QEMAL ÇADRI, një meteor që nuk do të shuhet kurrë


Z.Qemal Çadri, Qytetar nderi i Bashkisë Dibër: Personalitet i spikatur dhe udhërrëfyes në rrugëtimin e mjekut, që me cilësitë personale, njerëzore, profesionale, ngriti në nivelet më të larta mjekësinë në Dibër e në mbarë Shqipërinë.

Kolegu ynë, Qemal Çadri, ishte një kategori e veçantë njerzore. Aty plekseshin në mënyrë harmonike e nivel të lartë cilësi të tilla si erudizmi, dashuria për shkencën dhe profesionin, modestia e tejskajshme, dashuria për njerëzit, sidomos pacientët që i njihte shpejt, i kuptonte mirë dhe ju shërbente njëlloj, por gjithmonë në një nivel të admirueshëm, jo të arritshëm nga kushdo. Për të ishin të shenjta dashuria për familjen dhe kolegët. Ishte modeli i njeriut që dinte të donte pa përkëdheli, por me respekt të lartë njerëzor familjen
dhe fëmijët e tij…

Më 14 korrik 2020 u nda nga jeta në mënyrë të papritur mjeku i mirënjohur dibran, specialist në disa fusha të mjekësisë , i njohur në të gjithë vendin, por sidomos në Dibër e Tiranë, ku shërbeu si mjek e specialist me devocion të lartë për rreth 40 vjet. Në luftë bien ushtarë, por bien edhe gjeneralë. Njeriu që luftoi gjithë jetën e tij me vdekjen dhe shpesh fitoi mbi të, më në fund u mund prej saj. Me karakterin e fortë njerëzor dhe me përgatitjen e lartë profesionale që kishte, ai luftoi gati një dekadë me një sëmundje të rrallë e të rrezikshme. Luftoi dhe vendosi ekuilibër në fushën e betejës, aq sa i habiti specialistët vendas dhe të huaj me qëndrueshmërinë dhe mbijetesën e tij, e rrallë në një situatë të tillë. Më në fund , kur nuk pritej , u largua në mënyrë të papritur duke ruajtur humorin e hollë dhe kthjelltësinë e mendimit deri në momentin e fundit të jetës. La në trishtim familjen e tij , vëllezërit dhe motrën, pacientët e shumtë kudo nëpër Shqipëri dhe miqtë e shokët që e donin aq shumë pasi konsiderohej shok, mik dhe idhull për shumicën prej tyre. Po kush ishte Dr. Qemali, humbja e të cilit la një boshllëk kaq të madh në shërbimin shëndetësor dhe në shoqëri.
Lindi në fshatin Trebisht të Dibrës (sot rrethi Bulqizë), më 23/10/1944 në familjen e Mehmet Çadrit, mësuesit të njohur normalist, që dha kontribut të spikatur në zhvillimin e arsimit në trevën e Dibrës. U rrit në fshatin e tij në një familje me 6 vëllezër dhe një motër. Kreu me rezultate shumë të mira arsimin shtat vjeçar në fshat dhe në vitin 1958 u regjistrua në Politeknikumin mjekësor në Tiranë të cilin e përfundoi në vitin 1962 me rezultate të shkëlqyera . U dërgua direkt për studime në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë të cilin e përfundoi gjithashtu shkëlqyeshëm në vitin 1967. Ai nuk qe një student i shkëlqyer, por me shumë se kaq, qe i jashtëzakonshëm dhe kjo e bëri të përmendej si një nga shembujt më pozitivë për dekada të tëra. U emërua fillimisht në Peshkopi dhe më 1968 u transferua në spitalin zonal të Klenjës. Kudo shkëlqeu puna dhe profesionalizmi i tij. Në vitin 1970 u dërgua për specializim për Kirurgji të përgjithshme në Tiranë. Ai ishte target i të gjitha klinikave të specializuara dhe shefat e tyre e njihnin të gjithë si një rast e talent i rrallë, ndaj dhe kërkonin ta tërheqin në fushën e tyre. Në vitin 1973 për nevoja të kohës u dërgua për specializim në patologji të përgjithshme për 3 vjet , të cilin e kreu me sukses të plotë. U emërua shef i shërbimit të patologjisë në rrethin e Dibrës, detyrë të cilën e kreu për 14 vjet. Bëri disa kualifikime të tjera si në pneumologji, kardiologji, neurologji e nefrologji dhe u bë një nga specialistët më të kompletuar të fushës së mjekësisë në Dibër e në shkallë vendi. Më 15 qershor të vitit 1982 u emërua drejtor i spitalit të Peshkopisë dhe më 1 qershor 1983 përgjegjës i seksionit të shëndetësisë të rrethit Dibër. Kudo shkëlqeu me punën dhe talentin e tij si specialist dhe organizator e njeri me cilësi të rralla. Në vitin 1991 u transferua në Tiranë pranë familjes ku punoi në Urgjencën e Tiranës, Drejtor i Poliklinikës nr.10 dhe si specialist deri sa doli në pension.
