Arif Vladi, një legjendë e gjallë e këngës epiko-historike


Me këngët e Arif Vladit kam rënë në kontakt që herët, në fundin e viteve ‘80, kur ai ka nisur edhe interpretimet e para. Vazhdoj ti dëgjoj me shumë kënaqësi dhe sot këngët e tij. 

Krijimtaria artistike e Vladit është e gjerë dhe e larmishme. Ajo është e shtrirë në kohë dhe hapësirë. Është e shtrirë në kohë, pasi interpretimet e tij të para kanë nisur në fund të viteve ‘70 dhe vazhdojnë dhe sot. Pra, mbi 40 vjet në skenë dhe shumë i suksesshëm. Suksesin si këngëtar ia forcuan dhe këngët që i ushtoj Kosovës, lirisë dhe pavarësisë së saj. 

Pa asnjë mëdyshje mund të them se Arif Vladi është një nga këngëtarët më të pëlqyer në Shqipëri, Kosovë dhe trojet shqiptare. Larmia e këngëve të tij, zëri melodioz, tematika e zgjedhur dhe interpretimi, e lartësojnë Arifin, e bëjnë një këngëtar të madh dhe shumë të dashur. 

Ashtu si natyra dhe freskia e bjeshkëve, bukuria dhe madhështia e maleve, ajri dhe freskia e luginave, larmia dhe peizazhi i liqeneve të Lurës, na vjen dhe kënga e tij e bukur, e pastër, kumbuese dhe e veçantë në llojin e saj. 

Arif Vladi pjesën më të madhe të krijimtarisë artistike ia dedikoi Kosovës. Këtu, krahas vlerave artistike si këngëtar, dalin në pah dhe vlerat atdhetare të Arifit si shqiptar. 

Arif Vladi u lind në Lurë të Dibrës më 3 shtator 1956, në një familje atdhetare. Mësimet fillore i kreu në vendlindje me nota shumë të mira. Me interesimin e familjes dhe veçanërisht babait të tij, Demirit, u regjistrua për studime në Liceun Artistik “Jordan Misja”. I kreu në kohë studimet në lice dhe doli me nota të shkëlqyera. Ai, tanimë, i ishte përkushtuar këngës dhe vazhdoi të shkollohej më shumë për perfeksionimin e saj. I vazhdoi studimet për kanto në vitin 1977 në Akademinë e Arteve në Tiranë dhe i përfundojë në vitin 1980. Në akademi pati profesor të shquarin Ramiz Kovaçi, i cili duke parë dhuntinë dhe talentin e Arifit në muzikë, i qëndroj pranë, i kërkonte shumë, e ndihmoi,  vlerësoi dhe e inkurajoi për të arritur më të mirën në fushën e këngës dhe muzikës. 

Duke kujtuar periudhën e bukur e të mrekullueshme të shkollës Arifi shprehet se “qe profesori i tij Kovaçi, që e “latoi” atë”. Me mbarimin e shkollës, formimi i Arifit kishte arritur në stade të larta profesionale. Ai tanimë u bë një këngëtar i afirmuar falë dhe zërit të bukur. Pasi mbaron Akademinë e Arteve në Tiranë, Arifin e caktojnë për të bërë stazhin e punës në Ansamblin Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore në Tiranë. Kjo për të qe një fat i madh, pasi atje punoi me artistë dhe kompozitorë të një niveli të lartë. Për të kjo qe një përvojë e madhe pune që do ti vlente shumë më vonë. Më pas e emërojnë në Estradën e Peshkopisë. 

Rikthimi për të punuar në vendlindje qe për të një dëshirë, njëkohësisht edhe një krenari e madhe. Arifi tashmë ishte i formuar si këngëtar dhe në aspektin profesional. Gjithë njohuritë teorike të fituara në shkollë do ta vinte në shërbim të artit në përgjithësi dhe këngës në veçanti. 

Në qytetin e Peshkopisë ai bie në kontakt dhe punon për një kohë të gjatë me artistë të afirmuar dhe që lanë gjurmë në krijimtarinë e tij artistike. Në Peshkopi, kishte një ansambël artistik me instrumentist të afirmuar që i dhanë “shpirt” këngë së vjetër, këngës autoktone, këngës origjinale që vinte nga thellësitë e kohërave. Këto këngë me tekste të Naim Plakut, Agim Doçit, Gjokë Becit etj., nën orkestrimin e Edmond Zhulalit, Përparim Tomçinit etj., dhe interpretimin virtuoz të Arif Vladit do mbeten një vlerë e shtuar dhe e pa zëvendësueshme në panteonin e këngës dhe muzikës së bukur shqipe.

Arif Vladi, veprimtarinë e tij artistike e nisi herët që në bankat e shkollës 8 vjeçare në Lurë. Mësuesi i tij i parë qe Xhemal Laçi. Ai pa tek Arifi shumë cilësi të një këngëtari dhe e inkurajoj të këndojë që në moshë të vogël me grupin artistik të shkollës. Më pas gradualisht dhe në veprimtaritë artistike të Dibrës, në shkallë rrethi dhe vendi. Kënga e parë e tij qe “U bë fshati si qyteti”. 

