Dr. Bajram Ndreu njeriu që flet me heshtjen e tij…!
Nga Defrim Methasani


Njerëz të shumtë kishin zënë vend që në mëngjes pranë njësisë vendore të kujdesit të shëndetit Dibër, aty pranë spitalit të qytetit të Peshkopisë, në respekt të një emri të ri që do të stampohej tashmë aty, Dr. Bajram Ndreu. Kryetari i bashkisë Muharrem Rama, kryetari i këshillit të qarkut Hajri Laçi, por edhe drejtues vendor dhe qytetarëishin protagonistë të kësaj dite, ku doktori fliste me heshtjen e tij. Pasi ka përshëndetur, drejtori i kësaj njësie vendore të kujdesit shëndetësor familjarët dhe drejtuesit vendorë kanë zbuluar pllakën ku shkruhet emri i ri i kësaj qendre, Dr. Bajram Ndreu. Me duartrokitje të gjata nga të pranishmit, pllaka është zbuluar dhe aty janë bërë foto të shumta, nga familjarë miq dhe personalitete të shumta që ishin të pranishëm. Post këtij inaugurimi, qindra njerëz të ardhur edhe nga vendlindja e doktorit, por edhe fshatra e qytete të tjera, kanë zënë vend në pallatin e kulturës Peshkopi, i cili është tejmbushur, si shenjë respekti për gjurmët që doktori i la pas. Fillimisht është shfaqur një dokumentar i RTSH i titulluar “Njeriu që flet me heshtjen e tij”, kushtuar figurës së respektuar të mjekut humanist dhe njeriut të mirë Bajram Ndreu. Dokumentari evidentonte gjithë jetën e tij që nga vendlindja e deri ditën e ndarjes nga jeta, një jetë që ia dedikoi mjekësisë dhe shëndetit të njerëzve. Më pas në skenë janë ngjitur shumë përfaqësues dhe drejtues të pushtetit vendor, mjekë, miq dhe kolegë , të cilët kanë zbuluar mjaft kujtime e mbresa, por edhe kanë treguar vlerat që e karakterizonin këtë burrë të Palamanit e Ujë e m’Ujës…
Momenti kulminant ka qenë kur kur anëtari i këshillit bashkiak Astrit Ademi dhe kryebashkiaku Muharrem Rama, kanë dorëzuar vendimit e këtij këshilli për vënien e emrit në njësinë e kujdesit shëndetësor familjes se doktorit dhe djalit të tij Arben Ndreu, por edhe drejtorit të këtij institucioni Hasan Manja, i cili ka premtuar se do ta mbante me nder dhe do të kishte një përgjegjësi më shumë për ta mbajtur lart emrin e dr. Bajram Ndreut.
Më pas me këngën e mjekut është bërë mbyllja e këtij takimi që u duk se e riktheu në jetë doktorin edhe pse prej katër vitesh ai na mungon fizikisht.
Gjithsesi ky emër i bukur dhe domethënës do t’i shkojë shumë për shtat kësaj qendre të rëndësishme të shëndetit në Dibër, duke lartësuar më shumë emrin e dr. Bajram Ndreut dhe duke i dhënë më shumë vlerë figurës së pastër dhe humane të mjekut dhe njeriut të mirë të këtij komuniteti.

Kush ishte Bajram Ndreu?

Bajram Ndreu u lind në fshatin Palaman, më 10 maj të vitit 1935. Arsimin fillor e kreu në fshatin e tij të lindjes, ndërsa atë shtatëvjeçar në Sllovë. Si rezultat i aftësive të tij u zgjodh ndër nxënësit më të mirë dhe u dërgua në Shkodër, për të kryer kurset e kualifikimit për mësues. Pasi kreu kurset me sukses, punoi mësues në disa shkolla në Dibër, si në Cerjan, Lugje dhe Vleshë, nga vitet 1951 deri në vitin 1854. Më pas, ai mbushi moshën për ushtar dhe vijoi të kryejë shërbimin ushtarak në repartin 7250 në Durrës. Si djalë i etur për dije, ai u regjistrua në shkollën e mesme të përgjithshme “Naim Frashëri” dhe e mbaroi atë me rezultate të shkëlqyera. Pas mbarimit të shkollës, në vitet 1960-1965, kreu studimet e larta për mjekësi dhe u diplomua Mjek i Përgjithshëm. Ai njihte edhe gjuhët e huaja, si rusisht dhe anglisht. Me mbarimin e studimeve në Fakultetin e Mjekësisë, punoi për më shumë se një dekadë, deri në vitin 1975 në spitalin e Sllovës, duke qenë edhe drejtues i tij. Ndërkaq, që nga vitet 1976 e deri në vitin 1983, ai u ngrit në detyrë dhe emërohet drejtor i spitalit të Peshkopisë, si vlerësim për punën e palodhur, nivelin dhe aftësitë që shpalosi në Sllovë. Më pas, nga viti 1983 e deri në vitin 2004, ai punon drejtor i Drejtorisë së Kualifikimit dhe Edukimit Shëndetësor. Kujtojmë faktin që Bajram Ndreu është zgjedhur edhe deputet në legjislaturën e 7-të të Kuvendit Popullor në vitet 1970-1974.
Për vlerat e spikatura dhe rezultatet e larta të arritura në vite, si shërbëtor i komunitetit dhe drejtues i institucioneve shëndetësore, ai është vlerësuar edhe nga Presidiumi i Kuvendit Popullor i kohës me tituj dhe medaljet përkatëse.
Gjatë gjithë jetës së tij, doktor Bajram Ndreu është karakterizuar nga përgjegjësia dhe vlerat, puna, korrektesa, urtësia, pa mohuar edhe aftësitë e mëdha profesionale. Ai ishte dhe mbetet një prind, mik dhe shok model, duke lënë pas gjurmë kujtese të pashlyera në çdo vend, fshat apo qytet ku punoi me përkushtim dhe devocionin e tij të pashoq.
Vendimi i Këshillit Bashkiak Dibër, për t’i vendosur emrin njësisë vendore të kujdesit shëndetësor, është një nderim i merituar, për emrin e tij dhe kontributin e madh që dha zoti Bajram Ndreu në fushën e mjekësisë.