Gjaku i Isuf Murres si gjak dovleti


  1. PARATHËNIE 

Historia e dëshmorit Isuf Murrja është pjesa e pestë e studimit “Kronologjia e fisit Murrja në Luzni të Dibrës”. Vrasja e Isufit nga turqit në hyrje të fshatit Grevë ishte nga më të tmerrshmet e kohës. Kompania shëtitëse e xhandarëve turq nën drjtimin e yzbash Deli Mehmeti, i prenë kokën dhe bashkë me trupin e ekspozuan rrugëve deri në Këshlla (divizioni ushtarak turk) në Peshkopi. Hakmarrja pas disa ditësh nga djemtë e Isufit më në krye Dautin e Abdullain dhe të mbështetur shumë fort nga luznakët e dibranët bëri jehonë, jo vetëm përtej kufijve të Dibrës, por edhe matan kufijve të Shqipërisë. “Zani” i konfliktit të armatosur shkoi në Stamboll.

Objektivi i studimit është rishikimi i burimeve të shkruara (literaturës) dhe evidentimi i të gjitha varianteve të këngës për Isuf Murrën.

Qëllimi i studimit është plotësimi dhe saktësimi i ngjarjes së vrasjes së Isuf Murrës dhe evidentimi dibranëve të vrarë në Luftën e Qenokut (në hakmarrjen për Isuf Murrën).

Përgjigja ndaj pyetjeve, se: (i) Kush ishte Isuf Murrja? (ii) Sa pinjollë numronte dega e fisit Murrja në Hotesh në fundin e shekullit të XIX-të (periudhën kur është vra Isufi)? (iii) Në çfarë rrethanash tabori turk vrau Isuf Murrën? (iv) Në cilin vit u vra Isuf Murrja? (v) Cilët janë heronjtë e Luftës së Qenokut në hakmarrjen për Isuf Murrën?; do të bëjnë të mundur arritjen e qëllimit dhe të objektivave të studimit.

  1. METODIKA E STUDIMIT

Themeli i hulumtimit është kënga folklorike dhe analiza e burimeve historike të shkruara. Për këngët folklorike apo thënë ndryshe për poezitë e vjershat, që populli u ka thurur e kënduar heronjëve të vet kanë shkruajtur ikonat e folklorit të Dibrës, Haki Stërmilli (1939) dhe Munir Shehu (1960) [Shënim: Shkrimet e tyre janë origjinale dhe nuk i kemi kthyer në letraren e sotme]. Shkrimtari Haki Stërmilli në parathënien e librit të tij “Fyelli i Dibrës” thotë: Shfaqjet e jetës s’onë kombëtare dhe shoqnore në të kaluemen, përgjithësisht, janë përjetsue prej poetëvet t’onë popullorë me anë të kangvëvet, këto kangë nuk janë vetëm prona mendore e shpirtnore e këtyne vjershëtorëve, por e tanë popullit, mbasi ai i frymëzoi me ngufmue në shprehje poetike. Prandaj mund të themi se poezia jonë popullore asht pasqyra e shpirtit të popullit t’onë. Nga kjo poezi kuptohet fare mirë morali e karakteri, besniknija e fisniknija, mënija e dashunija, burrnija e trimnija, shkurt, shpirti i kombit t’onë. Ndërsa studiuesi Munir Shehu në librin e tij “Dibra në shekujt e sundimit Osman” shkruan: … Askush nuk mund të thotë se këto këngë e gojëdhëna u trilluan ashtu, kot së koti. Ato kanë një burim, për këtë as që dyshohet. Në to shihet qartë vringëllima e shpatës, lufta për mbijetesë, për liri. Burimi është populli, vetë historia e tij. 

III. DËSHMORI ISUF MURRJA

Isuf Murrja lindi në fshatin Hotesh (Shikoni Figurën 5.1). Ishte djali i dytë nga tre djemtë e Elezit. Ai trashëgoi nga i ati Elezi, Kreun e Malit. Isufi ishte i treti brez në fisin Murrja që udhëhoqi Luzninë. Stafeta e kishte zanafillën me gjyshin e tij Halilin. Pas vrasjes makabre nga turqit, homazhet dhe vendi ku Isuf Murrja “flen” përjetësisht është fshati Selane.

