Rruzhdi Lata e donte Dibrën pa kufij


Rruzhdi Lata ishte një misionar. Ai nuk ishte vetëm Myftiu i Dibrës, por ishte Myftiu i shqiptarëve. Me dashurinë për Zotin ai u shërbeu njerëzve, dibranëve e shqiptarëve, kudo ku ishte dhe kudo ku e kërkuan.

Rruzhdi Latën e kam njohur në vitin 1992. Ishte kohë që ai jetonte mes Prishtinës e Dibrës. Ai jepte ligjërata në Universitetin e Prishtinës në fakultetin e Orientalistikës, por jo në mjedise auditoresh, por në një shtëpi private. Pashë në sytë e tij dhe ndjeva në fjalën e tij se Dibrën e kishte në zemër.

Ajo që na afroi e na miqësoi ishte besimi.Pas atij takimi, shumë shpejt u kthyer në Dibër dhe prej atëherë jemi takuar vazhdimisht. Ndarja e tij nga kjo botë ishte e parakohshme, bash në kohën kur puna dhe angazhimi i tij fetar, politik e shtetar po jeptë frytet e veta. Tashmë këto arritje do t’i shohë nga Xhehneti.

Në vitin 2008, babai im, Hazizi, u takua në Tiranë me Myftiun e Dibrës. Ndenjën gjatë dhe biseduan. Kur shkuam në shtëpi, më tha: “Sot kam njohur besimtarin që, kur fliste, ishte i lidhur direkt me Zotin”.

Rruzhdi Lata, ashtu siç ishte i lidhur me Zotin, ishte i lidhur edhe me njerëzit. Dinte të komunikonte me to, pavarësisht moshës, arsimit, gjendjes ekonomike apo shkallës së besimit. Ai e gjente çelësin e  komunikimit me të gjithë. I shtruar, i qetë, pa të bërtitura e pa bujë. Ai i bënte vend vetes me fjalën e shtruar, me mençurinë dhe dashurinë e tij për Fenë dhe Atdhenë.

Rruzhdi Lata ishte një atdhetar. Ai bënte propagandë për lirinë dhe bashkimin e shqiptarëve. Ai punoi dhe iu përkushtua çështjes kombëtare. Ai përkrahu luftën çlirimtare të Kosovës dhe atë në Maqedoni. Angazhimi i tij në radhët e BDI ishte një përkushtim në anën e drejtë të çështjes shqiptare, e sidomos të të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni. Rruzhdi Lata, kur fliste për çështjen shqiptare citonte themeluesit e Rilindjes Kombëtare: Abdylin, Samiun, Naimin, Pashko Vasën e Asdrenin e deri te themeluesit e pavarësisë së Shqipërisë, Ismail Qemailin e Dom Nikollë Kaçorrin,  Haxhi Vehbi Dibrën, Haki Sharofin, Fuat Dibrën e plot të tjerë. Ai besonte se një besimtar i mirë ishte një atdhetar i mirë.

Rruzhdi Lata do të mbahet mend si një ndër të vetmit që e ushqeu dhe e forcoi lidhjen me Tiranën. Angazhimi i tij për lobimin për ndërtimin e Rrugës së Arbërit ishte i fuqishëm, sa në Tiranë aq edhe në Shkup.

Dëgjoja shpesh në debate televizive sulmet që i bëheshin heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit nga besimtarë islamë, edhe ndonjë imam, por kur bisedoje me Rruzhdiun dhe e dëgjoje të fliste me pasion dhe dashuri për Skënderbeun dhe çështjen shqiptare, kuptoje se gjithçka që kishe dëgjuar ishte një humbje kohë. Rruzhdi Lata ishte kudo në Dibër ku organizohej një veprimtari me karakter historik: në Çidhën e Peshkopi, në Koxhaxhik e Valikardhë, në Tiranë e Nju York. Dhe kudo që shkonte fliste shkurt dhe qartë.

Rruzhdi Lata ishte një misionar. Ai nuk ishte vetëm Myftiu i Dibrës, por ishte Myftiu i shqiptarëve. Me dashurinë për Zotin ai u shërbeu njerëzve, dibranëve e shqiptarëve, kudo ku ishte dhe kudo ku e kërkuan.

Rruzhdi Lata ishte një shërbëtor. Ai pranoi t’i shërbente Dibrës në qeverisjen vendore. Ai “rrezikoi” profilin e tij prej imami duke u angazhuar politikisht, por ia doli që të ketë sukses. Dibra ka pësuar shumë ndryshime. Janë ndërtuar shkolla e janë hapur rrugë. Janë thithur më shumë investime dhe ia ka arritur të angazhojë grupe interesi që të punojnë për Dibrën e ta zhvillojnë Dibrën.