Ç’farë e bëri të njohur sa qe gjallë dhe te pavdekshëm pasi u nda nga jeta mjekun , specialistin dhe njeriun e mirë, Qemal Çadri ? Si një njeri që e kam njohur që në fëmijëri dhe kam kaluar një rrugë të përbashkët me të, që nga viti1960 e deri sa ai u nda nga jeta, do të përpiqem të them ca fjalë , aq sa më lejon formati i këtij shkrimi. Them kështu pasi në konsideratën e njohjen time , ai meriton monografi e libra dhe është një fenomen njerëzor i pa përsëritshëm.
Kolegu ynë, Qemal Çadri, ishte një kategori e veçantë njerzore. Aty plekseshin në mënyrë harmonike e nivel të lartë cilësi të tilla si erudizmi, dashuria për shkencën dhe profesionin, modestia e tej skajshme, dashuria për njerëzit, sidomos pacientët që i njihte shpejt, i kuptonte mirë dhe ju shërbente njëlloj, por gjithmonë në një nivel të admirueshëm, jo të arritshëm nga kushdo. Për të ishin të shenjta dashuria për familjen dhe kolegët. Në dukje disi “i pa kujdesshem”, ai ishte modeli i njeriut që dinte të donte pa përkëdheli , por me respekt të lartë njerëzor familjen dhe fëmijët e tij të cilët i edukoi me cilësitë më të mira të qytetarëve dhe intelektualëve të kohës. Qe i butë e i arsyeshëm me kolegët dhe kurrë nuk u duk i ashpër e i pa drejtë me ta. Ai që natyra e pajisi me virtyte e aftësi të tilla që i kultivoi e zhvilloi edhe vetë në jetë, mund të vinte poshtë vetes këdo me 4-5 fraza, kurrë nuk bëri të diturin e të fortin. Rrezatoi dituri e qytetari edhe kur ishte mjek i thjeshtë fshati, por sidomos në pozicione drejtuese , kur jo rrallë , jo fjala e pa menduar por edhe heshtja, mund të bënte dëme deri të pariparueshme. Por ai, i pajisur me një kurajo të pa zakonshme, nuk heshti kurrë kur nevojitej fjala e tij, në rastet kur ai qe i pranishëm.
Ne se do ta krahasoja me ndonjë kategori filozofike, ai ishte një fenomen apo kategori që përfaqësonte të pa përsëritshmen, të jashtëzakonshmen. Kjo më shtyn mua të flas për të edhe me pasion , por plotësisht në meritë. Si kategori filozofike do të thosha se pati probleme me kategori të tjera të këtij lloji si koha dhe hapësira.
Ai pati probleme me kohën se ajo për të ecte ngadalë, ndërsa mendimi dhe vullneti i tij kërkonin një ritëm tjetër. Nxënës dhe student ai nuk kishte nevojë të kyçej e të studionte 4-5 orë në ditë siç ishte e obliguar dhe siç bënim të gjithë. Ai dëgjonte dhe regjistronte njëkohësisht çdo detaj që thuhej në leksione e praktika. Me pas i duheshin 10-15 minuta për të bërë një sistemim që si rregull e kryente diagonal dhe gjithçka mbetej aty e fiksuar e regjistruar në “hard diskun” e tij për gjithë jetën. Një inteligjencë dhe memorie përtej normales do ta bënin atë të pa thyeshëm në mendime apo në konsulta dhe që kur qe student do të debatonte me ata që ishin në majat e shkencës dhe do të shijonte modestisht fitoren e tij. Si specialist nuk mbytej midis dokumenteve dhe analizave, por bënte sintezë dhe nxirrte përfundime të shpejta. Qemali i ngjasonte shkencëtarit të famshëm francez , Lamarkut, i cili në kohën e vet pat deklaruar: “Më jepni një kockë te vetme dhe unë do të ju ndërtoj skeletin e kafshës që i përket ajo”.
