Àrbëri sipas statuteve që u konfirmuan në epokën e Gjergj Kastriotit


Pse zgjodha të parashtroj disa argumente dhe mendime rreth pyetjes për Àrbërin në shekujt e humanizmit europian sipas statuteve që u konfirmuan në epokën e Gjergj Kastriotit?
1. Për statutet dhe rregulloret e ndorimit urban të qyteteve të Arbërit në shekujt e humanizmit europian në vijën bregdetare të viseve shqiptare dhe deri-diku edhe në hinterland gjatë dy dekadave të fundme ka pasur disa studime që meritojnë të nderohen, nga dijetarë vendës e të huaj, si Lucia Nadin, Oliver Jens-Schmitt, Gherardo Ortalli, Pëllumb Xhufi, Luan Malltezi, Aurel Plasari, Ardian Klosi, Ismet Elezi, Ermal Baze dhe ndonjë tjetër. Mirëpo kjo trashëgimi, me përjashtime të rralla, nuk është vështruar në anën e saj antropojuridike e etnojuridike.
2. Në historiografinë tradicionale shqiptare me të drejtë është propozuar teza se Arbëri i shekujve paraosmanë zhvillohej me të njëjtat ritme dhe me të njëjtën shkallë si gjithë vendet e pellgut të Adriatikut. E shqiptuar prej dekanit të mesjetaristëve shqiptarë Aleks Buda, kjo tezë lejonte të supozohej se idioma pellgu i Adriatikut ishte një metonimi e kontinentit europian. Kjo tezë u verifikua përmes të dhënash të tjera, por jo prej rendit juridik që dëshmohet në corpus iuris statuendi, në koleksionin e statuteve të qyteteve arbërore, duke iu referuar me këtë term kodikëve statutorë, që u përkasin shekujve XIII-XVII.
3. Në traditën e studimeve shqiptare, statutet, rregulloret dhe ligjet e ndërtimit të rendit urban, për një kohë të gjatë kanë qenë një objekt i përjashtuar, për dy arsye kryesore: 1. Për shkak të një qendrimi thellësisht puritan, deri në kufij përjashtues, shprehur në mendimin se këto akte janë krejt të huaja për traditën shqiptare, janë rregullore të të vasalitetit ndaj të Sinjorisë Serenissima; 2. Për shkak se statutet dhe rregulloret e ndërtimit të jetës qytetare në Arbërin e shekujve të humanizmit janë konsideruar prurje të një kulture kishtare. Këto dy arsye shpjegojnë pse në të gjitha historitë e Shqipërisë, prej fillimeve deri më sot, statutet dhe rregulloret, nuk zënë më shumë se një fletë. Sa u takon rezultateve të antropologjisë etnojuridike, statutet kanë qenë dhe mbeten të përjashtuar edhe për një arsye teknike: sepse statutet janë kulturë e shkruar kurse e drejta kanunore është e drejtë parashkrimore.
4. Nuk kanë munguar studimet për shtetin e epokës së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, deri në shkallën e monografive. Mirëpo edhe në këto raste rendi juridik i shtetit të Skënderbeut është gjykuar përmes kredencialeve të legatëve, aleancave dhe traktateve, akteve të kancelarive, por jo edhe prej statuteve. Këtu mund të ketë luajtur rol pengues edhe fakti që statutet ishin dukuri e fasadës bregdetare, kurse Kastriotët me zotërimet e tyre gjendeshin në thellësi. Mirëpo rendin e organizimit parashtetëror, më shumë se aleancat dhe besëlidhjet, më shumë se traktatet dhe armëpushimet me kushte, e dëshmojnë statutet.