1. PEMA GJENETIKE E DEGËS SË FISIT MURRJA NË FUNDIN E SHEKULLIT TË XIX-të

Djemtë e Halilit në fshatin Hotesh ishin Hasani, Elezi, Hyseni, Seferi dhe Limani (Shehu, 2018: 262). Pasardhësit e tre të parëve, i zgjeruan territoret gjografike në fshatrat Selane, Trenë, Pekë, Melan e Trepçë. Nga pesë djemtë e Halilit vetëm Limani nuk la trashgimtarë (Burimi: Jahe Murrja, Ibrahim Murrja). Natyrshëm emri i tij nuk i ka shpëtuar toponimisë. Një nga arat në territorin e fisit Murrja në luginën në të majtë të përroit të fshatit quhet Limane. Kjo arë sot trashëgohet nga pasardhësit e Seferit (Figura 5.2).

Po cila ishte gjendja numerike e degës së fisit Murrja në fshatrat Hotesh dhe Selane në fundin e shekullit XIX-të. Pema gjenetike e fisit Murrja nga origjina e deri në fundin e shekullit të XIX-të paraqitet në Figurën 5.3. 

Nga brezi i parë në brezin e dytë shtimi është në raportin 1:5. Nga brezi i dytë tek prezi i tretë shtimi i fisit është në raportin 5:11 ose 2,2 herë më shumë. 

Ndërsa ky raport nga brezi i tretë tek brezi i katërt që përkon me fundin e shekullit të XIX është 11:25 ose 2,27 herë më shumë. Numri i burrave dhe djelmoshës së fisit Murrja në kohën e vrasjes së Isufit ka qenë 36 vetë pa llogaritur brezin e katërt.

 

  1. RISHIKIMI I LITERATURËS –ANALIZA 

DHE DISKUTIME

Heroizmi i Isufit është vjershëtuar e kënduar nga dhjetra e dhjetra rapsodë dhe është shkruar nga disa studiues. Siç e kemi theksuar, qëllimi i hulumtimit “Gjaku i Isuf Murres si gjak dovleti” është njohja me të gjitha burimet për të plotësuar dhe saktësuar sa më mirë figurën e dëshmorit Isuf Murrja, si dhe për të evidentuar heronjtë e Luftës së Qenokut. Gjurmët e para të shkruara për heroin Isuf Murrja datojnë në vitin 1939 (botuar në vitin 1944), ndërsa të fundit në vitin 2018. Autorët që kanë shkruar për Isuf Murren pasqyrohen në Tabelën 5.1.

  1. Haki Stërmilli (1859-1953)

Shkrimtari më i spikatur dibran i kohërave është hulumtuesi i parë, i folklorit të Dibrës. Në studimin e tij të vitit 1939 “Fyelli i Dibrës” për vrasjen e Isuf Murrës shkruan: Koollasi Esat Beu tue shkue në Peshkopi e ndeshi mb’udhë Suf Murën të armatosun. E ndaloi dhe kërkoi ta çarmatosi, por ai s’u bind dhe plasi pushka. Sufa u vra dhe Esat Beu shkoi në Peshkopi. Juzbashin e Peshkopisë bashkë me ushtarët e tij e nisi për në qytet të Dibrës së Madhe po atë ditë. I biri i Suf Murës, e muer vesht udhtimin që do të bante Juzbashi (kapiteni) dhe, e la t’atin pa u votrue e shkoi, e i vu pritë në Qenok. Në përpjekjen që u ba u vra Juzbashi, nji kapter e disa ushtar. Nga kushëriri i tij, Mehmet Stërmilli në moshën 75 vjeç në atë kohë (rreth viteve 40’ të shkekulit të XX), Haki Stërmilli ka “vjelur” dhe ka shkruar këto vargje me titull “Kanga e Suf Murës”.

Shkoi kallausi në këshlla

Souf Murrën e paskan vra

Souf Murrja ka qenë i parë,

Nuk e dha martinën xhallë,

Souf Murrja na paska thanë,

Pesë gjem mbrapa kam lanë

Pa e pague mos me lanë.

Daut Murrja nji gjel lehnak

E bani prajtën në Qenok

Babë e izbashi kok për kok’

Kur vikati qycuk Mehmeti

Ç’u batë nizamë se u ba kiameti

Ju mor trepças mor pomakë

I latë asqerët nëpër sokakë

U duxhet nouri natë për natë.

Analizë: Përshkrimi historik dhe vargjet e Haki Stërmillit hedhin dritën që nuk do të shuhet kurrë për ngjarjen duke zgjuar pasionin e studiuesve të mëpasshëm. Jehona e vrasjes jepet në vargjet një dhe dy, dhe e vërteta e vrasjes në vargjet tre dhe katër. Ndërsa në vargjet e pasme e deri në fund, përcillet mesazhi i organizimit të hakmarrjes më në krye djemtë e Isufit. Hulumtimi i Stërmillit është i pari, pas rreth dyzetë viteve të vrasjes së Isufit. 

