A jemi në kohë  për të pritur “Rrugën e Arbërit”?


Nuk do të flas për rëndësinë e kësaj rruge mbasi kanë folur shumë  akoma pa u bërë. Askush nuk duhet të dyshoj për rëndësinë e saj por mua më duket se flitet vetëm në një drejtim  ose vetëm për të tërhequr vëmendjen e publikut në momente të veçanta. Thuhet se rruga do të sjell shumë të ardhura sikur ajo do punojë e ne do e vjelim. Mendoj se njerëzit duhet të kuptojnë se sot duhet të flitet për kosto jetese e kosto biznesi e se rruga do të zvogëlojë koston e jetesës, do zvogëlojë koston e biznesit. Por gjithmonë kur e ke nisur mbarë një të tillë. Dhe akoma më mirë kur përfundimi i rrugës e gjen këtë biznes të   ngritur. Dhe një ndër burimet më të mëdha të zonës nga kalon “Rruga e Arbrit” është bujqësia dhe pasuria natyrore e këtij vendi. Prandaj mendoj se rruga duhet ti gjej dibranët atje e jo të presin që të  shkojnë pasi të jetë bërë rruga.
Kur është publikuar projekti i “Rrugës së Arbrit” në materialin prezantues thuhet: “Rruga e Dibrës, e quajtur Rruga e Arbrit, rrugë aq e pasur me histori, parashikohet të jetë një ndër rrugët më të bukura turistike në trevat shqiptare”.
Rruga padyshim do të sjellë turistë nga gjithë vendi, por dhe të huaj, të cilët janë të prirur të shikojnë vende të pashkelura. Por sapo themi që do të jetë tërheqëse për turistët menjëherë të shkon ndërmend se çfarë do t’ju ofrojnë turistëve zonat nga kalon ose zonat që kjo rrugë i afron me turistët. Natyrisht që çdo vizitor do të shikoj një peizazh natyror që se ka parë ndonjëherë, një natyrë e virgjër, por jo e bukur, një rrugë e vjetër që në lashtësi, por pa objekte arkeologjike të zbuluara për t’i vizituar, një rrugë që përshkon ultësira lumenjsh, kodra e male, që duhet të jenë të veshura nga pyjet  e anash saj një bujqësia e zhvilluar. Realiteti për fatin tonë është jo i mirë. Edhe më parë por dhe për këto njëzetetetë vite zona nga kalon “Rruga e Arbrit” dhe zonat që ajo afron me kryeqytetin janë zhvilluar shumë pak por dhe janë shkatërruar e dëmtuar nga dora e njeriut direkt ose indirekt pa menduar se një ditë do pendohen të gjitha palët.
Zonat nga kalon “Rruga e Arbrit”: ato të  Malësisë së Tiranës, të Matit, të Klosit, të Bulqizës, të Maqellarës, të Peshkopisë e deri në Çidhën, në vendlindjen e Kastriotëve, duhet të nxitojnë për të punuar sa më parë për t’a ndryshuar pamjen e saj me projekte konkrete të familjeve, projekte të bizneseve dhe të projekteve nga qeveria.
Ka projekte për zhvillimin e bujqësisë në këto zona si ai i arroreve, i bimëve aromatike,  pemtoreve, etj. Këto zona kanë një peizazh që të jep mundësinë që këto projekte të mund të vihen në zbatim. Mirëpo nuk duhet kthyer qëllim i menjëhershëm mbjellja për një objektiv të vënë dhe me rezultat të pritshëm as 50% se fondet shkojnë dëm e zonat ngelen në vendnumro.
Kam dëgjuar që ka projekte zhvillimi për çdo njësi vendore në Dibër që po të zbatohen do të ndihmojnë shumë, por unë dua të tërheq vëmendjen e të gjithë atyre që jetojnë apo kanë prona në krahinën e Dibrës. Ç’do njëri prej tyre duhet të ketë një projekt personal për shpinë, për tokën që punon sot dhe për atë që e ka lënë për ta punuar ndoshta nesër, për territorin rreth e qark shtëpisë. Por, e para punë që duhet zgjidhur për të patur një projekt të zbatueshëm është në çfarë gjendje e ke tokën, terrenin ku ke shtëpinë. Për mendimin tim është problemi i parë që duhet zgjidhur për zonat që përshkon e afron “Rruga e Arbrit”.
Toka dhe terreni në të dy anët e rrugës si dhe në fshatrat e Dibrës janë në një gjendje jo të mirë sepse  menaxhimi i tyre është bërë në mënyrën më të keqe të mundshme “sepse pyjet u prenë, lumenjëve ju morën inertet atje ku bëhet më shumë dëm, në faqet e kodrave u hapën gurore pa fund, e m’u  poshtë shtëpive tona, pritat e lumenjve u shkatërruan, e ndërtimet e tyre ngelën në letër, dhe ndoshta fondet janë harxhuar për një pritë që s’ekziston. Dhe në rastet e pyllëzimeve, për të luftuar erozionin, nuk është mbjellë në vendet ku duhet, tek përroi i krijuar apo tek méja e shembur, por në arat kur dikur mbilleshin me grurë e misër.
Kjo gjendje ka shtuar fenomenin e erozionit që është një zinxhir që fillon nga minipërrenjtë tek përrenjtë dhe këta tek lumi, të cilët kanë marrë me vete jo vetëm tokë por dhe gurë e drurë.