Nga viti në vit Arifi, po rritej nga ana artistike. Në moshën 19-vjeçare, pasi mbaron Liceun Artistik “Jordan Misja”, emërohet mësues muzike në Lurë. Emërimin si mësues muzike në vendlindje e priti me një gëzim dhe krenari e madhe. Duke evokuar ato kohë të bukura vetë Arifi shprehet: 

“Mua nxënësit më shihnin si “Arifin që këndoja”, ndërsa unë si mësues i ri, çdo ditë shkoja në shkollë me merakun nëse kujdesin dhe njohurit që më kishin dhënë mësuesit e mi në lëndën e muzikës, të mund t’jua përcillja tani edhe nxënësve të mi”. 

E natyrisht, nëse ecën me këtë objektiv dhe i motivuar, rezultatet nuk mungojnë. Kështu ndodhi dhe me Arif Vladin, ai megjithëse qëndroj si mësues për një kohë të shkurtër, ngriti në shkollë një grup artistik të mirë duke u bërë dhe vetë protagonist i tij. Gjatë kësaj periudhe, ai aktivizohet si këngëtar pranë Shtëpisë së Kulturës në Peshkopi dhe këndoj këngën e tij të parë “Djemt e Lurës, hiç s’kanë dert”. 

Tanimë, rrugëtimi i Arif Vladit si këngëtar ishte i pandalshëm dhe mjaft premtues. E megjithatë, ai e ndien vetën të paplotësuar mirë në këtë fushë, e për rrjedhojë, vazhdoi studimet e larta në Akademinë e Arteve për kanto. 

Në Estradën e Peshkopisë punoi deri në vitin 1989, ku Arifi jep një kontribut të madh me krijimtarinë e tij dhe afirmohet si këngëtar. Këngëtarit e Arifit dalloheshin për zërin e kumbues, intonacionin, vijën melodike, origjinalitetin, interpretimin e shumë tregues të tjerë. 

Në këtë kohë Arifi këndoj këngët “Hajredin Pasha”, “Jakup Ferri me bajrak”, “O prite Azem Galicën”, “Sefë Kosharja i pari fisit”, “Marshi i UÇK-së”, “Jam Kosova e Shqiptarisë”, “Liqenet e Lurës”, “Lura dhe 300 duvakët” etj.

Gjatë karrierës së tij të gjatë me këngën, ai ka marrë pjesë dhe ka interpretuar në shumë veprimtari si: Festivalet e RTSH, Anketat Muzikore, Estradën e Peshkopisë dhe në veprimtaritë e Ansamblit Shqiptar të Këngëve dhe Valleve Popullore. 

Arifi ka kënduar në të gjitha trevat shqiptare si në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe diasporë. Gjithashtu, ai ka marrë pjesë dhe në disa turne, me grupe, apo ansamble artistike dhe jashtë vendit si në Francë, Austri, Zvicër, Gjermani, Algjeri, Itali, Egjipt, Belgjikë etj. 

Arif Vladi ka një karrierë të pasur artistike që vlen të merret si model dhe shembull për brezat që do vijnë. 

Repertor i larmishëm me këndë të theksuara epiko-historike e bënë Arifin një këngëtar emblematik të veçantë dhe të pa zëvendësueshëm në interpretimin e tyre. Po kështu, ai këndon shumë mirë dhe këngën lirike. Ka shumë këngë që i kushtohen vendlindjes së tij, Lurës, bukurive natyrore të saj, njerëzve të mrekullueshëm të atyre anëve dhe vlerave njerëzore dhe humane të tyre. I tillë është Arif Vladi, krenaria e Lurës, krenaria e këngës Dibrane, krenaria e gjithë shqiptarisë.

Arifi ka një bashkëpunim të mirë edhe me disa këngëtarë të tjerë dhe ka nxjerr me to disa videoklipe, si “Kalorësi i lirisë”, një bashkëpunim me këngëtarët e mirënjohur e të afirmuar, Ilir Shaqiri dhe Nikoll Nikprelaj, me tekst të Ilirit dhe orkestrim të Edmond Xhulalit. 

Me Ilir Shaqirin ka shumë bashkëpunime, mes të cilave janë të njohura këngët “Arbëria, Dardania”, “Kënga e bashkimit”, “Zëri im, shpirti im, gjaku im Shqipëria:, “Këngë për Remzi Ademin”, “Sherif Jasharin” etj.

Një videoklip shumë i njohur është ai që ka realizuar në bashkëpunim me tenorin e këngëtarin e mirënjohur Kastriot Tusha “Për ty Shqipëri”, me tekst të Çun Lajçit dhe muzikë të Edmond Zhulalit si dhe “Lisi i gjakut, lisi i trimave”, me tekst të poetit të mirënjohur Agim Doçi dhe muzikë të Edmond Zhulalit. 

