Roli i komunitetit në menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve bashkiake


Të menaxhosh pyjet është një imperativ i kohës, është të duash natyrën, por në rradhë të parë të duash veten dhe shoqërinë. Parku kombëtar Korab – Koritnik përmbledh në vetvete mbi 50 mijë hektarë, nga të cilët, mbi 20 mijë janë në qarkun e Dibrës. Kjo sipërfaqe masive e mrekullueshme fillon me fshatin e Kllopishtit, në pjesën juglindore, në kufi me Maqedoninë dhe përfundon në Tejzë e Radomirë, duke folur gjithmonë për pjesën e Dibrës. Në mes të këtyre dy pikave ekstreme ndodhen fshatra të tilla si Kërcishti, Pocesti, Katundi i Vogël, Popinara, Erebara, Ilnica, Rabdishti, Cerjani, Zagradi, Venishti, Dypjaka, Sllatina, Sllova dhe Kalaja e Dodës, me fshatrat e saj. Këtu gjen sipërfaqe pyjore, të ulët dhe të lartë, sipërfaqe shkëmbore, kullosore dhe toka të larta të pakultivuara, që të lidhura e të ndara, të kombinuara e të crregullta, përbëjnë një mrekulli, që shpesh, të tjerët e të huajt na e vënë në dukje dhe ne nuk jemi koshientë për atë që vetë natyra na e ka afruar për ta përdorur. Ajo është për ne po aq jetike, sa dhe vetë toka bujqësore, që ne kultivojmë.
Aty marrim drurin dhe bimët medicinale, aty pastrohet ajri dhe pengohet errozioni, aty promovohet alpinizmi dhe turizmi malor, aty prodhohet mjalti, qumështi e djathi, aty kthjellohet mendimi dhe prehet shpirti. Në një ajet të Kuranit thuhet se kodrat e malet shërbekan dhe si gozhdë për të fiksuar tokën, që ajo të mos lëvizë.Po nëse nuk kemi asnjë meritë në krijimin e një mrekullie të tillë, a nuk lypset si detyrë dhe detyrim, të paktën ta ruajmë e të mos e tjetërsojmë?

PLANET E MENAXHIMIT

Pas atij shkatërrimi të madh të dy dekadave, gjërat sikur po rrokullisen në kahjen e duhur. Në Maqëllarë takuam teknikun e pyjeve Medi Shtrezi qe ka nje jete te tërë me këtë lloj shërbimi, për ti marrë disa opinione, në lidhje me këto probleme. Ai na tregon se po punohet e operohet me plane menaxhimi, që përfshijnë të paktën kufinjtë e një dhjetvjecari. Ky plan menaxhimi përshkruan gjendjen aktuale të një blloku pyjor, vlerërësimin e tij në parametra teknikë dhe ndërhyrjet komplekse që duhen bërë në këtë hark kohor. Këto ndërhyrje tonat,tregon Mediu , ndryshojnë sipas gjendjes s ë bllokut pyjor, sipas moshës dhe sipas destinacionit. Nëse është një pyll i ri lypset të heqim drunjtë e shtrembër, duke ruajtur një mesatare bimësh, mbi 50 mijë për hektarë. Nëse pylli është i lodhur dhe i degraduar, bëhet prerja rrafsh, ose ricungimi, në mënyrë që të krijohet mundësia të shpërthejnë filizat e rinj e të rigjenerohet pylli. Sëmundje të ndryshme prekin dhe pyllin, ndaj duhet herë pas here të monitorohet në kohë situata e të merren masat e duhura. Kanceri i gështenjës, krizomeri, apo krimbi i plepit, procesonarja e pishës, janë vetëm disa nga kërcënimet e shumta, që i bëhen pyllit.Nuk po flasim më këtu për rrezikun e zjarreve, pasi e bëmë objekt të vecantë në shkrimin e kaluar.
Një vend të vecantë në planet e menaxhimit zenë dhe sistemimet malore, si prita me gurë, mure, gardhe e të tjera si këto, me synimin për të penguar vërshimin e përrenjve dhe pengimin maksimal të gërryrjes dhe erozionit. Në fund, por jo pjesë më pak të rëndësishme, mund të përmendim dhe mbjelljet nga dora e njeriut, që mund të jetë me fidana pyjorë, po pse jo dhe me farëra, duke e gërvishtur më parë tokën në breza pyjorë. Janë mbjellë plepa tek rezervuari i Trepcës, plepa dhe akacje në Trenë, pyll gështenjash mes Grevës dhe Melanit, akacje në Pocest dhe plot raste të tjera si këto.
Këtu mund të përmendim dhe shembullin e shkëlqyer të bletarit të talentuar, Haxhi Miftarit, nga Kllopcishti.Ai mbolli para disa vitesh mbi njëmijë fidana akacjesh, pranë parkut të tij të bletëve, duke pasur përfitime të shumëanshme.Shembuj të tillë duhen përkrahur e promovuar, në mënyrë që të mos mbeten spontanë dhe endemikë, por të jenë pjesë organike e jetës qytetare.

