Izet Dema, portreti i një njeriu që banorët e thërrasin “Doktor”


 

Familja Dema, kontributi atdhetar

Shumëkush do të donte ta kishte të vetën historinë e familjes së nderuar Dema. Rrënjët e saj shtrihen e marrin jetë në thellësi të shekujve, bile doktor Izeti ka bërë një pemë të familjes, të cilën e mban në murin e studios së tij. Ka shumë e shumë breza më parë, ku çdo brez u shqua për dhuntitë, vlerat, këmbënguljen dhe ndjenjën e patriotizmit, në shkallën e tij më të lartë, por si pikënisje të këtij mbiemri, ata i referohen Met Demës. Thuhet se Met Dema ishte njeri me shumë influencë dhe në kohën e Ali Pashait të Tepelenës, shkoi tre muaj, bashkë me treqind dibranë të tjerë. Në krye të tre muajve, pashai refuzon tu japë pagesën dhe Meti vetë futet te ai. Miqtë e tij besnikë, prisnin jashtë për çdo situatë. Më së fundi, Ali Pashai, kur sheh që dibrani nuk shqitej lehtë, detyrohet ti japë paratë e premtuara, bile ca më tepër. Ali pashai i thotë: “Metë qenke, Metë qofsh, vetëm gjatë mos rrofsh”.
Por duket që duaja e Pashait nuk e zuri Metën, pasi ai rrojti mbi 100 vjeç. Me paratë e fituara bleu katër çifligje, në Shushicë, në Allajbegi, në Kurbeg dhe në Cankë. La pas katër djem, ndër ta Hazis Demën e parë. Ky burrë trim, bashkë me Cen Lekën dhe Sali Markën, morën peng Hysni Pashën në vitin 1844. Veprën e të atit e pasoi Hazis Dema i dytë, apo i riu. Ai mori pjesë bashkë me parinë dibrane dhe u shqua në luftën ndaj forcave turke, në vitin 1878, në mbrojtje te trojeve kombëtare. Kënga popullore hiperbolizon veprën e tij trimërore: Hazis Dema, i shkurt’, i zi / Shembi malet, ra në Dri.
Kontributi patriotik i familjes Dema, vazhdon e nuk ka të sosur. Hazis Dema i dytë, la Izet Demën, i cili ndoqi rrugën e të parëve të tij, duke i çuar më lart vlerat e brezave pararendës. Në luftërat e vitit 1912, kundër shovinistëve, që donin të copëtonin Shqipërinë, Izet Dema bie heroikisht në Follorinë të Greqisë. Varri i tij nuk dihet, por kënga e përjetëson dhe e ngre në altarin e njerëzve, që aq shumë e deshën atdheun, duke i falur gjakun dhe jetën e tyre.
Thajri Izeti dhe njëherë, /çohuni burra, se u bëmë sejr / s’kemi ardhë’me u turpëru’ / po kemi ardhë për me luftu / e prej hasmit, ja me vdekë, ja me shpëtu.
Ai vdiq dhe la vetëm një djalë, Zabitin. Ai ishte i pasionuar pas bujqësisë. E donte dijen dhe shkollën. Ndiqte rrugën e të parëve dhe ishte besimtar në rrugën e Zotit. Ai planifikonte projekte të reja në mendje, por dhe regjimi komunist, që sapo ishte instaluar bënte planet e tij, të godiste familjet e mëdha. Në vitin 1946 Sabit Dema arrestohet dhe dënohet me 20 vjet, nga të cilat vuajti gjysmën e dënimit. Akuzat diheshin, sabotim i pushtetit popullor. Ishte kjo një çertifikatë mirënjohje për shërbimet e paçmuara, që familja Dema i kishte bërë këtij vendi. Ishte ky shpërblimi, për luftërat e bëra, për pasurinë e harxhuar dhe gjakun e derdhur. Kjo hije, kjo “njollë” në biografi, do ta shoqëronte familjen për gati një gjysëm shekulli.

