Vëllezërit Xhaferri: Isufi dhe Hamiti


Para pak ditësh Shoqata e Intelektualëve Dibranë bëri një sesion shkencor për ecurinë e deritanishme të Rrugës së Arbërit.
Sesioni shkencor kishte qenë përgatitur shumë mirë, si çdo gjë ku vë dorë profesor Bashkim Lleshi, që është aq shumë i përkushtuar dhe skrupuloz në çdo detyrë që merr përsipër.
Kam këtu mbi tryezën e punës “Disa të dhëna për projektin teknik të “Rrugës së Arbërit”, përgatitur nga prof. Bashkimi, që na i dha ditën që vizituam këtë Rrugë. Këto të dhëna rezultojnë jo vetëm shkencë, por edhe dashuri dhe përkushtim të madh për vendin e lindjes. Në sesion shkencor u referuan me kompetencë nga disa studiues çfarë mund të bëhet për zhvillimin ekonomik e kulturor për qarkun e Dibrës mbas përfundimit të “Rrugës së Arbërit”, që do të shkurtojë distancën. Ishin platforma studimi shumë të hollësishme me vlerë të madhe praktike. Kjo veçanërisht duhet thënë për studimin e prof. as. Vesel Hoxhës.
Tani që “Rruga e Arbërit” po bëhet një realitet ne kujtojmë të gjithë ata intelektualë idealistë që e ngritën të parin zërin për një vepër të tillë. Atëherë ata na dukeshin si Donkishotisë, si njerëz që shikonin ëndrra në diell. Por kjo i nderon ata, se të gjithë njerëzit largpamës kanë ecur një hap para shoqërisë në të cilën jetonin dhe nuk janë kuptuar prej saj. Mua më erdhi shumë mirë që atë ditë, në fund të sesionit shkencor, Hysen Uka, që është edhe vetë një nga këta idealistë, përmendi pionierët e parë të “Rrugës së Arbërit”, ata që luftuan që kjo rrugë të ndërtohej. Midis tyre kanë qenë edhe vëllezërit e mrekullueshëm Xhaferri: Isufi dhe Hamiti, të cilët dua t’i kujtoj dhe t’i nderoj në këtë shkrim, mbasi kanë shumë kohë që nuk janë më në jetë. Ishin nga Zerqani.
Isufi, si mbaroi shkollën pedagogjike të Peshkopisë në vitin 1968, ka punuar mësues dhe drejtor shkolle në Zerqan. Natyrisht, që i plotësoi studimet. Me Isufin kam pas fatin të jem në shkollën pedagogjike, natyrisht jo në një klasë, unë në të dytën, ai në të katërtën. Por, meqë klasa ime kishte mbi shtatë- tetë lojtarë që përbënin ekipin e futbollit të të rinjve të Peshkopisë, bënim shpesh ndeshje me ata të klasës së katërt, ku bënte pjesë edhe Isufi. Herë mundeshim, herë i mundnim, por rëndësi kishte fakti që një klasë “Xhagadurrësh”, siç ishte ajo e Isufit, pranonte të luante me një klasë dy vjet poshtë saj. Isufi ishte shumë tifoz sporti, por nga ata më të lezetshmit, me një humor të këndshëm. Ai çtensiononte çdo situatë me humorin e tij dhe të gjithë e shikonim me adhurim. Mbasi mbaroi shkollën dhe filloi punën, vinte më rrallë në Peshkopi, por vinte. Ishte njeri shumë i shoqërueshëm, si gjithnjë me humor, dhe unë e kisha kënaqësi të takohesha me të dhe të pija një kafe.
Zakonisht vinte të shtunave dhe unë, të them të drejtën, e prisja të shtunën me një gëzim të veçantë, pikërisht se kishte mundësi të takohesha me Isufin. Ka dhënë një kontribut të madh jo vetëm për arsimin, por edhe për kulturën.
