Dibra resort, një oaz qetësie në Luginën e Shërimit


Resorti i Gëzimit është vetëm një oaz në shkretëtirë. Më sipër vazhdon Lugina e Shërimit, me këtë emër të bukur. Rruga që shkon përmes saj e të çon në fshatrat e Bellovës, ku mes tyre dhe Rabdishti i shpallur fshat turistik, është për t’i qarë hallin. E paasfaltuar, gjithë gurë, pluhur e gropa… Ajo sipërfaqe dhjetëra hektarësh, që dikur ka qenë me plepa, mund të kthehet në një park të bukur, me asfalt, me pemë dekorative, me stola, kënde lojërash e bare që shërbejnë. Nuk është ky një projekt utopik dhe i parealizueshëm. Gëzimi, një individ i vetëm e ka krijuar resortin, një shtet i tërë nuk mundet dot ta bëjë…

Nga Osman Xhili

Sapo ke lënë pas qytetin e Peshkopisë dhe merr rrugën për te Llixhat, të shfaqen një mori hotelesh e bujtinash, në të dy anët e rrugës, që presin vizitorë , nga Shqipëria, apo më gjerë akoma. Ujërat kurative, që Zoti i ka dhuruar këtij qyteti të vogël në verilindje të vendit, i japin një atraksion të veçantë dhe një mundësi zhvillimi ekonomik. Por tjetër herë do flasim për këtë temë dhe pse shkrimet nuk kanë munguar në këtë drejtim. Objekti ynë këtë radhë është një burrë vizionar dhe shumë punëtor, Gëzim Feta nga Zagradi.
Sapo ke lënë pas dhe Llixhat e nisesh në rrugën që të çon në fshatrat e Bellovës, në krahun e majtë të shfaqet një pamje vërtet fantastike, një perlë e krijuar nga dora njerëzore. Resorti që identifikohet me emrin e Dibrës, nuk ka shumë kohë që ka marrë jetë, vetëm katër vite më parë. Katër vite punë titanike , përpjekje maksimale e sërish ka akoma për të bërë. Ka kaq shumë gjëra për të vizituar e për tu kënaqur, sa nuk dish nga t’ja fillosh. Të bën përshtypje një kullë dykatëshe me shkallë që gjarpërojnë e bedena të vegjël mbi katin e dytë. Ajo ka dy dhoma rrethore, e mjaftë për të pushuar, të paktën dy familje, ku gjithçka është punuar me gurë dekorativë e dru gështenje. Gëzimi nuk e ka ndërtuar kullën e tij për luftë, por për paqe, për të pushuar njerëzit në të, për të kaluar një ditë ndryshe, për të larguar streset e shumta që e kaplojnë njeriun në këto kohët tona “moderne”.
Pak më tej është shtëpia e tij, ku qëndron familja, një ndërtesë katër katëshe, me çati alpine, të modelit zviceran. Ftesa për të konsumuar një drekë me ushqime bio është pa të drejtë refuzimi. Fasulja, sallata, kompostot, janë të gjitha prodhime familjare, që mbyllet me reçel mani të përgatitur aq mjeshtërisht nga zonja e shtëpisë. Shumë shpejt do të fillojë punë kafja dhe një restorant, dekoruar aq bukur nga duart e Gëzimit. Në resortin e tij kombinohen natyrshëm antikja me modernen. Do të gjesh aty një depozitë karburanti e avionit luftarak, sjellë nga Gjadri i Lezhës, me një kapacitet 800 litra, siç do të gjesh spirancën e një peshkarexhe, apo një copë litari të trashë, që dikur përdorej për ankorimin e anijeve. Gjen aty të ekspozuar një karrocë të vjetër druri të sjellë nga Struga, apo një taksi e përdorur para 50 vjetësh, e sjellë nga Gostivari. Shumë gjëra janë realizuar, siç ka dhe shumë të tjera që pritet të bëhen në vazhdim.

BIMË, PEMË, LULE
Siç është i çmendur pas gjërave antike, që i ka sjellë nga afër e larg, Gëzimi është po kaq i dashuruar, pas gjelbërimit, bimëve, pemëve e luleve. Më lehtë do të ishte të përmendim gjërat që nuk i ka, se sa e kundërta. Shumica e luleve janë nga Shqipëria, por ka dhe prej Struge, apo nga Greqia. I gjen të pranishme këtu Aronian, boronicën, manaferrat, mjedrat, kurse Goy berin, që nuk e kishte, shkoi ta marrë tek Zija Keshi në Majtarë. Shumica e tyre janë thjeshtë për të kënaqur syrin e nuk sjellin ndonjë vlerë materiale, por kjo është vetëm ide e momentit. Sa më shumë lule, sa më shumë gjelbërim, aq më shumë vizitorë e turistë, aq më shumë të ardhura do të ketë në xhepin e tij. Pemët janë pjesë e identitetit të këtij resorti të bukur. Gëzimi dëshiron ti ketë të gjithë dru frutoret, që nga kumbullat, qershia, mollët, rrushi, arrat e lajthitë. Nuk mungojnë këtu as pemë atipike të zonës, si ulliri, fiku, shega e të tjera si këto. Disa kanë hyrë në prodhim e Gëzimi kënaqet me kokrrat e para të arrave, mollave, lajthive e manaferrave. Si për ta bërë më të plotë panoramën, nëna e tij, e mira e urta dhe punëtorja si ajo, i ka marrë ca metra katrorë shkëmbit dhe ka ngritur kopshtin e saj. Një nostalgji për kohën kur ishte nuse dhe mbillte një kopsht të bollshëm. Domatet, specat, trangujt, qepët e shumë perime të tjera prodhohen këtu, duke përdorur vetëm pleh lope e ujë burimi. Askush nuk i kërkon të punojë, por ajo dëshiron të kontribuojë sadopak, duke i siguruar familjes perime të freskëta.
Ajo kujton vite të shkuara, kur sapo kishte ardhur nuse dhe tamam këtu ku jemi ishte një mulli me ujë, pronë e tre vëllezërve, që bluante drithin e gjithë zonës. Kështu vazhdoi gjatë mulliri, deri afër viteve 2000, për të heshtur më pas. Por Gëzimi ka ide të reja. Ai do ta ringjallë atë, në mos si një mulli real, të paktën, kujtimin dhe imazhin e tij, duke vënë një elikë që lëvizet nga uji.

