Ahmet Balliu një jetë mes tingujve muzikorë


Ahmet Balliu

Ahmet Balliu

Sopoti, fshat i zonës së Zerqanit – Dibër është i njohur për bukuri të rralla. Në krye ngrihet shpatmali Shkozë, i veshur i gjithi me drurë. Poshtë zgjatet një brez i tërë arrash shumëvjeçare. Mu në rrëzë të malit burojnë tri gurra, që i japin jetë gjithë fshatit. Livadhet përreth gjelbërojnë deri vonë në vjeshtë. As borën nuk e mbajnë. E, prandaj edhe në dimër aty sheh tufa zogjsh, si rosa, pata etj.
Në krye të fshatit, pranë burimeve me ujë të pastër si kristal, në një lëndinë të vogël ngrihej kulla trekatëshe e Ismail Balliut, babait të Ahmetit. Nga kulla me dritare të vogla dukej si në pëllëmbë të dorës i gjithë fshati. Ishte një kullë që priste çdo ditë mysafirë, të njohur e të panjohur. Pas darke, zoti i shtëpisë i kënaqte mysafirët me çifteli dhe në kullë jehonin këngët e trimërisë deri natën vonë.
Në këtë familje lindi Ahmet Balliu. Më 25 dhjetor 1937. Ahmeti u rrit në një mjedis shumë frymëzues. Në pranverë, – tregon ai, – sapo hapja dritaren, para meje shpalosej tablo fort e bukur natyrore. Mbi tapetin e gjelbëruar të livadheve ngriheshin kurora lulesh shumëngjyrëshe të pemëve frutore. Gurgullimës së ujit dhe tingujve ritmikë të mullirit pranë shtëpisë u shtoheshin këngët e bilbilave. Unë ulesha pranë dritares, – vijon Ahmeti, – dhe me orë të tëra dëgjoja këtë simfoni në skenën natyrore. Kjo natyrë kaq frymëzuese, si edhe këngët që ai dëgjonte çdo natë në kullë bënë që zemra e tij të rrihte fuqishëm për muzikën. Ai pati ëndërruar të studionte në liceun artistik në Tiranë, por nuk e pati këtë privilegj. Ai vazhdoi shkollën pedagogjike në Peshkopi.
Në shkollën pedagogjike ai qe me fat. Lëndën e muzikës e jepte violinisti i talentuar, Mynir Shehu. Dhe qe Myniri ai që i dha Ahmetit bazat e mësimit të fizarmonikës. Pasi mbaroi pedagogjiken, Ahmeti u emërua mësues në shkollën 7-vjeçare “Demir Gashi”, Peshkopi. Me nxënësit e saj ai formoi grupin artistik të shkollës, me këngë solo, duete korale dhe numra baleti. Dhe grupi dha me shumë sukses koncerte në Peshkopi, Bulqizë, Burrel etj. dhe gjatë pushimeve të verës, në të gjitha postat kufitare të Dibrës. Me shumë respekt Ahmeti kujton kolegët Xhelil Kulemani, Kadri Zhulali, Genc Bardulla, Selaudin Trepça, Gjyzel Hasani dhe Tanush Kaso (drejtor i shkollës së natës).
Në shtëpinë e kulturës në atë kohë erdhi nga Tirana pianisti i moshuar Skënder Frashëri, i sapoliruar nga burgu. Ai qe nga familja e frashërllinjve, ish-ambasador, njohës i disa gjuhëve. Edhe kësaj here Ahmetit i buzëqeshi fati: Nga ai pianist i talentuar Ahmeti mori bazat e pianos.
Në vitin 1957 u formua Estrada Profesioniste e Peshkopisë. Ahmeti u emërua dirigjent i orkestrës. Ai luante kryesisht në fizarmonikë, por jo rrallë, edhe në piano. Fillimisht, regjisor ka qenë Qerim Mato. Më pas, Tefë Krroqi. Në çdo dy muaj përgatitej një numër i ri estrade. Punonim me pasion, – thotë Ahmeti, – paradite dhe pasdite, madje edhe të dielat. Jepeshin shfaqje në qytet, në të gjitha fshatrat e Dibrës, – thotë Ahmeti, – por edhe në shumë qytete të tjera të vendit. Ahmeti bënte orkestrime, mblidhte këngë folklorike dhe tri herë në javë drejtonte kursin e fizarmonikës. Të lodhshme për Ahmetin ishin edhe mbrëmjet e vallëzimit, që organizoheshin mjaft shpesh në shkollën pedagogjike, në ndërmarrje të qytetit etj.
Një ditë, – tregon Ahmeti, – më erdhi fletëthirrja për ushtar – në marinë, 4 vjet. Dhe kur? Kur ai ëndërronte të vazhdonte studimet për muzikë jashtë vendit. Fati do të bënte të pamundurën. Atë e shpëtoi ndërhyrja e Jashar Menzelxhiut, ish-sekretar i parë i rrethit, tek ish-ministri i Mbrojtjes. Por studimet e larta i nisi vetëm pas katër vjetësh. Dhe ku? Në Moskë.
