Qershitë e Dibrës, transporti mban larg tregtarët


Me dhjetra ton qershi po shkon dëm në qarkun e Dibrës, ku fermerët ankohen për mungesën e tregut, ndaj në protestë simbolike edhe prenë disa pemë. Por në Drejtorinë e Bujqësisë së Qarkut, thonë se problemi i madh nuk është mungesa e tregut por gjendja e rrugës së Peshkopi-Dibër e cila mban larg eksportuesit pasi prodhimi dëmtohet gjatë transportit. Fermerët nga ana tjetër kërkojnë ndërtimin e një qendre grumbullimi e cila sipas tyre do të ishte zgjidhja.
Një fermer dibran preu para kamerave një prej pemëve të qershive që kultivon në shenjë protestë për mungesën e tregut që në zonë po çon dëm dhjetra tonë prodhim.
Por në Drejtorinë e Bujqësisë së Qarkut Dibër, drejtori Novruz Jashari thotë se interesi i kompanive eksportuese nuk ka munguar, por problemi i madh është gjendja e rrugës Peshkopi-Tiranë.
“Me rreth 460 hektarë tokë të kultivuara, në Dibër ishte përllogaritur të prodhohej rreth 3 mijë ton qershi. Edhe për defektin e mbjelljeve ndër vite, ku pjesa më e madhe e qershisë në Dibër e kultivuar është e varietetit bulat, e cila piqet herët dhe nuk i reziston transportit. Kompania në dy ngarkesa që tentoi të nisej drejt Lushnjes dështoi për shkak edhe të dëmtimit të rrugës”, tha për TV Ora Neës Jashari.
Por kushtet atmosferike sipas Drejtorit të Bujqësisë dëmtuan cilësinë e prodhimit. Këtë situatë duket se po shfrytëzojnë përpunuesit e qershisë.
“Ka çdo ditë persona qoftë në nivel kompanish, qoftë individë të veçantë që vinë dhe grumbullojnë qershitë. Mund të ndodhë që për shkak të humbjes së cilësisë qershitë mund të bien në 30 lekë”, i tha Ora Neës, deklaroi drejtori i Bujëqsisë në Dibër.
Fermerët nga ana e tyre thonë se zgjidhja do të ishte ndërtimi i një qendre përpunimi e cila do tu garantonte atyre shitjen e prodhimit, ose në të kundërt paralajmërojnë se do të detyrohen që ti presin të qershitë, ashtu siç kanë bërë në të shkuarën edhe me mollën e famshme të Dibrës.
“Qershia ka ngelur. Një sasi e madhe ka rënë në tokë. Kam shitur shumë pak, 3-4 kuintalë, me 5 lekë kilen”, i tha një fermer gazetarit të Top Channel.
Edhe ky televizion konstatoi se vështirësitë e tregut vijnë për shkak të rrugës së keqe.
“Edhe pse është një ndër qershitë më cilësore në vend, prodhimi i Dibrës e ka të vështirë rrugën e shpërndarjes në tregjet e vendit, për shkak edhe të aksit të amortizuar Peshkopi-Tiranë”, konstatoi Top Channel.
Pavarësisht këtyre vështirësive, Fondacioni ALCDF, në bashkëpunim me Bashkinë Dibër, World Vision, CNVP dhe Friends of Albania, më mbështetjen e USAID dhe Ambasadës Suedeze në Tiranë do të organizojnë më 3 qershor në Peshkopi, “Festën e Qershisë”, një veprimtari e cila synon të kthehet në traditë në të ardhmen, sidomos me ndërtimin e Rrugës së Arbërit, kur ky panair do të jetë vetëm 1 orë larg nga kryeqyteti.