  1. Haki Pahumi (1915-1961),

Mësuesi orator (Burimi: Zabit Lleshi tek gazeta Rruga e Arbërit) është një ndër referencat e historianit Kristo Frashëri në lidhje me ballafaqimin e armatosur të Isuf Murrës me xhandamërinë turke, ku ai nuk dorëzoi armën dhe u vra pasi la të vrarë disa prej tyre. Vargjet e regjistruara nga Haki Pahumi më 15 qershor 1952 janë:

“Voj haberi n’atë kërshlla

Nj’at Sufë Murrën e kanë vra

Aj Suf Murrja paska thanë:

Unë pesë voca i kam lanë

Kam Dautin nji Karejman

Karejman e nji lenok

Ta presë yzbashin n’at Qenok

N’at Qenok e n’at Pjeçë

U shemb Luznija i mirë e i keq…”

Analizë: Jo vetëm që ruhet variant i parë, por në vargjet e fundit të mësuesit Haki Pahumi konstatohet kontributi i jashtëzakonshëm i luznakve në mbështetje të pesë djemve të Isufit.

  1. Munir Shehu (1910-1982),

Studiuesi mendjendritur i folkorit, i këngës epiko-historike, i gojëdhënës dhe i historisë së Dibrës në librin e tij “ Rrëfime dhe këngë popullore” shkruan për “Vrasja e Suf Murrës” si më poshtë:

U raftë teli për këshlla,

Çat’ Suf Murren e paskan vra. 

Mos izbash, mor pash’ allanë,

Se nja pesë voca i kam lanë.

Kam lanë Dautin, çat karejman.

Daut Murrja, ni gjalë lenok:

-Kapni pushkët, ju mor shok’

Ti zanë prejtat, n’at’ Qenok.

Se m’vrau babën bigari hak.

Telegraft na shkojnë prapë:

-Ka mbetë izbashi me gjithë shok’.

E preu Murrja me gjithë shok’.

N’at’ Qenok, njer ma i qeçe (ma plaku)

U shemb Luznia, i majr’ e i keçë.

Studiuesi Munir Shehu vazhdon: Deli Mehmeti ishte shqiptar prej Gostivari. Ishte i ri në moshë. Po atë vit kishte mbarue studimet ushtarake në Stamboll e dërgohet në Dibër komandant operacionesh me gradën bimbash. Tue qenë rritë në Turqi dhe me ndjenja fanatike turke, kujtonte se në malësitë e Shqipnisë shkon puna shtrue njësoj si në bankat e shkollës nga e cila sapo kishte dalë. Si qen besnik i turqve, niset nga Dibra e Madhe për operacione në Peshkopi dhe, me të dalë në Bllatë, fillon operacionet tue e vra Kazi Hanin e disa të tjerë. Kështu, Deli Mehmeti vazhdoi rrugën tue vra sa njerëz i dilnin përpara. 

Në kodrinat e Qenokut, vret Suf Murren. Kokën e tij e pret dhe e nis për në Stamboll, për t’u tregue turqve besnikërinë e tij. Për t’i fut tmerrin popullit, trupin e len të ndemë në oborrin e këshllasë dhe nuk u dorëzon të bijve për të varrosë. Duhej vra Deli Mehmeti dhe kjo punë nuk priste, duhej krye sa më shpejt se kufoma po qelbej. Pa u marrë gjaku, nuk mund të fillohej as mortja. Ndërhyn me dinakëri sheh Ymeri i Peshkopisë. Ky i thotë Deli Mehmetit se kishte vra nji nga burrat ma të përmendun të Dibrës dhe kishte vepru kundra zakoneve të malësorëve dhe të fesë tue mos e lejue varrosjen e kufomës. Tash sipas besës së lidhun, të nandë Malet e Dibrës kishin me u çue në luftë dhe, sa të t’rrethojnë në Peshkopi, ma mirë do të ishte me ikë në Dibër të Madhe.

Kalojnë dy, tre, katër, pesë ditë. Ditën e gjashtë, turqit ngarkuen mushkat për t’u largue nga Peshkopia, tue e lan kufomën gjithnji shtrimë në oborr. Me shpejtësi Sheh Ymeri lajmëron Daut Murren djalin e Isuf Murres. Ndërsa kufomën e Isuf Murres e çonin në Hotesh, po aty në kodrat e Qenokut, do të vriten të gjithë nizamët turq, bashkë më komandantin e tyre Deli Mehmeti, gjithsejt 150 vetë. Vrasjen e Deli Mehmetit e organizoi Sheh Junuzi, Elmaz Mena e Tahir Abazi. Ngjarja ka ndodh në vitin 1986. 

