Kryengritja kundër serbe e shtatorit 1913


Karakteri i fortë, shpirti luftarak, dëshira për t’u pajisur me armë të reja, bëri që shumë çidhnakë të shkruhen vullnetarë për në Shkodër.

Patriotët e Dibrës së Poshtme, nën udhëheqjen e Isuf bej Hysenagollit, ia dolën të mbledhin mbi 4000 vullnetarë, të cilët do t’i shkonin në ndihmë Shkodrës. Në mes këtyre burrave ishin edhe mbi 1000 çidhnakë, të cilët të udhëhequr nga Selman Alia, Llan Kaloshi e Shaban Lusha u rreshtuan me këtë ushtri. Lajmi për të shkuar vullnetarë në Shkodër dhe se atyre do t’u jepeshin nga një armë e municion, u përhap shpejt në Çidhën.

Rënia e Perandorisë Osmane
Sipas të dhënave historike, mësojmë se ajo që më së shumti ndikoi në rrokullimën e Perandorisë Osmane ishte edhe Kryengritja e Përgjithshme e popullit shqiptar, e cila nisi në Kosovë, por që shpejt përfshiu gjithë Shqipërinë. Pikërisht, kjo Kryengritje shënoi edhe fillimin e shkatërrimit të Perandorisë Otomane. Për shkaqet e kësaj rënie, S.Brestovci shkruan: “…Shkaqet e rënies së Perandorisë Osmane burojnë në radhë të parë nga kriza e bazës së saj ekonomiko-shoqërore, nga shtresëzimi dhe shthurja e strukturës së saj timariotiste. Kjo gjë është e pashmangshme për të gjitha monarkitë e ngjashme pas pushtimeve të tilla. Prandaj, procesi në fjalë shpuri kah anarkia dhe padëshueshmëria e vetë jeniçerëve ndaj zotëruesit të tyre… Në fund të shek XVI difiçiti i Perandorisë Turke ishte 3 herë më i madhë se sa të ardhurat e saja shtetrore…”
Pas shpartallimit e rënies së Perandorisë Osmane, kombësia shqiptare mbetej në katër vilajete, gjë e cila sillte shqetësim të thellë në kancelaritë e shteteve ballkanike, që synonin të rrëmbenin copa të mëdha teritori të ish-Perandorisë së rrënuar. Lukuni të tëra pushtuesish serb, malazes e grekë iu drejtuan kufijve të Shqipërisë, duke krijuar situatën më të vështirë në historinë e mbrojtjes së trojeve amtare. “Nga fundi i tetorit ata (fqinjtë pushtues – H.P), filluan të flasin hapur për copëtimin e Shqipërisë.”
Zbatimi i atij plani të kobshëm për coptimin e atdheut, filloi me Luftën e Shkodrës, e cila çeli “siparin” e një konflikti shekullor me serbin. Ajo filloi më 8 tetor 1912 dhe mbaroi më 25.4.1913. Menjëherë pas Serbisë edhe shtetet tjera Ballkanike, sipas parimit ”u bë deti kos, merr lugën e madhe”, i shpallën me radhë luftë Turqisë me qëllimin që, kur të ulen në tavolinë, të përfitojnë nga territoret e ish-Perandorisë. Kështu më 14 tetor 1912, Mali Zi shpalli luftë Turqisë, ndërsa më 16 tetor 1912 Serbia dhe Bullgaria dhe, në fund, më 18 tetor 1912, edhe Greqia. Shqipërisë i kanosej një rrezik tjetër, ai i kalimit nga robëria Osmane në atë serbe.
Veprimtaria dhe aktiviteti i madh i Qeverisë serbe, për të rivendikuar kufijtë, projektonte një situatë mjaft komplekse në marrëdhëniet e ardhshme me Serbinë. Qeveria Jugosllave nxori “Dekret-ligjin mbi vënien e pushtetit në viset e çliruara”,sipas të cilit, në zonat e pushtuara nga serbët, vendosej pushteti i jashtzakonshëm ushtarak dhe policor. Veç kësaj, serbët krijuan edhe një Komision, i cili do të zgjidhte kontestet në fshatrat kufitare, në krye të të cilit ishte antishqiptari i njohur Vasileviq.
Në vitin 1912 (tetor), pikërisht në kohën kur përpjekjet e patriotëve shqiptarë po intensifikoheshin dhe përgatisnin Pavarësinë e Shqipërisë, ushtri të tëra serbësh e malazezësh kërkonin të shkëpusnin pjesë nga trupi i gjakosur e i copëtuar nga ajo çka kishte mbetur e që quhej Shqipëri. Lufta Ballkanike kishte filluar. Shovinistët serb e malazes nuk lanë rast pa shfrytëzuar për t’i siguruar vetes të drejtën e aneksimit të shumë tokave shqiptare.
Sipas “Shtojcës sekrete” të Traktatit të Miqësisë në mes të Serbisë dhe Bullgarisë, të përfunduar më 29 shkurt 1912, Serbisë i sigurohej dalja në Adriatik, aq shumë e dëshiruar.(212) Shkodranët, duke e parë në sy rrezikun e copëtimit dhe të mbetjes jashtë kufirit, për shkak të numrit të pamjaftueshëm të forcave, u detyruan t’ju drejtohen për ndihmë gjithë krahinave të Veriut. Kjo thirrje mbërriti deri në Dibër.

