Shqipëria me syrin e Justin Godart


Një rrugë me emrin “Justin Godart”

Kohë më parë kam lexuar librin e Justin Godart “Shqipëria në vitin 1921”, të përkthyer me mjeshtëri nga Mirdash M. Shehu prej Dibrës. Kjo më zgjoi interesin për të bërë lidhjen dhe shkruar për rrugën dhe librin me të njëjtin emër. Një dibran i ndershëm që përkthen librin e tij dhe një Vlorë e Flamurit që vendos emrin e një rruge nga më historiket e saj.
Në zemër të qytetit të Vlorës, ku ende ruhet identiteti, gjurmët e ndërtimeve në fund të shek. XIX dhe fillimet e shek. XX, gjendet Rruga “Justin Godart”. Kjo ishte rruga kryesore e qytetit në periudhën e Rilindjes dhe të shpalljes së Pavarësisë Kombëtare. Në këtë rrugë hyri dhe Isa Buletini me trimat e tij për të marrë pjesë në festën e flamurit të vitit 1912. Në këtë rrugë Isa tha dhe thënien lapidar se “burri ulen në gjunjë vetëm një herë, kur puth flamurin kombëtar”. Në fund të rrugës nga perëndimi gjendet Sheshi i Flamurit, ndërsa në lindje shtrihet Lagjja Partizani. Nga lagjja shkohet për në Babicës, prej këtej hynë fitimtarë në Vlorë luftëtarët e 1920. Shtëpitë e kësaj rruge janë dy kate, me ballkone të vegjël. Degëzimet e rrugës të shpien në tek ish-pazarin, “lagjja e hebrenjëve”, klubi “Laberia” dhe ish-Sinagoga.
Në fund të rrugës në anën lindore deri pas çlirimit gjendej xhamia e Tabakëve, që ishte më e madhe për kohën. Rruga kishte dhe ndërtesa shoqërore në shek. XIX, si sahat tip kullë dhe postën e qytetit. Rrugës i është çuar emri i juristit të njohur francez Justin Godard. Në Konferencën e Paqes në Paris, më 1919, Justin Godart ka mbrojtur të drejtat e Shqipërisë.

Porosia e Munir F. Shehu, ruani bibliotekën

Munir F. Shehu ka qenë një intelektual nga Dibra. Ai ishte një mësues patriot, i cili gjithçka jua mësoi nxënësve të tij. Gjithashtu ai ka qenë dhe kompozitor, si dhe mbledhës i folklorit në Dibër. Edhe i biri i tij, Mirdash M. Shehu ka mësuar prej mësuesit baba.
Libri doli në dritë në saj të frëngjishtes që babai i mësoi të birit. Libri ka qenë për shumë vite pjesë e bibliotekës së Munir F. Shehu. Shqipëria gjithmonë ka pasur intelektualë të cilët kanë luftuar dhe mbrojtur më dashuri dhe pasion dijen. Një prej tyre ishte Munir Shehu, që u dallua që herët dhe ju përkushtua mësimit të historisë të vendit të tij. Në bibliotekën e tij gjenden rreth 80 libra të rrallë do të mësonte, se sa gjëra të mbrapshta bëheshin nga fqinjët dhe Fuqitë e Mëdha të kohës për fatet dhe copëtimin e Shqipërisë së vuajtur.
Por historia për librat e intelektualit Munir do të ishte një rrugëtim i gjatë. Munir Shehu kishte kulturë të gjerë, por dhe bindje demokratike. Me çlirimin e vendit dhe vendosjen e demokracisë popullore, në vitin 1945, Muniri arrestohet dhe shpallet “armik i popullit”, burgoset, lirohet, burgoset e lirohet përsëri. Gjatë gjithë kësaj periudhe kishte vetëm merakun e shkatërrimit të bibliotekës. Bibliotekën e kishte ngritur me shumë sakrifica, me shumë mund dhe brenda saj gjendeshin shumë vlera. Gjithmonë tepër i shqetësuar pyeste dhe porosiste të afërmit ti ruanin dhe ti fshinin librat në vende të sigurta.
Biblioteka e tij u end gjatë në të gjithë Dibrën e ngarkuar në kuaj e në mushka, natën, librat udhëtonin nëpër nga një shtëpi në tjetrën për t’u ruajtur nga e keqja që i kishte zënë. Shumë libra u grisën dhe mbetën rrugës faqe-faqe, një pjesë humbën rrugëve të Dibrës, të tjera notuan në ujë në bodrume, ndërsa shumë shkrime të tij, ndezën zjarrin në odat dibrane për të ngrohur fëmijët. Pas këtyre vuajtjeve e rraskapitjeve të bibliotekës së madhe të Munir Shehu ngelën pa u prishur siç shkruan i biri në parathënien e librit një Larus i 1936, një metode solfezhi, ndonjë gjë tjetër dhe… libri i Godartit. Vetëm ky shpëtoi si dëshmitar i tërë këtyre vuajtjeve dhe i përpjekje për të treguar histori. I biri, Mirdashi si një “borxh” që i kishte babait, libri foli shqip.

