BELLOVA, LEGJENDA E MIKROFONIT!


Dibra dhe mikrofoni sportiv, dy dashuritë dhe pasionet e mëdha të “Mësuesit të Popullit” Ismet Bellova.

Në 86 vjetorin e lindjes, Ditën Ndërkombëtare të Gazetarëve Sportivë, Presidenti i Republikës dekoroi me titullin e lartë “Kalorësi i Urdhrit të Skënderbeut”, “Mësuesin e Popullit” Ismet Bellova.


Dikur e kisha idhull, ndërsa për fatin e mirë sot e kam mik dhe koleg. Që fëmijë përpiqesha ta imitoj komentatorin më të famshëm të kohës dhe dibranin që na shtonte lavdinë. Kur merrja duartrokitjet pas komenteve të mia që bëja me ngjyrimin e zërit të tij magjik nga nxënësit apo shokët e klasës, bëhesha optimist dhe kësisoj e shtoja dëshirën dhe punën për të prekur ëndrrën time, që një ditë edhe unë, një djalë i panjohur nga Peshkopia, të ndiqja shembullin e tij. Dhe kjo ditë për fatin tim të mirë erdhi. Pas viteve 90-të, falë një konkursi të fituar në
RTSH, nisa të komentoi në radio dhe televizion dhe të bëhem pjesë e këtij institucioni tepër të rëndësishëm për sportin. Tashmë kanë kaluar afro 30 vite dhe sa herë kthej kokën pas, them: Faleminderit mjeshtër, Faleminderit legjendë! Them kështu, sepse duke pasur atë njeri si model, arrita të realizoj qëllimin tim, përmes pasionit dhe punës së madhe. Ndaj Bellova ka respektin tim të përjetshëm, sepse ishte idhulli të cilin u përpoqa ta ndjek në një pasion të “çmendur” të komentatorit dhe gazetarit sportiv, pasion që e beson vetëm ai që është në këtë profesion… Natyrisht që Bellova është si një majë mali që vështirë të pushtohet, por e rëndësishme është që ne pasardhësit e tij, ndjekim një rrugëtim kaq të bukur dhe të suksesshëm si të legjendës së mikrofonit, rrugëtim që nderon jo vetëm veten, por edhe Dibrën dhe dibranët kuqo ku jetojnë…

 Ismet Bellova, padyshim është legjenda e mikrofonit sportiv dhe babai i radio-kronikes sportive në Shqipëri. Për afro 70-vjet ai transmetoi në mikrofonin e Radio Tiranës dhe krijoi një shkollë të transmetimit sportiv në vend. Zëri i tij melodioz, ngjyrimi dhe mënyra e të komentuarit me pasurinë e fjalëve dhe epiteteve në një transmetim ndeshjeje në futboll, padyshim që krijuan profilin “Bellova”, profil që shpeshherë është marrë si model edhe nga pasuesit e tij në këtë zhanër, model që vijon të ndiqet edhe në ditët e sotme. Menjëherë pas Anton Mazrekut, gazetarit dhe komentatorit më të mirë të pas luftës, djaloshi dibran Ismet Bellova nisi rrugëtimin në krah të tij. Ishte fare i ri, madje sapo kish kaluar të 16-tat, kur në krah të Mazrekut të madh, një tjetër zë melodioz dhe i bukur, spikati në Radio Tirana. Madje, historike për të, do të mbetet transmetimi në ndeshjen e shekullit mes Shqipërisë dhe Gjermanisë në atë barazim të famshëm 0-0, në dhjetor 1967, barazim dramatik ky që e eliminoi skuadrën gjermane nga Europiani i radhës. Por paralelisht me pasionin e të komentuarit, ai punonte si mësues i Edukimit fizik dhe më pas edhe si punonjës shkencor në IKF “Vojo Kushi”. Ismet Bellova është autor i shumë shkrimeve, reportazheve dhe analizave të ndryshme në shtypin e shkruar sportiv dhe jo vetëm, pa harruar botimet e librave, “Dibra sportive”, “Portierë të mëdhenj”, “Sporti ynë” dhe “Visare të sportit shqiptar”. Bellova është një veprimtar dhe aktivist në shumë shoqata dhe organizata, duke u dalluar si humanist dhe mbështetës i projekteve sociale krahas atyre të sportit. Gjithashtu, ai ka drejtuar këshillin kombëtar të sporteve, ka qenë për disa vite president i komitetit olimpik special, zëdhënës në FSHF, anëtar në kryesinë e federatës së atletikës, etj. Për merita dhe cilësi të tilla ai është dekoruar me urdhra dhe medalje të ndryshme, si Mësues i Popullit, Nderi i Sportit Shqiptar, Urdhri Olimpik, Urdhri i Artë “Naim Frashëri”, Mikrofoni i artë nga RTSH, Nderi i sportit dibran, Mirënjohje e Tiranës etj. Por titulli i lartë “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”, me të cilin e nderoi presidenti i Republikës Ilir Meta, në ditën ndërkombëtare të gazetarëve sportivë me 2 korrik 2020, ishte jo vetëm vlerësim dhe nderim për legjendën Bellova, por edhe një dhuratë shumë e bukur dhe domethënëse menjëherë post 86 – vjetorit të tij të lindjes.

