Avdulla Aga (Baftjari) – në prag të shekullit


Gjatë historisë së ekzistencës populli i Dibrës ka nxjerrë njerëz të shquar, patriotë, shkencëtarë, mjeshtër të punës, organizatorë të talentuar, e tjerë. Një ndër to është Avdulla Aga nga Grazhdani. Për afër tre breza gjurmët e tij i gjejmë në kodrat dhe fushat e Dovolanit e më gjerë në trevën e Dibrës. Eksperienca dhe përvoja e njeriut të apasionuar në bujqësi u bënë moto e ditës për ekonomitë bujqësore në rrethin e Dibrës afër një gjysëm shekulli.
Avdullai lindi më 1921 në një familje me të kaluar patriotike. Babai i tij, Baftjari, i përcolli me dinjitet e fanatizëm traditat e luftës për mbrojtjen dhe konsolidimin e pavarësisë. Nëna Bedrije, e bija e Isuf Shehut nga Dibra e Madhe, rritur në teqen e Këlliç-Baba, e njohur për veprimtari atdhetare në shërbim të çështjes shqiptare e të gjuhës shqipe.
Vetë Avdullai u rrit në odën dibrane, që personifikon shkollën e edukimit të popullit me dashurinë për luftëtarët, njerëzit e punës, familjes dhe Atdheut. Shkollën fillore e mbaroi në Herbel, e vetmja në fshatrat midis Maqellarës dhe Melanit. Vazhdimi i shkollës së mesme në ato kohë ishte i pamundur. Si të gjithë moshatarët filloi punë në bujqësi për të ndihmuar prindërit. Gjatë kësaj periudhe mësoi shumë nga përvoja e bujqëve të Grazhdanit, e cila do t’i vlejë shumë për të ardhmen. Kështu, në punë e sipër filloi të krijohej edhe karakteri i këtij të riu, për t’u bërë një mjeshtër i vërtetë i organizimit shkencor të prodhimit bujqësor.
Pushtimi i Shqipërise nga Italia fashiste, pas saj nga Gjermania, krijoi një brengë të madhe, prandaj si shumë të rinj dibranë u regjistrua në brigadën e 18 sulmuese deri në çlirimin e vendit. Pas viteve 1944 u dallua si veprimtar shoqëror për zhdukjen e pasojave të luftës dhe rindërtimin e vendit. Më 1 tetor 1948 merr pjesë në aksionin për ndërtimin e hekurudhës Tiranë-Durrës, si komandant i brigadës vullnetare të Dibrës. Përfundimi me sukses i aksionit i hapi dritën jeshile në punën e re si nënpunës finance në Peshkopi deri më 1953. Ashtu si në fronte të tjera u shqua për një ndërgjegje e ndjenjë të lartë përgjegjësie, disiplinë e korrektësi, që do ta shoqëronte për më shumë se 70-80 vjet. Gjatë kësaj periudhe mbaroi me sukses disa kurse e shkolla afatshkurtra në Tiranë për kualifikimin tekniko-profesional dhe drejtimin shkencor të administratës së re që do t’i hapte rrugë krijimit të kooperativave bujqësore.
Reformat për kolektivizimin e bujqësisë pa dyshim kërkonin mbështetjen, mendjen, eksperiencën e përvojën e Avdullait. Bashkëfshatarët e Grazhdanit do t’i besonin detyrën e kryetarit të kooperativës bujqësore më 1958. Duke njohur psikologjinë e fshatarit dibran Avdullai ofroi rreth vetes njerëz të besuar e punëtorë, agronomë, mekanizatorë, brigadierë, blegtorë, duke dhënë shembull si individ dhe familje. Përgjithësoi përvojën historike të bujkut dibran në shërbimet e kulturave bujqësore, filloi sistemimin e parcelave, pyllëzimin e kodrave të zhveshura, ndërtimin e pritave malore për mbrojtjen e tokës. Për një kohë të shkurtër u ndërtua një rezervuar, u sistemuan e hapën kanalet vaditëse, ujsjellësi i ri i fshatit si dhe u sigurua baza materiale për ndërtimin e çerdhes, kopshtit dhe qendrës shëndetësore.
Edukata dhe kultura e punës që manifestonte Avdullai, u përpoq ta çonte tek të rinjtë e të rejat dhe ia arriti qëllimit. Ato u bënë një shembull i madh për eksperimentimin e të rejave të shkencës në bujqësi, në shërbim të kulturave bujqësore, krijimin e farërave të zgjedhura, përdorimin e plehrave kimike, duke dhënë frutet e veta në rritjen e rendimenteve në drithërat e bukës.
