Ruzhdi Lata, modeli ku besimi bashkëjeton me punën
Nga Osman Xhili


 

Kryetari i komunës të Dibrës së Madhe, i nderuari Ruzhdi Lata, po punon në zyrën e tij të punës, në një ditë të zakonshme. Zyrtarë të shumtë hyjnë e dalin aty, me letra dhe dokumente në duar, pyesin, konsultohen, firmosin e vulosin dokumente e më pas largohen. Kryetari sapo ka fituar një mandat të dytë në krye të komunës, duke marrë besimin e popullit. Ky mandat i dytë është një obligim më shumë për të, për t’ja kthyer popullit këtë respekt në punë konkrete, vepra, rrugë, shkolla, kopshte fëmijësh dhe vende pune për njerëz.
Vitet ecin dhe si pa kuptuar, për kryetar Ruzhdiun numri i tyre ka shkuar 64. Nganjëherë, udhëtari ndalet për të marrë pak frymë dhe pushon pak. Kthen kokën pas dhe sheh sa rrugë ka përshkuar, hedh sytë përpara dhe sheh sa rrugë i ka mbetur. Në një nga këto momente, Ruzhdi Lata e sheh veten fëmijë të vogël, që kërkonte të çajë nëpër dallgët e jetës. Mbaroi arsimin fillor në Dibër të Madhe dhe u nis për në medresenë “Alaudin”, në Shkup. Ishte i vetmi fëmijë nga qyteti i tij, por dëshira për dije e mposhti ndjenjën e vetmisë dhe ai po ngjiste shkallët me hap të matur e të sigurtë. Pas pesë vjetësh në medrese, filloi studimet universitare pranë filologjikut, po në Shkup, për gjuhët orientale, arabisht, osmanisht dhe turqisht. Më vonë studime të tjera pasuniversitare dhe mbron magjistraturën me temën: “Realiteti historik i Qorbelasë”, vepër e Naim Frashërit. Djaloshi i atëhershëm ishte i etur për dije në fusha të ndryshme. E dinte që duhej të ishe vetë i pasur për tu dhënë pasuri të tjerëve, të ishe vetë i ditur për t’u dhënë të tjerëve prej saj.
Plot 40 vjet punoi si myfti i Dibrës së Madhe, në kuadër të bashkësisë islame të Maqedonisë. Paralelisht kësaj ishte ligjërues në fakultetin e filologjikut në Shkup, pikërisht, aty ku dhe ishte diplomuar, deri në vitin 1991. Serbët i larguan që aty dhe për dy vjet një punë e tillë vazhdoi në Prishtinë, në kushte shumë të vështira. Dy vite të tjera ligjëron si profesor i shkencave islame në Shkup dhe tre vite të tjera akoma, në universitetin shtetëror të Tetovës. Në vitin 2013 kandidon dhe fiton si kryetar i komunës së Dibrës së Madhe dhe pak kohë më parë merr një mandat të dytë.
Po ta përmbledhësh tërë këtë punë titanike do të duhet ta ndash në tre kolona, mësimdhënie në universitete, puna si myfti dhe pjesa tjetër si kryetar komune, por që vetë Ruzhdiu dëshiron ta fokusojë në dy pjesë.
“Dibra e Madhe në harkun historik të kohës, nxori kolosë të mendimit islam dhe patriotë të shquar të çështjes kombëtare. Haxhi Vehbi Dibra, Sherif Lëngu, Muharem Mullai, Haki Sharofi, janë vetëm disa emra nga ajo plejadë e gjatë ulemashë të shquar. Ishte vërtetë privilegj dhe kënaqësi të kishe pararendës të tillë të shquar, por dhe përgjegjësi e madhe për të ruajtur vlera të tilla. Në shumë gjëra puna duhej filluar nga e para. Duhej riorganizuar jeta fetare, rindëruar dhe ndërtuar shumë xhami në qytet, në rajonin e Zhupës, apo të Rekës, që i mbulonte myftinia e Dibrës. Me një organizim të mirëfilltë, u ndërtuan dhe u restauruan mbi pesëdhjetë xhami, të gjitha me kontribut të besimtarëve, në fshat apo qytet, ku ata jetonin. Paralelisht me këtë, u punua fort për përgatitjen e kuadrit fetar që do të shërbente në këto xhami. Rreth 100 nxënës u diplomuan në medrese dhe gjithë kjo armatë e kualifikuar punon sot si kuadër fetar, apo na administratën shtetërore. Nga rindërtimi i xhamive veçojmë xhaminë e “Hinqarit”, të ndëruar në vitin 1456, atë të ‘” Namazjarit “ dhe të Kojnarës”, tregon Lata.
Viti 2012, ishte njëqind vjetori i shpalljes së pavarësisë. Shumë njerëz dhe institucione kishin gjetur mënyra të veçanta për promovimin e kësaj ngjarje të madhe në jetën e shqiptarëve.
“Duke parë xhematin në rritje, ne si myftini, – tregon kryetar Ruzhdiu, – kishim të domosdoshme ndërtimin e një xhamie të re, me kapacitet rreth 600 vendesh. Meqë kjo përkonte në kohë me festën e pavarësisë, ne menduam që murin e gjatë rrethues të xhamisë ta zbukurojmë me 100 dritare, që simbolizonte ngjarjen e madhe”.
Tani ajo thirret shpesh xhamia e 100 dritareve, kurse disa të tjerë e quajn “xhamia e myftiut”. Veç kësaj, xhamia ka dhe një simbolikë tjetër. Krahas minares me një lartësi prej 33 metrash, ngjitur me të ka dhe një sahat kullë po kaq të lartë.