Kontribues për librin
e Justin Godart

Në mars 1997 në qytetin e Peshkopisë kishte plasur çmenduria e njerëzore. Rrugëve njerëz të armatosur, qëllonin pa pushim, ndërsa Mirdashi luftonte dhe kërkonte paqen. Dhe paqen e gjeti në librin e J. Godart, duke e cilësuar si libër i paqes. Sistemi socialist i hoqi të drejtën e arsimimit të lartë, po jo dashurinë për librin. Krismat e armëve të llojeve të ndryshme dëgjoheshin pa pushim natën në qytet, Mirdashi lexonte Godartin. Nisi kështu përkthimin fjalë pas fjale, rresht pas rresht dhe germë pas germe. Ishin bashkë stërmundim dhe kënaqësia. Në fëmijëri Mirdashi e kishte prekur me mijëra herë këtë libër, pasi ishte me kapak të trashë dhe përdorte për koleksionin e pullave postare. Duke shfletuar këtë relikte të fëmijërisë, për pulla, kurioziteti e shtyu të lexoj pa ndonjë qëllim, rreshtin e parë të parathënies së librit. Këtë e kishte shkruar nobelisti i paqes, sekretari i komisionit të caktimit të kufijve të Shqipërisë me Malin e Zi, D’estournelles de Constant, ku theksohej se “unë i kam shumë borxh Shqipërisë; unë do ta paguaj këtë borxh të rinisë”.
Lexoja për herë të parë një diplomat të huaj, në gjuhën e tij, frënge, që shfaqte pendesë për qëndrimet ndaj Shqipërisë, të shkruar në vitin 1921. E lexonte pa u ndaluar dhe kishte mbërritur në fund. Kështu vendosi dhe e përktheu me durim dhe dashuri, që t’u sillte lexuesve një libër. Ky libër kishte për autor Justin Godart, politikan i shquar francez dhe njohës shumë i mirë i shqiptarëve, të cilin, e drejta e bëri mik të tyre. Ky libër është “historia e Shqipërisë, historia e padrejtësive të diplomacisë së Fuqive të Mëdha për të fshirë nga harta një nga kombet më të vjetër në Evropë, historia e përpjekjeve të paepura të presidentit Uillson në mbrojtje të shqiptarëve, historia e vuajtjeve dhe përpjekjeve të tyre për të mbijetuar, duke luftuar kundër të gjithëve, të braktisur, krejt vetëm”.
Justin Godart ishte ndër të paktët njerëz që vepruan me guxim, mbrojtën të vërtetën dhe nuk i braktisi kurrë shqiptarët. Gjërat duken si të ditura, por duhet menduar thellë. Ky libër me këndvështrim të drejtë, me shikim të sprovuar, me këshilla të ndershme, vlen edhe sot më shumë për të kuptuar forcën e fjalëve. Përvoja e Godart na vjen nëpërmjet librit si një vlerë e madhe për të njohur veten dhe të tjerët. Në libër është pasqyruar me vërtetësi dhe paanshmëri të gjitha intrigat që u bëheshin shqiptarëve nga fqinjët dhe nga Fuqitë e Mëdha. Libër ju jep përgjigje shumë pyetjeve për ngjarjet që po ndodhin edhe sot. Ndaj faleminderit Mirdash M. Shehu për këtë libër me vlera të sjellë për shqiptarët.

Personalitet me kontribute
të veçanta

Autori i librit “L’Albanie en 1921” (Shqipëria në 1921), politikan dhe personalitet i shquar francez Justin Godart, ishte një nga njerëzit me kontribute të veçanta në plan kombëtar e ndërkombëtar. Në botë gjenden njerëz përparimtarë, të cilët të parët ngrenë zërin në mbrojtje të lirisë dhe luftojnë pa u lëkundur për paqe e drejtësi. Në këtë drejtim Godart nuk ndaloi gjatë gjithë jetës së tij përpjekjet në mbrojtje të të drejtave të popujve, për çlirimin e tyre, për progres shoqëror. Ai është cilësuar si “I drejti i kombeve”, pasi tërë jetën ju kushtua drejtësisë dhe lirisë. Ai gjtë jetës së tij ishte deputet e senator në Francë, nënsekretar shteti, ministër i Punës e i Higjenës, ministër i Shëndetësisë, mbante gradën shekencore Doktor në Drejtësi. Ai ka qenë dy herë Kryetar i Konferencës Ndërkombëtare të Punës, këshilltar bashkiak, si dhe kryetar bashkie.