Ai pati problem me hapsirën gjithashtu si kategori filoziofike e veçantë. Hapsira shpesh nuk ishte e mjaftueshme për të. I “rrinte ngushtë kostumi”që i kishin veshur dhe në mënyrën e vet ai do ta kontestonte këtë fenomen. Një herë u shpreh në këtë mënyrë: “Ç’ do të kishte bërë Ajnshtajni në qoftë se nuk do ti kishin dhënë hapësirën e nevojshme, a do të ishte ai që u bë në të vërtetë. Në se atë do ta kishin mbyllur në barakën e një këpuctari, me siguri vetëm të ngulte gozhda do të kishte mësuar. Mund ta bënte këtë më mirë se të tjerët , por vetëm kaq do ishte kontributi i tij”. E kam thënë diku tjetër se në se Qemal Çadrit do ti qenë krijuar mundësitë, kishte talent e dhunti të matej me më të mirët në Europë e në botë.
Konsideratën time për të edhe pse njihemi prej 60 vjetësh, nuk e kam vetëm personale. Me këdo që e ka njohur nga afër, kam gjetur të konsoliduar të njëjtin mendim që ngjasonte me vlerësimet e mia. Në morinë e fakteve pa fund , po përmend vetëm dy raste të tilla. Pata rastin të punoj disa vjet në Komitetin Ekzekutiv të rrethit si përgjegjës i seksionit të Shëndetësisë dhe në këtë detyrë shkova pas Qemal Çadrit. Isha i prirur të zbatoja çdo gjë që ai kishte nisur të bënte apo i kishte premtuar dikujt, por i la në mes. Kjo nuk ishte punë shokësh, por ishte besimi im i plotë në logjikën dhe drejtësinë e detyrave që ai kishte përcaktuar të bënte. Në vitin 1987 u zhvillua një aktiv kombëtar për shëndetësinë në Shkodër ku shkuam dhe ne një grup jo i vogël nga Dibra. Qe një takim serioz ku merrnin pjesë 4 anëtare të Byrosë politike. Mbledhjen e drejtonte Zv. Kryetari i K.M., i cili kishte studiuar për mjekësi ne Itali , mbulonte arsimin dhe shëndetësinë dhe ishte ndër kuadrot më aftë të asaj kohe. E vlerësova takimin dhe shkova i përgatitur edhe pse në telegramin e njoftimit thuhej se nuk jeni planifikuar për diskutim. Në atë mbledhje duhet të aprovoheshin objektivat e shërbimit shëndetësor lidhur me vdekshmërinë foshnjore deri në vitin 2000. Për hir të së vërtetës ishin tregues shumë të guximshëm sa nuk kisha besim se do mund të realizoheshin. Ata që diskutuan, të gjithë u shprehën se ishin dakort me objektivat. Krejt pa pritur drejtuesi i mbledhjes kërkoi të dëgjonte rrethin e Dibrës, ishte radha ime. Dola dhe fola për shërbimin shëndetësor ne Dibër, për realizimet dhe problemet e tij pa eufori , por duke evidentuar punën e bërë. Dibra ishte ndër 3-4 rrethet kryesore dhe treguesit e Republikës pa Dibrën nuk mund të bëheshin. Ai më pyeti , po për objektivat deri në vitin 2000, ç’farë mendoni? Mund të thuhej po, siç vepruan të tjerët, por pas disa muajsh kjo punë do të analizohej dhe realisht nuk isha i bindur per to. Me kujdes i thashë se kjo nuk është detyrë vetëm e shefit, në se unë zotohem ju nuk duhet të më besoni. Kërkoj një muaj kohë që ta diskutoj me strukturat e rrethit dhe gjithë personelin shëndetësor dhe do të sjelle në qeveri një mendim më të plotë se ai i një shefi. Për çudi drejtuesi i rreptë nuk u mërzit, por më tha: “ Faleminderit, keni të drejtë ”. Pas 6 muajsh na thirri në analizë dhe kur erdhi radha ime nuk më pyeti më për objektivat, por më tha: Po ai shefi që ishte para teje ku ndodhet? I thashë se ai është tani Drejtor i institucioneve të mjekimit të rrethit dhe bën një punë që askush nga ne nuk mund ta bëjë si ai, ndërsa këtë detyrë e bëjmë disi edhe ne të tjerët. Ai vazhdoi : Qe djalë shumë i zgjuar , prandaj po te pyes të dhe vazhdoi : jeni djem të mirë ju dibranet. Nuk qe e folur e zakonshme për kohën. Qemal Çadri e kishte shtruar tapetin edhe për mua, sa qeshë aty nuk u konfliktova as me zv. Kryeministrin as me ndonjë tjetër siç bënin vazhdimisht përfaqësuesit e rretheve të tjera.