Çfarë është Dibra për ty dhe cilat janë lidhjet që ti mban prej vitesh me të?

Dibra është vendi i origjinës dhe si e tillë ajo ka vlerat dhe rëndësinë e saj në jetën time. Është një krenari më vete. Dibra është vendi i të parëve të mi dhe unë jam ndjerë krenar me këtë fakt. Me Dibrën me lidh jo vetëm gjaku, por edhe puna, sepse kam dhënë kontributin tim në Peshkopi për sportin dhe jo vetëm. Lidhjet e mia me dibranët kanë qenë të vazhdueshme dhe janë akoma, sepse kam aty gjakun tim, kushërinj, nipër e mbesa. Dibra ashtu si është në krye të sofrës së historisë së Shqipërisë, është edhe në shpirtin tim si një dibran i vërtetë.

Pak ditë më parë ju u dekoruat nga Presidenti i Republikës me titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”. Cila ishte ndjesia që more nga ky vlerësim?

Padyshim që ka qenë një kënaqësi e veçantë për të cilën e falënderoj me gjithë shpirt presidentin e nderuar. Ishte një shpërblim i asaj pune afro 70 vjeçare që më lidh me sportin dhe gazetarinë sportive, me transmetimin dhe kontributin tim të madh të dhënë nqe këtë fushë. Emocioni ishte jo vetëm i imi, por edhe i familjes sime, bashkëshortes Bukuroshe Shtiza Bellova, edhe kjo një figurë shumëdimensionale në sportin tonë dhe fëmijëve, nipërve e mbesave, disa prej të cilëve ishin edhe aty të pranishëm në presidencë.

Si nisi pasioni yt për komentin dhe ndeshja e parë e transmetuar nga Bellova?

Pasioni im për komentin e sportit ka nisur që në moshë të re, bile që në fëmijëri. Ëndërroja të bëhem si Mazreku dhe shpesh e imitoja atë që i vogël. Më në fund arrita të bëhem nxënës i tij, por më pas arrita të bëhem koleg dhe mik i rrallë. Kam transmetuar shpeshherë në kabinën e transmetimit dhe ishte vërtet një kënaqësi dhe emocion i rrallë të ndërthureshin dy zëra dhe dy stile të ndryshëm. Anton Mazreku mbetet padyshim një komentator e gazetar brilant dhe ishte fat që unë e pasova në këtë rrugëtim të bukur dhe fati e deshi të tejkaloj edhe vitet, dhe përvojën me ndeshjet që kam komentuar në radio e televizion. Ka qenë një meritë e veçantë e profesorit të dashur Anton Mazreku, që unë kam hyrë në mikrofonin sportiv që në moshën 16 vjeç e gjysëm, një fakt shumë domethënës dhe sinjifikativ, që sot krijon një habi të madhe hyrja në mikrofon në një moshë kaq të re. Ka qenë 29 nëntori i vitit 1950, kur unë kam bërë hapin e parë në transmetim, pikërisht në ndeshjen finale të kupës së Shqipërisë midis skuadrës së re të Dinamos dhe shumë herë kampiones Partizani. Më vonë kanë ardhur ndeshje të shumta e të njëpasnjëshme të kampionateve e veprimtarive tona si dhe ndeshje ndërkombëtare. Midis tyre ka shënuar një kulm të paharrueshëm ndeshja e përfaqësueses tonë me përfaqësuesen e Republikës Federale Gjermane, e zhvilluar me 17 dhjetor 1967 në stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” në Tiranë, e mbyllur me rezultatin e bardhë 0-0. Ajo ditë ka qenë historike dhe e paharrueshme, madje shumë e përfolur, sepse Gjinali shënoi një gol që gjyqtari austriak na e anuloi për fat të keq. Gjithsesi, ai barazim ishte humbje për gjermanët, sepse ju kushtoi shumë atyre në kualifikimin e ardhshëm që për herë të parë mbetën jashtë dhe ky konsiderohej një turp për një shtet si Gjermania.

Si ishte përgjegjësia kur transmetoje një ndeshje ndërkombëtare?

