Motive tiranase nga Zaim Elezi (Zaya)


Më 11 shkurt të vitit 1920 qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjes u vendos në Tiranë, duke e shpallur kështu zyrtarisht kryeqytet i vendit. Pra, ky vit shënon edhe 100-vjetorin e shpalljes së Tiranës si kryeqyteti i Shqipërisë. Në këtë kuadër, piktori dibran Zaim Elezi – i njohur me pseudonimin e artit ZAYA – hap një ekspozitë me piktura për kryeqytetin tonë, Tiranë, kushtuar traditës si dhe peizazhit tiranas me rrethina.

Filozofia e rritjes dhe edukimit fillon me respektin për traditën dhe nuk mbaron kurrë në gjithë jetën. Kjo, në rrafshin gjeografik dhe magjepsës të natyrës, sinkron me peizazhin magjepsës shëtit, ecën në shtigje e rrafshina të mrekullueshme, dhe shqiptari hyjnizohet me veshjen e traditës, e përjetësuar me elegancë e mjeshtëri të jashtëzakonshme në veshjet tradicionale që kanë magjepsur të gjithë ato që i kanë njohur me ato veshje dhe i kanë shijuar midis një bukurie dhe relievi mahnitës. Ky vështrim dhe qëndrim është i pranishëm në gjithë veprat e kësaj ekspozite. 

“Piktori Zaim Elezi është një emër i rëndësishëm ne Artin Pamor shqiptar – thotë piktori Arif Lushi. Ai vjen në këto tablo ndryshe dhe larg nga kornizat e traditës. Tablotë përcjellin emocione të natyrshme dhe larg skemave por, plot ngjyrë, dritë dhe jetë. Në të gjitha gjinitë lehtësisht e shohim mjeshtërinë e tij dhe magjinë e krijimit, shohim elemente dhe frymë bashkëkohore dhe të realizuar me elegancë dhe kompetencë profesionale”.

Lushi thotë se veprat e Zaim Elezit “shprehin edhe marrëdhënien që ka autori me Tiranën me rrethina, kjo nëpërmjet atmosferës koloristike dhe një tisi dashurie që lexohet në të gjitha tablotë. Një zë qartësisht i veçantë në artin shqiptar dhe me vlera të vërteta artistike”

“Zaim Elezi dhe disa kolegë të tjerë bashkëkohorë janë shumë më lart se 20 mjeshtra të mëdhenj të traditës sonë; janë më me art se qindra të tjerë të stërdrekretuar në tituj inflacioni…” – thotë ai për gazetën “Rruga e Arbërit”.

Kjo ekspozitë është realizuar nga shoqata “PamArt”, mbështetur nga Fondacioni për Kulturën dhe Artet “Fan Noli”, Tiranë.