Nuk ka mërgimtarë, anulohet veprimtaria


Marshimet e Rekës së Epërme, i cili është kthyer në traditë, nuk u zhvillua këtë verë për shkak të pandemisë që ka shpërthyer në Maqedoninë e Veriut.

“Takimet e Rekës së Epërme”, një veprimtari e nisur vite më parë, me qëllim rritjen e turizmit dhe njohjen me kulturën dhe zakonet e zonës, këtë vit duket se nuk do të zhvillohet. Faqja e tyre në facebook nuk ka asnjë njoftim për veprimtarinë që është mbajtur më parë në fund të gushtit.

“Për shkak të gjendjes me pandeminë janë ndaluara tubimet e këtij lloji”, thotë Tafë Ameti, nënkryetar i shoqatës për kulturë “Reka e Epërme”.

“Takimet u dedikohen kurbetçarëve, të cilët këtë vit, për fat të keq, nuk patën mundësi të vijnë. Mundet të mbahet një marshim, por akoma nuk jemi të sigurt’, thotë në një prononcim për gazetën Ameti.

Takimet e Rekës kryesisht u dedikohet mërgimtarëve nga kjo nahije, studiuesve të kulturës, veshjes, traditave autoktone, dashamirësve të kulturës. Prej vitit 2014 u mbajtën me dy aktivitete kryesore në këto troje dhe disa më të vogla në Gostivar, Dibër etj. Të dielën e fundit të korrikut janë mbajtur marshe nëpër shtigje të ndryshme të Korabit tonë të bukur me pjesëmarrje të shoqatave të ndryshme malore nga vende të ndryshme dhe dashamirë të natyrës. Nisja ishte nga fshatra të ndryshëm  ndërsa pritja ishte me ushqim tradicional i Rekës së Epërme.

Manifestimi tradicional mbahej në fshatin Rimnicë, me program të pasur kulturor dhe artistik, me këngëtarë të muzikë, ndërsa kryesorja ishin ritet e dasmës, të cilat rekasit akoma i kultivojnë me veshjen unikale ilire, sidomos të vajzave e grave. 

Ameti thotë se këtë vit ata kishin siguruar edhe një mbështetje financiare nga Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë së Veriut, edhe pse mjetet financiare për këtë veprimtari nuk kanë qenë asnjëherë problem, pasi ka pasur mbështetjen e Komunës së Gostivarit, Mavrovës, Dibrës apo degëve të shoqatës në Trento të Italisë dhe Zyrih të Zvicrës. 

Nisur nga situata me pandeminë, Ameti thotë se janë duke punuar në mënyrë që marshimin e Nistrovës ta realizojnë duke respektuar protokollet e shëndetit, ndërsa po shohin edhe mundësitë për veprimtari të tjera që kanë të bëjnë me veshjen, arkitekturën e shtëpive të Rekës etj.

“Vitin tjetër, nëse nuk do të kemi pengesa të tilla, do ta profesionalizojmë këtë Manifestim, sepse financat janë, njerëzit janë, vullneti ekziston. Por atje ku mbahet “Takimet e Rekës së Epërme” mungon infrastruktura, për të cilën po përpiqemi me organet kompetentë t’i gjejmë në zgjidhje”.