Në një rast të dytë ,gati një vit më parë , ishim një grup intelektualësh dibranë që shkuam për të vizituar tunelin e rrugës së Arbërit në Qafë të Murrizit. Rasti e solli që të isha bashkë me shkrimtarin Xhaferr Martini dhe biseda erdhi mbi një mikun tonë të përbashkët, Dr. Qemalin. Ai pa u menduar shumë dhe në mënyrë sintetike më shprehu mendimin e tij duke deklaruar se në gjithë jetën time nuk kam njohur njeri më inteligjent se Qemal Çadri. Fjala e tij ka përmbajtje të thellë, humori është mjaft i hollë, shikimi i tij zhbirues dhe ajo nënqeshja e tij thotë mijëra fjalë në të njëjtën kohë. Këto ishin afërsisht ato që më tha . Këto po i thoshte një njeri që ka njohur dhjetëra mijëra njerëz në jetë, që ka shkruar dhjetëra libra e përshkruar me mijëra karaktere njerëzore, një krijues i spikatur dhe një mik i tij. Kisha dëgjuar qindra vlerësime të tilla për të nga ata që kishin arritur ta njohin sadopak nga afër. Unë them kështu pasi jam i bindur se ai ishte një univers i atij lloji që nuk ishte e lehtë ta kuptoje dhe njihje tërësisht e në çdo detaj. Në ditët që e përcollëm, shoqja e tij Dr. Avija, m’u drejtua me fjalët : “Ne të dy ishim ata që e kemi njohur më mirë Qemalin, ai pat deklaruar vetë kështu”. Doktoreshë i thashë , ne kemi njohur anë të veçanta të tij , ti e njohe atë si bashkëshort, ndërsa unë si mik, por jo Qemalin si fenomen. Ishte një univers i llojit të vet , i komplikuar e i pa fund sa që ishte e vështirë ta njihje plotësisht me botën e vet të jashtëzakonshme e krejt unike.
Qemal Çadri i kaloi vitet e fundit të jetës me shqetësimin e një sëmundjeje të rrallë e të vështirë, me të cilën u muar ai vetë, specialistë të vendit e të huaj dhe ishte nën kujdesin e familjarëve të tij ku bashkë me të bënin pjesë 4 mjekë. Ishte skuadra që ai pat përgatitur vetë dhe ata u kujdesën me devocion deri ne fund si ushtarët për komandantin e tyre. Sëmundjen dhe dhimbjen i përballoi me dinjitet. Ai që kishte bërë mjekun në mënyrë të shkëlqyer gjithë jetën e vet, diti ta bënte me dinjitet edhe pacientin dhe ti përballonte të gjitha shqetësimet që i sillte sëmundja. Organet, trupi i tij u lodhën, një gjë mbeti e pa ndryshuar, kthjelltësia e mendimit, qartësia e tij, deri në sekondën e fundit ai ishte po ai Qemali i zgjuar, i ditur e fenomen siç kishte qenë gjithmonë. Truri i tij mbeti i paprekur si maja e një kështjelle që përfaqëson madhështinë e saj, edhe kur muret fillojnë të rrënohen.
