Ndahet nga jeta piloti Allaman Destan Isaku


Më 12 dhjetor 2017 u nda nga jeta pas një sëmundje të rëndë piloti i parë dibran Allaman Destan Isaku. Ai lindi në Dovolan të Maqellarës më 18.10.1939. U rrit si fëmija i parë i një familje patriote brez pas brezi, bazë e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Arsimin fillor e kreu në fshatin e lindjes dhe atë 7 vjeçar në Shupenzë me rezultate shumë të mira.
Në vitin 1953 filloi shkollën ushtarake “Skënderbej” ku kreu arsimin e mesëm. Në qershor të vitit 1957 i doli bursa për pilot në shkollën e Aviacionit gjuajtës në qytetin Borisoglebsk të Bashkimit Sovjetik. Pas tre vitesh në atë shkollë përfundoi fluturimet në avionët me helikë JAK-18 dhe në avionët reaktivë MIG-15 Bros. Në vitin e fundit, maj 1960 u transferua shkolla në Krasnadar ku kreu fluturimet në avionin MIG-17 dhe u diplomua pilot gjuajtës.
Në fund të tetorit 1960 u kthye në Atdhe, ku u titullua oficer nëntoger dhe u emërua në detyrën komandant ekuipazhi, pilot shoqërues në Skuadrilen e II-të të Regjimentit të 23-të të avionëve gjuajtës “Peza” në Qytetin Stalin (Kuçovë). Gjatë punës së tij ka kryer detyrën komandant çifti, komandnt katërshje, komandant skuadrilje dhe pilot AN-2. Është specializuar për fluturimet në avionë Superzanorë MIG-19S në Rinas më 1970. Ka qenë pilot i talentuar duke fluturuar në të gjitha llojet e fluturimit, ditën dhe natën.
Ka merituar titujt Pilot luftarak i klasit të III-të dhe klasit të II-të. Ka qenë miratuar dhe ka punuar pilot instruktor për të gjitha kushtet metereologjike, ditën dhe natën. Ka përballuar me sukses të gjitha vështirësitë fizike e mendore të ndeshura në fluturim, duke merituar dhe medalje e dekorata të ndryshme të shërbimit ushtarak.
Ka qenë i thjeshtë, njerëzor, i dashur me shoqërinë, human dhe dashamirës. I lidhur ngushtë me familjen dhe hallet e saj në Dovolan. Ka punuar vetë dhe me bashkëshorten në aksionin për elektrifikimin e fshatit të tij dhe lokalitetit duke dhënë një shembull të shkëlqyer për popullatën e krahinës, duke u vlerësuar nga Drejtuesit Vendorë të Pushtetit. Ka qenë aktivist i dalluar shoqëror dhe ka kryer shkollën e lartë të Partisë në Tiranë.
Ai krijoi një familje të theshtë, u martua me Dritën, arsimtare me origjinë nga Përmeti dhe banuese në Kuçovë, ku lindën dhe rritën dy fëmijë të mbrekullueshëm, Drinin dhe Valbonën.
Më 1972 për arësye shëndetësore ndërpreu fluturimet me avionët reaktivë dhe vazhdoi në ato me helikë AN-2 ku u transferua në Tiranë.
Duke qenë i drejt për drejtë në kryerjen e detyrës, i hapur e kritik ndaj disa veprimeve të tepruara në ushtri, si shumë të tjerë edhe Allamani nuk i shpëtoi veprimtarisë së ligjit famëkeq të Agjitacion propogandës duke e ndaluar nga fluturimi e liruar nga ushtria. Por Allamani nuk u dorëzua, përballoi me sukses ndëshkimin e pa merituar dhe qëndroi dinjitoz për veten, familjen dhe shokët që nuk e braktisën.
Ai ka gëzuar gjithmonë respektin e shokëve, të vartësve dhe eprorëve, të gjthë njerëzve të fisit, të të dy familjeve, atyre Dibrane dhe Përmetare.
Sëmundja e tij e rëndë dhe e parakohëshme shqetësoi gjithë njerëzit që e kanë njohur, por në rradhë të parë familjen, bashkëshoten Drtën e fëmijët Drinin e Valbonën, vëllezërit, nipërit e mbesat dhe ne shokët e shkollës ushtarake e të punës në ushtri që i qëndruam afër dhe i dhamë kurajo.Lamtumirë shoku ynë i dashur dhe i paharruar Allaman !
U mprehsh në paqë në tokën Mëmë !

Qirjako Dhima, Agim Vodopi, Sybi Koçi, Drini Shtylla, Budjon Tollkuçi, Zydi Meçe, Bajram Dervishi