Nga ‘Skënderbeu në Skënderbe”, rrugës së vjetër të Arbrit…


Në rrugën e vjetër të Arbrit. Poshtë, rruga e re në ndërtim. Foto: facebook.com/maratonalbania

NGA ‘SKËNDERBEU NË SKËNDERBE’, OSE SA AFËR DIBRA DHE TIRANA

Mjaftoi vetëm një ngacmim në sedër i mikut dhe kolegut tim Adrian Bregu, pjesëmarrës aktiv i grupimit “Maraton Albania”, që të bëhesha edhe unë pjesë e maratonës së parë “Arteria e Arbrit”.  Adriani më tha se “do të bënim një marrshim 116 km nga ‘Skënderbeu në Skënderbe’, nga ai i Tiranës tek ai në Dibër të Madhe, në gjurmën e Rrugës së vjetër të Dibrës (Arbrit). Ndonëse pa përgatitjen e duhur fizike, një grishje, një “kushtrim i të parëve”, më bëri t’i jap fjalën që në atë marrshim do të isha edhe unë. 

“Kushtrimi i të pareve” nuk me kishte grishur vetëm mua që ti bashkohesha këtij udhëtimi, por edhe veteranin e maratonave, 84 vjeçarin Nexhat Xhemalçe, pinjoll i një prej familjeve dibrane, që në kushtet e represionit sllav, ishin detyruar ta ndërmerrnin këtë rrugëtim që në vitet 1912. Albana Bruçi, mbesë në derën e Godencave apo Fatjon Dermani që kthehej në fshatin Ame tek të afërmit e nënës së tij, pa harruar edhe vëllezërit  Rizvan dhe Xheladin Nasufi, që me të ardhur nga Amerika, iu bashkëngjitën rrugëtimit tonë në emër të shoqatës sportive “Mountaineering Cycling Club Dibra”.

Një rrugëtim i gjatë, jo fort i lehtë, sidomos për ne që na kish grishur aty vetëm dëshira për të shkelur në rrugën e të parëve, por që mundëm t’ia dalim mbanë, falë organizmit të stafit drejtues të Maraton Albania, Kryetarit Dashamir Çali dhe sekretarit Leonard Peço, si edhe solidaritetit dhe mbështetjes së pjesëtarëve më aktivë të shoqatës sportive, Adrian Bregu, bija e Gurit të Bardhë Anila Xira, Lulzim Koçi, Stefanaq Gedella, Eksena dhe Sokol Qirici, Genci Lugja, Flerenc dhe Mirel Vogli, Gazmend Shehu, të cilët përshkuan në këmbë tërë rrugën prej 116. Për tu veçuar ecja bashkë dhe pandaluar për gjatë gjithë rrugës dhe në të gjithë gjatësinë e saj e çiftit nga Elbasani, Arben dhe Albina Shati, që këtë rrugëtim përbashkues mes shqiptarëve ia dedikonin nipit të tyre. 

Kujdesi dhe ndihma mjekësore në çdo etapë i ishte besuar të palodhurit dhe energjikut, doktorit të këtij ekipi të mrekullueshëm, Neritan Kurteshi. 

Si rrallë herë në këtë rrugëtim, ishin të përfaqësuar jo vetëm tërë skajet e Shqipërisë, por dhe tërë trevat shqipfolëse, duke filluar me Dorarta Koken nga Vuthajt e Malcisë, Mehmedali Ergiu dhe vëllezërit Xheladin e Rizvan Nasufi nga Dibra e Madhe, e sigurisht armata epike dhe luftarake e Kosovës me Fikret Shatrin, që udhëtimin tonë nga Skënderbeu i Tiranes në atë të Dibrës së Madhe, i kish shtuar edhe rrugëtimin nga Skënderbeu i sheshit të Prishtinës në atë të Tiranës, doktori Skënder Gashi, i palodhuri dhe memoria fotografike e këtij rrugëtimi Hajredin Ferataj dhe fjalëpaktët e të palodhurit Kemal Biqkaj e Abdurahim Haxhidema, pamja e të cilit, si për çudi të sillte në mendje figurat ikonike të ‘muhaxhirëve’ të Piktorit të Popullit, Abdurrahim Buza.

