“DY SHTATAT” E JETËS SIME…
MEDITIM | NGA ABDURAHIM ASHIKU


Atë vit jeta ime fillonte me “Dy njëshat” e një viti që gjëmonte në luftë dhe me “dy njëshat” e një muaji mbushur me lule, 11 Maj 1941…
Në “Dy njëshat” që erdhën, 11 vjeç (1952), jepja provimet e para të jetës sime, provime që do të mbyllnin ciklin e parë të hapave të mia drejt dijes, mbarimin e shkollës fillore në fshatin Brezhdan të Dibrës, një fshat i madh, me “treqind shtëpi” siç e quanin, fshat tokat e begata të të cilit zbrisnin brezareve drejt Drinit ku mësova të notoj…
Midis “dy njëshave” dhe “dy dyshave”, më 8 maj 1957, vura emrin në një shkrim faqes të një gazete të kohës. Këtu do të niste jeta ime faqeve të mëdha të shtypit…
Në “Dy dyshat”, 22 vjeç, vazhdoja studimet në Institutin e Lartë Shtetëror të Bujqësisë, Universiteti i Bujqësisë, siç quhet sot, shkollim që më dha një profesion jete dhe kënaqësinë për të punuar e jetuar në vendlindje…
Në “Dy treshat”, 33 vjeç, 1974 i hyra me zell e dëshirë një pune që do të kthehej në profesionin e dytë të jetës sime, gazetar. Fillova punën në Agjencinë Telegrafike Shqiptare si korrespondent i saj për rrethet Dibër e Mat…
Në “Dy katrat”, 44 vjeç, 1985, vazhdoja të “prashisja” në arën e madhe të gazetarisë. Gjithnjë në Dibër, bukuria dhe dashuria e jetës sime…
Në “Dy pesat”, 55 vjeç, 1996 “Mora rrugën për Janinë”, rrugë me një dhimbje të madhe në shpirt, me një mall që rritej për vendin ku kisha lerë, ku kisha bërë hapat e para në jetë, ku kisha vrarë gishtërinjtë gurëve të rrugës, ku kisha varrosur nënë e babë e kisha lënë vëllezër e motra…
Në “Dy gjashtat”, 66 vjeç, 2007 vazhdova të “prashis” në një arë të madhe, vazhdova të shkruaj për mërgimtarët, jetën e vështirë në një tokë të huaj, për mësuesit vullnetarë që DritëroAgolli mi quajti “Rilindës të kohës sonë” e unë i përjetësova në 4 libra me rreth dy mijë faqe e më se 600 fotografi, nisa për të vazhduar serinë e 7 librave të mi me një titull të përbashkët “Njerëz që i dua”…
Në “Dy shtatat”, sot 11 maj 2018, jam në këmbë, kam mall e dashuri për vendlindjen, për të gjithë, por në veçanti për dy djemtë dhe vajzën time, Altinin, Erblinën dhe Indritin, për nipërit dhe mbesat: Gurjonin, Ebin, Eralin dhe Ivonin e vogël 7 muajsh që më “flet” me buzëqeshje e unë fluturoj me të në krahë.
I vogli, Indriti, më 27 maj 2018 kurorëzohet në dasmë me bukuroshen nga Kuçova JonadaGjergo…
Me Natashën, shoqen time të jetës e të shpirtit, bijë e Hakiut dhe e Merjemes (Shehu), dibranë të qendrës së Dibrës së Madhe, më 11 gusht 2018 shënojmë 50 Vjetorin e Martesës. “Martesë e artë” e quajnë. Vërtet, MARTESË E ARTË ka qenë jeta me bashkëshorten time Natasha Ashiku, Shehu…

Mbase do të shkruaj edhe për “Dy tetat”, rrethuar nga djemtë dhe vajzat, nga nipërit dhe mbesat, nga bashkëshortja ime e dashur, nga miq e dashamirë…
Abdurahim Ashiku
Athinë, 11 maj 2018

