Kryeministri: “Punimet vijojnë me cilësi e ritëm të lartë”


Pamje nga kantieri i punës te dy tunelet e Qafë Murrizit. Gusht, 2018.

 

Qytetarët, edhe për shkak të mbështetjes politike, janë të ndarë në dy grupime: ata që besojnë te Kryeministri se nuk ka kthim prapa dhe ata që besojnë se gjithçka e reklamua është vetëm propagandë. Një vëzhgim të terren tregon se, pavarësisht opinionit të ndarë në dysh, punimet vazhdojnë.

Më 24 gusht kryeministri Edi Rama u tha “Mirëmëngjes” dhe u uroj një ditë të mbarë ndjekësve të tij në FB me një videoinformacion nga kantieri i Rrugës së Arbrit, ku sipas tij, “punimet vijojnë me cilësi e ritëm të lartë sipas planit”.
Dhe si zakonisht, siç ndodh në postimet e tij, komentet janë të ndryshme. Ka qytetarë që e urojnë dhe i japin hapur mbështetjen, siç ka edhe të tjerë që shfaqen mosbesues.
“Forcë punëtore nuk ka! Bëji sa të duash reklamë, por ne që kalojmë e dimë si është e vërteta”, i shkruan një komentues, të cilit kryeministri i përgjigjet se “kjo rrugë nuk ka një vit, por vetëm pak muaj që ka nisur e para, dhe e dyta, ti nuk kalon dot nga kjo rrugë edhe me dash sepse, siç e sheh, është komplet gjurmë e re! Kështu që, qesh sa të kesh fuqi, po ji i sigurt se projekti i kësaj rruge po ecën krejtësisht sipas planit dhe forcat punëtore janë të gjitha në punë”.
Gjatë këtij viti, Rruga e Arbrit ka qenë në një vëmendje të shtuar të kryeministrit. Ai njoftoi nisjen e punimeve në një miting të madh në Peshkopi dhe Klos në mes të qershorit, ndërsa prej atëherë ka njoftuar ecurinë e tyre edhe përmes njoftimeve në kanalin e tij televiziv online ERTV dhe Facebook-ut.
Më 15 gusht u hap njëri nga tunelet në Klos dhe ishte Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, i cili përmes një postimi me disa foto në FB dha lajmin.
“Vazhdon me intensitet të lartë puna në kantierin e ndërtimit të Rrugës së Arbrit. Ditën e djeshme u shënua dhe hapja e tunelit T5 që është 500 metër i gjatë dhe ndodhet në fshatin Fshat të Klosit. Përtej këtij tuneli do të fillojë ndërtimi i Urës së Vashës, e cila do të kryejë lidhjen me anën tjetër të rrugës në drejtim të Bulqizës”.
Postimet me foto e lajme të pjesshme në rrjetet sociale përcjellin jo vetëm ministrat, por edhe niveli në bazë i qeverisjes lokale, drejtues lokalë apo punonjës të kompanisë.
“Janë mbi 450 makineri në punë”, shkruante në profilin e tij një drejtor lokal në murin e tij në Facebook dhe ndjekësit e tij bënin thirrje që tani “dibranët duhet të mbështesin me votë Edi Ramën, jo Sali Berishën që i ka gënjyer tash sa vite:.
Por, përtej postimeve dhe imazheve që përcillen, një vëzhgim në terren është ajo që nuk përshkruhet përmes propagandës.
Korrespondentët tanë kanë njoftuar se në Shupenzë vazhdojnë punimet në urë ndërsa vazhdon puna me hapjen e trasesë drejt fshatit Gjoricë. Në Klos, përveç hapjes së tunelit 500 metra të gjatë, vazhdon puna edhe për hapjen e tunelit tjetër. Në tunelin e dytë punëtorët kanë hasur në një shpellë, e cila u mendua në fillim si një tunel i fshehtë që të çon në Kalanë e Petralbës, por një burim nga Instituti Arkeologjik i tha gazetës se ekspertët e saj e kanë vëzhguar tunelin, por ajo nuk ka të bëjë me kalanë. Thjesht është një çarje natyrore, një shpellë.