5. Në radhët e dijetarëve europianë që i janë kushtuar asaj trashëgimie që njihet me emrin studia humanitatis ka pasur dhe ka një diskutim shkencor me shtrirje në gjithë kontinentin për kufijtë e shtrirjes së frymës së Renesancës, që përbën themelet e europeizmit të sotëm. Ky diskutim është zhvilluar në formën e dy pyetjeve, me karakter ndërplotësues: 1. Cili është kontributi pasurues i popullit pretendues për t’u përfshirë në këtë zonë dhe në këta shekuj të ndriçimit epokal? 2. Cila ishte shkalla e rregullimit ligjor të zhvillimit urban në vendin pretendues? Përgjigjet që i janë dhënë pyetjes së parë kanë pasur prirjen për ta rrudhur Europën e shekujve të humanizmit brenda për brenda Perëndimit të sotëm. Italia i dha Europës pikturën, skulpturën dhe epopenë e famshme Komedia hyjnore. Spanja i dhuroi eurokulturës humaniste romanin e parë në histori, Don Kishotin. Anglia e pasuroi këtë trashëgimi me tragjeditë moderne të Shekspirit. Bota gjermanike lindi Reformën e Martin Lutherit dhe lindjen e gjuhëve popullore të liturgjisë; Guntenbergun dhe shtypshkrimin. Polakët me të drejtë pretendojnë se i dhanë Europës atë që ndali diellin dhe lëvizi tokën, Kopernikun. Lundërtarët e mëdhenj portugezë e spanjollë; zbuluesit e botëve të reja; universitetet franceze dhe vlera të tjera, janë konsideruar certifikata të vetëmjaftueshme për përfshirjen brenda Renesancës dhe themeleve të eurokulturës. Me letërsinë e heronjve, që nisi prej Marin Barletit, Arbërit e asaj epoke kërkuan vendin e tyre të merituar, duke shpallur solemnisht se i kishin dhënë kontinentit një kryevlerë që i mungonte: strategun mbrojtës të qytetërimit të vjetër, Gjergj Kastriotin – Skënderbeun. Nëse përgjigjen do ta kërkonim duke iu referuar pyetjes së dytë, në dritë të zbulimeve të fundme dokumentare, përgjigjja do të kishte qenë e papërgënjeshtrueshme: Arbëri i shekujve të Mesjetës ishte një hapësirë historike që e kishte rregulluar jetën e brendshme me statute dhe rregullore, njësoj si e gjithë Europa, dhe ky ishte rendi që kishte prodhuar klima sunduese e Renesancës, e cila, me devizën të kthehemi tek burimi, kishte idealizuar modelet antike të qyteteve-republika, me këshilla dhe senat, me agorà dhe foro romanorum.
6. Çështja më e rëndësishme në pikëpamjen shkencore mbetet ajo që ka të bëjë me domosdoshmërinë e themelimit të disiplinës së së drejtës së krahasuar, e cila ende mund të konsiderohet një dije e munguar. Duke qenë se antropologjia etnojuridike për shqiptarët ka qenë një shkencë e lindur prej premisash romantike e kolonialiste, në të shumtën e rasteve me frymëzim ekzotik, prej më se dy shekujsh identiteti i shqiptarëve është promovuar si identitet i një popull kanunor, i vetëqeverisur me ligje të pashkruara. Kjo dhe për faktin se shkenca shqiptare ka mbajtur një qendrim heshtës ndaj së drejtës së shkruar. Dhe këtu nuk është fjala vetëm për corpusiuris statuendi, por së paku edhe për dy korpuse të tjerë: 1. Nomokanonet e rendit kishtar-laik të arealit që e ndërtonte jetën sipas parimeve dhe rregullave të kishës lindore; 2. Corporativo corpus iuris, ose e drejta e korporatave, e drejta e rüfet-eve, e drejta e esnafeve, që lulëzoi në shekujt XVII-XVIII, sidomos në Voskopojë, ku kishte jo pak por 14 rregullore të mjeshtërive të qytetit. Këto tri tradita asnjëherë nuk janë vështruar në pikëpamjen krahasuese, megjithëse si statutet, ashtu dhe nomokanonet dhe rregulloret e mjeshtërive kanë prerje të përbashkëta që diktohen jo nga ndonjë doktrinë, por nga shkalla e zhvillimit të njësojtë, duke përfshirë rendin familjar, rendin gjenealogjik, raportin me kishën dhe pushtetet. Disiplina themelore që mungon në albanologjinë e sotme është ajo e së drejtës krahasimtare kanonike kishtare me të drejtën laike, shprehur kjo me shkrim apo në formë parashkrimore.