Ja dhe nji kangë tjetër (marrë nga Riza Selman Nurçja nga Topojani):

Çai Suf Murrja na kishte thanë:

-Un’pesë vocat i kam lanë. 

(Nja pes’gjem, i kam lan’)

Ma të mbramin m’a qujn’ Shaban.

Pa pagjue babën s’e lan’

Ka zanë prajt, n’at’ Qenok,

Me Uzbashin kok’ për kok’

Ka zanë prajt vet’ i shtat’

E bani tajm’/tejm’, e bani fjakë.

Kush u vra, n’at prejtë/prajtë të parë.

Mane Nurçja ni azhderharë,

Me uzabshin, ballë për ballë.

Ni azhderharë, na pajke trejmi/trajmi,

N’at’ lendinë e muloi tejmi/tajmi

E muloi tejmi/tajmi, e muloj fjaka,

As gajrat, or Allaman Straka (Çetushas)

Çish në Trepçë e n’Dovalan,

U mbush rruga me nizam’.

Ahmet Murrja, ni soj finxhan

Or Sel Prethi ku të kam? (Lishan)

-Qëndro Murre, se ktu jam!

Këtu jam ku shtojet pushka,

Ram Kaziu ka marr nja di mushka 

(Arapaj, fis Kurte)

Pojt Ferriku: ç’u bo izbashi?

-Ja kan’ pre krëjet/krajët Luznia dhe Hoteshi

Kur bërtiti Deli Mehmeti:

-Ik nizam se u bo kjameti

Qenka shem xhithë mileti.

Xhaku i Sufë Murres si xhak mbreti.

 

 

Ndër të tjera autori shkruan: Jusuf Murren e vrau kolas Esat Beu ne vitin 1886. Pesë djemtë e tij: Abdullahu, Dauti, Miftari, Ymeri dhe Shabani, luftuan me uzbashë Deli Mehmetin në Qenok dhe i asgjesuan me asqerë. Deli Mehmetin e vrau Mal Neziri (Rexhepi) nga Hoteshi dhe ishte nipi i Isuf Murres nga e bija.
Analizë: Heroizmi i Isuf Murres nga Munir Shehu vjen i plotësuar në kënvështrime folklorike e historike. Hulumtimi i tij është shkrimi i parë historik i detajuar për Isuf Murren, që daton në vitet 60’ të shekullit të kaluar (njëzetë). Në këtë variant konstatojmë pjesëmarrjen në luftë të Allaman Strakës (Sipas Hazis Ndreut është Hysen Straka dhe ky është emri i saktë) nga Çetushi, Ramë Kaziut (Kurtit) nga Arapi i Epërm dhe të Mal Nezirit (Rexhepit) nga Hoteshi.

4. Hazis Ndreu (1935-2000),
Rapsodi dibran që u investua edhe në studimin e historisë së Dibrës në librin e tij “Dibra në Udhën e Historisë”, shkruan: Isuf Murrja, biri i atdhetarit Elez Murrja, që pat udhëhequr luznakët kundra Hajerdin Pashës … djemtë e Isufit për kohën e kthimit të komandës turke për në Shehër (Dibër të Madhe) i lajmëroj Sheh Nuzi nëpërmjet Mane Bardullës (nipi i Sheh Nuzit). Vargjet e skalitura nga mendja dhe të kënduar prej tij pasqyrojnë variantin më të plotë, më të saktë e më të bukur të betejës së Qenokut.
U rref teli për këshlla
(Shkoi haberi n’at’ kishlla)
Isuf Murrja qenka vra!
Isuf Murrja paska thanë:
-Të pesë djemtë që i kam lanë,
Si Dautin e Abdullanë,
Pa pague besën se lanë.
Daut Murrja një burrë idhnak,
Shemën krahinën krejt luznakë,
Ka zan pritën n’at Qenok.
-Kush u vra në tabe të parë?
-Mane Nurçja, Azhderbar .
N’at lëndinë e mbuloi tymi.
E mbuloi tymi, e mbuloi flaka.
Ban gajret o Hysen Straka!
Ahmet Murrja burr azgan
Prej n’Trepçë e n’Dovolan,
Përmbi turqit nam po ban!
-Sel Prethi ku të kam?
-Qëndro, Murre, se këtu jam!
Shtatë a tetë mbajtun i kam!
Kur vikati Deli Mehmeti:
-Hik nizam se na gjet kjameti!
Gjaku i Sufë Murrës si gjak dovleti,
Gjaku i Sufës u la me gjak,
Treqind turq u dogjën flakë.
Nam po ban pushka e Luznisë,
Kundra mbretit të Turqisë!
Analizë: Studimi i Hazis Ndreut për heroizmin dhe luftën e Qenokut është në përuthje me burimet e para dhe është akoma më i plotësuar në këndvështrimin shkencor. Kjo reflektohet edhe në vargjet e tij ku përcilllet heroizmi i luznakve dhe dibranve në emra të përveçëm. Këto vargje janë hedhur në nota muzikore dhe janë kënduar për herë të parë për më shumë se 6 minuta nga vet Hazis Ndreu dhe më pas në variante më të shkurtra nga Skënder Cala e Arif Vladi.