Dibranët në mbrojtje të Shkodrës
Dibra e Epërme nuk mundi t’i përgjigjej kësaj thirrje, pasi forcat shoviniste greke ishin drejtuar për në Veri, ndërsa patriotët e Dibrës së Poshtme, nën udhëheqjen e Isuf bej Hysenagollit, ia dolën të mbledhin mbi 4000 vullnetarë, të cilët do t’i shkonin në ndihmë Shkodrës.
Në mes këtyre burrave ishin edhe mbi 1000 çidhnakë, të cilët të udhëhequr nga Selman Alia, Llan Kaloshi e Shaban Lusha u rreshtuan me këtë ushtri. Lajmi për të shkuar vullnetarë në Shkodër dhe se atyre do t’u jepeshin nga një armë e municion, u përhap shpejt në Çidhën. ”Ishim në dasëm tek H.Loka, kujtonte Halil Pashnjari, kur erdhi një e na solli selamin e Selman Alisë për luftë. Burrat që ishin në dasëm e lanë atë dhe u nisën për të marrë armë në Shehër. Kazanët e mishit i kishin derdhë, pasi aty mbetën vetëm gratë e fëmijët”.
Karakteri i fortë, shpirti luftarak, dëshira për tu pajisur me armë të reja, bëri që shumë çidhnakë të shkruhen vullnetarë për në Shkodër. Pasi u pajisën me armë e municion, çidhnakët u kthyen të kënaqur nga Shehri i Dibrës dhe qëndronin gati të niseshin për Shkodër, sapo t’i njoftonin.
Grumbullimi i çidhnakëve dhe nisja për në Shkodër u bë tek Ferra e Pashës. Dibranët u nisën, duke pasë me vete edhe 2 topa, por nuk mundën të kalojnë shkurt nëpër Mirditë, pasi Kapedani i Mirditës nuk u dha udhë e për këtë arsye ata iu drejtuan Matit. Rrugës, kur kolona e vullnetarëve dibranë ndodhej në Mat, një letër e Sheh Shezumanit të Vleshës, njofton Elez Isufin, se “forca të shumta serbe i janë drejtuar Prizerenit e Lumës”. Pas konsultimeve, u vendos që Elez Isufi me forcat e tij të kthehej për të mbrojtur trevën nga ndonjë sulm i mundshëm serb. Vllamasi tregon se, fuqitë dibrane u ndanë më tresh:
“ 1. Me në krye Selman Alinë e Llan Kaloshin etj, shkojnë për të mbrojtur garnizonin e Shkodrës,… nën komandën e Hasan Riza Pashëse më vonë të Esat Toptanit.
2. Nën drejtimin e Elez Isufit, Shaban Lushës (gabim, duhet Met Dedes H.P) etj. shkuan në Kolosjan…
3. Forcat serbe sulmojnë edhe Dibrën e Madhe…”
Ishin të shumta fushëbetejat e dibranëve por më e spikatura ishte ajo për mbrojtjen e Taraboshit e më pas ajo e Bërdicës.
Aq i madh ishte gëzimi që ngjalli shkuarja e dibranëve dhe heroizmi e trimëria e tyre e treguar në luftë, sa që shpejt atyre iu këndua kënga: “Një takam qi janë dibranë, / Ata brejshin hekur me dhamë. / Nji takam kah Gjakova, / Bajnë irish e hidhen n’topa. / Irish m’topa e hipin n’grika, / Bajnë shiçir qi na erdh Dibra.”
Çidhnakët, të udhëhequr nga plaku 60 vjeçar Selman Alia dhe të frymëzuar nga trimëria e Shaban Lushës, luftuan me heroizëm në çdo pëllëmbë tokë. Aktet heroike të çidhnakëve ishin të panumërta, të përditshme, në çdo pëllëmbë llogoreje. Qëndrimi i tejzgjatur në llogore dhe ushqyerja me një copë peksimet, të cilin e hanin pasi lidhnin sytë, që të mos shihnin krymbat, nuk i dobësuan për asnjë çast dibranët. Vuajtjet e tyre në llogore janë bërë objekt shkrimesh për shumë personalitete të fushës së letrave.