7. Këtu është rasti të kujtojmë se corpus iuris statuendi nuk përmban vetëm Statutet e Shkodrës dhe Statutet e Drishtit, por dhe Statutet e Durrësit, Statutet e Ulqinit, Statutet e Danjës, Statutet e Tivarit, për t’u shtuar këtyre edhe statute të tjera, që i përmendin dijetarë autoritarë, si Alain Ducellier, i cili beson në ekzistencën e Statuteve të Vlorës, apo Vikenti Makušev, që është i sigurt për ekzistencën e Statuteve të Lezhës që nga viti 1443. Sa i takon një trashëgimie tjetër, që më së shpeshti shfaqet me emrin corporativo corpus iuris, por dhe e drejtë shoqologjike, e drejtë e korporacjoneve,referuar rendeve të mjeshtërive, të quajtura fratalia (rum.), fraternitas e confraternitas (lat.), studimet janë pak më të plota. Ndërsa nomokanonet, gjashtë kodikë që përmbajnë rregullore kishtare të qyteteve të Beratit, Gjirokastrës, Korçës dhe Elbasanit, këto njihen vetëm në shkallën e përshkrimit kodikografik nga Theofan Popa. Këto tri trashëgimi mbeten ishuj krejtësisht të vetëveçuar për njëri-tjetrin. Zef Valentini, Injac Zamputi dhe Ilo Mitkë Qafëzezi, që hapën ndonjë dritare që këto korpuse të shiheshin në pasqyrë të njëri-tjetrit, nuk patën pasues.
Statutet, notariati dhe katastikoni janë dukuri tipike të kalimit prej shkrimit kanonik në atë dëshmues. Për herë të parë statusi i scribe-it ndryshoi nga kopjues në tejshkrues. Kultura e shkrimit njihet si një prej shenjave më të rëndësishme të klimës së Renesancës. Vetëm qyteti i Beratit kishte gjashtë shkolla ars scribensi dhe bukurshkrimi. Në Shkodër kishte tri vëllazëri: njëra me emrin e Shën Barbarës, tjetra me emrin e Shën Mërisë dhe një e tretë me emrin Kryqi i Shenjtë. Ndërsa në Drisht kishte dy vëllazëri të tjera. Në vitin 1349, në Ulqin, Tivar, Pult e Shkodër kishte 18 shkrues noterialë shqiptarë, dy të tretat e numrit të përgjithshëm të shkruesve. Durrësi ishte qyteti ku notariati njohu lulëzimin e të dy shkollave: në greqisht dhe latinisht.
Faqja perëndimore e gadishullit të Ballkanit kishte arritur pjekurinë e rregullimit të jetës së bashkësive urbane me statutnë gjithë shtrirjen e vet. Statute kishin Kotorri, Budva e Raguza, Zara, Kapodistria, Pirani e Trieste. Të gjithë këto statute, pa përjashtim, janë botuar tashmë në origjinal dhe në përkthim në kroatisht.
Në vijim nuk do të merremi me as me Statutet e Shkodrës, as me Statutet e Drishtit, përveç rasteve të pashmangshme, duke qenë se tashmë ato përbëjnë të njohurën për studimet shqiptare.
Koleksionit të statuteve të qyteteve të Arbërit në fund të Mesjetës, pjesa më e madhe e të cilëve konfirmuar për herë të fundit gjatë epokës së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, i shtohen:
1. Statutet e Danjës, me 597 nene, më shumë se dyfishi i Statuteve të Shkodrës. Ky dokument ruhet në Arkivin e Kroacisë dhe konsiderohet statuti më analitik i epokës së Rilindjes Europiane për hapësirën historike shqiptare. Gjenden në koleksionet e dokumenteve që kishte përzgjedhur Milan Šufflay në funksion të hartimit të një historie të Shqipërisë. Këto statute janë konfirmuar në vitin 1319 dhe më pas janë redaktuar, amenduar e rikonfirmuar disa herë, duke përfshirë epokën e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Tri fletë nga ky kodik statutor i janë dhuruar Arkivit Qendror Shtetëror në vitin 2002.