Ata që kanë filluar të parët të fitojnë nga avantazhet e rrugës në ndërtim janë banorët e fshatit Bastarit dhe fshatrave përreth, të cilët tani më kanë braktisur rrugën e vjetër, duke udhëtuar në trasenë e re të hapur buzë lumit të Tiranës, e cila të nxjerr të ura mbi lum afër Zall Dajtit, aty ku prej disa vitesh ka përfunduar një segment prej afro 5 kilometrash, i shtruar por i paasfaltuar.
Në zonën e Tiranës janë dy kantiere që po vazhdojnë punën, njëri i ngritur pranë lumit që vazhdon me hapjen e trasesë përgjatë lumit, ndërsa kompania ka hapur edhe një rrugë provizore që të çon te tunelet, ku është edhe kantieri i dytë. Te tunelet ka nisur puna për hapjen e të dy tuneleve. Një inxhinier i ri në kantier tha se punimet po ecin sipas planit. Terreni është i vështirë në fillim, ndaj po avancojmë hap pas hapi. Njëri tunel në kohën e këtij vëzhgimi kishte avancuar rreth 60 metra, ndërsa tuneli i dytë vetëm sa kishte filluar.
Duke pasur parasysh se punimet kanë nisur zyrtarisht në qershor, ajo që binte në sy ishte një volum i madh pune, por një punëtor i kompanisë Gjoka tha se puna këtu ka filluar para qershorit dhe se po punohet me turne, deri në 20 orë në ditë.
Në hyrje dhe dalje të kantierit nuk ka tabela informuese, siç ka qenë rutinë më parë, në lidhje me afatet e punimit dhe vlerën e projektit, përveç disa tabelave që kanë të bëjnë me sigurinë në punë të punonjësve.
Siç është njoftuar edhe më parë, rruga në tërësi do të jetë e kategorisë C2, përveç segmenteve Bllatë – Maqellarë që do të jetë e kategorisë E dhe rrugës lidhëse me Klosin që do të jetë e kategorisë F2. Kjo do të thotë që shpejtësia e lëvizjes në aksin kryesor do të jetë rreth 100 km/orë me minimum shpejtësie 60 km/orë, ndërsa në dy akset e tjera shpejtësia e projektuar e lëvizjes do të jetë 40-60 km/orë.
Gjerësia e rrugës e standardit C2 do të jetë 11 metra, prej të cilave 9.5 metra do të jetë e asfaltuar, e parashikuar me nga 1 korsi lëvizje në dy kahet me gjerësi 3.5 metra.
Në lidhje me hollësi të tjera të parametra teknikë të projektimit, ndërtimit dhe afatet, ne i kemi nisur një email kompanisë, por deri më tani nuk kemi marrë përgjigje. Me anë të komunikimit telefonik, kemi marrë një premtim se së shpejti do të kemi një vizitë tjetër në kantier nga ku do të marrin përgjigje shumë pyetje te lexuesve, optimistëve dhe dyshuesve, por deri atëherë mund të themi se punimet vazhdojnë.

Qeveria: 3.5 milionë euro për mbikqyrjen e punimeve
Më 13 gusht Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë hapi një tender publik për “shërbime inxhinierike të pavarura për zbatimin e kontratës koncesionare/PPP për përmirësimin, ndërtimin, operimin dhe mirëmbajtjen e rrugës së Arbrit” me një vlerë 446 218 904 lekë, ose përafërsisht 3.5 milionë Euro. Tenderi është mbyllur për vlerësim më 31 gusht dhe pritet që brenda pak ditësh të shpallet fituesi. Qeveria po kërkon një kompani që së paku të ketë në stafin e tij mbi 15 inxhinierë me përvojë punë mbi 10-20 vite, të ndarë sipas 12 profileve inxhinierikë. Kompania duhet të ketë në staf një menaxherë projekti si dhe inxhinierë të ndërtimit, hidrologë, gjeoteknikë, tunelesh, elektrikë, mekanikë, gjeodet, e deri te inxhinierët dhe specialistë të sigurisë rrugore e ndërtime civile. Afati i kontratës është 48 muaj, katër muaj më shumë se afati që kompania Gjoka Konstruksion do të mbyllë punimet.

Bujar Karoshi