Kjo ka bërë një rritje të nivelit të lumit duke e sjell atë me lart dhe ai (lumi) i është sulur tokës më të mirë dhe po e merr me vete. Kush kalon sot luginës së Drinit nga Maqellara në Reç do shoh një lum që ecën për qejf të vet. Ka vënë përpara tokat e Luznisë, të Muhurrit e Vaj-Mëdhej, e  të Sinës, dhe Kishavecit, po i shkon në shpi. Kthehet Drini sa në tokat e Mustafe e në Fushë-Alie dhe me gjithë furinë e vet po e vé Zall-Dardhën përpara. Lugina e Drinit të Zi ka qenë në shekuj një “hambar i drithit” jo vetëm për Dibrën por dhe për krahinat rreth saj. Por mos ndoshta është lënë qëllimisht për ti ulur vlerën në pritje të një hidrocentrali që do të groposte gjithçka nga pasuria e dibranëve dhe do varroste  dhe investimet e harxhuara për projekte e për prita që s’u bënë kurrë.
Zgjidhja bëhet duke u përqëndruar tek hallka e fillimit që janë përrenjtë që sot në shumë zona në të gjithë Shqipërinë janë kthyer në hone ku jo vetëm shtëpitë por edhe njerëzit po thyejnë qafën.
Sistemimi i përrenjëve me prita është baza ku duhet të përqendrohet gjithë vëmendja e shtetit me projekte për subvencione në bujqësi për pemëtore e pyllëzime të cilat pa këto prita nesër do të përfundojnë në det. Ashtu si një shtëpi nuk bëhet pa themele edhe një investim në bujqësi nuk bëhet pa mbrojtur tokën mbi të cilin bëhet ky investim. Dhe kuptohet që një pemëtore e çdo lloj është një investim afatgjatë.
Qeveria bën mirë që të financoj “infrastrukturë” për tokën, sidomos për mbrojtjen e saj nga erozioni. Dhe është rasti të filloj me “Rrugën e Arbrit” ku në të dy anët e rrugës,  nga një km thellësi, të projektohet pyllëzimi i saj me drufrutorë e pyjorë sipas një studimi përshtatur me tokat dhe terrenin. Dhe ta vazhdoj me Luginën e Drinit të Zi për në Vendlindjen e Skënderbeut (Sinë) që natyrisht do të jetë një vend tërheqës për turistë e vizitorë të shumtë.
Nga ky objektiv për të mbrojtur tokën nuk duhet të  përjashtohet askush qoftë ai që jeton aty qoftë ai që ka pronën, por sot është larguar. Secili duhet të bëj mbrojtjen e tokës e të pronës së vet të paktën deri 50  metra larg saj dhe të mendoj për ta pyllëzuar e mbjell sipas rastit.
Kush kalon sot nëpër terrenin ku kalon “Rruga e Arbrit” vë re përrenj të vegjël e të mëdhenj që nuk është e vështirë ta llogarisë kushdo se sa sipërfaqe zë erozioni. Bëni një foto të këtij tereni dhe matni sipërfaqen e gërryer e pa bimësi dhe nxirrni përqindjen që zë kjo ndaj sipërfaqes së fotos dhe jam i bindur se i afrohet 50%-it, pra gjysmës. Kjo do të thotë se një turist që do të kaloj andej nuk do ti kënaqet syri duke parë një natyrë të shkatërruar si kjo. Ai nuk vjen për rrugën (se rrugë ka njëqind herë më të mira se tonat) por për natyrën, dhe atë e do të bukur  ndryshe nuk vjen më.
Krahpërkrah me luftën kundër erozionit të vazhdoj mbjellja e pemëve frutore (mollë dhe dardha vendi, arra dhe lajthi, etj.) që zona e Dibrës i ka traditë. Por dhe i kulturave të tjera që zona i kultivon prej shekujsh e me emër siç është fasulja shoqëruese, misri gushtak, perimet jashtë sezoni kryesisht ato të vonshme.
Banorët e zonave të Dibrës që  jetojnë por dhe ato që kanë pronat atje duhet më së pari duhet të bashkojnë tokat sipas vëllazërisë dhe të konsultohen me specialistët e bujqësisë të të gjitha degëve pastaj të mbjellin atë që duhet, se, mbjelljet bëhen për të fituar, e jo për ti shpenzuar lekët se duhet plotësuar ky projekt apo ai projekt  i qeverisë.
E rëndësishme është dhe mënyra se si ju tregtojmë produktet tona. Sot mosbesimi për atë që blejmë është i madh dhe sidomos tek perimet dhe frutat. Nuk besojnë se i ke vjelur nga pemëtorja apo kopshti yt kur tregton në rrugë. Mendoj që të kalohet në formën që vizitori ti vjelë vet ato në pemëtore dhe në kopsht. Besueshmëria do shkoj në vend dhe kërkesa për produkte do rritet nga viti në vit. Kjo mund të thuhet dhe për blegtorinë e zonës.
Unë kam për detyrë, meqenëse e njoh tokën e Dibrës, vendin ku linda e punova shumë vite, për të këshilluar se është koha, për të menduar e punuar për të ardhmen, për biznes në bujqësi me mundësitë që do të afrojë Rruga e Arbrit.
Kultura e punës nuk ju mungon dibranëve, por duhet t’ja kërkoj këtë kulturë në radhë të parë vetes, biznesit dhe qeverisë dhe jo të zbatoj qorrazi projekte që përfundojnë në një thes miell, një kosh me arra apo në një gotë çaj boronicë.
Prandaj, sot duket se është vonë, por unë mendoj që jemi përsëri në kohë, nëse fillojmë të interesohemi  për të rritur vlerat e pasurive natyrore të Dibrës që përpjekjet të mos përfundojnë e të ngelen vetëm si sllogan:
“E dua Dibrën».
* Autori është Doktor në Shkencat e Mbrojtjes së Bimëve.