2. Statutet e Tivarit (statuta et leges Antibarensis), të cilët janë rindërtuar mbi bazën e sistemit të referimit në vendimmarrjet gjyqësore prej studiuesve të mirënjohur kroatë Lovorka Čoralić dhe Savo Marković gjatë tri dekadave të fundme. Ekzistenca e këtyre statuteve është përmendur për herë të parë në vitin 1929, në një botim enciklopedik italian. Mbështetur në aktet e notariatit, në përshkrimet katastike dhe sidomos në regestët e dhënies së të drejtës, mund të konsiderohet se, prej të dhënash të tërthorta, këto statute tashmë janë bërë të njohur.
3. Nga dorëshkrimi i Statuteve të Ulqinit (Statuta et leges Dulcinji) ekzistojnë dy fletë, që janë të ekspozuara pa ndonjë përshkrim dhe pa datifikim në Muzeun Gjergj Kastrioti të Krujës. Edhe këto statute janë bërë të njohur gjerësisht prej dy studiuesve kroatë, sidomos nga Lovorka Čoralić, me të njëjtën metodë restaurimi. Statutet e Ulqinit përmenden gjithashtu që nga viti 1907, në të njëjtin katalog të italianit Leone Fontana, që u shërbeu si udhërrëfyes zbuluesve të Statuteve të Shkodrës me përshkrimet e veta.
4. Për Statutet e Durrësit njoftimet më të hershme janë shërbyer nga Konstantin Jireček. Në një studim të pabotuar, kopja e të cilit gjendet në Arkivin Qendror Shtetëror, Milan Šufflay, në studimin e tij Statuta, episcopis et civitas Durazzo, që ruhet në dorëshkrim në Zagreb, duhet të ketë të dhëna shtesë për këto statute. Sipas Alain Ducellier-së, Durrësi ishte qeverisur me statutet e veta së paku që nga viti 1272. Të dhëna të tërthorta dhe jo fort të verifikueshme lejojnë të mendohet se statute duhet të kenë pasur edhe Lezha, Kruja, Shasi dhe Vlora.
Me shumë rëndësi janë disa burime arkivistike që njoftojnë për statute dhe rregullore që morën me vete arbëreshët në Itali. Këto statute ata i përdorën si referenca e mbështetje ligjore për të stabilizuar gjendjen e tyre në mjedisin e ri. I pari që ka njoftuar për marrëveshje midis vendësve dhe të ardhurve mbi bazën e statuteve që kishin trashëguar këta të fundit është italiani Giuseppe la Mantia, i cili, në veprën e tij I capitoli delle colonie greco-albanesi di Sicilia dei secoli XV e XVI, qysh më 1904 përmend marrëveshjet e domestikimit të arbëreshëve, në të cilat u përfillën edhe statutet që ata kishin marrë me vete. Një tjetër dokument, që njihet me emrin Codice capitulazioni Frassinetto, në të cilin bëhet fjalë për rregullimin e statusit të arbëreshëve të Frasnitës sipas kapitujve dhe rregulloreve të pranuara, nënshkruar më 1440, e kemi botuar dhjetë vjet më parë.
Duke iu përmbajtur asaj që quhet ius cesarianis, duhet pohuar se interesimi për statutet dhe rregulloret e qyteteve arbëre të shekujve të Mesjetës kronologjikisht ka lindur prej dijetarësh italianë, para më se një shekulli. Katalogu Bibliografia degli statuti dei comuni dell’Italia superiore, vëllimi III (1907) mbetet gjithnjë një burim i rëndësisë parësore. Në një fazë të mëvonshme, koleksionimi, botimi dhe studimi i statuteve të qyteteve mesjetare shqiptare i takon në mënyrë sovrane albanologut kroat Milan Šufflay dhe bashkëpunëtorit të tij Viktor Novak, të cilët botuan për herë të parë Statuta et ordinationes ecclesiae civitas Drivasti në vitin 1927, në Arhiv za arbansku starinu, jezik i etnologiju (Beograd 1927). Si koleksionues e studiues i statuteve të qyteteve shqiptare Milan Šufflay nuk ka të dytë.