ME ATË TEMP E PËRKUSHTIM QË KA TË MOS RESHTË PËR ASNJË MOMENT KRIJIMTARINË E TIJ…

Me shumë kënaqësi dëshiroj të përcjell urime të sinqerta e pafund për shokun, kolegun e mikun Tim të kahershëm Abdurahim Ashiku për jetë të gjatë, të mirë e të shëndetshme me Natashen e mirë e familjen e shtrenjtë. Do të dëshiroja që me atë temp e përkushtim që ka të mos reshtë për asnjë moment krijimtarinë e tij në fushat që ai i ka aq shumë për zemër e që i zotëron me mjaft mjeshtri,si analizat,komentet,portretet e sidomos punën e lavdërueshme për dekada me artin e fotografisë.
Abdurahimi është i pashembullt për aktivitetin e tij, si intelektual me një krijimtari të pasur e me përfshirje të shumanshme, është i pashembullt për reagimin shpejt, në kohë e me thellësi për problemet e dukuritë që shqetësojnë shoqërinë tonë.
E falënderoj se po na sjell pandërprerë në memorie copëza të jetës tonë,me foto, me shkrime,me portrete njerëzish të punës e të përkushtimitqë bën gjithçka e më të mirën e mundshme në shërbim të popullit e Atdheut tonë. Me ta edhe ne të atij brezi. Ne nuk ndamë boten, nuk bëmë izolimin,tufëzimin e kooperativat. Ne u përpoqëm të bënim mirë ato që kishim në dorë në ato kushte qëvërtet ishin të vështira, të punonim me angazhim e përgjegjësi të lartë,me ndershmëri e seriozitet në shërbim të zhvillimit, përparimit e prosperitetit të vendit.
Abdurahimin e urojmë dhe e falënderoj edhe për ato përpjekje të mëdha që bën në mbështetje e inkurajim në përpjekje për mbajtjen gjallë e mësimin të gjuhës shqipe nga fëmijët e emigrantëve deri në ishujt më të largët të Greqisë,punë kjo që nuk po bëhet mirë këtu në Itali. Në mbështetje të kësaj pune ai i është përkushtuar e vazhdon përkushtimin me tërë forcën e pathosin patriotik e atdhetar që e karakterizon.
Jeta e Abdurahimit është mjaft aktive me një krijimtari të pandërprerë, një jetë intelektuale, më gjithëse në emigrim ndjen me merak e përgjegjësi fatet e Atdheut e tëpopullit të tij kudo ku jeton.
Shkrimi e urimet janë PA fund por më mbetet që edhe një herë t’i dërgojmë shume urime.
Përshëndetje!

NDUE KOLA, Koleg pune
MË TË GJATA RRESHTAT NË INTERES TË DIBRËS DHE DIBRANËVE
Urime, vetëm gëzime paçi gjithmonë në jetën dhe familjen Tuaj.
Të përgëzoj për përpjekjet e pareshtura që bëni për të mbrojtur interesat e kësaj krahine dhe promovimin e vlerave të saj .
Një përgëzim për dashurinë pa kushte që i dhuroni Dibrës dhe dibranëve.
Një përgëzim tjetër se kurrë nuk dorëzoheni së shkruari dhe vepruari. “Duajeni dhe mbrojeni vendlindjen tuaj” megjithëse ata që duhet të dëgjojnë dhe veprojnë e kanë shurdhërinë në zemër.
Një përgëzim të fundit për qytetarinë dhe vlerësimin që keni për bashkëshorten dhe familjen Tuaj .
Dhe për mbyllje, jetë të gjatë të dhëntë Zoti, shtoji më të gjata rreshtat në interes të Dibrës dhe dibranëve, një ditë do të vlerësoheni si duhet, puna nuk humb kurrë.

LULZIM HOXHA
GJOVALIN LUMAJ, MIÇIGAN
ÇDO MOT,
ME ZEMRËN PLOT,
TË URON SË LARGU NXËNËSI JOT!

I nderuar profesori im,
Pranoni prej meje një urim.
Gëzuar ditëlindjen, jetë të gjatë,
Me shëndet 77.
Lexova me vëmendje 11, 22, 33, 44, 55, 66, 77,
Një jetë e bukur, dhe shumë e begatë,
Si bashkëshort, prind, edukator, gazetar,
I njohur në publikun Dibran e mbarë-Shqiptarë

Mirënjohje, respekt, nderim,
Mbetesh gjithmonë në kujtim,
Nga kujtime të pashlyeshme kohën mbrapa kthej.
Uroj të jetoni ku bashkohen dy 9-ta, e përtej..!

Çdo mot,
Me zemrën plot,
Të uron së largu nxënësi jot!