“Vulosja” e origjinës dibrane të Skënderbeut nga akademikë të njohur 


Mësuesi  i mirënjohur, Besnik S.Këbej, për gati njëmbëdhjetë vjet drejtor shkolle në Sinjë (1978-1979), përveç shkencave ekzakte si i diplomuar për lëndët matematikë –  fizikë, do t’i përkushtohej studimeve skurpuloze për të hedhur dritë mbi origjinën dibrane të Skënderbeut. Dhe këto studime e hulumtime shkencore i kurorëzoi me botimin në vitin 2010 të  librit me 208 faqe “Origjina dibrane Skënderbeut”.

Është ky libër kurorëzim i një pune gati 30-vjeçare studimore për origjinën e Kastriotëve, që legjendat i sillnin në Dibër të Poshtme, por që disa studiues i largonin nga ky truall, qoftë nga padituria, qoftë qëllimisht.

Besnik S.Këbej, në kundërshtim me stilin e parlamentarizmit historik, për vite me radhë ka ballafaquar shumicën e dokumenteve dhe argumenteve të dhëna nga studiues të ndryshëm, harta etj, për të shkuar tek burimi. Dëshmi më e qartë për këtë është bibliografia e shfrytëzuar nga autori, me 38 referenca të autorëve të ndryshëm që janë marrë me origjinën e Kastriotëve, që nga Kristo Frashëri, Marin Barleti, Oliver Jens Schmit, Mathien Aref, Milan Shuflaj, Dr.Jur.Johan Georg Von Han, Martin Bernal, Peter Bartl, Gustav Mayer, Mark Milani, Edvin  Jasques, Patrik Geory, Zhan Klod Feveirial e deri tek Botimet e Akademisë së Shkencave, Institutit të Historisë etj.

Duke ballafaquar tezat e autorëve të shumtë vendas e të huaj, B.Këbej, beson gjithashtu se vetëm shfrytëzimi i hartave që identifikojnë Hassin si qendër administrative në Dibër të Poshtme, nuk e zgjidh problemin.

Në librin e  tij “ORIGJINA DIBRANE E SKËNDERBEUT”, ai sjell të gjitha argumentet që Hassi ka qenë në Fushë Çidhnën e sotme, si qendër administrative, ku kishte në juridiksion: Kastriotin, Sinjat, Gardhin e  Poshtëm, Mazrekat, etj që bëjnë një territor unik.

“Hassi ka bashkëjetuar për shumë vjet bashkë me Kastriotin, por në kohë të caktuar, Kastrioti është rrafshuar për t’u ringritur përsëri nga çidhnakët”, -shprehet autori që në hyrje të librit. Madje B.S.Këbej argumenton shkencërisht se ekzistenca e Hassit në Dibër të Poshtme më herët se Pashtriku ose Shullani, siç njihet ndryshe Hassi i sotëm, përputhet me të dhëna dokumentare.

Për vërtetësinë e tezave të autorit Besnik S.Këbej shprehet edhe  Prof.dr.Fejzulla Gjabri. Kjo sipas tij për faktin se, duke qenë punonjës për disa kohë në Muzeun e Skënderbeut në Sinjë, Besnik S.Këbej ka fituar përvojën e trajtesave historike, duke përfituar dhe nga debatet e shumta rreth origjinës së Kastriotëve, të parëve të Skënderbeut. Në këtë kontekst ai vlerëson mbledhjen e sistemimin e të dhënave nga autori për vendin e origjinës së Heroit.

Gjithsesi, në këtë monografi është argumentuar në formën më analitike origjina dibrane e Kastriotëve, duke shfrytëzuar jo vetëm studiuesit pranë argumentit të autorit, por edhe autorë që thonë të kundërtën. Prof.dr.Gjabri arrin në konkluzionin se autori Këbej na ka sjellë vlera të pakundërshtueshme për origjinën, duke shpalosur dokumentacion e citime të shumta, si dhe duke dhënë një toponimi të bollshme, e cila ‘flet me gjuhën e Dibrës së Poshtme’. 

 

KUSH ËSHTË BESNIK S.KËBEJ?

Ka lindur më 13.02.1950 në Fushë – Muhurr. Dibër. Ka mbaruar Institutin Pedagogjik, dega matematikë-fizikë në vitin 1970.