Duke qenë se statutet dhe rregulloret e kishës së qytetit të Drishtit janë botuar e ribotuar disa herë, duke përfshirë atë të Prishtinës, në periodikun Gjurmime albanologjike më 1971 (1972), më pas edhe nga medioevisti Luan Malltezi dhe së fundmi të tejshkruara e të përkthyera nga Etleva Lala e Musa Ahmeti, nuk do të ndalem në përmbajtjen e tyre, por është me dobi të sillet në kujtesë historia gati e pabesueshme se si Šufflay arriti të sigurojë kopjen e dorëshkrimit.
Ky dorëshkrim për herë të parë përmendet në Katalogun 438 dhe më pas në Katalogun 477 të bukinistit gjerman Karl Wilhelm Hiersemann, në qershor të vitit 1915. Hiersemann e pati nxjerrë në ankand, por dorëshkrimi nuk u shit. Milan Šufflay, i njoftuar për vendndodhjen dhe përmbajtjen e dorëshkrimit nga Ivan Bojničić në vitin 1916, nuk kishte mundësi ta blinte vetë dorëshkrimin, për shkak të çmimit shumë të lartë që kishte caktuar pronari për fillimin e ankandit. Prandaj iu drejtua për ndihmë një pasaniku kroat, duke i bërë thirrje që ta blinte për Bibliotekën Universitare të Zagrebit. Të njëjtën lutje për ndihmë ai ia pati drejtuar albanologut të mirënjohur Holger Pedersen. Meqë kjo thirrje e tij nuk pati përgjigje, Šufflay provoi sërish ta shtinte në dorë përmes mikut të tij L. Thalòczy, duke i rekomanduar që ta blinte për llogari të Akademia Vindobonensis, por pa sukses. Në të njëjtën kohë ai i ishte drejtuar për ndihmë edhe Akademisë Serbe të Shkencave. Në vitin 1920 Šufflay u njoftua se dorëshkrimi tashmë ishte shitur, me një çmim marramendës jo vetëm për atë kohë: 2000 marka! Ai u shqetësua shumë nga kjo blerje, sidomos ngaqë emri i blerësit nuk ishte bërë i njohur. M. Šufflay, megjithatë, nuk u dorëzua. Përmes mikut të tij albanolog Henri Barić, në vitin 1924, ai arriti të identifikojë emrin e blerësit, danezit Sir Thomas Philipps. Në bashkëpunim me këtë albanolog dhe me mikun tjetër të tij Victor Novak, Šufflay i drejtohet sërish me një lutje albanologut danez H. Pedersen që të ndërmjetësonte tek Sir Thomas Phillipps për të siguruar një kopje të fotografuar të dorëshkrimit. Në vitin 1925, kur arriti të kishte një kopje të dorëshkrimit, së bashku me V. Novak-un, në një kohë rekord, ai përgatiti botimin e njohur të vitit 1927, në Arhiv za arbanasku starinu, jezik i etnologiju.
Historia e stabilizimit të Statuta et ordinations ecclesiae civitas Drivasti është e njohur. Këtu do të përmendim vetëm një fakt. Për redaktimin e fundmë ishte Papa Piu II ai që u dha përgjigje pozitive autoriteteve të katedrales së Drishtit për të validuar juridikisht statutet. Më 1463, sikurse na dëshmohet nga të dhënat e botimit Hierarchia catholica, Papa kishte ngarkuar pikërisht Pal Engjëllin dhe një ndihmës të tij për të vërtetuar nëse reformimi i statuteve të mëparshëm të Drishtit ishte i nevojshëm. Njohja zyrtare e vlefshmërisë juridike të tyre, në trajtën e reformuar, u bë më 21 nëntor 1464, në një manastir benediktin, me praninë e Pal Engjëllit, të kryegjakonit të Shkodrës Manuel, të fisnikut Gjergj Topia dhe të bujarëve e klerikëve të tjerë të krahinës.
