Selim Sula, ambasadori shëtitës i Elez Isufit


Një jetë nëpër odat e Dibrës dhe malet me borë, nëpër qelitë e burgjeve dhe pallatin e mbretit. Një libër i pa shkruar, por që mbushen mijëra fletë me fjalën e mençur dhe alegorinë e këtij studenti që mori diplomën në “Universitetin e Dibrës”.

Nga Shaqir Skarra

Në qoftë se historia ka borxhe për të larë karshi Sllovës, do të mbetet fajtore për jetë. Zonë pa monumente e përmendore, pa histori e muze që i përkasin këto merita. Mburret me të drejtë Sllova për gjeneralët dhe kolonelët e saj, për shtatmadhorët e patriotët e vërtetë. E pikërisht në këtë fshat, në një shtëpi të varfër e me tradita patriotike e atdhetare, në vitin 1885 lindi ai që me të drejtë Dibra edhe Luma e quajtën “Filozofi i pa diplomuar” megjithatë ai ishte diplomuar në Universitetin e Dibrës, në odat dibrane ku një diplomë të tillë rrallë kush e meritonte.
Shumë veta brenda e jashtë sinorit të Dibrës kanë dëgjuar të flitet për Odën dibrane, Selim Sulën dhe fjalët e tij proverbiale.
Gjenerali me shajak, udhëheqësi popullor i Dibrës Elez isufi, duke parë tek djaloshi që po rritej se zgjuarsia e tij i kalonte kufijtë e çdo moshe e mori këshilltar pranë vetes. Kështu e nisi udhën e tij të vështirë e mjaft të bukur ambasadori shëtitës , të cilin në një kohë fare të shkurtër filluan ta cilësonin si “Sokrati i Dibrës.
Gjykimi dhe fjala e këtij burri të mençur bie në tokë sepse përfaqësonte mendimin e kohës.Selim Sula, ky filozof e përfaqësues i denjë i mendimit popullor, që ndjell sikur të jetë një copë e shkëputur nga mali i lartë i Korabit e që ruan të gjithë përbërjen e këtij mali kreshnik, do të kujtohet me respekt e do të cilësohet si një shkollë për gjeneratat që do të vijnë.
Fjalën e tij të mençur e blinte i riu dhe i moshuari, fshatari dhe intelektuali, bajraktari dhe vetë mbreti. Në takime pune, por dhe në biseda të lira që zhvillonte Elez Isufi me krerët e Dibrës dhe Lumës, me Bajram Currin e Isa Boletinin do të ishte kurdoherë i pranishëm dhe Selim Sula.
Nuk ka asgjë të shkruar e dokumentuar për filozofin dibranë, por të moshuarit, brezi i tij sa ishin gjallë tregonin me vërtetësi e realitet edhe pse historia ka qëndruar memece.
Selim Sulën do ta gjeje shpesh herë në konakun e Dine Hoxhës,, Muharrem Bajraktarit, Murat Kaloshit, bejlerët e Maqellarës, tek Demet e Homeshit . Në këto oda futej si ambasador i Elez Isufit por Selim Sula shkonte dhe në odat dibrane, aty ku muhabeti merrte udhë edhe për probleme politike të kohës por edhe për halle e shqetësime të ndryshme. Kështu do ta gjeje në Reç tek teqja e Troci, në Luzni tek Murrja e Manuka, në Çidhën tek Kola e Noka, në Vleshë tek sheh Zumani, në Lurë tek bajraktari e Gjoçi.
Ndër karakteristikat e veçanta të tij ishte se gjithmonë mbronte atë që nuk e kishte pranë. Në saj të zgjuarsisë së tij, duke përdorur gjithmonë fjalën e mençur dhe alegorinë dibrane bëri të pa mundur që të shpëtojë jetë njerëzish nga kthetrat e vdekjes së sigurt, por fali edhe gjaqe me përmasa të mëdha.
Vrasja tinzare e Elez Isufit një dhjetor të vitit 1924 ishte një dramë që i kaloi caqet e përmasat e dhimbjes familjare. Selim Sula kishte kaluar vitet më të bukura të jetës së tij pranë gjeneralit me shajak e nga kjo derë, e fisme bujare, “sokrati dibranë” kishte mësuar më shumë se sa dhuntitë që ia kishte falur natyra. Në këtë periudhë, Cen Elezi, djali i Elez Isufit ishte futur nëpër analet e politikës europiane.
Prestigji i tij po rritej dita ditës në popull e kështu filozofi i pa diplomuar nuk kishte pse të shkëputej nga djali i Elez Isufit.
Filloi pra kështu periudha e dytë e ambasadorit shëtitës e cila do të kalonte mes peripecive të ndryshme; nga odat dibrane, në pallatin e mbretit, i arratisur në male dhe në qelitë e burgut famëkeq të shtetit diktatorial të instaluar në vendin tonë, por gjithmonë “Sokrati i Dibrës” kudo doli i fituar. Humbi ai që ndeshej ballë përballë me Selim Sulën.
Ruajnë kujtimet më të bukura ata që jetuan në kohën kur fjala e tij filozofike u bë melhem edhe për plagën e gjakmarrjes, e sot nëpër odat dibrane kur muhabeti merr udhë, fjala e mençur dhe alegoria ndeshen ballë për ballë e gjakrat nxehen, mjafton vetëm njeri të thotë shprehjen :”Ka thënë Selim Sula” e në çast çdo gjë shuhet nga fillimi.