Në Moskë Ahmeti studioi për dirigjent. Të gjitha provimet e vitit të parë i mori shkëlqyeshëm. Por kësaj here nuk i priu fati. Të gjithë studentët u kthyen në Shqipëri. Këtu vazhdoi studimet e larta për gjuhë ruse. Ato do t’i mbaronte dy vjet më shpejt. Konservatori parashikohej në atë kohë pesë vjet.
Pas studimeve universitare, Ahmeti u emërua pedagog në gjimnazin e Lezhës, në një kolektiv të shkëlqyer pedagogjik, me drejtor Mësuesin e Popullit, Mark Vuji. Edhe këtu Ahmeti përgatiti një grup artistik me nxënësit e gjimnazit. Koncerti u dha disa herë me sukses në qytet dhe në fshatra.
Në vitin 1966 Ahmeti emërohet në Radio “Tirana”, në drejtorinë e gjuhëve të huaja – redaktor në sektorin e gjuhës ruse. Që në fillim nuk iu duk se ishte në vendin e duhur. Dhe arriti të kalonte në sektorin e ilustrimeve muzikore. Ai përcaktonte muzikën për çdo emision. Por edhe ky vend nuk e kënaqte. Ëndrra e tij ishte muzika klasike. Ëndrra e tij ishte të shkruante për muzikën klasike. Dhe Ahmeti hapi ciklin e emisioneve “Të njohim kompozitorët e mëdhenj”. Emisioni kishte tekst letrar, dramatizime dhe analiza veprash muzikore, çka do të thotë se duhej përgatitje e lartë. Vetëm për Bethovenin, – thotë Ahmeti, – u realizuan 8 emisione. Për këtë kompozitor, – vijon ai, – kam lexuar 10 libra në gjuhën ruse. Për uverturën me program Egmont të Bethovenit ftuam në studio Çesk Zadenë. Me partiturë në dorë, ai përcaktonte përmbajtjen e frazave muzikore: lufta e heroit, kapja e tij, torturat, qëndrimi heroik, vrasja e heroit. Në këto emisione flitej edhe për interpretuesit, dirigjentët, këngëtarët, instrumentistët etj.
Në këtë cikël emisionesh prej 60 minutash është folur për rreth 40 kompozitorë, si Bah, Bethoven, Brams, Belini, Rosini, Verdi, Puçini, Paganini, Bize, Debysy, Ravel, List, Çajkovski e shumë të tjerë. Numri i tyre shkon rreth 40, ndërsa numri i emisioneve, mbi 100. Besojmë që lexuesi mund ta nxjerrë vetë përfundimin për këtë punë vigane në 35 vjet. Dhe të gjitha këto emisione janë shkruar jashtë orarit të punës, në shtëpi, pa pagesë. Këto emisione janë vlerësuar si më të mirat në Radio, krahas Teatrit në Mikrofon dhe Heroizmit të popullit tonë në shekuj. Ato incizoheshin dhe ritransmetoheshin çdo vit.
Më 1992 Ahmeti fillon emisionin “Shekulli XX dhe muzika”. Dëgjuesit njiheshin me një muzikë të re, të panjohur. Ky emision, me 60 minuta transmetohej çdo javë. Më vonë, ai çeli emisionin “Një CD për ju”. Për të siguruar CD me muzikë, ai ka shkuar në ambasada – gjermane, austriake, italiane etj., të cilat janë treguar të gatshme për të ndihmuar. Më 1993, në Radio ka ardhur edhe një gazetar i BBC për të ndihmuar RTVSH. Dhe miku anglez kishte mbajtur shënim kërkesat tona, – thotë Ahmeti, – dhe pas disa javësh BBC na dërgoi 4 enciklopedi muzikore dhe thuajse çdo muaj na vinin kaseta dhe CD me muzikën, që ne kishim kërkuar. Tani, Ahmeti bënte një punë të pavarur, pa bashkëpunëtorë, pa përkthyes, madje, pa daktilografist. Tani ai do të punonte vetë – në fillim, me makinë shkrimi e më pas, me kompjuter.
Në vitin 1992 PD hoqi nga puna simpatizantët e PS. Më 1998, kur PS erdhi në pushtet, hoqi simpatizantë të PD. Ahmeti, si gjithmonë qëndronte larg partive. Partia ime, – thoshte ai, – është muzika. Dhe Ahmet Balliu punoi deri në qershor të vitit 1999, kur doli në pension.
