Atëherë ishim vetëm 15 vjeç


Ish nxënës i Shkollës Pedagogjike

Tek po rrija atë mëngjes të 23 marsit pranë dritares së shtëpisë sime shihja se si fjollat e borës, jashtë fluturonin e silleshin vërdallë në ajër, në oborr dhe ashtu palë-palë binin në tokë.
Nuk kaloi më shumë se një gjysmë ore dhe ata ashtu duke rënë mbi njëra-tjetrën e zbardhën vendin, ia ndërruan pamjen natyrës, e veshën të gjithën në të bardhë. Ndërkohë mua mu kujtua ajo kohë e largët e maturës e viteve 1962-1963, kur ishim në shkollën e mesme pedagogjike “8 Nëntori” në Peshkopi. Edhe atëherë binte borë, bënte dimër, paçka se në kohën e vet. Bora binte njashtu si sot dhe ne rrinim të strukur pranë dritareve të konviktit, më së shumti, dhe atyre të klasës. Kur bënte ndonjë natë e ftohtë xha Veseli na ftonte të ngroheshim në mangallin e zjarrit që ai mbante vetë tek rrinte roje tek dera e shkollës. Konvikti është shtëpia juaj bijtë e mij,- na thoshte xha Veseli dhe na ftonte vazhdimisht te shkonim për tu ngrohur aty me ato thëngjij gjysmë të ndezur e të mbuluar me atë prushin e bardhë. Sa herë merrte mashën për ta trazuar ngriheshin ne ajër fjolla të bardha si ata të dëborës. Sonte bën ftohtë,- thoshte Latifi,- duhet t’i bashkojmë krevatnat dhe ne kështu bënim dhe i kalonim netët e ftohta. Të nesërmen ngriheshim, bënim tualetin e mëngjesit dhe shkonim në mensë e hanim bukën me atë qumështin e ngrohtë që na kishte përgatitur xha Shukriu me kolegët e tij. Pastaj me libra në duar shkonim në klasë. Në një kohë me ne vinin edhe shokët e shoqet që nuk ishin konviktorë. Disa prej tyre vinin nga jashtë qytetit. Kështu vinte Fadili nga Sohodolli, Samiu nga Brezhdani, Fatmiri nga Dohoshishti, Mensuri, Menduli e Xhevdeti nga Tomini dhe të tjerë nga qyteti. Në këto kushte dimërore ishim gati për mësim. Ne ishim matura e pesëmbëdhjetë e shkollës dhe si të tillë duhet të dalloheshim në këtë përvjetor shkolle. Dhe kështu bënim. Matura jonë dallohej në atë kohë jo vetëm në mësime, ku të gjithë u diplomuam si mësuesë të fillores, por shumica prej tyre dhanë mësim në ciklin e lartë të 8-vjeçares, biles dhe drejtues shkollash. Kontrubuti i tyre për mësimin dhe edukimin e brezit të ri qe në lartësinë e duhur. Asnjëri nga ne nuk e refuzoi vendin e punës, ku u emërua, qoftë edhe në zona të thella, apo dhe jashtë rrethit.
Krahas punës mësimore matura jonë u dallua edhe në veprimtaritë kulturore-artistike, sportive, gjë që e pati vazhduar gjatë gjithë viteve të shkollimit. Mbrëmjet e vallëzimit që zhvilloheshin atëherë ishin shumë mbresëlënëse e për të mos u harruar kurrë. Këto organizoheshin më shpesh në rang klase, po edhe shkolle, aty poshtë në sallën e mensës, në katin e nëndheshëm. Nuk mbaronin kurrë këtu barcoletat, ora gazmore, batutat recitimet etj.