Mik i shquar i popullit shqiptar

Ai në jetën e tij përkrahu luftën e re, që ishte lufta e masave popullore për demokraci dhe kundër reaksionit çifligar. Në këtë luftë me dy fronte për popullin shqiptar, popullin fisnik dhe me histori të lashtë, ngjalli simpatinë e Godart për Shqipërinë. Godarti nisi kështu tu kundërvihej hapur diplomacisë franceze, e cila nga koniuktura politike ndërkombëtare, mbante qëndrim të padrejtë ndaj problemit shqiptar. Ai krijoi besimin se populli shqiptar do ishte fitues ndaj atyre që e pengonin në rrugën e tij për prosperitet e përparim. Në hyrje të librit shkruan se “ne do të përshkruajmë, Shqipërinë e sotme drejt përparimit që ka nisur dhe që do vazhdojë, në sajë të lirisë, për të cilën ajo do të luftojë në të ardhmen, ashtu siç ka bërë edhe në të kaluarën dhe vendosmërisht, po të jetë nevoja”.
Nga kjo kohë e gjatë gjithë jetës së tij J. Godart mbeti mik i Shqipërisë. Si mik i vjetër i Shqipërisë, në fund të vitit 1950, në moshën 80 vjeç, mori pjesë në festat e nëntorit. Në mitingun e Tiranës do të shkruante se “Jam këtu, si një nga miqtë më të vjetër të Shqipërisë dhe mund të them, nga më besnikët e saj”. Ai ishte i zgjedhur nga miqtë francezë të Shqipërisë, President nderi i shoqatës Francë-Shqipëri. Presidiumi i Kuvendit Popullor e ka vlerësuar J. Godartin duke e dekoruar me Urdhrin e Lirisë të Klasit të Parë.
Justin Godart ka mbetur në kujtesë si një mik i vjetër e besnik, ku populli shqiptar e kujton dhe ndero gjithmonë.

Shqipëria rezistoi…

Në një fragment të vogël të librit të Justin Godart shkruhet prej tij: “Hymë në Shkodër, nën vështrimin e rojeve serbe që ruanin, të armatosura lartësitë e Taraboshit që është shqiptar. Në një gjatësi të madhe kufijtë e Shqipërisë u dhunuan dhe aty kishte ende një front shqiptar mbrojtje. Cilido vend, në të tilla kushte, do të zhytej në anarshi dhe do të ligështohej. Dhe, megjithatë, Shqipëria rezistoi. Ajo ka ruajtur rregullin në shtëpi. E plagosur, e lënduar, ajo qëndron e palëkundur, me krenari gjatë shekujve të gjatë të rezistencës së saj, nga papajtueshmëria patriotike që gjithmonë, nuk e ka lejuar atë, veçse të zgjedhë alternativën ndërmjet vdekjes dhe lirisë.
Por, në të vërtetë, është Shqipëria që duhet të akuzojë për t’u thënë Fuqive të Mëdha: “Ju më keni shtypur, ju më keni rrënuar, ju më keni ndarë. Jeni ju që jeni grindur për të coptuar tokën time dhe jeni ju që guxoni të më adresoni qortime!”. Ndaj Shqipërisë, Fuqitë e Mëdha përmbushën një vepër të ndershme shlyerjeje. Ato i janë moralisht borxh asaj.

Shqiptarët, viktima shekullore

Justin Godart do të theksonte fort se “Fat i çuditshëm dhe tragjik, shqiptarët, viktima shekullore dhe megjithatë të pazvogëluar nga Perandoria osmane, u trajtuan si subjekte turke nga Fuqitë e Mëdha. Ata që i qëndruan fort sundimit, për të ruajtur zakonet, fenë, gjuhën, racën, së fundi personalitetin e tyre, të ndryshëm nga gjithë të tjerët, Fuqitë e Mëdha e gjenin komode t’i injoronin, qoftë për t’i braktisur, qoftë për t’i rrjepur, qoftë për t’ua shitur atyre që kërkojnë më fort, ose atyre që paguajnë më shtrenjtë në pazarin ndërkombëtar. Askush nuk u qante hallin shqiptarëve. Ata ishin vetëm. Ata nuk ekzistonin.
Më kot qëndruan me një burrëri të pamposhtur, në robërinë turke; aq sa Kostandinopoli nuk guxonte as t’u kërkonte taksa; më kot qeverisen vetën, qëndruan të bashkuar, pa dallime fetare, katolike, ortodokse, myslimane dhe formuan një bllok kombëtar kundër turkut. Nuk duhej t’u mbeteshin as turqve, për të mund t’u ndarë vonë, me pjesën tjetër të perandorisë. Kjo është abc-ja e diplomacisë që praktikohej dhe imponohej dhe do të imponohet akoma sot, ndofta, në qoftë se do të lejohet ta bëjë…

Çfarë qortimesh mund t’i bëjnë Shqipërisë?

…nën pushtimin turk, çdo inteligjencë që zgjohej, çdo dëshirë që forcohej, persekutohej dhe syrgjynosej. Kohët e lirisë erdhën? Çfarë mund të bëjë Shqipëria?
Gjatë gjithë rrugës tonë kemi parë shkatërrime. Kush i ka bërë, kemi pyetur? Këtu, na thonë, Greqia; atje Italia; atje Austria; atje Serbia.
Pamë turma të mjeruara burrash dhe grash pa shtëpi, fëmijësh që kanë uri dhe të ftohtë. Nga vijnë, pyetëm? Nga fshatrat e tyre që u plaçkitën dhe u dogjën nga serbët. Në një gjatësi të madhe kufijtë e Shqipërisë u dhunuan…