Fati të ndjek, – thotë Ahmeti, – kur e ke ndërgjegjen të pastër. Dhe ai është i lumtur që të dy fëmijët i ka jashtë, në vende të preferuara, në shtete sociale. Vajza, Albana, sapo mbaroi Akademinë e Arteve për dirigjim orkestre në vitin 1993, shkoi në Danimarkë. Ajo është martuar me mjekun gjinekolog, Negjyp Sopa, nga Kosova. Negjypi ka pasur rezultate shumë të mira me gratë që nuk lindin. Ai përfaqëson Danimarkën në kongreset botërore të gjinekologjisë. Albana është nga shqiptaret e rralla, të cilave u është njohur diploma e Akademisë së Arteve. Fillimisht e emëruan pedagoge muzike në shkollë të mesme. Por, e pakënaqur, ndoqi Fakultetin Ekonomik. Pasi e mbaroi me rezultate të shkëlqyera, e emëruan në Kopenhagë, në Ministrinë e Ekonomisë, në sektorin e tregtisë së jashtme. Ajo komunikon mjaft mirë në anglisht me përfaqësues të firmave të huaja. Është një nga punonjëset më të vlerësuara në këtë sektor. Albana ka botuar në Shqipëri tre libra: Fjalor muzikor Enciklopedik (i pari i këtij lloji në Shqipëri); Kush e vrau Moxartin (përkthim); Muzika dhe shëndeti.Djali, Spartaku, shkoi në vitin 1998 në Kanada me dokumente të rregullta. Në Toronto, mbaroi kolegjin për elektromekanikë. Tani punon në këtë kolegj. Spartaku ka talent për gjuhë të huaja. Përveç anglishtes, flet lirshëm italisht e greqisht.
Unë dhe Liria, – thotë Ahmeti, – kemi rreth 20 vjet që tre muajt e verës i kalojmë në Albertslund, në periferi të Kopenhagës. Liria është e shoqja – një ish-mësuese e shkëlqyer, një amvisë e shkëlqyer dhe një familjare e shkëlqyer. Me një prejardhje familjare të shkëlqyer. Atje, – thotë Ahmeti, – ka parqe pa fund, me plot pemë frutore, si qershi, mollë, dardhë, gështenja, lajthi etj. Në hyrje të parkut lexon në anglisht: Shijoni frutat, merrni me vete, por lutemi mos dëmtoni degët!
Është e habitshme: Vetë danezët, – shpjegon Ahmeti, – nuk i prekin këto fruta në parqe, madje, as pemët që kanë në oborrin e shtëpive të tyre. I kemi për bukuri, – thonë ata. Dhe frutat i blejnë në markete. Parqet ndahen nga breza pyjorë. Është kënaqësi të ecësh në ato rrugë përmes pyjeve kaq të dendura, sa as rrezet e diellit nuk depërtojnë. Për ta plotësuar shpjegimin e tij, Ahmeti thotë: Danimarka është shtet social. Shëndetësia dhe arsimi janë falas. Madje, studentët paguhen. Taksat progresive bëjnë që të mos ketë miliarderë e milionerë. Nuk ka qytetar që të mos paguhet. Asistenca sociale është kaq e lartë, sa disa arabë, turq, etj., jo rrallë nuk tregohen të gatshëm për të punuar. Fëmijët, që kur lindin e derisa bëhen 18 vjeç paguhen nga shteti. Danimarka është shpallur disa herë Vendi ku jetohet më mirë.
Fizarmonika ka qenë përherë pasioni i Ahmetit. Ai ka luajtur kryesisht pjesë klasike, si uverturën Berberi i Seviljes të Rosinit, uverturën nga Norma e Belinit, Marshin Turk të Moxartit, Fluturimin e Brumbullit të Rimski Korsakovit, Vallen e Shpatave të Haçaturjanit, pjesë nga Liqeni i Mjelmave të Çajkovskit etj. Edhe sot e ka pasion fizarmonikën. Edhe pianon. Është pasioni për muzikën. Edhe sot Ahmeti rron me muzikën. Këtë e mëson po të rrish me të qoftë edhe për pak kohë. Me kënaqësi të flet për jetë kompozitorësh, për ngjarje, për momente dhe për suksese të jashtëzakonshme njerëzish të mëdhenj. Dhe ti vetëm e dëgjon dhe e dëgjon. Ahmeti flet bukur.
Dhe vishet bukur. Gjithnjë i qetë. Gjithnjë i paqmë. Gjithnjë dashatar i natyrës dhe i shëtitjeve në natyrë jashtë Tiranës. Dhe gjithnjë nostalgjik për fshatin e lindjes, për Sopotin. Por, edhe për Bulqizën e për Peshkopinë. Ahmeti, njeriu i muzikës, ka nostalgji edhe për festimet në fshat. Për Ditën e Verës, – kujton Ahmeti, – shumë herët në mëngjes, shkonin vajzat e fshatit te burimet dhe merrnin guralecë, degë thanash (te burimet kishte shumë thana) dhe barëra. I vinin në shtëpi në vende të caktuara dhe thoshin: Forcë, forcë si guri; kuq, kuq si thana; njomë, njomë si kullosa!
Ahmeti është i fortë si guri, i kuq si thana, i njomë si bari. Ky është Ahmeti: Njeriu që rron me muzikën. Ndonjë që nuk e njeh, le ta njohë e le ta takojë. Unë për vete e kam njohur që para 50 vjetësh, në kohën studentore, nga afër. Pak më përpara, por disi nga larg, në shkollën pedagogjike, kur te sheshpushimi i shkallëve nga oborri, Ahmeti argëtonte me fizarmonikë konviktorët pedagogjikas. E shihnim me respekt e me lakmi. Dhe që atëherë e kam mik. Sepse miku zgjidhet më i mirë se vetja.