Të shumta ishin veprimtaritë sportive si: futboll, volejboll, shah, basketboll, gjithmonë në garë me klasat e tjera. Ne kishim ekipin e futbollit të klasës që drejtohej nga i talentuari i klasës Esat Shehu. Po kështu mjaftë mirë ishim me grupin artistik të klasës, si ai i skeçeve, i teatrit, i recituesëve, grupi i violinës, i mandolinës etj. Shumë aktivë ishim në marshimet apo pikniket që organizonte shkolla në natyrë, në Sohodoll, në Kastriot, Melan etj. Atje si klasë nuk ndaheshim kurrë, organizonim lojëra a veprimtari të ndryshme. Uleshim, hanim drekën së bashku, ku i këmbenim sipas dëshirës edhe ushqimet që u kishte dhënë nëna me vete të jashtmeve me konviktorët. Në darkë ktheheshim në konvikt pak të lodhur, por të kënaqur se kaluam një ditë plot mbresa e kujtime të pashlyera. Kalonim një natë me gjumë të rehatshëm e me ëndrra.
Po kush ishim ne mësuesit e ardhshëm?
Dëshiroj t’i kujtoj sot pas 55 vitesh: Ahmet Mersini, Lik Berisha, Sami Reçi, Fadil Merdini, Fadil Manjani, Latif Manjani, Qemal Rusi, Fatmir Deshati, Menduh Lusha, Mesur Hoxha, Xhevdet Hoxha, Esat Shehu, Fiqirete Shehu, Fatmira Zenuni, Burbuqe Musaraj, Sanije Pahumi, Meriban Spahiu, Rakip Allushi, Destan Rama, Musa Likalla, Dedë Doçi, Destan Visha, Nexhbedin Shehu, Bajazit Shehu, Qani Përtafi, Xhavit Kurti, Agim Basha, Urim Spahiu, Iljaz Palushi (u kërkoj ndjesë shokëve nëse kam harruar ndonjë emër.) I përshëndes të gjithe shokët ku janë dhe u uroj të gjithëve jetë të gjatë.
Por nuk mund të fitohet profesioni i mësuesit pa mësues, ndaj dua të kujtoj me mjaft repsekt dhe dashuri ata që donin të na bënin si vetja e tyre që edhe ne në të ardhmen të bëheshim si ata, të mësonim dhe te edukonim brezin e ri. Kujtoj: Ismail Erebara (mat-fizikë), Veiz Karagjozi e Lutfi Hanku (gjuhe-letërsi), Jorgji Sinjari e Riza Manjani (histori), Nevrez Manjani (gjeografi), Moiz Cami (kimi), Hasan Kaduku e Kadri Zhulali (gjeometri, steriometri), Sabri Vraniçi (biologji, zoologji), Anton Lakuriqi e Bujar Elmazi (vizatim, bukurshkrim, p. praktike), Zenel Sula e Uruç Beqiri (rusisht), Munir Shehu (muzikë), Hamza Spahiu (edukim fizik), Sotir Greku e Kol Nikaj (pedagogji, psikologji), Xhetan Strazimiri (edukatë morale).
Kam adhuruar gjithmonë korrektësinë e Ismailit, këmbënguljen e Veizit, shpjegimin e Lutfiut, urtësinë e Sabriut, seriozitetin e Nevrezit, shprehjen e bukur të Hasanit me atë shkodrançen E F EM, veshjen dhe elegancën e Zenel Sulës, ecjen karakteristike të Hamzait, apo atë të folurën e veçantë, me dialektin gegë të Kol Nikaj.
Të gjitha këto bashkë kanë qenë për mua një udhërrëfyes dhe model në profesionin tim të mësuesit. Të nderuar profesorë ju kishit atëherë një moshë jo shumë të largët me ne, ndaj edhe silleshit të dashur e komunikues me ne e kështu gëzoni edhe sot respektin tonë.
Mirënjohje edhe për mësuesit e ushtrimores tek të cilët ne kryenim pedagogjinë praktike; Remzi Prapaniku, Jolanda Rada, Hava Hoxha.
Sa do të dëshiroja që në një ditë në këtë 70-vjetor të çeljes së shkollës të mblidheshim në Peshkopi ne si maturë e të kujtonim ato vite të bukura mbresëlënëse ku ne u rritëm, u burrëruam dhe u profesionuam.