Brenda 2-3 vjetësh Grazhdani u bë ndër kooperativat më të dalluara të rrethit. Si fshat ka një histori të vjetër e të re. Aty ndodhet kalaja e ndërtuar në shekullin IV (pas Krishtit), banojnë njerëz patriotë e punëtorë, arsimdashës e me kulturë, në harmoni me njëri-tjetrin si një familje e madhe. Kultura e bashkëjetesës e trashëguar ndër breza përbëjnë vlera që u çuan më përpara në sajë të drejtuesve të fshatit, njëri prej tyre edhe Avdulla Baftjari. Në respekt të babait të tij Avdullai kishte kënaqësinë të thirrej edhe me mbiemër Baftjari, prandaj njerëzit që e rrethonin, miqtë e dashamirësit e thërrisnin sipas kësaj dëshire e shprehur dhe në dokumenta. Me krijimin e kooperativës së bashkuar të Dovolanit, kryetari kishte dhënë provat prandaj populli e zgjodhi njëzëri Avdullain si kryetar të saj. Përvoja e Grazhdanit i kishte kaluar kufijtë e fshatit, ajo do të shtrihej në të gjitha fshatrat e Dovolanit, duke u njohur në të gjithë Dibrën e më gjerë. Shembulli i kryetarit pranë njerzve kudo në frontet e ndryshme të punës deri në familje ndiqej edhe nga kuadrot, administrata, punëtorët e ndërrmarjeve të ndryshme e tjerë. Zgjidhja e nevojave dhe problemeve me drejtësi, pa zvarritje e sorrollatje burokratike, ishte motoja e punës së tij. Interesimi për sektorë të tjerë si arsimi dhe shëndetësia ishin në qendër të vëmendjes. Kujdesi për të sëmurët në fshat, furnizimi i popullit, ngrohjen e shkollave, çerdheve, kopshteve, strehimin e mësuesve e deri tek veprimtaritë kulturore e artistike e bënë kooperativën bujqësore të Dovolanit një qendër të përvojës së përparuar në shkallë republike.
Në Dovolan nuk njiheshin shpërdorimet, vjedhjet, krimet e tjerë. Në këto arritje pa dyshim, kryetari kishte meritat e tij. Populli i vlerëson dhe i inkurajon punën dhe djersën e kuadrove dhe drejtuesve të tij. Këto ishin arsyet e zgjedhjes deputet në tri legjilatura, 1966-1978 të Avdulla Baftjarit, njeriut të thjeshtë, gjithnjë me qeleshen karakteristike dibrane, që e shoqëroi deri në Kinë në një vizitë si pjesë e delegacionit qeveritar në vitin 1960.
U martua me Xhevrie Sulejman Deshatin nga Greva, një familje me tradita për trimëri, besë e bujari. Lindën 6 fëmijë: 3 djem e 3 vajza. Bexheti, ndër djemtë më i madhi, mbaroi Universitetin e Tiranës, dega fizikë, ka dhënë një kontribut për zhvillimin e arsimit në Dibër, si mësues në Maqellarë e Peshkopi, aktualisht drejtor në shkollën 9 vjeçare “Isa Boletini” në Kodër-Kamëz. Fëmijët e tjerë të arsimur e integruar në shoqëri, shembull në komunitetet ku punojnë e jetojnë. Xhevrija ndoqi shembullin e familjes së kryetarit në kooperativë, ndërsa si amvisë bashkoi traditën e dy familjeve si bujare e mikpritëse. Së bashku me Avdullain ata pritën e përcollën me zemër nënpunës, udhëtarë e kalimtarë si shumë familje të Grazhdanit. Me një ndjenjë të lartë humanizmi ata rritën një fëmijë, Bedri Shaveli, gjetur në shkallën e Tujanit nga Avdullai në vitin 1950, të braktisur nga prindër të humbur. Bashkë me fëmijët e tyre u kujdesën gjatë gjithë jetës edhe pas sistemimin në punë në minierën e mermerit Muhurr. Familja e Avdullait bashkë me dy vëllezërit Ashimi e Destani, motrat Shazie e Hatixhe, për tre breza numëron mbi 100 antarë, me nipër e mbesa, shumë prej tyre shkëlqejnë në profesionet apo studimet brenda dhe jashtë vendit.
Besmiri, valltar ne Ansamblin Popullor të Këngëve dhe Valleve, shpallur mbret i valles popullore në konkurrimin e kësaj valleje në Lushnjë; Altini së bashku me bashkëshorten mjek dhe profesor në Amerikë; Gazi, ekselent në studime dhe mbrojtjen e diplomës në Gjermani dhe tani vazhdon doktoraturën për elektronikë, pa folur për inxhinier, mjek, sociologë e financierë të tjerë që kanë mbaruar apo vazhdojnë studimet.
Natyrisht, gjyshi bëhet krenar dhe ndjen kënaqësi kur rrethohet prej tyre, i zgjatet jeta kur dëgjon për përparimet e fëmijëve dhe pasardhësve të tij. Nuk mund të përshkruhet gëzimi i Avdullait kur mësoi se mbesa e tij Almira Zebi (Xhembulla) mori mandatin e deputetit në zgjedhjet e vitit 2017.
Emocione të ngjallin porositë e tij për deputeten e re: “Të mbetesh e pastër, të mos mbash njeri me hatër, të jesh e drejtë, larg inateve dhe intrigave, të ruash nderin tand dhe nderin tonë. Suksese”
Avdullai ndjek me vëmendje dhe shqetësim zhvillimet si qytetar, brengoset kur dëgjon për mosrealizimet, shfaqjet e korrupsionit, vrasjet, largimet nga vendi e boshatisja e fshatit. Është shumë i interesuar të dijë për punimet e Rrugës së Arbrit, ëndërr e hershme e banorëve te Dibrës.
Avdulla Aga ëshë në prag të shekullit. Kur kthehesh mbrapa në kohë brezat në përgjithësi dhe brezi i ri në veçanti mund të nxjerrin mjaft mësime nga përvoja e gjatë e mjeshtrit të vërtetë të punës në bujqësi, plot pasion, dashuri e përkushtim. Ai gjithë jetën ia kushtoi rritjes së mirëqënies e përparimit shoqëror të fshatit. Padyshim, eksperienca të tilla kërkojnë studime, vlerësime e përgjithësime aq të domosdodhme për përparimin e bujqësisë në kushtet e reja të zhvillimit bashkëkohor të saj. I urojmë jetë sa më të gjatë, të begatë e pa brenga.