Sigurisht ishte një përgjegjësi e madhe dhe angazhimi ynë ishte që të përgatiteshim sa më mirë, të grumbullonim sa më shumë të dhëna dhe t’i shfrytëzonim ato gjatë transmetimit. Natyrisht, një transmetim sa më brilant, sa më i pasur dhe sa më i bukur mund të justifikonte gjithçka. Ishte koha kur një transmetim radiofonik ishte informacioni kryesor dhe mjeti informativ më i rëndësishëm i kohës. Nuk diskutohet fakti që transmetimi i një ndeshje futbolli përbënte një ngjarje të rëndësishme dhe tërhiqte vëmendjen e gjithë opinionit shqiptar. Në kohën e ndeshjes transmetimi përbënte një ngjarje të madhe dhe në çdo radio stacioni kryesor ishte te transmetimi. Asokohe radio ishte burimi i vetëm, por edhe interesi për futbollin kishte kulmin e tij, sepse ndryshe nga sot shqiptarët kishin të vetmin burim informacioni dhe nuk ndiqnin dot sportin ndërkombëtar. Plus që edhe niveli dhe futbolli i atyre viteve ishte shumë popullor dhe i lidhur me publikun që diskutonte një javë para dhe një javë mbrapa një ndeshje të rëndësishme. Futbollistët ishin figura shumë të dashura, që kishin hyrë edhe në familjet tona me emër e mbiemër. Pra, ishte një kohë ku futbolli kishte vendin kryesor.

Cila është ndeshja më emocionuese në jetën tënde?

Ndeshja me Gjermaninë mbetet një nga ndeshjet më emocionuese në jetën time. Ajo ka filluar e ka mbaruar me emocione e kujtime të paharrueshme, duke qenë e tillë që nga arritja e skuadrës gjermane në vendin tonë, në stërvitjen e saj para ndeshjes dhe natyrisht kulmi në 90 minutat e betejës sportive në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”. Madje, ky emocion ka vazhduar edhe më vonë me ndeshjet e komentet e shumta nëpër faqet e shtypit sportiv dhe emisionet sportive. Pas ndeshjes bashkë me disa futbollistë e trajnerë kemi shkuar në televizionin shqiptar që për herë të parë provonte të jepte një emision në studio me mendimet tona. Kjo ndeshje është marrë si pikë referimi në shumë takime pasardhëse të futbollit tonë brenda e jashtë vendit dhe konsiderohej si frymëzim për futbollistët dhe si kurajo përballë kundërshtarëve të tjerë që vinin më pas.

Përveç futbollit ke transmetuar edhe sporte të tjera. Kush të ka dhuruar më shumë emocione në koment?

Përveç futbollit kam transmetuar edhe ndeshje e takime në sporte të tjerë, sidomos bëhet fjalë për transmetime brenda mjedisit të aktiviteteve si në atletikë, basketboll, volejboll, boks, mundje, peshëngritje, gjimnastikë, not etj. Për t’u përmendur janë sidomos një ndeshje volejbolli mes përfaqësueses sonë dhe asaj të Holandës, disa ndeshje të Kampionatit ballkanik të basketbollit, veçanërisht ajo e përfaqësueses tonë me atë të Jugosllavisë (60-64), disa ndeshje me klubet e Jugosllavisë, të Bashkimit Sovjetik e të Kinës, Kampionatin ballkanik të peshëngritjes, garat e atletikës me atletët kinezë etj.

 A ka një skuadër apo individ që Bellova bën tifozin për të?

Jo nuk ka asnjë skuadër apo individ për të cilët unë bëj tifozllik, me përjashtim të ekipeve përfaqësuese dhe mjeshtrave të shquar të sportit tonë. Kur luan Shqipëria kuptohet që emocioni e kalon profesionin dhe vërtet bëhem tifoz, ndërsa për ekipe të tjera jam shumë i ftohtë dhe përpiqem t’i shoh ndeshjet me syrin e një profesionisti dhe dashamirësi të futbollit.

 Po kombëtarja jonë në “Francë 2016”, sa emocione të ka dhuruar. Ti ishe prezent edhe atje? Si je ndjerë?