Kënga e Suf Murres e kënduar
nga Skënder Cala
Eeej na u rref teli për këshlla
Heej çaj Suf Murren mor na e paskan’ vra
Heej çaj Suf Murren mor na e paskan’ vra
Ç’ajat Suf Murja pajaska than’
Eee te pesë djemtë, o mor që kam lan’
Pa e pague babën nuk e lan’
Eeej ka nis dita me zbardhue
Çajat Çenok mor e kanë, o rrethue
Ti izbash ka ke o me shkue
Eeej kur vikati, Deli o Mehmeti
Xhaku i Suf Murres, or si gjak o dovleti
Ik o nizam se të gjet o kjameti
Eeej gjaku i Suf Murres, u la o me gjake
Treqindë turqë o u dogjen në flake
Treqindë turqë o u dogjen në flake
Heej nam o po ban hej pushka e Luznisë
Kujundra mbretit oro të Turqise
Treqindë turqë o u dogjen në flake
Kënga e Suf Murres e kënduar nga Arif Vladi
Heej na u rref teli për këshlla
Çajat Suf Murren mor na e pajaskan’ vra
Çajat Suf Murren mor na e pajaskan’ vra
Heej çaj Suf Murrja na pajaska than’:
Të pesë djemtë o si kam lan’
Pa e pague babën nujuk e lan’
Në at’ Çenok ku derdhet gjak
Treqinde turqit o po digjen flak’
Ooou Dibra pushkën e ka zanate
Heej kaja nis dita meje zbardhue
Ni o piskam na asht’o ndigjue
Kur o vikati, o Deli Mehmeti
Ik nizam se të gjetë o kjameti
Mbrrin haberi o në Stamboll o mo te mbreti
Ooou gjaku i Suf Murrës si gjak dovleti
Ooo na o po ban, o pushka e Luznis’
Kujundra mbretit të Turqisë
Ooou me i zbardh faqen,
O me i zbardh faqen o shqiptarise
Analizë: Rapsodi i Madh, Hazis Ndreu zyrtarizoi në vargje dhe në nota muzikore këngën e Isuf Murrës. Më pas këndohet në një variant më të shkurtër nga aktori Skënder Cala dhe më vonë me kompozim të Mjeshtrit të Madh Përparim Tomiçni këndohet nga Mjeshteri i Madh i Këngës Popullore Arif Vladi. Ky variant u bë himn i trimërisë luznake, i trimërisë dibrane dhe i trimërisë shqiptare. Me vargun e fundit “Ooou me i zbardh faqen, O me i zbardh faqen o shqiptarise” kënga arrin dimensionin kombëtar.

