Vera Laçi, duke u stërvitur soliste, u bë mjeshtre e artit dibran


Nuk ka fjalë të përshkruhet se sa e vështirë është të këndohet në skena me mijëra artdashës, sidomos kur ke përpara publik të edukuar ndër breza për domethënien e vlerave të mirëfillta artistike. Për çudi, artistja jonë popullore Vera Laçi, nuk u lëkund nga shikimet e publikut edhe si e vogël, sepse talenti dhe krenaria i qëndronin vazhdimisht pranë. Përmes tekstit të shkrimtarit, melodisë së muzicientit dhe zërit të saj cilësor, u krijua trinomi i quajtur këngë e pastër popullore, e cila dominoi thellë në emocionet e popullit, të cilit krenarinë ia shtoi në çdo kohë.
Vera Laçi u lind në Kastriot të Dibrës në vitin 1968, karriera e së cilës lulëzoi që në moshën 15 vjeçare. Ishte viti 1983 kur rregjistroi këngët puro dibrane “Na çeli prap thana, djalin e pret nana”, baladën “Dimën-o, dimën-o” dhe “Këngën e Haxhi Zekës”. Këngët morën jehonë në rrethin e Dibrës, më shumë ngase kjo artiste e vogël me moshë dhe “e madhe” me talent, akoma s’kishte mbaruar shkollën e mesme të muzikës. Në vitin 1985 u përzgjodh të bëhet pjesë e Ansamblit dhe Estradës së Peshkopisë, e cila deri në këtë periudhë kishte krijime apo këngë të pakëta, për t’u plotësuar me ardhjen e Vera Laçit dhe një grup artistësh të tjerë. Kështu, Vera filloi të rregjistrojë këngët dibrane dhe atë: “O moj cuc’ syzezë”, “Or mullixhi”, “Këngën e Vehbi Dibrës”, “Zemra zemrës seç i flet”, “Përgjon djali ke lajthia”, “Dri o Dri, i ziu Dri”, “Cucat e fshatit” (këngë e cila fitoi tek anketat muzikore të asaj kohe, me tekst të Naim Plakut, e me muzikë të Përparim Tomçinit), etj. Vitin 1988, bashkë me grupin e rrethit të Dibrës, marr pjesë në Festivalin e Gjirokastrës me këngët “Seç m’u dogj kjo zemër e shkreta” dhe “Dri o Dri, i ziu Dri”. Me ardhjen e vitit 1990, Vera merr vlerësime nga specialistët më të mirë muzikor shqiptar si artiste me inçizime perfekte, duke ia cilësuar këtë vit si kulmin e karrierës së saj artistike, mbi të gjitha për promovimin e këngëve “të harruara” e autoktone dibrane.
Dekada e fundit e shekullit të njëzetë, për shqiptarët u kthye në periudhë të “palakmuar” falë goditjeve që iu dhanë atij. Vitin 1993 ndodhën dy fatkeqësitë e rrëzimit të avionëve në Shkup e në Ohër, duke u marrë jetën rreth 300 shqiptarëve, nga e cila rrodhën vargjet e Naim Plakut, “Derdhen lotët mbushin Drinin, treqind nëna shkulin gjinin”, të cilave Përparim Tomçini u përgjigjet me melodi dhe i besohet Verës që të derdhë emocionet artistike të saj në këndimin e kësaj balade me mision sensibilizues. Pastaj, masakra e helmimit të fëmijëve shqiptarë në Maqedoni, inicioi krijimin e këngës “Stop helmimet”, ndërsa kënga “Ku po shkon ky varg i gjatë” me tekst të Naim Plakut dhe muzikë të Edmond Zhulalit, mori shkas nga ikjet masive të shqiptarëve nëpër vendet evropiane, përfshirë këtu tragjeditë e ndodhura nëpër brigjet e bregdetit shqiptar. Kjo, si të thuash, e nxiti popullin që figurën e Vera Laçit ta vendosë në një vend të veçantë brenda zemrës së tij, për ta kujtuar si “artiste të ndjenjave të tyre shembullore”. Pastaj, “Kënga e Ymer Agës” u popullua shpejt, dhe atë se trajtonte një temë të veçantë të ndodhur rreth trevës dibrane, sepse Ymer Aga, si djalë trim e bukurosh, u zu rob nga vajza e mbretit të Spanjës, duke u bërë shembull në rajon si një rast unik. Kënga e “Sulçe begut”, këngët me motive të dasmave dibrane, bënë bujë kur u kënduan nga Vera Laçi, falë së cilës këto krijime popullore, fituan pavdekësinë. Në vitin 2004, po prapë në Festivalin e Gjirokastrës, por tashmë me baladën e moçme dibrane “I hypa pamporit, javash e javash-e”, Vera mori vend meritor mes artistëve më të shquar të muzikës së mirëfilltë shqipe. Gjatë përmbledhjes së albumit “Oj Xhemile”, botuar në vitin 2009, Vera Laçi përzgjodhi për t’i përfshirë disa krijime të vjetra dibrane, siç kemi: “Oj fusha e Korabit”, “ Pjergull-o mori pjergull-o”, “Oj Xhemile”, “Plot me yje, na është mbush havaja”, “A ia din rendin burrnisë”, por edhe krijime të reja nga Jorgo Papingji, e kompozime të reja nga Edmond Zhulali.
Debutoi nëpër qindra e mijëra skena e festivale, brenda dhe jashtë vendit, me një krijimtari prej qindra këngësh e tre albume të suksesshme artistike, me dhjetra videoprojekte cilësore, Vera Laçi arriti të fitojë disa mirënjohje e çmime nga persona eminentë të artit e të kulturës. Krijimet e saj vazhdojnë, ndaj nga gjithë këto që u përmendën, asaj më tepër se kujtdo i takojnë meritat e respektet nga gjithë shoqëria jonë.