NË RRUGËN E VJETËR, KALLDRËMI SI DËSHMI E LËVIZJES

Le të kthehem pas në disa etapa të rrugëtimit, që për hir të së vërtetës më mbushte me kënaqësi për punën që po kryhej në realizimin e një ëndrre të kahershme të dibranëve, të një rruge, që si dikur, do të sillte më pranë dy Dibrat me kryeqendrën e shqiptarëve. Për fat të mirë, apo të keq, mbeta i veçuar nga Grupi që në kilometrat e para,  atë rrugëtimit më shumë edhe nga dëshira për të fiksuar çdo gjë në këtë udhëtim.  Duke fiksuar çdo gjurmë asfalti, që dukej sikur ecte së bashku me ne mbi trasenë e ngjeshur të rrugës së re, por edhe rrugën e vjetër, atje në shkallën e Tujanit, të shtruar prej më shumë se një shekull, me kalldrëm në lartësi mbi 1000 metra nga niveli i detit. Ishte pikërisht kjo rrugë e shtruar me kalldrëm dhe me barriera mbajtëse të improvizuara, me shkëmbinj të mëdhenj, që më bëri t’i qasem realitetit të sotëm, një manie drejt modernes dhe asfaltit që dëgjohet si kërkesë në çdo fushatë elektorale, ku kërkohet rrugë, ujë dhe shkollë, ku premtohet, harrohet e sërish kërkohet, ndërkohë që nëse do të mendohej që vite të shkuara që këto rrugë të mos ishin me asfalt, apo më keq akoma, me rërë bituminoze, por me kalldrëm, sot nuk do kishim më kërkesa të tilla. Përveç kësaj do të mundësonim një përdorim më të mirë të burimeve tona natyrore, më shumë punësim, kohë më të gjatë përdorimi dhe mirëmbajtje më të lehtë, se pse dhe për të hapur një kanal mes përmes saj, është më e lehtë se mbi asfalt, nuk do duheshin shume makineri, por vetëm ato vegla që gjithkujt i gjenden në një shtëpi fshati. Për më shumë, në këto vite kemi parë shumë qendra qytetesh t’i kthehen shtrimit e ndërtimit me kalldrëm të pedonaleve në qendrat e tyre. Kalldrëmi i shkallës së Tujanit, ku ende ishin gjurmët e karvanëve të kohëve të shkuara, ma përforcoi këtë ide që më kish lindur qysh kur vite më parë kisha vizituar fshatin Zhur në afërsi të Prizrenit, një fshat sa një qytet, rrugët e të cilit ishin shtruar bukur mirë me kalldrëm…

Fragment i rrugës së vjetër me kalldrem, ndërtuar në lartësinë mbi 1000 metra mbi nivelin e detit.  / Foto: © Artan Lleshi

Këto mendime dhe vëzhgime më lanë pas grupit, por qesh me fat sepse rrugëtimin e mbetur e vijova me “guidë personale”, banorin e Tujanit, 66 vjeçarin Haxhi Qordja, që për vite kish veruar bagëtitë në ato lartësi malesh, e që tani me dhimbje shprehej se të rinjtë po e harronin këtë traditë, përveçse të bukur, por tashmë edhe fitimprurëse për familjet e zonës. Në lartësinë nga ku dukej një pjesë e mirë e rrugës së re, nga Ura e Brarit deri tutje afër Shupalit, me keqardhje Haxhiu me foli edhe për guroren e re që kish dëmtuar një nga mjediset më të bukura që lumi kish krijuar në masivin e gurores, diçka të ngjashme me “Syrin e kaltër”. Me e dhimbshme bëhej kjo ndjesi kur në të tatpetën për Shupal, përkundruall shpatit tonë, ishte një gurore tjetër edhe më e madhe, e braktisur dhe e pa rehabilituar. Ndoshta, disa pengesa meskine burokratike kishin bërë që kompania që ndërtonte Rrugën e Arbrit të mos përdorte guroren në fjalë, por t’i hapte një plagë të re mjedisit.

Sa e gjatë rruga, aq të shumta përshtypjet, mendimet. Në segmentin nga Qafa e Murizit e deri në Urën e Vashës, në fakt duhet thënë tek Urat e Vashës, e reja dhe e vjetra, takuam sërish segmente rruge të ndërtuara me kalldrëm që nga ‘koha e Italisë së parë apo të dytë’, apo ndoshta edhe më tej, që nga ‘koha e Austro-Hungarisë”. 