Në vitet 1970-1972 ka qenë mësues në shkollën 8-vjeçare “Nexhat Agolli” Muhurr. Më pas, për tre vjet (1975-1978) mësues në shkollën Hurdhë Muhurr dhe në harkun kohor të 11 viteve (1978-1989) drejtor shkolle në Sinjë.

Është rikthyer në vitet 1989-1997, herë si zëvendësdrejtor e herë si drejtor i Shkollës së Mesme Muhurr.

Profesionin fisnik të mësuesit e ka ushtruar edhe në shkollën Bathore, Tiranë.

Ai ka botuar disa artikuj studimorë në organe të ndryshme të shtypit të kohës.

Në disa sesione shkencore që janë organizuar për Skënderbeun, si në Çidhën, Muhurr, Peshkopi, por edhe në Krujë, studimet e tij kanë ngjallur interes tek të pranishmit.

Një kontribut madhor ka dhënë ai për ngritjen e muzeut të Muhurrit si dhe të muzeut të Kastriotëve në Sinjë.

Për ngritjen e Muzeut të Sinjës ka mbajtur lidhje të vazhdueshme me mjaftë studiues të njohur të Institutit të Historisë. 

Një kontribut ka dhënë në mbledhjen e toponimeve dhe gojëdhënave për Skënderbeun. 

Pas një pune të gjatë gati tridhjetëvjeçare, më së fundi paraqitet para lexuesit me librin: “ORIGJINA DIBRANE E SKËNDERBEUT”, libër ky që është promovuar me praninë e elitës akademike të vendit në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë.  Kontributi i tij në këtë fushë është vlerësuar nga personalitete të botës akademike-shkencore, si Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj,  Prof.dr.Paskal Milo, etj, gjatë vizitës që ato bënë në muzeun e Kastriotëve në Sinjë, në kuadrin e 550-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut. 

“VULOSJA” E ORIGJINËS DIBRANE  TË SKËNDERBEUT NGA AKADEMIKË TË NJOHUR 

Më së miri e dëshmon kontributin e Besnik S.Këbejt, postimi nga Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj, në faqen e tij në facebook i disa fotove nga veprimtaritë festive të zhvilluara më datë 25.11.2018, në Dibër, në kuadër të Vitit të Skënderbeut, me diçiturën: “Nga veprimtaria në Sinë të Dibrës, në vendlindjen e Skënderbeut”. Siç është bërë e ditur po atë ditë u mbajt dhe një sesion shkencor në Peshkopi, kushtuar Kastriotëve, Skënderbeut, jetës dhe luftërave të tij 25-vjeçare.

E rëndësishme nga këto veprimtari shkencore ishte “vulosja” e origjinës dibrane të Skënderbeut nga akademikët pjesëmarrës. U rikonfirmua kështu edhe vërtetësia e tezës së Besnik S.Kebejt. 

Siç dihet, momenti vendimtar që e lidhi këtë studiues me trevën e Dibrës është puna e gjatë, shumë e madhe që ai ka bërë në promovimin dhe mbrojtjen e hipotezës së origjinës së Kastriotëve nga Dibra, duke e kurorëzuar atë me monografinë “ORIGJINA DIBRANE E SKËNDERBEUT”, nga më të plotat dhe të bazuara shkencërisht, për vendorigjinën e Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti (SKËNDERBEU). Ky është edhe shtegu prej nga Besnik S.Këbej ka ardhur tek shkrimi i një historie të plotë për origjinën dibrane të Kastriotëve. 

Gjergj Kastrioti Skënderbeu arriti kështu sërish në Sinjë të Çidhnës! Si atëherë, kur ai ishte vetëm 38 vjeç, kur kthehej nga beteja e Nishit, nga ishte nisur më 3 nëntor 1443, dhe mbërriti më 10 nëntor 1443, me uniformën e komandantit të ushtrisë osmane, kur s’kishte as përkrenare dykrenore, kur nuk kishte as vulë, stemë dhe flamur, sepse atëherë nuk e kishte marrë Krujën e nuk kishte formuar shtetin e Arbrit, por që më vonë për 25 vjet do të ishte udhëheqësi legjendar i fitoreve të shqiptarëve ndaj turqve, simboli i bashkimit tonë kombëtar, një gardian dhe luftëtar i qytetërimit europian.