Në Zerqan u ngrit një grup i famshëm artistik në fushën e estradës prej punës së madhe të Isufit. Në vitin 1973, nëse jam i saktë, ky grup, pasi fitoi në festivalet amatore në shkallë rrethi, përfaqësoi Dibrën në Festivalin e estradave amatore për Zonën e Veriut që u zhvillua në Burrel. Edhe atje zuri vendin e parë. Për mua ato dhjetë ditë, nën shoqërinë e Isufit, të preokupuar për diskutimet për artin, kanë qenë nga më të bukurat e jetës sime.
Vdekja e tij, siç e thonë të gjithë, shkaktoi një traumë jo vetëm familjes, por edhe shoqërisë. Në çdo problem, sado delikat të ishte, ndërhynte Isufi dhe e zgjidhte. Ishte edhe burrë kanuni, por edhe akademik mendjendritur.
Hamiti, i vëllai, kishte një profil tjetër shpirtëror, ndryshonte edhe nga cilësia e humorit me Isufin, punonte në spital, si teknik radiolog. Ishte me shkollë të mesme, por njeri me shumë kulturë: dinte gjermanisht dhe frëngjisht dhe e gjeje vazhdimisht në bibliotekë tek Ulvi Shehu. Ishte njeri pasionant dhe i papajtmueshëm me padrejtësitë. Kishte shpirt disidenti dhe sigurisht prej kësaj cilësie ka vuajtur. U martua vonë dhe, ngaqë nuk kishte mjete financiare, mezi mundi të gjejë një dhomë ku të fuste kryet. U bë me fëmijë në këtë kolibe. E deshi shumë demokracinë dhe ka luftuar shumë për ardhjen e saj. Kuptohet se arma e intelektualit ishte fjala, por fjala e Hamitit ishte shumë e goditur, e helmët për ata që donte t’i denigronte dhe e ëmbël, si fllad pranveror, për ata që i donte t’i lartësonte. Ishte mjeshtër i madh i përdorimit të fjalës së folur.
Ruaj një kujtim të dhimbshëm, familjar, prej tij: gruaja ime shkon për të parë të vëllian të operuar në spitalin e Peshkopisë. E gjen atë në një gjendje shumë të rëndë, kur po jepte shpirt. Janë ato ndërlikimet pas operacionit. Ajo fillon të qajë, se asnjë nga infermieret nuk mund të bënte asgjë, kurse doktor Irfani që e kishte operuar, kishte ikur në shtëpi dhe nuk dilte në telefon. Pyet Hamiti gruan time përse po qante dhe, kur merr vesh shkakun, merr vrapin dhe mbas dhjetë minutash kthehet bashkë me doktor Irfanin. I sëmuri shpëtoi në sajë të ndërhyrjes së doktorit, por atë e solli Hamit Xhaferri.
Prej këtij veprimi unë dhe Hamiti u bëmë miq. Kisha prirjen për t’i dashur njerëz të tillë, por veprimi i tij human më afroi më shumë. U sëmur rëndë në atë kolibe nga një sëmundje që nuk të jep shpresë. Demokratët që ai aq shumë i kishte mbështetur, tani ishin në pushtet, por nuk bënë asgjë për t’ia përmirësuar gjendjen Hamit Xhaferrit. Vdiq në mjerim, pa e gëzuar jetën.
Isufi dhe Hamiti, siç e thashë në krye të këtij shkrimi, e kishin ngritur zërin edhe për ndërtimin e Rrugës së Arbërit. Ata tani nuk janë më. Po ne të tjerët që jetojmë, dhe të tjerët që do të vijnë mbas nesh, do t’i kujtojnë me respekt dhe dashuri pionierët e parë të emancipimit dhe të përparimit shoqëror. Natyrisht, kur të bëjnë këtë, do të ndalen edhe te dy vëllezërit e mrekullueshëm, Isuf dhe Hamit Xhaferri.