Ishin vitet e para kur komunizmi u shfaq me tërë egërsinë e tij e më vonë diktatura e proletariatit vazhdojë të godas koka të pa fajshme. Cen Elezi me shpirt e zemër demokrati e nuhati se çfarë po sillte komunizmi në Shqipëri. Ndaj në vitin 1946 u arratis bashkë me djemtë e tij, dhe me këtë veprim tepër të guximshëm i tha Enver Hoxhës:” Unë nuk mund ta ha atë çorbë që po gatuan”. Së bashku me Cenin, ambasadori shëtitës la Sllovën dhe mori udhën e malit.
Me porosi të Koçi Xoxes iu kërkua Cen Elezit të dorzohej së bashku me djemtë që ti falej jeta. E Ceni e dinte fare mirë se çfarë fshihej pas “besës dhe sinqeritetit” të Koçi Xoxes dhe megjithatë, falë moshës së re të djemve e pranon që djemtë e tij së bashku me Selimin të dorëzohen në “besën: e Koçi Xoxes. Dhe “besën” e mbajti Koçi Xoxe pasi djemtë e Cen Elezit e Selim Sula përfunduan brenda qelive të burgut të Peshkopisë. Ishte hera e katërt që Sokrati i Dibrës bëhej banor i qelive dhe si gjithmonë, falë fjalës së tij të mençur dilte gjithmonë i fituar. Ishte avokat i vetvetes.
Tashmë shtëpia e tij në Sllovë ishte shembur e plaçkitur. Shpata e diktaturës kishte filluar të binte pa mëshirë mbi familjen e madhe të Ndreut. Megjithatë sofra e bujarisë shtrohej në Sllovë, por edhe në Dibër e Lumë për ambasadorin shëtitës të Elez Isufit. Megjithatë dikujt nuk i interesonte shumë që Selim Sulën ta respektonin Ujemuja, Malet e Dibrës dhe e gjithë krahina e madhe e Lumës.
Tregojnë se një ditë në turizmin e Peshkopisë Selim Sula ishte ulur dhe po priste kafen që kishte porositur. Pranë tij ndodhej dhe kryetari i degës së brendëshme me suitën e tij.
-Mos ma tund atë kafe sikur tundet gjiza, i kthehet Selimi kamarierit.
-E çfarë kërkon me thënë me këto fjalë or Selim, i kthehet kryetari i degës. Sokrati i Dibrës heshti, nuk e zgjati më shumë bisedën por nuk mundi të hesht kryetari i degës.
-U takua Tito me Cen Elezin në Beograd e tani kërkonte të takohej edhe me ju.
-Sa për Titon të garantoj o kryetar , se mua nuk më njeh fare, ndaj nuk ka pse më kërkon të më takojë. Takime ka bërë dhe vazhdon të bëjë me shokë e miqtë e tu. Kaq gjë besoi se duhet ta dini dhe ju.
Mjaftojnë këto fjalë thënë me mjeshtëri e pjekuri nga Selim Sula e muhabeti u prish “në paqe” por kryetari nuk mund ti harronte lehtë fjalët helm të thënë nga ambasadori shëtitës i Elez Isufit. Dhe rasti iu dha në spitalin e Peshkopisë.
Tashmë vitet e pleqërisë dhe nga një plevit i hershëm iu imponua filozofit të shtrohej në spitalin e Peshkopisë. Nuk dihet se si dhe nga kush i ra në vesh kryetarit të degës i cili urdhëroi që i sëmuri Selim Sula të nxirrej jashtë spitalit. Edhe pse kjo botë paska njerëz me shpirt të zi katran, që flaknin në rrugë të sëmurë Selim Sulën, përsëri do të gjendeshin njerëz human si Shaban Strazimiri e kolonel Suri Strazimiri të cilët do ta merrnin dhe ta shëronin në Tiranë njeriun që gjithmonë foli vetëm fjalë të mençura.
Pasi shërohet del nga spitali dhe kthehet në Sllovë të jetonte vitet e pleqërisë , pasi me Sllovën e lidhte çdo gjë e mirë dhe e bukur.Tek shtëpia e Shemsi Çores sëmuret përsëri sa këtë radhë edhe vetë po e shikonte vdekjen se e kishte afër.E gjithë Sllova ishte vënë në shërbim të filozofit mirëpo sëmundja kishte përparuar e nuk kishte mjek më që ta ndalonte. Ishte viti 1966 e kur e pa veten të ligështuar mjaft shumë nga shëndeti kërkoi ta dërgonin në Lisivalle tek Rushir Ndreu.
-Do të vete të shërohem në Tiranë, u tha burrave të Sllovës atë mëngjes vjeshte kur e nxorrën nga shtëpia. Po, kjo kishte qenë vetëm një nga ato fjalët e mençura filozofike që thoshte ngaherë e rrallë kush i kuptonte. Kur vajti në Lisivalle dhe pa Rushitin që po përgaditej vërtet për Tiranë, iu kthye buzagaz:
-Or Rushit Ndreu. Nuk e tradhëton lehtë Selim Sula bukën e Ndreut, jo. E pikërisht aty, ku lindi vite më parë gjenerali me shajak Elez Isufi, mbylli sytë përgjithmonë jo në vetmi, por mes njerëzve që e deshën dhe i deshi, ambasadori shëtitës i Elez Isufit.
Një jetë nëpër odat e Dibrës dhe malet me borë, nëpër qelitë e burgjeve dhe pallatin e mbretit. Një libër i pa shkruar, por që mbushen mijëra fletë me fjalën e mençur dhe alegorinë e këtij studenti që mori diplomën në “Universitetin e Dibrës”.
E si përfundim për “Sokratin e Dibrës” të harruar, për filozofin e pa diplomuar të mbetet lapidare thirrja:”Ai nuk ka nevojë për lavdi, ne kemi shumë nevojë për të”!