BASHKPUNIMI ME KOMUNITETIN

Natyrisht që planet e menaxhimit, që sapo i përmendëm, do të kishin mbetur vetëm në letra e projekte, nëse nuk i bëjmë si pjesë përbërse vendim marrëse dhe zbatuese, banorët që jetojnë në këto anë. Krahas ndërgjegjësimit e fushatave sensibilizuese, është me interes që të bëhet dhe kalimi i pronësisë së banorëve mbi zabelet e pyjet e ulta, në mënyrë që ti ruajn e tu shërbejnë sa më mirë. Një projekt pilot po bëhet për njësinë administrative të Melanit me CVNP në dhe bashkinë Diber, për ta përhapur më tej dhe në zona të tjera, sipas këtij formati.Po ashtu me vlerë është edhe zbatimi i projektit “Menaxhimi i qëndrueshem i pyjeve bashkiake nga komuniteti” nga shoqata Agro Eko Dibra i mbështetur nga Projekti ReLOad dhe Bashkia Diber.
Një risi e vecantë do të jetë përfshirja e të rinjve në projekte që synojnë ndërgjegjësimin qytetar për pyjet. Është menduar që cdo shkollë të krijojë pyllin e vet, duke dhënë kështu një model të vecantë. Ndoshta do të ishte me interes që shkolla të vilte dhe disa të ardhura që burojnë nga pylli, duke e forcuar akoma më shumë këtë lidhje, këtë bashkëpunim e bashkëveprim. Shkolla e Melanit është në hapat e parë të implementimit të këtij projekti të ri dhe me shumë interes.
Kryetarët e këshillave, si përfaqesues legjitimë të fshatrave, kanë qenë shumë afër në hartimin e realizimin e projekteve për ruajtjen e përmirësimin e fondit pyjor. Gjuran Koci në Kërcisht, Halil Veliu në Popinarë, Vehap Hidri në Pocest, por dhe përfaqesuesit e Rabdishtit, Sllatinës, Cerjanit e më gjerë, po marrin gjithnjë e më tepër përgjegjësi në këtë mision fisnik. Halil Veliu në Popinarë tregon se kanë ngritur një grup pune dhe një skuadër zjarrfikse, për raste emergjente. Jo më kot e lamë për më pas shembullin e Kalasë së Dodës, që meriton të trajtohet në një artikull të vecantë.
Një ditë, bisedonim me mikun tim të nderuar, Sulejman Ahmati, nga fshati Tejzë i Radomirës. Ai më tregonte se ata kanë një itifak të trashëguar në breza, një ligj të shkruar e të pashkruar për pyjet, por që ka fuqi ekzekutive të padiskutueshme. Pyjet atje mbrohen, po aq sa dhe jeta e njeriut dhe për këtë ka një komision të vecantë. Të pesë lagjet apo fshatrat e Radomirës, Serdoku, Rade, Cernjeva, Kalle dhe Tejzë, kanë nga një anëtar , kurse kryetar i komisionit është Halil Ahmati. Komisioni përcakton për tu prerë cdo vit nga dy drunj të mëdhenj për secilën familje, duke u vënë damkën karakteristike. Nëse vihen re shkelje të këtij itifaku komisioni merr masa të ashpra administrative të përcaktuara në rregulloren e hartuar.Eksperienca tregon se menaxhimi i pyjeve nga banorët lokalë është i suksesshëm dhe ka vazhdimësi pasi ndiqet drejt për së drejti nga vete banoret dhe pushteti vendor për disa arsye:
• Arsye ekonomike – shpenzimet e qeverisjes vendore për mbrojtjen e pyjeve janë më të vogla, sepse banorët janë të interesuar ti mbrojnë ato.
– Banorët përmirësojnë ekonominë familjare dhe rurale pasi shfrytëzojnë pyllin si burim të ardhurash, për mbjelljen e kulturave që rriten ne gjëndje të egër brenda pyjeve ( si gështenjat, bimët medicinale etj)
– Pushteti vendor nxjerr të ardhura nga përdorimi i burimeve pyjore për shkak të të ardhurave që vilen nga taksat vendore
• Arsye sociale – banoret e njesive administrative kanë qenë tradicionalisht zotërues të pyjeve pranë fshatrave që tashmë u janë transferuar pushtetit vendor, ndihen pronarë dhe kujdesen për kulturat pyjor
– Kur banorët janë të bindur se pylli u përket atyre dhe kjo është e konfirmuar edhe me dokumente. Ata bëhen më të ndjeshëm për mbrojtjen e pyjeve dhe burimeve të tjera natyrore, duke pasur edhe përfitime direkte
Ja kështu, me këto praktika të bukura, me këto njerëz që e kanë kthyer shikimin dhe vemendjen nga pyjet, si një aleat i hershëm dhe i pandashëm i jetës tonë, gjërat bëhen më të bukura e më të lehta dhe fëmijët tanë do të kenë një arësye më shumë për të na bekuar e falenderuar.