Kampionati europian “Francë 2016”, ka qenë edhe për mua një ngjarje e rëndësishme dhe e paharruar dhe plot kujtime e emocione. Veçanërisht ndeshja me përfaqësuesen e Rumanisë tek fituam 1-0, ka qenë e ka mbetur një kujtim i bukur dhe për më tepër fitorja e saj ka gëzuar jo vetëm 20000 mijë sportdashës në stadium, por miliona të tjerë shqiptarë kudo ku ata jetonin. Tifozët kuq e zi në Francë na bënë një nder, sepse kanë demonstruar edhe një kulturë të lartë tifozerie e sportiviteti, duke fituar admirimin dhe objektivitetin e opinionit sportiv francez. Sigurisht që paraqitja e ekipit tonë dhe loja e futbollistëve shqiptarë atje na kanë entuziazmuar e kënaqur pa masë dhe na kanë lënë kujtime të pashlyera e të paharruara. Ndryshe nga herët e tjera unë e ndoqa si shikues dhe jo si komentator dhe të them të drejtën e shijova, aq më tepër që njërën nga ndeshjet e fituam dhe ai goli i Sadikut sikur më shtoi shumë vite jetë. Të jesh në atë stadium të mrekullueshëm, mes asaj tifozerie që rrallëherë bota e kish parë me shqiptarë dhe të gëzohesh pas një goli të parë dhe historik për Shqipërinë në finalet e një Europiani, mendoj se janë dhurata më e bukur dhe e çmuar që një njeri mund të marrë në jetë. Ndaj mirënjohje edhe FSHF për idenë e saj për të na bërë pjesë të kësaj historie të re të futbollit shqiptar në arenën ndërkombëtare mua dhe disa prej figurave më të shquara të futbollit shqiptar.

Afro 70 vjet i ke pasur në mikrofon. Si je ndjerë në peshën e kaq shumë viteve dhe si i përballoje të tilla transmetime?

Jam ndjerë shumë mirë, madje edhe kur vitet u shtuan mbi supet e mia dhe nisi faza e pleqërisë nuk dija të ndalem. Sporti dhe komenti më kanë mbajtur të freskët dhe të gjallëruar. Është një përgjegjësi tepër e madhe të jesh në mikrofon, sepse ai është i shenjtë dhe i shtrenjtë. Nëse unë gaboj në mikrofon, bëhet nami, pasi gabimi është publik dhe fjala merr dhenë. Ndaj jam përpjekur të jem sa më i saktë dhe i përgatitur, i matur dhe i kursyer ndonjëherë në disa shprehje. Ngjyrimi me epitete dhe figura e fjalë të gjetura mendoj se ka qenë diferenca që unë kam bërë duke u bërë më i dashur te dëgjuesi, ashtu si timbri i zërit, burimi i të cilit e ka origjinën nga malet e Dibrës dhe bukuritë e mrekullitë e saj të natyrës.

Ka ndodhur ndonjëherë që të transmetosh nga stadiumi “Korabi” dhe çfarë emocionesh ke përjetuar?

Po, kam transmetuar një ndeshje kupe mes Korabit dhe Luftëtarit të Gjirokastrës. M’u duk se madhështia e atyre maleve përballë stadiumit më jepnin tjetër forcë. Për fatin e mirë Korabi fitoi 1-0 dhe Toska ka mbetur në kujtesën time përmes asaj loje virtuoze si një futbollist kalibri që për fatin e keq nuk kishte hapësira të luante edhe në ekipet më lart. Unë transmetova në një kabine thuajse të hapur, sepse të tilla ishin kushtet aty dhe zëri im u dëgjua nga sportdashësit që më kishin rrethuar nga afër dhe mezi prisnin të më takonin. Ka qenë vërtet një festë e bukur pas ndeshjes.

 Këtë vit që vjen, pra, në 2021, mendohet të përurohet Rruga e Arbërit. Ndihesh i lumtur që po e arrin dhe çfarë mesazhi ke për Dibrën dhe dibranët?

Rruga e Arbërit ka përbërë e përbën një ëndërr dhe një ngjarje tepër të rëndësishme jo vetëm në jetën e Dibrës e të dibraneve, por edhe të mbarë kombit. Më në fund ajo është bërë e po pritet të bëhet një realitet i vërtetë. Çdo dibran i ynë pret me interesim e padurim realizimin e kësaj ëndrre madhështore e gjigante. Më në fund është afruar dita kur rruga e Dibrës të vihet në funksionim dhe dibranët e gjithë shqiptarët të provojnë e të ndjejnë vlerat e rëndësinë e saj të madhe, që përveç interesit kombëtar do të shërbejë edhe për një afrim të mëtejshëm të popullit tonë me popullin vlla të Maqedonisë së Veriut. Unë si dibran e si çdo shqiptar kam një gëzim të papërshkruar në realizimin e kësaj vepre madhështore dhe uroj që do Zoti t’ia mbërrijmë kësaj dite dhe të ndjejmë nga afër vlerat e rëndësinë e madhe të saj. Dibra do të bëhet vërtet një lagje e Tiranës dhe kjo do të sjellë një zhvillim tejet të madh edhe ekonomik për atë vend kaq punëtor e të vuajtur, me kaq histori e tradita, me kaq vlera natyrore e njerëzore. Mesazhi im për dibranet është ai që e them gjithmonë, të ndihen krenarë me vendin e tyre dhe ta duan brez pas brezi atë vend me shumë histori dhe prodhimtari, me sport e kulturë, me një gjeografi që rrallëkush e ka, ku vetëm deti na mungon…