Për herë të parë ekzistenca e disa fragmenteve të Statuteve të Durrësit përmendet sërish nga Milan Sufflay dhe dy bashkëpunëtorët e tij C. Jireček e Lajos Thalóczi, në veprën e tyre të përbashkët Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia. Të dhënat e këtyre autorëve mbeten të vetmet njoftime që përsëriten në tekstet e historisë së Shqipërisë. Për këto statute dhe historinë e ruajtjes së tyre në vitet 1930 pati shkruar me fjalë të kursyera Marin Sirdani.
A ishin Statutet e Durrësit, Shkodrës, Drishtit, Danjës, Tivarit, Ulqinit, Kotorrit dhe të tjera statute ende të paidentifikuar, si ato të Vlorës, Lezhës dhe Krujës, kopjime të Statuteve të Venedikut?
Disa mendime të shprehura, që statutet janë kulturë e huaj dhe nuk kanë të bëjnë me traditën shqiptare njësoj si kanunet nuk i qendrojnë arsyetimit, për shkakun e thjeshtë se vetë autoritetet e republikës së Shën Markut, siç dëshmohet katërcipërisht në dokumentacionin e kohës, u bëjnë të ditur misionarëve të vet, legatëve, tregtarëve, se në qytetet shqiptare ka statute, por ato nuk janë si tonat, sepse mbështeten në loro usanze. Mendimi se Kanuni i Lekë Dukagjinit nuk është vetëm tërësia e normave të së drejtës zakonore, por vepër që përmban palcën etnike të kombit shqiptar dhe të kulturës së tij; ka vend për t’u diskutuar. Ka qenë Àt Gjergj Fishta i pari që, në Parathânjen e Kanunit të Lekë Dukagjinit, ka pohuar karakterin aristokratik dhe qytetar të ligjëve të vjetra, të quejtuna statute, duke iu referuar Statuteve të Drishtit, që sapo i kishin botuar Šufflay dhe Novak.
Sa i takon dallimit midis karakterit aristokratik të statuteve dhe karakterit patriarkal-fisnor të kanuneve, mjafton një prej neneve më të cituar të Kanunit të Lekë Dukagjinit: Çmimi i jetës së nierit asht nji, si për të mirin si për të keqin. Sejcilli mbahet i mirë dhe i thotë vedit: “Jam burrë” e i thonë: “A je burrë … Prandej gjaqet i la Leka si nja-nja: del i miri prej të keqit e i keqi prej të mirit. Shpirt për shpirt, se dukën e falë Zoti. Ky nen është gozhda e fundme mbi arkëmortin e aristokracisë së vjetër. Një aristokraci e re, e mbështetur mbi titulaturën ushtarake të ish-perandorisë otomane, me bazë meritën e shpatës dhe të shërbimit, do t’ua zinte vendin familjeve të mëdha patronimike të dikurshme, me tituj europianë: capitaneus, kont, dukë etj. Për të përmbyllur krahasimin midis statuteve dhe kanuneve, së drejtës urbane dhe së drejtës së maleve, së drejtës së shkruar dhe së drejtës së pashkruar, po citojmë në vijim në mënyrë paralele vetëm statusin e gruas në familje:
Gruaja në Statutet e Shkodrës:
Neni 166: Gjithçka që fitojnë burrë e grua së bashku konsiderohet e barabartë, domethënë gjysma i takon burrit e gjysma gruas;
Neni 186: Vajza dhe femra në përgjithësi ka të drejtë të lëshojë testament, duke filluar nga 12 vjeç e lart;
Neni 196: Gruaja që ka fëmijë ka të drejtë të bëjë testament dhe të heqë mënjanë për lutje të shpirtit të saj një të pestën e prikës, nëse këtë prikë nuk ia ka kaluar ndërkohë vajzës së saj. Përndryshe, të caktojë për përshpirtjen e vet pjesën që ka mbetur pasi u ka shpërndarë djemve pjesën e tyre.
Gruaja në Kanunin e Lekë Dukagjinit:
Nyje 20, kreu III: Grueja shqyptare farë trashigimit s’ka te prindja, as në plang as në shpi. Kanuja e xen gruen si nji tepricë në shpi. Prindja s’mendon për pajë as për kurrnji send për vajzë të vet: ai qi e xen do t’i-a bajë kujdesin.