5. Hilmi Kolgjegja (nuk kemi mundur
të gjej të dhëna për lindjen dhe vdekjen),
Në librin e tij të vitit 1990 “Folklor nga Dibra 7” shkruan: … për shpërndarjen e forcave të Lidhjes së Prizrenit në Dibër erdhën disa ekspedita osmane. Kundër tyre u ngritën malsorët e Dibrës dhe u dalluan shumë luftëtarë, si p.sh. Jusuf Murrja nga Luznia, që u vra pabesisht nga turqit në Çenok të Peshkopisë në vitin 1882. Autori e përcjell ngjarjen me një pjesë të vargjeve të këngës së Isuf Murres me titullin “Shkoi haberi n’at’ kishlla”.
Shkoi haberi n’at’ kishlla,
Jusuf Murrën e kan’ vra.
Jusuf Murrja paska thanë:
-Un’ pes’ djem i kam lanë,
kam Dautin si kapidan;
kapidan ni djalë luznak,
bani prit në Çenok;
Në Çenok e deri në Çeqë,
u shem Luznia i mirë e i keq.
-Dalip Lela ku të kam?
-Qinro, Murre, se ktu jam.
Krisi pushka, u dyn mileti
gjaku i Jusufit ni gjak mreti.
Gjithashtu Hilmi Kolgjegja luftën e Qenokut e ka komentuar edhe nëpërmjet anekdotës historike si vijon: Në luftën e Çenokut, maj Peshpaj, ku luftun’ dibranë e turq, ni luznak i ra disa herë me shpatë ni turku kresë e, e kujtoi të vdekun. Të nesërmen ki luznak bashk’ me ni shok t’vetin erdhën në venin ku qe ba beteja më turqit e ushtarin turk, të coptuem kresë, e gjetën hala gjallë. -A hala gjallë qanka ki turk, -pajti shoku luznakun, kur ti m’thae se i ke ra disa herë me shpatë kresë? -Ki e paska pasun krajet krejt rrashtë –ja kthej i luznaku. Se po t’kishte pasun pak tru, do kishte vdekun.
Analizë: Siç shikojmë ruhen variantet e mësipërme fillestare dhe konstatohet prezenca e një luznaku tjetër nga Hoteshi, Dalip Lela.

6. Kristo Frashëri (1920-2016),
Historiani brilant në librin e tij “Histori e Dibrës” në KreunXXIV “Dibra pas lidhjes së Prizrenit” shkruan: -Tensioni i madh që u krijua në marrëdhëniet midis popullsisë shqiptare dhe administratës osmane e ndriçon midis të tjerave revolta, e cila mori zjarr nga një shkas i izoluar-vrasja e Jusuf Murrës, e cila duhet të ketë ndodhur aty nga viti 1881.
Në kundërshtim me urdhërin e rreptë të lëshuar nga administrata perandorake, i cili ndalonte lëvizjen me armë të malësorëve jashtë “maleve”-në kohën kur kthehej nga fshati Grevë në shtëpinë e vet u ndesh ballë për ballë më një kompani shëtitëse xhandarësh. Kur komandanti i repartit me gradë yzbash, e urdhëroi të dorëzonte armën, malësori dibran nuk pranoi. Atëherë u zhvillua një shkëmbim zjarri. Në përfundim të ballafaqimit të armatosur Josuf Murrja u vra, pasi la të vrarë disa xhandarë. Vrasja e tij shkaktoi tronditje për më tepër kur kokën e tij të prerë e ekspozuan për qëllim terrori në qendër të Peshkopisë. Të ofenduar, pesë djemtë e Jusuf Murrës ftuan malësorët në ndihmë për të mbrojtur nderin e babait të tyre dhe njëkohësisht të drejtën e mbajtjes së armëve sipas traditës. Kur reparti turk kthehej nga Peshkopia për në Shehër, rreth 500 malësorë luznakë i zunë prit në Qenok. Yzbashi me mjaft xhandarë mbetën të vrarë. Nga frika e përhapjes së ballafaqimit të armatosur administrate osmane nuk e shpuri më tej.
Analizë: Parë në kënvështrimin profesional është përshkrimi më i përsosur dhe testamenti më i çmuar në aspektin shkencor.
7. Ibrahim Murrja (1937-2015),
Pasionanti i historisë së Luznisë. Më 1988 shkruajti monografinë për Ali Likën (Damzin) “Burri që vdiq në këmbë”. Në librin e tij “Nandë Malet e Dibrës” shkruan për “Betejën e Çenokut 1872”shkruan: Pas një periudhe 7-vjeçare, inatçinjtë pashallarë turq e autoturq duke mos harruar ndëshkimet dhe humbjet me turp të paraardhësve të tyre në Dibër, kësaj radhe menduan të përdorin forcën për të vendosur format radikale pa dallim feje e kombësie dhe nga ana tjetër me çdo kusht të kapnin dhe të ekzekutonin krerët malësorë. Për këtë arsye Porta e Lartë e Stambollit në vitin 1872 nisi për në Dibër tre taborë me nizamë nën komandën e bymbash Deli Mehmeti me që ky e dinte vendin pëllëmbë për pëllëmbë dhe ua dinte zakonet dhe huqet dibranëve. Reforma e Tanzimatit dhe zbatimi i tyre në Dibrën e Madhe me oficerë dhe xhandamërinë lëvizëse, për katër ditë kalon në fshatrat e Maqellarës. Në fshatin Majtarë patrulla turke me atë të turxhimenëve (përkthyesve) kapin Llan Kaziun që ishte Kreu i Nahisë Selishtë (Katër Grykëve) dhe e ekzekutojnë duke i prerë kokën.
Pas disa ditësh në fshatin Trenë, 2 km larg Peshkopisë, zabitllarët turq zatekin Isuf Murrën. Në momentin kur najçalliku, i kërkon Prijësit të Malit të Luznisë të dorëzoj hutën, me plumbin e vetëm e qëllon duke e lënë të vdekur. Zabitllarët sulen dhe në përleshje e sipër edhe Isuf Murrës i presin kokën dhe bashkë me atë të Llan Kaziut i dërguan në Kishlla-Peshkopi. Ndërkohë vargjet e memorizuar prej tij janë:
More bymbash ku don me shkue?
Sot Luznia në luftë t’ka ftue
Luftë po ban në tabe t’parë
Mane Nurçja azhdaharë.
Hazhdahar trim me fletë
mitun turqit, ka shtat a tetë
Mane Nurçja i ra nishanit
rrëzoi bymbashin majë kalit
Ahmet Murrja burr azgan,
Përmbi turqit nam po ban
Nat Çenok po ban kërdi
Me Sal Prethin e ka gri
Po pyet friku: Çu ba bymbshi?
I kan pre kryet Luznija-Hoteshi
Gjaku i Isuf Murres u la me gajk
300 turq u dogjën në flak
Ça qe posht n’ato lajthia
Lufton Reçi, Dardha e Çidhna
Me grykë të vogël, grykë të madhë
Nizamit, turkut ia lanë për varre.
Daut Murrja me Luzni
Në Çenok la historinë
Me luzninë çapajeve
Pushkë e fortë me nadë male.
Ndërkohë Ibrahim Murrja në librin e tij sjell të pikturuar nga dora e tij, imazhin e personazhit kryesor të kësaj lufte, Daut Murrën (Figura 5.5).
Analizë: Hulumtimi ka pika të përbashkëta me studiuesin Munir Shehu. Sipas tij ngjarja ka ndodhur në vitin 1872, ndërkohë kemi vitin 1886 nga Munir Shehu, vitin 1882 nga Hilmi Kolgjegja dhe vitin 1881 nga Kristo Frashëri.