Rruzhdi Lata ishte një i ditur. Ai njihte pesë gjuhë të huaja. Lexonte vazhdimisht. Zyra e tij në Myftini ka qenë një bibliotekë e madhe, rrethuar ngado me libra. Dhe kur flisje me Rruzhdiun flisje me shumë njerëz të ditur, sepse Ai nuk citonte vetëm ajete Kuranore, por edhe njerëz të ditur, që me dijet dhe veprimtarinë e tyre kishin ndryshuar botën.

Rruzhdi Lata do të mbahet mend si një ndër të vetmit që e ushqeu dhe e forcoi lidhjen me Tiranën. Angazhimi i tij për lobimin për ndërtimin e Rrugës së Arbërit ishte i fuqishëm, sa në Tiranë aq edhe në Shkup. Ai merrte pjesë në çdo veprimtari që shoqatat dibrane organizonin në Tiranë, si në Kuvendin për Rrugën e Arbrit, veprimtaritë për 100-vjetorin e pavarësisë e plot të tjera. Ai besonte se lidhjet me Tiranën, pse jo edhe një binjakëzim i Dibrës me Tiranën do të ishte i afërt dhe me Rrugën e Arbrit do të ishte i pashmangshëm.

Rruzhdi Lata e donte Dibrën pa kufij. E donte Shqipërinë e Kosovën. I donte shqiptarët pa dallim. Ai ishte një Atdhetar i madh. Ishte një figurë e madhe shqiptare për lirinë dhe bashkimin e tyre. Ai ishte një paqedashës. Ai ishte një besimtar i devotshëm për fe e Atdhe.

Ai tashmë po shijon Xhehnetin, ndërsa ne do ta ndjejmë mungesën e tij. Por dashurinë e tij do ta ndjejmë përherë mes nesh.

Jetëshkrim i Mr. Ruzhdi Lata

I lindur më 06.05.1953, në Dibër. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në Medresenë “Alaudin” në Prishtinë. Pas përfundimit të shkollës së mesme vazhdon studimet ne fakulltetin Filologjik-dega Gjuhë orientale në Universitetin e Prishtinës. Shkallën e tretë të studimeve e kreu në Universitetin e Prishtinës dhe morri titullin Magjistër i shkencave të filologjisë.

Karriera: Prej vitit 1980 ka punuar në Bashkësinë Islame dhe në të njejtën kohë ka ligjëruar në Universitetin e Prishtinës në katedrën e Orientalistikës deri në vitin 1991 kur sërbët me dhunë e larguan nga fakullteti. Punën në Prishtinë e vazhdoi edhe dy vjet në shtëpi private ku fakullteti mbante mësim. Pas vitit 1993 përsëri paralelisht dy vjet punoi në Bashkësinë Islame në Maqedoni dhe në Fakultetin e Shkencave Islame në Shkup deri në vitin 1995. Pas vitit 1995 punoi vetëm në Bashkësinë Islame deri në vitin 2009, pas vitit 2009 gjer në vitin 2013 punoi në Bashkësin Islame dhe ligjerues në katedrën e Orientalistikës në Universitetin Shtetëror të Tetovës. Në vitin 2013 u votua dhe u zgjodh kryetar i Komunë së Dibrës.

Gjuhët: shqip, maqedonisht, sërbokroatisht, turqisht dhe arabisht.

Gjatë karierës është marrë me përkthime nga arabishtja, vepra e dhjetë e Sahihil-Buhariut, nga turqishtja, romani i Sami Frashërit “Dashuria e Talatit me Fitneten”, publikim i disa artikujve në katër vazhdime për Haxhi Vehbi Dibrën, Haki Sharofin, Fuat Dibrën etj.

Pjesmarrës në disa simpoziume ndërkombëtare dhe konferenca shkencore me temë “Kontributi i Ulemave dibranë në lëvizjen kombëtare”, “Kontributi i Ulemave të Rekës”, “Pjesmarrja e hoxhallarëve në Lidhjen shqiptare të Prizrenit dhe në Shpalljen e Pavarësisë” etj.

Përkrahës i lëvizjeve demokratike në Dibër dhe më gjërë, kontribut të veçantë ka dhënë për themelimin e partive politike shqiptare në Dibër pas vitit 1990. Njihet edhe si aktivist për pajtimin e popullatës në raste konfliktesh të të gjitha niveleve dhe ka të regjistruar mbi 150 pajtime. Njihet edhe si organizator për ndihmesë materiale për nevojën e kosovarëve, për pritjen dhe sistemimin e bashkëatdhetarëve nga Kosova në Dibër, për Lëvizjen kombëtare shqiptare në Maqedoni, për nevojat e qytetarëve të Peshkopisë në krizën e vitit 1997 etj.

Për punën e bërë me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë dekorohet Qytetar Nderi nga Këshilli Bashkiak i Peshkopisë. (Marrë nga webfaqja e Komunës së Dibrës së Madhe)