Për gjithë veprimtarinë e kontributin e tij të gjatë në skenë ai ka marrë shumë vlerësime. Vlerësimi më i mirë për të është ai i publikut. Është mirëpritur vazhdimisht prej tij, është duartrokitur gjatë, është kthyer shumë herë në skenë, është admiruar prej tyre, jua ka ngritur zemrat peshë dhe do vazhdon të admirohet nga bashkëkombasit e vet. 

Arif Vladi pjesën më të madhe të repertorit të tij ia ka kushtuar Kosovës, luftës së saj për liri dhe pavarësi. Kjo nuk është e rastësishme. Kjo tregon dhe karakterin atdhetar të tij. Populli i Dibrës dhe i Lurës, gjyshërit dhe stërgjyshërit e tij, janë dalluar në shekuj në luftërat kundër pushtuesve barbar serb dhe armiqve të tjerë. Dhe me Arifin, duke qenë bir i denjë fisit Vladi, i Lurës së 300 duvakëve, i Lurës së Nikoll Kaçorrit dhe Gjok Doçit, nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Arifi bëri këngë himn për Kosovën dhe shqiptarinë, në ato vite si “Jam Kosova e shqiptarisë” dhe “Marshi i UÇK-së”. Si “ushqim” për këto dy këngë, si motiv nxitës për këngëtarin Vladi, autorët e teksteve Beci e Doçi dhe kompozitorin Zhulali qe UÇK-ja. Lufta e saj për liri e pavarësi, dëshmorët e rënë, heroizmi mbi njerëzor i familjes Jashari, familjes Haradinaj dhe popullit martir të Kosovës. Ky motiv i çoi shqiptarët në UÇK dhe u fitua liria. Shtëpia e tij u bë dhe strehë për djemtë e UÇK-së. Arifi me këngën e tij ja fali shpirtin Kosovës. 

Për Vladin, si këngëtar, është bërë një dokumentar me temë “Zëri i këngëve lapidare”, me udhëheqës artistik këngëtarin tjetër emblemë Ilir Shaqiri. Për Arifin çifti i mirënjohur Tone dhe Mark Gjoka kanë thurur dhe këngë. Arifi është vlerësuar dhe me çmimet: “Artist i merituar” dhe “Mjeshtër i Madh”. 

Këngëtarë të tillë si Arif Vladi  i bëjnë nder Lurës, Dibrës dhe gjithë shqiptarisë. 

Këngë të kënduara në vite

  • Lisi i gjakut, lisi i trimave
  • Djemt e Dibrës, djemt e Damit
  • Rexi Amerikani
  • Këngë për Suf Murrën
  • Jam Kosova e shqiptarisë
  • Falmi krahët shqipe
  • Falja e gjaqeve
  • Eja kam një fjalë
  • Atje larg në Atdheun tim
  • Ilirida
  • Fatime Sokolit
  • Pajtimi kombëtar
  • Anton Çeta
  • Zemra e tij si gjylja e topit
  • S’rrihet Dibra me kërbaç
  • S’na la hasmi me u rrit bashkë
  • Si molla në degë
  • Këngë për Shotë dhe Azem Galicën
  • Ka hy hasmi në katër anë
  • O ju malet e Shqipërisë
  • Jakup Ferri
  • Erdha nga Shqipëria vëllazën kosovar
  • Të dy Dibrat
  • Mos harroni
  • Flamuri kuq e zi
  • Lura ime
  • Po n’Kosovë kur do këndoj
  • Rron Kosova n’trojet veta
  • Përball topit flamurtar
  • Oj Kosovë tungjatjeta
  • N’Shehër të Dibrës janë mbledh burrat
  • N’Dardani bien një tumpan
  • Ndal bajloz
  • Nëna jote po vajton
  • Moj Kosovë, moj kull baroti
  • Moj Kosov me kësulë të bardhë
  • Këngë për Sef Kosharen
  • Shqipëria
  • Malet tona kanë hap krahët
  • Ma gëzofsh Kosovë lirinë
  • Lulet kur çelin
  • Në mal të Korabit shpesh kam dalë
  • Unë jam djalë i votrës tande
  • Unë jam çikë nga Dragobia
  • Çele nuse derën
  • Anës lumejve
  • Doli Drita
  • Djemt e Lurës
  • Djalë e nuse po thinjën për mua
  • Demokratike u ba Shqipëria
  • Enver Hoxha, tungjatjeta
  • Çohu çikë e dil te dera
  • Sikur Drini i Bardhë e i Zi
  • Liqenet e Lurës
  • Marshi i UÇK-së
  • Si molla në degë
  • Moj Serbi moj shtrigë e vjetër
  • Këngë për Ismail Hajradinajn
  • Jam Medvegja, jam Presheva
  • Vendlindja s’harrohet…