Dali Horeshka, miku i madh i fermerëve të Dibrës


Ishte një shkurt i vitit 2014. Pa shumë bujë e zhurmë, në qendër të qarkut në Peshkopi u hap zyra e Fondacionit “Sared”, për të ndihmuar fermat dhe fermerët dibranë. Dibra ishte përzgjedhur si një nga gjashtë qarqet që do të përfitonte ndihmën dhe bujarinë e donatorëve. Ishte një kooperim i frytshëm nga tre aktorë: qeveria daneze, qeveria gjermane dhe ajo shqiptare. E para do të ishte financuese e projektit, e dyta do ta drejtonte atë, kurse qeveria shqiptare ishte mbështetëse e projektit në fjalë. Duhej një koordinator për zyrën, një njeri i përgjegjshëm, një njeri i ditur, një njeri që do të merrte përsipër barrë të rënda mbi shpinë. Mes shumë konkurrentëve të tjerë ishte dhe ekonomisti me përvojë Dali Horeshka. Nuk di pse, ne të tjerët, që e ndiqnim nga afër “lojën”, besuam dhe shpresuam që ai do të ishte fituesi.
Ashtu ndodhi. Zyra qendrore në Tiranë e programit “Sared” konfirmoi fitues Daliun, shokun, kolegun dhe bashkëpunëtorin tonë të palodhur. Ata që nuk e njihnin, ndoshta dhe u stepën në fillim, kur krahasuan pamjen me imagjinatën. Ndoshta kishin menduar një njeri të gjatë e të fuqishëm, kurse miku ynë nuk ishte fort i tillë. Në fakt, ai kishte shumë fuqi, por ato i kishte diku tjetër, i kishte në mendje dhe në shpirt.
Daliu mbaroi shkollën e mesme për agronomi në shkollën e Kastriotit me rezultate shumë të mira. Mund t’i vazhdonte fare mirë studimet e larta për këtë degë, por në fakt e ndryshoi paksa kursin. Do ta ndihmonte sërish bujqësinë e Dibrës, por në një mënyrë tjetër, me lapsin e tij, me planifikimin sa më mirë të gjërave që duheshin bërë. Ishte fillimi i viteve tetëdhjetë. Unë isha në vitin e dytë të shkollës së lartë, Daliu filloi vitin e parë të studimeve. I urtë, i qetë, studiues tipik, që kishte ardhur jo thjeshtë për të mbaruar shkollën, por për të fituar sa më shumë njohuri, që aq shumë do t’i duheshin në jetë. Disa fakultete kishin rusishten si gjuhë të huaj. Ndërsa shumë studentë përpiqeshin thjeshtë ta merrnin provimin e rusishtes, Daliu donte të shkonte shumë më larg, të miqësohej me këtë gjuhë, ta mbronte, siç thuhet, pse jo dhe ta fliste.
Kështu, pra, me punë, me ambicie, mes sfidave të shkollës, të punës dhe të jetës, Daliu i mbylli studimet me rezultate shumë të mira dhe u kthye në Dibër. Fushë Çidhna u bë stacioni i tij i parë i punësimit. Për gati katër pesë vite ai i provoi kooperativat e dikurshme, për ta parë atë sistem me të këqijat, por pse jo dhe me disa të mira, që duheshin marrë si gurë me vlerë, për t’i vendosur në themelet e demokracisë së brishtë shqiptare. Ai bisedoi me njerëzit e varfër të para nëntëdhjetës, me njerëzit punëtorë dhe bujarë. E kuptonte që kjo situatë nuk mund të vazhdonte gjatë, jo në pafundësi. Ashtu nisi kthesa e madhe, me arrëza e tufëza, si një falje e madhe për gabimet e bëra, me kthimin e pronës tek pronari i vërtetë.
Për shumë e shumë vite Daliu u end në kërkim të punësimit, në kërkim të dijeve të reja, në formim të identitetit të tij. Katër vite punoi te agjencia e privatizimeve. Po të kishte qenë dikush tjetër, ndoshta do ta shihte veten të ndryshuar ekonomikisht si në përralla. Dikush tjetër, ama, por jo Daliu. Edukata familjare i kishte mësuar atij të merrte vetëm ato gjëra që realisht i takonin dhe jo më shumë. Katër vite të tjera punoi te statistika dhe gati po kaq te bashkia. Të gjitha këto vite në total i shërbyen atij për të pasur dije mbi shumë gjëra, që aq shumë do t’i duheshin më vonë.
Në Shqipëri filluan të vijnë fondacione të huaja. Ata donin bashkëpunëtorë seriozë, të ndershëm, profesionistë dhe të aftë për të punuar në grup. Daliu i plotësonte më së miri këto kërkesa, por vetëm në një pikë kishte problem. Ah, sa do të kishte dashur që në vend të rusishtes, që e kishte mbrojtur, të kishte qenë anglishtja. Tani do të ishte duke folur rehat e komod, me këto të huajt e perëndimit. Kur u qetësua ajo dallga e parë e pendimit, në shpirtin e tij nisi një fazë reflektimi e reagimi. Ishte kapërcyelli i mijëvjeçarit të dytë dhe ai nuk ishte më shumë se dyzetë vjeç. Do të bënte me anglishten, as më pak e as më shumë, se ato gjëra që kishte bërë me rusishten. E thënë shkurt, do të fillonte nga e para dhe do ta mësonte. U habitën kolegët e huaj kur panë ndryshimin drastik, kur Daliu filloi të përgatiste në anglisht materialet e para. Kaq kishte dashur njeriu fjalëpakë e punëshumë, sa të fillonte. Më pas, gjërat do të merrnin rrokullimën, si një ortek, në sensin pozitiv, për të shkruar, folur e diskutuar në këtë gjuhë, me të cilën nuk kishte pasur më parë asnjë lloj kontakti. Që atëherë Daliu ka punuar pothuaj vetëm me të huaj, me shoqata e fondacione të ndryshme. Në mbarim të kontratave ata jo vetëm që nuk janë zhgënjyer, por do të kishin dashur që të kishin punuar më gjatë akoma.