8. Emrie Skuka (Mera),
Nxorri në dritë tesatmentin e parë të Luznisë me librin e saj “Sinoret e Luznisë”. Në këtë libër varianti i saj për vrasjen e Isufit dhe Luftën e Qenokut është i bazuar në studimin e Hazis Ndreut. Vrasje dhe marrja hak nga djemtë, luznakët dhe dibranët është më i zgjeruar dhe më në detaje. Autorja me doza letrare prezanton operacionet sipas kohës, vendit dhe emrave të përfshirë në këtë luftë në vitin 1882. Ndër të tjera, ajo paraqet një tjetër variant të këngës së Isuf Murres nga Osman Shquti.
Isuf Murrja na paska thanë
Pesë djem mbrapa i kam lanë
Kam Dautin e Abdullain
Pa pague babën se lanë,
Ka nis dita me zbardhue, ske ku me shkue,
N’ato lajthi ku del tymi,
Lufton Sel Predhi e Dan Brahimi
More Sel Prethi, ku të kam?
Qëndro Murre se ktu jam
Shatat a tetë majtun i kam.
… kush piskati në tabe t’parë
Mane Nurçja nji hashdehar
Ky Met (Ahmeti) Murrja nji burrë azgan
Ther turqit e nam po ban.
Ç’po pyet Feriku: Ç’u bë izbashi?
I kanë prerë kokën Luznia e Hoteshi
I thuj mbretit t’osmanllisë,
Tabori ta ndali pushka e Luznisë,
Nam po ban pushka e Luznisë,
Kundra mbretit të Turqisë.
Sipas autores këtë variant e kanë arkivuar në memorjet e tyre deri në ditët e sotme Nuri Murrja (76 vjeç) dhe Beqir Mata (87 vjeç). Ndër të tjera ajo shkruan: në atë betejë u vra Mal Neziri (Rexhepi), Mane Nurçja, Sel Prethi e Dan Brahimi.
Analizë: E reja e këtij varianti të këngës është pjesëmarrja e Dan Brahimit. Meqë autori i këtyre vargjeve është Osman Shquti, është e vlefshme të bëjmë me dije se ai ishte thesar i çmuar i memories historike për luftën e Qenokut. Kontributin e tij do ta quajmë “apologji për Isuf Murren”. Në hulumtimet që ka bërë Rapsodi Hazis Ndreu, ai ka një kontribut të jashtëzakonshëm dhe e ka mbrojtur apologjikisht Heroin Isuf Murrja.
Në cilin vit u vra Isuf Murrja?
Duke analizuar autorët në Tabelën 5.2 risjellim vitin e vrasjes sipas secilit.
Tabela 5.2 –Viti i vrasjes së Isuf Murres
Burimi: Paraqitje e autorëve