UJI, SHPIRTI I RESORTIT
Jo vetëm kaq, por dhe dyfishin e gjërave të kishte bërë Gëzimi në këtë vend, nuk do kishin kaq vlerë, po të mos ishte uji. Ai shërben për resortin, si shpiri për trupin e njeriut. Diku aty në cep të tij është dhe burimi i këtij uji fantastik, shumë i pasur me squfur. Vlerat kurative të tij janë të shumta, vetëm se nuk ka temperaturën, si uji i llixhave që përdoret më poshtë. Gëzimin pa frikë mund ta quash një inxhinier hidroteknik. Ai ka bërë mrekulli me ujin, duke na dhënë pamje magjepsëse. Aty lart në shkëmb, nga një vrimë e hapur, varet poshtë një rrëke uji, që krijon idenë e një ujëvare të vogël. Shumë vizitorë afrohen të bëjnë foto, për ti pasur si kujtim të atyre minutave të këndshme e relaksuese të qëndrimit këtu.
Ai bashkohet poshtë me rrjedhën mëmë e kështu së bashku vazhdojnë rrugën përmes resortit. Gëzimi ka krijuar një pishinë të bukur, ku vizitorët mund të fusin këmbët për disa minuta, për të shëruar reumatizmën, artritet e disa sëmundje të tjera. Më tej uji krijon një ujëvarë më të madhe se e para. Ciklat e ujit fluturojnë në mijëra, hapen e bashkohen sërish. Të tjera pamje të mrekullueshme dhe vizitori nuk di ku të bëjë foto e video më parë.

MIQTË E KOSOVËS.
Një ditë, miku im italian Kozimo, profesor i shquar i fizioterapisë, me përmasa europiane, vizitoi llixhat dhe po ashtu resortin e Gëzim Fetës. Ai i kishte vizituar llixhat në Japoni, në Hungari e në shumë vende të tjera dhe e dinte qartë se si punohej atje. Ndërsa për të parat mbeti disi i zhgënjyer si të lëna pas dore, për të dytin nuk i kurseu lëvdatat. Kështu duhet të punojnë të gjithë, nëse duam të kemi një bum turistik, u shpreh profesori.
Ndërsa Gëzimi po më shpjegonte punët e bukura që kishte bërë, dy çifte disi të moshuar hyjnë në resort dhe pyetën nëse mundeshin të kalonin pak minuta aty. Dhe pse akoma nuk funksionon restoranti dhe bari, ata ulen dhe shijojnë kafen e freskët që u përgatiti vetë Gëzimi. U ulëm dhe ne në bisedë me ta. Ishin nga Kosova. Ramush Matoshi, bashkë me të shoqen, jetonin në Suharekë, kurse Bajram Memaj me bashkëshorten e tij vinin nga Korisha e Prizrenit. Ata e përgëzuan Gëzimin për atë punë që kishte bërë, për ato ide të bukura që kishte realizuar. Bajrami ka qenë dhe në Llixha të Elbasanit, por thotë se këto të Peshkopisë janë më të mira. Tek ne, vazhdon ai, punohet më mirë nga Komuna dhe nga shteti. Ndonëse bjeshkët e Kabashit, në lartësi të Prizrenit, janë bosh, po dërgohet rryma elektrike dhe rruga po asfaltohet. Dhe lumi i Rekës po disiplinohet dhe zbukurohet shtrati i tij.
Dëgjon tregime të tilla për një vend që kaloi një luftë të tmerrshme dhe ndihesh keq. Resorti i Gëzimit është vetëm një oaz në shkretëtirë. Më sipër vazhdon Lugina e Shërimit, me këtë emër të bukur. Rruga që shkon përmes saj e të çon në fshatrat e Bellovës, ku mes tyre dhe Rabdishti i shpallur fshat turistik, është për t’i qarë hallin. E paasfaltuar, gjithë gurë, pluhur e gropa. Shumë projekte janë bërë, shumë tendera janë dhënë e prapë situata është e njëjtë. Ajo sipërfaqe dhjetëra hektarësh, që dikur ka qenë me plepa, mund të kthehet në një park të bukur, me asfalt, me pemë dekorative, me stola, kënde lojërash e bare që shërbejnë. Nuk është ky një projekt utopik dhe i parealizueshëm. Gëzimi, një individ i vetëm e ka krijuar resortin, një shtet i tërë nuk mundet dot ta bëjë. Le të na shërbejë Gëzim Feta, ky njeri punëtor e vizionar si një shembull, si një model që duhet ndjekur, nëse duam të shkojmë drejt vlerave europiane.