Maratonistët në rrugën e vjetër të Arbrit. Foto: facebook.com/maratonalbania

SOFRA MIKPRITËSE “HUPI”

Lodhja e ditës së parë gjen çlodhje të kulla mikpritëse Hupi në Fushë-Bulqizë. Lulzim Hupi, i zoti i kullës, kishte bërë një përpjekje të lavdërueshme për ti dhënë shtysë ekoturizmit në krahinën e tij. Duhet falënderuar dhe ndihmuar ky djalë, e në këtë frymë, fjalët në vijim nuk do t’i konsideroja si vërejtje, por si këshilla të dikujt që i do kullës “Hupi” më të mirën. 

Mundi e harxhet ishin të gjitha e gjë nuk mungonte, por mungonin jufkat, qulli me pulë dhe sheqerparja, pse jo edhe hallva e bardhë, përfaqësueset e zonës. Është sikur në Korçë të mungojë lakrori apo petaniku. Për mikpritësit, mëngjesi ishte shumë i ngarkuar, dhe pavarësisht dashurisë së tyre për të shërbyer, ndoshta do të mjaftonte diçka që tashme ka hyrë me emërtimin “open bar”, si vendi më i mirë për të prezantuar produktet e zonës në tërë larminë e tyre, mjaltin e luleve të ndryshme, djathërat, specat me gjizë e lëngjet natyral të frutave, reçelrat. Ndihej që kjo nismë  kishte pak ndikim në fshat. Madje,  te disa banorë, në vend që ta shihnin si diçka gjithëpërfshirëse, nuk e fshihnin zilinë apo mungesën e dëshirës për t’u bërë së bashku në një nisëm, ku gjithsecili mund të shiste e përfitonte nga ajo që dinte të bënte më mirë. 

Një pjesë e grupit Maraton Albania iu desh që të ktheheshin sërish për në qytetin e Bulqizës, për tu strehuar atë natë, ndërkohë që në fshat kishte shtëpi që me pak investim mund të hapnin odat e tyre, dhe të gjithë të shijonin zgjimin nga cicërimat e zogjve, këngët e këndezit që ka kohë që na mungojnë në qytetet tona të zhurmshme. 

Gjithsesi, falënderimet dhe urimet më të mira për Lulzimin dhe nismën e tij kurajoze.

Maratonistët e Arbrit në Kullën Hupi, Bulqizë. Foto. FB/A.Lleshi

DITA E DYTË: DREJT DIBRËS SË MADHE ME MALL E BRENGA

Udhëtimi me pas vijoi në itenerarin Sopot, Valikardhë, Strikçan, Ura e Çerenecit, ose më mirë të themi ura e re e Gjoricës. Lodhja e një dite më parë ma pamundësoi këtë rrugëtim, që do të kisha pasur dëshirë ta bëja jo vetëm si rrugëtar, por edhe si udhërrëfyes, për tu treguar edhe të tjerëve që po kalonim në fshatra më arsimdashës të zonës, në fshatin e doktor Veli Zogut, që për shumë vite ka drejtuar shërbimin e Kardiokirurgjisë; fshatin e doktor Mehdi Canit,  me kontribut të shquar në atë që është bërë sot epiqendra e botës, sëmundjet infektive, fshatin e doktor Ahmet Kamberit;  me kontribut të veçantë në kardiologji, por edhe si ministër i shëndetësisë në vitet 1987 – 1991. Fshatin ku ka origjinën e saj edhe familja e ish-Presidentit Bamir Topi, ku një lagje ka emrin e tyre, por edhe shtëpinë e të parëve të rreshtuar në luftë kundër pushtuesit, Musa Lala. 

Dhimbje dhe emocion, kur në gjithë segmentin e rrugëtimit tonë përgjatë fshatit Gjoricë e më tej, në Rreshan e deri në Bllatë, në sfond qëndronte Banishti, nga ku një natë të errët familja ime ishte detyruar të largohej me brengë të madhe. Edhe atje, babazia e gërmimit e kishte lënë pullën e vet vrastare mbi mjedis, nën trojet e të parëve të mi.

Në hyrjen në Dibër të Madhe mikpritja ishte në çdo hap dhe në vesh me kumbonin fjalët e këngës “dhe ne kësaj Dibre, t’ia lamë o një namë”,  jo më namë luftrash, por namin e mirë të njerëzve të mirë e të përmalluar për njëri-tjetrin, në të dy anët e Dibrës, namin e të qenit bashkë e përherë krah njëri-tjetrit.