I vlerësuar e respektuar gjithmonë nga të gjithë, qytetarë , pacientë e kolegë në Tirane e në Dibër ai do të ishte i tillë edhe më datën 22/11/2019, kur Këshilli Bashkiak i Bashkise Dibër, me Vendimin nr.115 të asaj date vendosi që Z. Qemal Çadri të shpallet Qytetar nderi i Bashkisë Dibër me motivacionin: “Personalitet i spikatur dhe udhërrëfyes në rrugëtimin e mjekut, që me cilësitë personale, njerëzore, profesionale, ngriti në nivelet më të larta mjekësinë në Dibër e në mbarë Shqipërine”. Në pak fjalë thuhet krejt qartë ajo që ai bëri në mbi 40 vjet shërbim ndaj njerëzve kudo ku u ndodh. Me këtë rast më duhet ta falenderoj me shumë sinqeritet Këshillin bashkiak të Bashkisë Dibër për këtë gjetje shumë të merituar. Dibra dhe Qemali i bënin nder reciprokisht njëri tjetrit. E konsideroj detyrë që të falenderoj Kryetarin e Bashkisë z. Dionis Imeraj dhe të gjithë ata kolegë e miq që u kujdesën që kjo procedurë të shkonte deri në fund. Midis tyre i pari do te ishte kolegu dhe miku ynë i përbashkët, Dr. Ramazan Buci me banim këtu në Tirane. Në Dibër e mbështetën kolegë të tjerë si mjekët Beqir Bici, Filip Cfarku e Gëzim Puci, por edhe mjaft të tjerë në shëndetësi e jashtë saj. Kanë nderuar veten të gjithë këta, pasi kanë treguar se njihnin nga afër një personalitet si Qemal Çadri dhe kjo për mua është një risi për të gjithë ata që e kanë patur këtë shans. Doktor Qemali e mësoi këtë lajm dhe u entuziazmua mjaft. Mendova se më kishin harruar më tha, por me sa duket njerëzit më duan akoma. Atëherë kur njerëzit të duan ja vlen të jetosh. Ai e mësoi lajmin, por nuk arriti ta prekte me dorë këtë dekoratë që edhe pse në meritë është një vlerësim me shumë vlere. Pandemia e virusit covid 19 bëri punën e vet dhe në pritje që ajo të kalonte dhe të mblidheshim në një aktivitet siç e donte ai dhe me të në qendër, gjendja u përkeqësua dhe ai u largua pa pritur. Edhe pse dihej gjendja e tij shëndetësore, askush nuk e priste një përfundim të tillë në atë mënyrë dhe në atë kohë që ndodhi. Virusi që është në qarkullim këtë vit na prishi jo vetëm cilësinë e jetës, por edhe atë të vdekjes. Shumë gjëra në këto kushte mbeten pa u kryer dhe ritet e vdekjes që kemi trashëguar dhe që për mua janë nga më të mirat në botë, mbeten pa u kryer siç njeriu do të dëshironte. Megjithatë familja u kujdes që për të, të zhvillohej një ceremoni dinjitoze dhe me masat e duhura mjekësore. U jam mire njohës atyre pasi me vunë edhe mua në radhë me vëllezërit e Qemalit, midis Dilaverit dhe Ramazanit, një tjetër aset me shumë vlera intelektuale e njerëzore në Dibër e në Tiranë. Më duhet të falenderoj edhe të gjithë ata dibranë dhe jo vetëm , që duke njohur miqësinë dhe raportet tona, më ngushëlluan edhe mua si të isha vëlla prej nëne me Qemalin. Të tillë ka patur me dhjetëra dhe u jam mirënjohës. Po citoj vetëm njërin, atë të një punonjësi të vjetër e të dalluar të shëndetësisë në Dibër dhe mikut tonë të përbashkët Dilaver Gjoni, i cili më shkruante: “Dr. Nazmiu, ngushëllime për shokun e mirë e të rrallë Dr. Qemal Cadrin, qoftë i xhenetit “.
Qemal Cadri u përcoll me të gjithë nderimet e duhura, me një ceremoni të organizuar mirë, me të afërm, miq e shokë. E përfytyroja se sa do të ishte kortezhi i njerëzve sikur kjo ceremoni të zhvillohej në Dibër ,qoftë edhe Tiranë, në kushte normale. Në vendin ku u vendos trupi i tij u ngrit një mal me lule , i denjë për një njeri që të gjallët e kësaj bote e deshën fort dhe kanë mënyrën e vet për ta nderuar pas ndarjes prej tij. Njerëzit pa dyshim që e deshën atë dhe do ta nderojnë përjetësisht pse ishte madhështor në profesionin e tij në shëndetësi dhe njëherazi fisnik në të qenët njeri. Dhe madhështia lind së pari nga thjeshtësia, ky ishte mesazhi që na la miku ynë Dr. Qemali. Ndjehem shumë i nderuar që në jetë ecëm bashkë, mësuam, punuam e ëndërruam bashkë. Miku im Qemal, në mendjen tonë do të mbetesh përherë i gjallë e fisnik, i dashur e i paharruar përjetësisht. Kujtimi yt do të na frymëzojë e ndriçojë sa të jetë jeta. Përsiatjet e mia me këtë rast nuk kanë fund, pasi ka fjalë që qajnë dhe lot që flasin për humbjen e njeriut dhe mikut të shtrenjtë. Dhe po i mbyll këto radhë me vargjet e Dritëro Agollit: “ Dhe floriri mund të ndryshket,/ edhe ylli digjet, shkon/ dashuria midis nesh / s’ndryshket kurrë, nuk perëndon“.
Gusht 2020