Doktor Izeti, gjithmonë
në shërbim të njerëzve

Sabiti pati tre djem, Hazizin, Baudinin dhe Izetin. Në vitin 1965, më i vogli, Izeti, mbaron politeknikumin mjekësor, në Tiranë. Ndoshta ishin vite të hershme dhe pak njerëz i kishin sytë te shkolla, ndoshta ishte miqësia e babait me Selim Alliun dhe Haki Pahumin, që e bënë të mundur shkollimin e djaloshit. Në atë kohë ndihmës mjekët duhej të bënin dy vjet stazh në terren, për të shkuar më pas në shkollën e lartë. Doktor Izeti filloi punë në Selishtë, për një vit. Më pas transferohet pak më afër, në Fushë Alie. Kur po mbaronte viti i dytë i punës, bëri dokumentet për shkollën e lartë. Nuk u aprovuan. I përsëriti pas një viti, po e njëjta gjë. Sa herë mbaronte një vit, ai bënte dokumentet e shkollimit, deri në vitin 1988, për mbi 20 vjet dhe përgjigja ishte gjithmonë e njëjtë: nuk fiton.
Kështu rrugëtoi doktor Izeti, në ato vite të vështira, afër katër vite në Fushë Alie, një në Melan, dy në Maqëllarë, 18 vite në Dovolan dhe 20 të tjerë në pikën doganore të Bllatës, si inspektor i karantinës. Në vitin 2011 del në pension, duke shërbyer jo pak, por në një total prej 46 vitesh.
Gjatë gjithë këtij rrugëtimi të gjatë, ai pati e vazhdon të ketë një aleat, pa të cilin shumë gjëra do të kishin mbetur të mangëta. Kur hija e biografisë i qepej nga pas, si hija në ditë me diell, kur qielli i shpirtit rëndohej nga retë e së keqes, kur ai frikej se nuk kishte mjaft të ardhura për të shkolluar fëmijët, Shpresa, bashkëshortja e tij i gjendej pranë, si balsami qetësues. Ashtu të dy bashkë ishin më të fortë, si dy duar të bashkuara, që ndihmojnë njëra-tjetrën. Shpresa mbaroi të njëjtën shkollë si doktor Izeti, Politeknikumin mjekësor në Tiranë. Njësoj si i shoqi shërbeu, për mbi dyzetë vjet dhe tani që të dy janë në pension. Ata kujtojnë ato vite të lodhshme, kur për ta nuk kishte një minutë të lirë. Nuk kishte natë, kur pas punës së lodhshme të ditës, porta trokiste dhe njerëz hallexhinj të zonës, tregonin problemet që kishin. Nuk ishte në natyrën e doktor Izetit të thoshte jo. Ai vishej e mbathej, merrte çantën në dorë dhe zhdukej në errësirën e natës, bashkë me njeriun që e kish kërkuar. Nëse ishte problem për gratë do të shërbente Shpresa. Sa e sa bekime dhe urime të pafund dilnin nga gojët e njerëzve që përfitonin shërbimet e tyre. Dilnin nga gojët e tyre, por në fakt buronin nga zemrat e tyre.
Kështu, me shumë lodhje e përpjekje të panumërta, ata rritën dhe shkolluan më së miri, tre fëmijët e tyre, dy djem e një vajzë. Arta mbaroi dy fakultete, për biologji dhe ekonomi. Sot punon e jeton në Tiranë, bashkë me familjen e saj. Almiri ka mbaruar për ekonomi dhe prej vitesh punon në doganën e Bllatës. Më i vogli, Sabiti, që mban emrin e gjyshit, jeton e punon në Tiranë. Ka mbaruar, si motra dy fakultete, për biologji dhe mjekësi. Ka punuar në kolegjet turke si mjek dhe si profesor i biologjisë. Aktualisht është nëndrejtor i medreseve të Tiranës. Ja kështu Sabiti i ri, që mban emrin e gjyshit, e çoi në vend dëshirën e tij, dëshirën dhe dashurinë e gjyshit për shkollën dhe diturinë.

Pasioni për pemët

Doktor Izeti trashëgoi shumë gjëra nga i ati, Sabiti, krenarinë, sedrën, dashurinë për punën, për dijen, për besimin në Zot. I ati kishte një dëshirë të madhe për pemët. Ai pati marrë që nga Serbia fidanë të llojeve të ndryshme dhe i mbolli pranë shtëpisë së tij. Mollë, dardhë, ftonj, qershi, si dhe një dynym vreshtë, me kultivarë të zgjedhur. Pas viteve nëntëdhjetë, kur toka u muar në pronësi, doktor Izeti, mendoi ta ndjekë traditën e bukur të babait, duke filluar me tre dynymë mollë. Shumë shpejt i mori frutet e tyre, duke u bërë një ndihmesë e çmuar për familjen. Vite më vonë, një sëmundje, ajo e zjarrit bakterial, preku bllokun e mollëve dhe ai mendoi ti zëvendësojë. Në vend të tyre, sot gjen gështenja greke, të shartuara, që tashmë kanë hyrë në prodhim.
Një hektar me arra, doktori i ka mbjellë, vite më parë dhe sot janë në fillimet e prodhimtarisë. Vite më vonë dhe në një vit të mbarë, prodhimi i tyre mund të shkojë mbi 100 kv, duke qenë një burim i konsiderueshëm të ardhurash për familjen. Në pronën e doktor Izetit gjen lajthi, që janë mbushur plot me boçe frutash, ka perime të ndryshme, domate, kastravecë e bostan. Aty para shtëpisë, nën hijen e blinave, ka dhe një park me rreth 25 bletë, që i japin gjallëri e bukuri të veçantë gjithë oborrit.
Ja kështu, të ngarkuara me punë, rrjedhin ditët, në jetën e doktor Izetit, që i ka kaluar të shtatëdhjetat. Në disa raste përmenda për të titullin e doktorit, kur thamë që nuk u lejua për mbi 20 vite të vazhdojë shkollën e lartë. Unë do të vazhdoj ta thirri në këtë mënyrë, gjithë komuniteti e quan kështu. Puna, vepra, sjellja, shërbimi gati 50 vjeçar, ia kanë dhënë plotësisht këtë titull, që disa u përpoqën t’ja mohojnë për shumë kohë.