Profesor Egriu, “ambasadori” dibran në Suedi


Të shkruash për profesorin e nderuar, Ibrahim Egriu, është sa e lehtë, aq dhe e vështirë. E lehtë, sepse jeta e tij është e ngjeshur me një aktivitet të begatë arsimdashës e patriotik. E vështirë, sepse nuk mundesh të pasqyrosh gjithë këtë material, brenda kornizave të një shkrimi, apo emisioni televiziv.
Profesor Egriu lindi në Maqëllarë të Dibrës, në vitin 1939, vit që përkon me pushtimin fashist të Shqipërisë. Ishte ky një mesazh i qartë, se jeta e tij do të ishte përherë e trazuar e ai si një skaf i shpejtë, do të kapërcente në shpinë të dallgëve, për të arritur bregun.
Kombi i tij rënkonte. I ndarë e i copëtuar në disa shtete, zemra në Tiranë, gjymtyrët në Prishtinë e deri në Shkup, degë të tjera në Europë e botë. Ibrahimi i ri e kuptonte se për të kryer misionin e tij duhej të ishe i ditur e më pas t’ua përcillje të tjerëve këtë dituri. Mbaroi arsimin e mesëm e më pas shkollimin e lartë për gjuhë letërsi. Jo më kot e zgjodhi këtë degë, pasi gjuha e leximi ishin më të rëndësishmit për momentin. Ky komb duhej të kultivonte e të mbante gjallë gjuhën e tij dhe vetëm përmes saj të mbijetonte. Profesori, atëherë i ri u dashurua me dramën. Kjo gjini e artit mund ti jepte mundësi për ti dhënë popullit të tij mesazhe për revoltë, mesazhe se makina e vjetër luftarake po jepte shpirt.
Viti 1979. Katër drama të vëna në skenë me ndjenjë, art dhe emocion. Katër drama që tronditën dhe pështjelluan jetën intelektuale të Shkupit. Kishte në to fllad, kishte revoltë, jetë, lotë e shpresë. Të tilla ndjenja provokuan dramat e Ibrahimit, që tashmë kishte filluar të piqej. Por makina luftarake nuk mund të lejonte gjëra të tilla të rrezikshme ti kalonin nën hundë. Ato do të ishin një shkatërrim për të. Profesori e nuhat atë që po gatuhej për fatin e tij dhe të intelektualve të tjerë shqiptarë, furtunën që pritej të kosiste kokat e tyre. Ai nuk do t’ja lejonte vetes të plasej sërish në burg. Nata e tmerrshme e vitit të ri 1969, ishte akoma e freskët në kujtesën e tij.
Iku në Zvicër e më pas në Suedi, bashkë me familjen. Iku atje ku fjala është e lirë, ku fjalën nuk e prangosin, ku buzët që e shqiptojnë atë nuk i mbyllin, ku duart që e shkruajnë atë nuk i lidhin. Iku me një brengë në zemër, por dhe me një shpresë, me një përkushtim. Ndoshta akoma më shumë do ti jepte çeshtjes shqiptare, do ti jepte trupin dhe shpirtin e tij.
Më 5 maj 1986, hapet në Suedi radioja e parë shqiptare, ku Ibrahimi ishte truri i saj. Ai ishte redaktori, regjizori, gazetari, ndërlidhësi. Net të tëra, kujton profesori, e gdhinim në një divan të thjeshtë, aty në studjo. Pinim kafe të shpeshta dhe harronim ndonjëherë të hanim dhe bukë. Sidoqoftë, pas viteve nëntëdhjetë, çeshtja shqiptare do të diskutohej në shumë media e tryeza të politikës botërore. Ishin vite të vështirë, por shpresëdhënës. Dhuna e represioni ndaj shqiptarëve, bënë që të largohen 60 mijë veta vetëm në Suedi. Kush do ti dallonte këta njerëz më pas se janë shqiptarë, po të mos ishte gjuha? Kjo pyetje vërtitej papushim në kokën e profesor Ibrahimit dhe të kolegëve të tjerë. Përpjekjet e tyre spontane duheshin bërë më efektive dhe ngritur në një shkallë më të lartë.
