Ditari i udhërrëfyesit: Marshim gjatë shtegut Korab-Koritnik


Nga Grehans Uka

Të mbash ditar gjatë një udhëtimi me grupe turistësh është një ndër gjërat më interesante dhe e rëndësishme për çdo udhërrëfyes. Më interesant bëhet kur atë e ndan me të tjerët duke iu treguar për përvojën personale dhe të tjerëve. Kjo nxit dhe iu tregon të gjithëve një mënyrë për të përjetuar natyrën.

Dita e parë, 12 qershor 2018: Maqellarë – stanet e Hinoskës

Me grupin që do të shoqëroja u takuam në Maqellarë, dhe ecjen e filluam në orën 9:30 nga Grezhdani, një fshat historik, 700 m mbi nivelin detit. Gjatë rrugës po njiheshim me pjesëtarët e grupit. Ishin Manfredi dhe Elisabeta, çifti gjerman, me profesion mësues; Alles, vajza nga Londra që punonte mjeke dhe Antoni, guida nga Shkodra që kish ardhur me qëllim për të mësuar shtegun Korab-Koritnik, si pjesë Shtegut të Sharrit.
Ecjen e vazhduam drejt Popinares, një fshat karakteristik me gurë, i shtrirë rrëzë Malit të Velivarit, 1300 metra mbi nivelin e detit. Dalëngadalë vazhduam drejt bjeshkës në Popinarë. Sa herë kthenim kokën pas, dilte përpara syve të gjithë lugina e Drinit të Zi dhe fushën ku shtrihej Dibra e Madhe përtej kufirit. Në horizont dukej edhe Liqeni Radikës, Malet e Gollobordës apo dhe Malet që janë pjesë parkut Lurës. Tek stani i Iliaz Kërçakut nga Bllata, fillojmë ngjitjen drejt kreshtës së Velivarit për t’u kthyer drejt bjeshkës së Hinoskës. Ishte ngjitje e lehte qe na nxori tek stanet e Trepçës. Kalimi tek Kulla e Turkut ishte një rrugë interesante mes pyjesh.
Tek Stanet në Hinoskë, mikpritja iu la mbresa turistëve dhe e vlerësuan shumë

Dita e dytë, 13 qeshor 2018: Bjeshkëve të Rabdishtit e Zagradit

Nisja nga Hinoska filloi në orën 9 të mëngjesit. Dalëngadalë, sëbashku me grupin u afruam në lartësinë 2050 m që kalonte në vijën e kufirit. Pamja ishte e shkëlqyer dhe turistët e shfrytëzuan për fotografitë, ngaqë është edhe kufiri ndërshtetëror Maqedoni-Shqipëri. Grupi e pëlqeu shumë këtë pikë, sepse të ofronte pamje në të dy anët e kufirit. Me ndalesa të shkurtra deri në orën 12:30, arritëm mbi bjeshkët e Rabdishtit dhe Zagradit. Zbritja nga bjeshka dukej interesante, sepse shtrirja e fshatrave Zagrad dhe Rabdisht rrëzë dy shpateve gëlqerore dhe arkitektura e shtëpive në përshtatje me mjedisin përreth, ishte një pamje mbreslënëse.
Rrugës takuam Nazmi Ndreun, që mblidhte bimë mjekësore. Ndërsa ndalesa e radhës është në shtëpinë e Ylber Fetës, ku kaluam një natë për tu mbajtur mend.

Dita e tretë, 14 Qeshor 2018: Një natë në stanet e Gramës

Nisja në ditën e tretë filloi në orën 8:30 nga Zagradi, në një lartësi 1200 metra mbi nivelin e detit. Grupit i pëlqeu ngjitja dhe peizazhi, gjithashtu. Sidomos kur po i afroheshim Majës së Gramës. Ishte një ecje e lehtë për grupin dhe me pamje të mrekullueshme. Panorama që kishim përpara e detyroi grupin disa herë të ndalonte për fotografi. Patëm një zbritje të butë dhe interesante, sepse përpara kishim një kope me dhi të egra. Gjatë zbritjes, një shi i fortë filloi, por për fat ishim afër stanit ku do të qëndronim.

bty

Grupit i pëlqeu shumë mjedisi dhe shtëpizat e drurit që ne do të qëndronim, si dhe mikpritja që Xhemali bëri. Madje ai bëri të mundur që grupi të shikonte nga afër jetën baritore, apo dhe mjeljen e deleve që bënin çobanët. Kjo ishte diçka interesante, sepse çdo proces i punës bëhej në mënyrë tradicionale.

Dita e katërt, 15 qershor 2018: Drejt Radomirës

Mëngjesi filloi me një ngjitje që të krijonte idenë e të pamundurës, por gjithçka filloi të dukej e thjeshtë. Pas çdo hapi shtëpizat e drurit zvogëloheshin dhe dukeshin si të rrëzuara nën masivin shkëmbor që rrethon gjithë bjeshkën.
Po lëviznim në drejtim të liqenit të Gramës dhe po shijonim peizazhin piktoresk. Duke kaluar qafën, mes Bjeshkës së Gramës dhe Bjeshkës së Shehit, filloi të binte shi. Kjo na detyroi të lëviznim më shpejt këmbët, dhe kur iu afruam fshatit, shiu pushoi. Një mjegull mbuloi vendin dhe nuk na krijonte mundësinë të shihnim gjelbërimin e paanë.
Në Radomirë, njerëzit na pritën mirë dhe çdo sjellje e tyre na ngrohte përbrenda. Duke pirë çajë mali dhe duke parë ndeshjet e botërorit, është një gjë e rrallë për miqtë. “Kurrë nuk e kishim menduar se do ta shikonim ndeshjen Portugali-Spanjë mes malesh, me një gotë çaji përpara”, thanë ata. Shiu i paradites u harrua.