Mendojmë se viti 1872 i shkruar nga Ibrahim Murrja dhe viti 1886 i shkruar nga Munir Shehu bien si variante sepse Hilmi Kolgjegja ekspeditat e turqve i argumenton si presion ndaj organizimeve të Lidhjes së Prizërenit, ndonëse ai shkruan se vrasja ka ndodhur në vitin 1882. Kujtojmë se Lidhja e Prizërenit është organizuar nga 1878 në 1881, ndaj mendojmë që viti 1881, që Kristo Frashëri ka shkruar në librin “Historia e Dibrës” duhet të ketë qenë periudha e ndodhjes së ngjarjes.

Territori i betejes së Qenokut
Lufta e luznak’ve e dibran’ve me komandën shëtitëse të xhandamërisë turke, kur ato po ktheheshin nga divizioni i Peshkopisë për në Sheher (Dibër të Madhe) është zhvilluar në kodrat e Qenokut. Kjo betejë është zhvilluar nga kodrina nga ku sot është rruga për në hyrje të fshatit Trepçë e deri te rruga e sotme në hyrje të fshatit Dovalan (Burimi: Jahe Murrja, Osman Shquti, Haqif Gjurra dhe Malet e Dibrës).
VI. PËRFUNDIME
Në vjeshtën e vitit 1881 Isuf Murrja u pikas nga komanda e xhandamërisë turke duke u kthye për në shtëpi, pas një vizite tek vjaza e tij, e martuar tek Jashar Fida në Grevë. Vendi i ballafaqimit është pak mbi rrugën nacionale të sotme afër një burimi uji në hyrje të rrugës për në fshatin Grevë. Kallauzi (udhrrëfyesi) i komandës Esat Beu kërkoi ta çarmatoste, nën urdhërin e yzabash Deli Mehmetit por ai nuk u bind dhe plasi pushka. Në shkëmbime zjarri Isuf Murrja u vra nga Esat Beu, pasi ai kishte vrarë disa xhandarë. Pas vrasjes trajtimi i kufomës ishte çnjerëzor. Ato i prenë kokën dhe së bashku me trupin e ekspozuan duke ndjell terror deri në këshlla (divizionin ushtarak turk) në Peshkopi (ku sot është shkolla Nazmi Rushiti). Trupi tij mbeti për disa ditë aty. Pas disa ditësh kur yzbash Deli Mehmeti me komandën po kthehej për në Shehër (Dibër të madhe), djemtë e Isufit të mbështetur fuqishëm nga dhjetra e qindra luznakë e dibranë organizuan hakmarrjen e babës në kodrat e Qenokut. Në këtë organizim ndihmuan Sheh Nuzi, Mane Bardulla, Elmaz Mena dhe Tahir Abazi. Betja u shtri përgjatë rrugës nacionale të sotme dhe ekzaktësisht nga rruga që të fut sot në fshatin Trepçë e deri tek rruga që të fut sot në fashtin Dovalan. Në këtë betejë u vranë Yzbashi Deli Mehmeti dhe i gjithë tabori që mendohet të ketë qënë 150 vetë. Autori i vrasjes së yzbashit është Mal Neziri (Rexhepi), i cili mbeti i vrarë së bashku me Mane Nurçen, Sel Prethin, Hysen Straka e Dan Brahimin. Ndër dibranët e shumtë që morën pjesë në luftën e Qenokut janë Ram Kaziu (Arapaj), Sadik Gjurra (Pekë), Sal Shquti (Hotesh) Dalip Lela (Hotesh) e shumë e shumë të tjerë.
VII. REKOMANDIME
Në nderim të Dëshmorit Isuf Murrja dhe heronjëve të vrarë në Betejën e Qenokut të merret në kosideratë nga institucionet vendore dhe qendrore rekomandimi ynë për të ndritur përkujtimore (i) në vendin ku është vra Isuf Murrja dhe (ii) në një nga kodrinat e Qenokut ku janë vrarë Mane Nurçja, Sel Prethi, Hysen Straka, Dan Brahimi, Mal Neziri (Rexhepi) e të tjerë.