Përgënjeshtron kompania: Asnjë problem me Urën e Vashës


Dhjetë kamionë të tonazhit të rëndë kalojnë njëkohësisht mbi urë, testojnë cilësinë

Një status i ish-kryeministrit Sali Berisha më datë 7 gusht 2020, i cili shpërndante një video amatore nga Ura e re e Vashës, dyshonte për problematikë në ndërtimin e urës.

“Ura është çarë rreth 30 cm, ku ka humbur kolonat e betonit” shkruante mes të tjerash ish-kryeministri.

Por ndërsa bëhej publik ky status, 10 kamionë të tonazhit të rëndë po kalonin së bashku mbi urën e re të vashës, duke realizuar kështu një nga proceset e punës që kanë të bëjnë me kolaudimin e punimeve.

Me datë 8 gusht 2020, si një përgjigje ndaj ish-kryeministrit, Kompania Gjoka Konstruksion ka 

shpërndarë videon kamionëve që kalojnë mbi urë, duke përgënjeshtruar statusin e Berishës.

Në deklaratën e saj, kompania e quan videon e  shpërndarë si një “material spekulues nga territori i projektit të Rrugës së Arbërit”.

“Këto sulme apo akuza përbaltëse që hasen rëndom, në mënyrë anonime për shumëçka në mediat sociale dhe si aspak profesionale nuk meritojnë vëmendje, – thuhet në reagimin e kompanisë, por duke parë se “shpërndarës i saj është Sali Berisha, kjo i jep tjetër trajtë materialit, pasi opinioni i gjerë priret të besojë, duke ditur që ai është një ish-kryeministër dhe si i tillë i njeh shumë mirë procedurat koncensionare, detyrimet kontraktuale, auditimin dhe çertifikimin e një vepre publike që nga nisja e punimeve deri në dorëzimin e saj”.

Kompania thotë se “muri që shfaqet në pamjet e z.Berisha nuk bën pjesë në strukturat mbajtëse të Urës së Vashës, as edhe të trupit të rrugës para kësaj ure”.

“Përfundimi i fazës së hapjes së tunelit T5, që ndodhet para Urës së Vashës, kërkoi ndërtimin e këtij muri si strukturë të përkohshme betoni për krijimin e një sheshi “sheshi i lancimit-territor provizor” në dalje të tunelit. Njëkohësisht ky mur i përkohshëm shërbeu dhe për mbrojtjen e jetës së punëtorëve nga rënia e gurëve dhe dherave të shesheve ku u ndërtuan 3 bazamente të urës. Çarja që tregohet është e krijuar nga masivët e shkëputur nga faqja e malit, zonë e cila është krejtësisht e shmangur nga aksi i rrugës dhe urës!”, thotë në reagimin e saj zyrtar kompania Gjoka Konstruksion.

Më tej në deklaratë theksohet se “ bazamentet e urës janë realizuar si struktura rigjide beton-arme mbi pilota të futura rreth 30m në shkëmb të çimentuar. Për ndërtimin e tyre janë realizuar 8500 m3 betone të armuara të klasit 30/37 Mpa, 1000 ton hekur betoni, 1435 ml pilota b/arme dhe 2000 ton çimentime të shkëmbit të themeleve. Këto bazamente kanë një aftësi mbajtëse dhe qëndrueshmëri në përputhje me Eurokod-in”.

Kompania hedh poshtë çdo spekulim mbi këtë çështje duke garantuar përfundimin e veprës në afat dhe në përputhje me të gjitha detyrimet kontraktuale dhe të standardeve më të mira të sigurisë.

Më 6 gusht, një ditë më parë se Berisha të hidhte videon në Facebook, kryeministri Edi Rama u tha “mirëmëngjes” me një video mbi punimet e realizuara deri më tani në rrugën e Arbrit.

Në video shfaqen punimet gati në përfundim të rrugës nga Ura e Brarit deri në Zall Dajt, si dhe pamje nga rrethrrotulli i Maqellarës. Gjithashtu, në video shkruhet se janë mbyllur punimet në pothuaj 6 tunelet e vegjël të rrugës, si dhe ka mbaruar 40% e punimeve në Tunelin e Murrizit, 3.8 km të gjatë. Ndërsa ura tjetër e fshatit Fshat ka përfunduar deri më tani 60% e punimeve.

Sipas premtimeve të kompanisë ndërtuese dhe kryeministrit Edi Rama, rruga do të bëhet e kalueshme pranverën e vitit të ardhshëm. 

Korresp. Rr.A.