Kryetari i Komunës

“Kur isha në rolin e myftiut, disa njerëz miqësisht më kritikonin se po ndërtoja vetëm xhami. Fati i jetës e deshi që tani të jem në pozicionin e ri të kryetarit të komunës. Nuk e pata fare të vështirë këtë ndryshim kursi. Nga Dibra në Dibër, nga puna me njerëzit tek puna me njerëzit, nga ndërtim xhamish në ndërtim shkollash, rrugësh e fabrikash. Kisha pasur rreth 200 ndërhyrje në pajtime grindjesh, mosmarrëveshjesh, pse jo dhe gjaqesh. Nuk kishte familje ku nuk kisha pirë të paktën një kafe dhe kjo njohje deri në detaje do të ma lehtësonte mjaft detyrën e re”.
“Në vitin 1888 një hoxhë i njohur, Sait Najdeni, hapi të parën shkollë shqipe në Dibër. Me këtë dëshirë për dijen dhe shkollën do të desha dhe unë tu bëj dhuratë dibranëve një ndërtesë të re për fëmijët e tyre gjimnazistë. Ndërtesa e vjetër ishte tejet e amortizuar, e ngushtë dhe nuk i plotësonte kërkesat në rritje të kohës, aqsa shumë nxënës e bënin mësimin në dy turne. Me një bashkëpunim të jashtëm, me bashkësinë për zhvillim të Turqisë, në vitin 2016, u ndërtua gjimnazi i ri me një sipërfaqe 5400 metra katrore dhe infrastrukturë moderne”.
“Fatmirësisht, punët na ecën mbarë. U ndërtua qendra e qytetit prej 10,000 metrash katrore, e pllakëzuar me gurë natyralë dhe me sistem kanalizimesh të nëndheshme që do vlejnë dhe për shumë kohë më vonë. Bashkë me përfaqësuesit tanë në qeveri, u restaurua rruga Dibër – Strugë, ura e Boshkut, rruga për te llixhat e Banishtit, rruga e Bomovës dhe ka filluar zgjerimi i rrugës nga Dibra tek dogana e Bllatës, si vijimësi e rrugës së Arbërit nga Shqipëria. Bregut të liqenit u ndërtua dhe elektrifikua trotuari për këmbësorët, kurse bashkë me myftininë u ndërtua tregu i ri i qytetit, prej 500 metrash katrore, që do të mbetet si pronë e myftinisë. Nuk ka shumë kohë që në qytetin e vogël ka filluar punë një fabrikë e ujit “Moya”, me një kapacitet prej 18 mijë litrash në orë”.
“Në Dibër funksionon fabrika e gipsit “Knauf”, që prodhon një gamë artikujsh për Maqedoninë, Shqipërinë dhe Kosovën, duke dhënë rregullisht konçesionin për komunën. Një aktivitet tjetër i rëndësishëm janë dhe llixhat e Banishtit, të marra po me konçesion nga firma “Capa”. Investimet serioze në këtë sektor kanë bërë që ky objekt të jetë me standarte europiane dhe të ketë jo më pak se 100 mijë fjetje në vit”, tregon kryetari Lata.
Por kryetari nuk paska të ndalur në rrugëtimin e tij, për mirëqenien dhe begatinë e Dibrës dhe qytetarëve të saj. Në fushatën e fundit ka dhënë të tjera premtime dhe premtimi deri në kthimin në realitet, për të është vetëm çështje kohe. Ndonëse Dibra ka bollshëm ujë të pijshëm, kryetar Ruzhdiu mendon se duhet një tjetër rezervuar uji me kapacitet 2500 metër kub. Më tej shton se është gati një projekt prej 10 milion eurosh për vaditjen me pika për fushën e Dibrës, nga liqeni pranë.
Përnjëherësh e shkëputa vëmendjen nga biseda me kryetarin. Jo, nuk ishte mungesë edukate, isha i sigurtë për këtë. Mendja më shkoi te Maqellara ime ngjitur me Dibrën, me të njëjtat resurse e pasuri ujore, por shumë larg e krahasuar me fqinjën. Projekte herë të shkatërruara si liqeni i Bllacës e herë të sabotuara, si ai i para pak vitesh për ujin e pijshëm. Ndërkohë e kapa sërish fillin kur kryetari thoshte se ka një bashkëpunim të shkëlqyer me emigrantët në Amerikë, që janë të gatshëm të investojnë në qytetin e tyre. Kemi dhe shumë punë për të bërë, por unë i vetëm nuk ua dal dot. Bashkë me qytetarët që më kanë zgjedhur, bëhemi një forcë e madhe që rrëzon çdo pengesë dhe arrin çdo objektiv. “Të jetosh e të punosh në Dibër, thotë Ruzhdiu, është njësoj si me qenë tërë jetën student, në një universitet të famshëm”.