Skandali me privatizimin e Llixhave, një mega aferë korruptive


Prej disa ditësh lajmi për një vendim korruptiv për dhënien me koncesion të ujit të llixhave ka trazuar jo vetëm banorët e lagjes së Llixhave por të gjithë dibranët.
Vendimi është marrë me 11.12.2018, dhe ka dalë në dritë vetëm pak ditë më parë. Në atë mbledhje të Këshillit të Basenit ujor Drin – Bunë, përfaqësuesit e Bashkisë dhe prefekturës justifikohen se kanë votuar kundër dhe se gjoja nuk kanë patur kohën e duhur për të njoftuar Këshillin Bashkiak, por nuk sqarojnë pse e kanë mbajtur të fshehur vendimin.
Atëherë pse Bashkia Dibër shtiret sikur s’ka patur informacion?
Në fakt drejtori i Bujqësisë në Bashki, përfaqësues në Këshillin e Basenit Drin – Bunë nuk paska patur kohë një muaj për të informuar Bashkinë.
Si ka mundësi Kryetari i Bashkisë nuk ka informacion kur ka çuar Drejtorin me dieta që e përfaqëson, dhe në anën tjetër shkon përpara banorëve me përfaqësuesin e kompanisë që ka marrë me koncesion ujin?!
Këshilli i Basenit e ka njoftuar disa herë Bashkinë për të marrë ujin në përdorim dhe kjo e fundit nuk ka shkuar …
Pse Bashkia nuk ka shkuar për ta marrë në përdorim ujin e Llixhave, duke qene se ajo e kishte në përdorim në fakt…?!
A ka njeri që nuk e kupton këtë lojë?! Bashkia e ka lënë qëllimisht këtë shteg, për të depërtuar dhe për të ndihmuar dhënien me koncesion. Pra, Bashkia e paska ditur, se llixhat mund ti marrë dikush tjetër kur nuk i merr vetë.
Këshilli i Basenit ujor në Shkodër ka votuar dhe ka dhënë një vendim pa patur informacion për sasinë e ujit, dhe se aty ka një institucion në varësi të Bashkisë, që ka godina, që ka vaska, ka administratë dhe që prurjet e ujit në total nuk janë më shumë se 8.7 litra në sekondë. Si mund të jepen 6.1 litra?
Atëherë kush e ka keq informuar qëllimisht inspektoratin teknik të Këshillit, për të dalë në atë vendim?
Po përfaqësuesi i DSHP që na paska votuar kundër, pse nuk ka informuar se ky vendim për llixhat është marrë në Shkodër?!
Pse mbledhja e Këshillit është zhvilluar me vetëm 13 anëtarë kur ky këshill ka në fakt 23 anëtarë?
Po nëse këto dy përfaqësues të Bashkisë dhe DSHP Dibër do kishin dalë nga kjo mbledhje a do zhvillohej mbledhja dhe a do i jepnin kohë për t’u kundërshtuar ai vendim?
Këto janë disa nga pikëpyetjet që shoqërojnë këtë vendim korruptiv, këtë aferë për marrjen dhe gllabërimin e llixhave të Dibrës.
Pra, të gjitha institucionet që vetë Dibranët i kanë votuar, apo edhe u kanë blerë votën në vend që të mbajnë anën e banorëve, i marrin ato për budallenj duke i nëpërkëmbur e duke mbështetur projekte e klane mafioze që kanë për qëllim marrjen e ujit të llixhave.
Unë, si përfaqësues i popullit të Dibrës në Kuvend, dhe Partia Demokratike jemi në krahun e banorëve deri në zbardhjen e plotë të kësaj afere korruptivo-mafioze dhe anullimin e vendimit.
Askush nuk mund ta marrë ujin e llixhave në dëm të 35 hoteleve, të më shumë se 200 shtëpive pritëse, të më shumë se 2 mijë banorëve të lagjes, por edhe gjithë Dibrës, pasi secili preket nga ky koncesion korruptiv.