibër, me subjekt zhvillues Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe shoqërinë “Gjoka Konstruksion” sh.a.
Burime nga kompania thanë për gazetën se punimet kanë filluar më parë në rrugë dhe ceremonia e inaugurimit më 17 qershor ishte vetëm një veprimtari që shënoi nisjen zyrtare. Sipas tyre, punimet nuk kanë të ndalur dhe ato do të mbarojnë brenda një afati 2-vjeçar.
Presidenti i kompanisë “Gjoka Konstruksion”, Rrok Gjoka, tha në ceremoninë e nisjes së punimeve në Klos, se pavarësisht se në kontratë punimet janë parashikuar të zgjasin 44 muaj (rreth 4 vite), ai theksoi se ato do të mbaronin për dy vite, duke e shkurtuar shumë kështu kohën e ndërtimit. Gjoka theksoi se projekti fillestar i janë bërë ndryshime thelbësore, duke siguruar një rrugë me standarde europiane. Janë shtuar në projekt edhe dy tunele të tjera në fshatin Fshat, duke e bërë Rrugën e Arbrit një rrugë me 5 tunele. Por duket se ndryshimi më i rëndësishëm i projektit është tuneli i Qafë Murrizës, për të cilin ai hodhi poshtë idetë e mëparshme për një terren të papërshtatshëm, sidomos për praninë e shumtë të ujërave, duke theksuar se tuneli është ulur 100 metra në lartësi në krahasim me idetë e mëparshme, duke e zgjatur tunelin nga 2.3 km të parashikuar në 3.2 km. Ky zgjatim i tunelit dhe ndërtimi i një turbine tjetër me të njëjtat parametra do ta rrisin shumë standardin e lëvizjes në këtë aks, si dhe do t’i shërbejnë më shumë sigurisë në qarkullim.
Rruga do të ketë një standard C2 – sipas standardeve të BE-së, me nga 2 korsi me 3.5 metra gjerësi, plus 1.25 metra bankinat anësore. Gjithashtu, sipas projektit, në ngjitje rruga do të jetë me tre korsi lëvizje, duke lehtësuar kështu shumë qarkullimin. Shpejtësia e parashikuar e lëvizjes do të jetë nga 60 deri 100 km në orë. Gjithashtu, tuneli 3.2 km, do të jetë me dy turbina, njëri prej të cilëve do të shërbejë në raste emergjente. Po ashtu, janë shtuar edhe dy tunele të tjerë në fshatit Fshat në Klos. Njëri prej këtyre tuneleve do të sjellë edhe ndryshime në projektin e mëparshëm të Urës së Vashës.
Paralelisht në punimet në Klos, po punohet edhe në Zall Bastar të Tiranës dhe shumë shpejt pritet të fillojnë punimet edhe në Tunelin e Murrizit, më i madhi dhe më i rëndësishmi në këtë akt rrugor. Gjithashtu, punimet po vazhdojnë edhe nga Shupenza në drejtim të doganës së Bllatës, ku më i rëndësishmi këtu është një vepër artit mbi lumin Drin, por edhe nga Bllata në drejtim të Maqellarës.
Në lidhje me financimin e saj, një nga debatet e hapura, Gjoka theksoi në takimin e Klosit se ka siguruar një mbështetje financiare nga Banka Kombëtare Tregtare një shumë prej 70 milionë eurosh.
Përsa i përket dyshimeve të opozitës se rruga do të jetë me pagesë, për momentin nuk ka deklarata zyrtare. Megjithëse nga mënyra e dhënies me koncension kjo duket se do të jetë e pashmangshme, sidomos tuneli, kjo pritet të vendoset në muajt në vazhdim.
“Qeveria po harton një plan kombëtar mbi menaxhimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve, dhe në këtë kuadër do të shihet edhe Rruga e Arbrit, nëse do të jetë me pagesë ose jo, por deri më tani nuk ka një vendim që do ta bëjë rrugën me pagesë “, tha një burim nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.

* * *

Debati politik për rrugën do të vazhdojë, por përveç kësaj kompania ndërtuese premton se punimet nuk do të kenë të ndalur. Të dyja premtimet janë në këto ditë vere, por pas një periudhë 20-vjeçare premtimesh, le të shpresojmë se këto janë premtimet e fundit. Dhe për këtë ne do të ndjekim vazhdimisht ritmin e punimeve, për të treguar hap pas hapi se dy dekadave premtime po u vjen fundi. Rruga është e rëndësishme për ne, pjesa tjetër është vetëm debat politik…