KATËR VITE MË PARË

Katër vite më parë, siç e përmendëm në fillim, startoi programi “Sared”, në Shqipëri, por dhe në Dibër. Ishin disa miliona euro që do të kalonin në xhepat e fermerëve shqiptarë, të materializuara në mjete pune, në traktorë, pajisje të tyre, restaurim bujtinash për turistë apo si krijim blloqesh me pemë frutore, me të gjitha parametrat e kohës. Daliu për një moment u tremb. Jo, në fakt, nuk kishte qenë frikë, por një emocion, për peshën morale që duhej të mbante në supe. Nuk ishin gjëra të thjeshta, por bile shumë të komplikuara.
Gjatë gjithë kohës ai punoi ngushtë me shërbimin këshillimor të qarkut Dibër, madje një nga specialistët më të mirë të këtij stafi, Haxhi Abazin, e mori në zyrë për gjatë gjithë kohës, si bashkëpunëtor dhe konsulent për çështjet e bujqësisë. U bënë takimet e para në Tiranë, Shkodër, Korçë, Dibër, Kukës e rrethe të tjera të vendit. Drejtuesi i përgjithshëm, danezi Ole, gjermani Bertold dhe doktori shqiptar Rolandi, dhanë gjithçka dinin nga mendja dhe përvoja e tyre, që gjërat të ishin sa më të thjeshta e të qarta për t’i zbatuar. Daliu mendoi se takime të tilla të ngjashme duheshin bërë dhe në territorin e qarkut që mbulonte. Kështu, nisën seminare të thjeshta me specialistë e fermerë potencialë. Problemi ishte që kërkesat e programit dhe nevojat e fermerëve duhej të konvergonin në një pikë, përndryshe asgjë nuk quhej e realizuar. Ndihmesë të madhe dhanë miqtë dhe partnerët tanë, që u angazhuan në përgatitjen e projekteve serioze, për të qenë sa më cilësore dhe për t’u shpallur fitues. Çlirim Leshi, ekonomisti i zyrës së “USAID-it”, Zaim Rina, specialist me shumë vlera i frutikulturës, Zenulla Mehmeti, inxhinier, autor i shumë projekteve, ishin disa nga këta njerëz, që u bënë si një urë lidhëse mes programit “Sared” dhe fermerëve, në mënyrë që këta të fundit të ishin maksimalisht fitues. Erdhën në jetë projektet e parë fitues, të tjerë e të tjerë më pas. Po t’u referohemi shifrave, do të thoshim se numri i tyre arriti në gjashtëdhjetë, ku gati 80 për qind e tyre u shpallën fitues. Vetëm nga komuna e Maqellarës u përfituan dhjetë traktorë, ku shumica patën dhe agregate shtesë, si makina mbjellëse, pompa spërkatëse, rimorkio e plot të tjera si këto. Medin Kryemadhi, Premtim Agolli, Bardhul Muça, Qamil Lata, Berti Mullameti e plot të tjerë do të jenë shumë mirënjohës ndaj programit “Sared” dhe gjithë bashkëpunëtorëve, që materializuan dhe i bënë realitet dëshirat e tyre.
Projektet e fermerëve tanë u shtrinë dhe në fusha të tjera si turizmi dhe blloqet e reja me pemë frutore. Sabri Shahini nga Rabdishti është përfaqësues tipik i biznesmenit të ri, që dëshiron të investojë në fushën e turizmit. Fshati i tij Rabdishti është shpallur në listën e njëqind fshatrave turistikë dhe Sabriu e ka kthyer shtëpinë e tij në një bujtinë, shumë të dashur e të frekuentuar nga turistët. Po kështu, ka vepruar dhe është shpallur fituese zonja Adelina Salkurti nga Rashnapoja.
Arsen Tifeku, nga njësia administrative e Melanit, dëshironte që bllokut të tij të mollëve dhe qershive tradicionale, t’u shtojë dhe një hektar me qershi, me sistem mbështetës dhe me vaditje me pika. Në këtë projekt kurajoz prej gati tridhjetë mijë eurosh, i erdhi në ndihmë programi “Sared”, duke i dhënë 65 për qind të kësaj shume, në formë grandi.
E përkthyer në vlerë, shuma e projekteve përfitues do të ishte rreth 800 mijë euro ose një miliardë lekë, të përfituar nga fermerët e qarkut të Dibrës. Kujtojmë këto shifra dhe këto rezultate të arritura dhe mendja na shkon te Dali Oreshka, njeriu që aq shumë u përpoq për t’i realizuar këto gjëra, duke mbetur një mik i madh i fermerëve dhe i njerëzve të punës.