Më 30 maj 1992, krijohet L.A.SH, Lidhja e arsimtarëve shqiptarë. Nuk ishte thjeshtë një emër, një organizatë fantazëm, një shoqatë si të sotmet, që gëlojnë gjithandej për të vjedhur në mënyrë moderne. Ishte një staf pune me 266 pedagogë, që mësuan pa fare shpërblim 7200 nxënës, në 72 kampe, anëembanë Suedisë. Madje, si të mos mjaftonte kjo dhe tekstet shkollore duhej ti hartonte vetë. Shumë shpejt, nxënësit mbanin në duar gramatikën shqip – suedisht, antologji, histori, gjeografi e plot tekste të tjerë. A mund ti harrojnë këta nxënës, vite më vonë, mësuesit e tyre, këta heronj, që ditën tu sjellin dritën, kur ajo po mekej, që u mbollën krenarinë e të qenit shqiptar, kur ajo po hidhej si një maskë pa vlerë? Me siguri, jo. Emrat e tyre janë gdhendur në botën e të gjallëve, por besojmë dhe Zoti i Gjithësisë, do tu afrojë vende të këndshme në xhenet, ku rrjedhin lumenj të mrekullueshëm.
Shtatë mijë shqiptarë mbaheshin në burgjet serbe. Ata kërkonin për avokat mbrojtës popullin shqiptar, dheun që i lindi dhe i rriti këta trima. Zëri i Ibrahimit bashkohet me atë të shqiptarëve të tjerë, për të sensibilizuar organizma vendimmarrës kudo në botë, deri në kongresin amerikan. Ai bashkon, jo thjeshtë zërin, jo thjeshtë pendën e tij të mprehtë, por shumë më tepër. Bëhet organizator i dy grevave të urisë në Malmoe. Natën e vitit të ri 2000, kur njerëzit hanin e pinin gjëra të zgjedhura, profesori me shokë luftonte mes jetës dhe vdekjes. E çfarë mund të jepte profesor Egriu më shumë se jetën e tij? Por jeta i duhej akoma, se punë të tjera, të mëdha e prisnin përpara.
26 – 27 Nëntor2001. Në Prizrenin historik, në Prizrenin e kongreseve të mëdha, mblidhet Lidhja shqiptare botërore. 1600 delegatë, që nga Australia e largët, Amerika, Europa dhe padyshim nga trojet amtare, miratuan njëzëri platformën e bashkimit kombëtar, “ në paqe e për paqe”. Më tej platforma vazhdonte me kërkesën për forcimin e unitetit kombëtar dhe të kërkohen të drejtat e liritë e nëpërkëmbura shqiptare. Fjala e kryetarit Kuzhnini pasohet nga shumë të tjera. Profesor Egriu vinte në cilësinë e kryetarit të Lidhjes shqiptare botrore, për vendet skandinave, si dhe ishte në kryesinë e punës për organizimin e Kongresit. Fjala e tij pritet me nderim e respekt të veçantë. Pjesmarrësit mendojnë se është koha për një Institut shqiptar të studimeve gjeostrategjike, abetare dhe histori të përgjithshme kombëtare. Ishin këto delegatë, përfaqsues të rreth 15 milionë shqiptarëve, kudo në botë, që duket se po rizgjohen nga koma.
Në krah të profesor Egriut, e shoqja e tij, Mensurja, një grua me tipare të bukura dhe pse mosha bën të sajën. Një miku im teolog, emrin e saj e përkthen si ndihmëtare. Vërtet, e tillë ka qenë zonja e tij fisnike, duke mbështetur për gjysëm shekulli punën titanike të profesorit. Ata janë gjithnjë bashkë, në krah të njëri tjetrit. Kanë katër djem të mrekullueshëm, që punojnë me biznese serioze e të ndershme, duke u përpjekur ta çojnë më tej punën e babait të tyre.
Në fillim të viteve nëntëdhjetë, me ardhjen e demokracisë, Ibrahimi shkon në Maqëllarë të Dibrës, të çmallet me vendlindjen. Njerëzit që banonin në trojet e tij u trembën se do tu merrte tokën dhe shtëpinë, por ai i qetësoi. O vëllezër, nuk kam ardhur për t’ ju flakur në rrugë, porse isha mallëzuar. Mori një grusht dhe te pragu i shtëpisë, e puthi, e lagu me lot dhe nuk fliste dot nga ngashërimi.
Profesor Egriu tani po u drejtohet të tetëdhjetave. Ndër urimet e shumta që i kanë ardhur nga të katër anët e botës, do të veçonim atë të patriotit shqiptar, Beqir Elshani. “ Ti je një lumë dibran, që kurrë nuk ndalesh dhe fare nuk do t’ia dish për stuhinë dhe rrebeshet. Sa më shumë që ka furtunë, aq më shumë shkruan dhe ti, meqë në zjarr njihet ari dhe në erë valon flamuri kuq e zi. Atje ku ka revoltë, atje je dhe ti. Atje ku ka fitore, atje je dhe ti. Të lumtë dhe dalsh faqebardhë!