Dita e pestë, 16 qershor 2018: Ngjitja e pamundur për në Korab

Në orën 7:40 filluam ngjitjen për në malin e Korabit, së bashku me Antonin dhe Alesian, mjeken nga Anglia. Por koha nuk ishte në favorin tonë. Mjegulla e dendur, shiu që binte herë pas here dhe bora në lartësinë 2500 metra, na e pengoi ngjitjen. Për shkaqe sigurie, vendosëm të kthehemi.

bty

Gjatë rrugës shikuam disa liqene të mbuluara me një shtresë akulli, të cilat na tërhiqnin vëmendjen. Rrugës takuam Avni Kupën, çoban i zonës me një tufë të madhe delesh e qingjash.
Manfredi dhe Elisabeta, çifti nga Gjermania, qëndruan në hotel, por tregonin se kishin kaluar kohë të mirë me banorët e Radomirës. Ata ishin treguar shumë miqësor me ta. Arkitektura e shtëpive dhe dashamirësia e mikpritja e banorëve ishin krejt të veçanta.

Dita e gjashtë, 17 qershor 2018: Në Çaj të Kukësit

Korrektësia gjermane e Manfredit dhe Elisabetës nuk vihej në dyshim në grup. Me ta, përgatitja e grupit për udhëtim të krijonte përshtypjen se gjithçka bëhej në kohën e duhur. . Në orën 8 filluam nisjen për në Çaj, 1600 metra mbi nivelin e detit. Gjatë rrugës u takuam me një grup nga Kosova që ngjiteshin për në Korab. U ngjitëm në Fushën e Korabit (1500 m) dhe rreth orës 11 ishim në Qafën e Sorokolit, 2000 metra mbi nivelin e detit, aty ku ndahet Dibra me Kukësin. Kishim dy zgjedhje për rrugën: ose të vazhdonim rreth kufirit me Kosovën, ose të vazhdonim luginës poshtë, e quajtur ndryshe edhe si “Përroi i Lushit”. Zgjodhëm versionin e dytë, pasi na u duk më lehtë, por rreth orës 12 filloi një shi dhe mjegull, duke e na vështirësuar ecjen. U lagëm, por rikthimi i diellit pas dy orësh dhe ndalesa për drekë, na ngrohen pak duke na sjell edhe një farëe gëzimi.
Miqtë vlerësuan shumë terrenin, për larmishmërinë e thyerjeve, bimësinë, sidomos lulet. Gjithashtu, iu pëlqeu shumë bujtina e ndërtuar në mënyrë tradicionale e Ardian Musait. Dhomat e rregulluara thjesht, por veçanërisht familja e madhe dhe harmonia mes tyre, janë diçka që vlerësohen shumë nga mësuesit gjerman dhe mjekja angleze.

Dita shtatë, 18 qeshor 2018: Në Shishtavec

Kur nisesh nga Çaji për në Shishtavec, duhet të kalojmë përmes një gryke, e cila është shumë interesante. Sepse, pavarësisht se ngjiteshe në lartësi, nuk arrije ta kuptoje ngjitjen. Pas 3 orë e gjysmë udhëtimi, afrohemi në Kallabakun e Madh e të Vogël. Ardiani, mikpritësi ynë në Çaj, na shoqëroi gjatë gjithë udhëtimit. Në momentin që arrijmë në Kallbak, fillojmë zbritjen te vendi i quajtur “Laku Kallabakut”. Rrugës poshtë shohim fshatin Turaj. Më pas shfaqen fshatrat Novosejë e Shishtavec, e diku me poshtë duke rezervati dhe disa ndërtesa të ndërtuara që në kohën e komunizmit.
Dalëngadalë, përmes rrugës së makinës ndërtuar kohë më parë dhe e pa përmirësuar, afrohemi te Kafja e Mahmut dhe Fatos Nokës. Ora shënonte rreth 14. Aty bëmë pushimin e drekës, në pritje të makinës. Në atë vend dikur kishte qenë pike qëndrim për minatorët e minierës së kuarcit që ndodhej poshtë malit të Kallabakut. Me ndërrimin e sistemeve politike, dy vëllezërit Noka e kishin privatizuar dhe e kishin shndërruar në bar-kafe për ata që vizitonin liqenin. Ndërsa tani po investonin për ta kthyer në një qendër turistike.
Në Shishtavec na pret Adem Sokoli. Shtëpia e tij pritëse është e rregulluar dhe e pastër. Ndërsa Ademi tregohet shumë mikpritës. Na ofron një filxhan me kafe turke dhe një gotë raki. Ndërsa Manfredi nuk heziton të provojë bakllavanë. Ademi tregoi se gatimet i bënte vetë, si dhe ishte vlerësuar edhe si “Kuzhinieri më i mirë” për kuzhinën tradicionale. Bakllavanë që Manfredi e provoi, ishte e gatuar prej tij. Për anëtarët e grupit ishte një surprizë: një burrë shqiptar mund ta gatuante atë lloj ëmbëlsire..
Nga shtëpia që do të qëndrojmë duken Kallabaku, bjeshka Moravës dhe Guri i Mëngjesit mbi Restorant Skiatorin. Ademi tregon që është e thjeshtë të shkosh nga bjeshka e Moravës drejt Gurit të Mëngjesit Skijatori; dhe duke ndjekur shenjat e vendosura për shtigjet, mund të kalosh nëpër Kosovë dhe del mbi Tetovë. Por ky shteg mbetet për tu provuar herës tjetër.