Dorëzimi i Shkodrës.
Kthimi i çidhnakëve
Më 22 prill 1913, Esat Pashë Toptani nënshkroi marrëveshjen e kapitullimit me forcat malazeze, duke siguruar, këto të fundit, atë që s’ia arritën me luftë. Pas 6 muaj luftë e sakrifica të mëdha, forcat vullnetare dibrane u kthyen nëpër shtëpi dhe e gjetën anën e djathtë të Drinit të okupuar nga forcat serbe. “Nuk kish nevojë t’i pyesje se kishin qënë në Luftën e Shkodrës, pasi ata tregonin në fytyrë, kujtonin pleqtë: ata ishin të verdhë, sikur kishin dalë nga varri.”
Vuajtjet që ata kishin kaluar gjatë periudhës së luftës, janë të përmasave biblike. Megjithatë, kthimi në shtëpi i trimave të luftës së Shkodrës, nuk u rezervonte ndonjë qëndrim të këndshëm. Ata kërkoheshin nga serbët për t’u arrestuar ndaj ishin të detyruar të qëndronin të fshehur. Askush nuk guxonte të kalonte e të dilte në pjesën lindore të Drinit, ku shtrirja e pushtimit serb shkonte sipas idesë së vijës strategjike, apo siç thuhej në popull “për Drini”.

Situata në zonën e pushtuar
nga serbët
Në fakt, pasi vullnetarët ishin nisë për në Shkodër, nuk kishte vonuar shumë dhe forcat serbe ishin vendosur përgjatë luginës së Drinit. Një ditë para shpalljes së Pavarësisë, ushtritë serbe ishin ulur këmbëkryq, duke synuar ”vijën strategjike”. Këtu vendosën një regjim të egër pushtimi në gjithë pellgun e lumit Drin. Artilieria serbe gati çdo ditë qëllonte me top fshatrat e bregut perëndimor të Drinit, duke shkatërruar shumë shtëpi, duke i menduar si istikame të të kthyerve nga Shkodra.
Kudo shkeli këmba e serbëve vinte era shkrumb e hi. Ata vranë e prenë shumë njerëz të pafajshëm, ndoqën e persekutuan familjet e pjesëmarrësve të Luftës së Shkodrës, shumë prej të cilëve, për t’i shpëtuar terrorit, u strehuan në thellësi të maleve. Gjatë gjithë verës së vitit 1913, Selman Alia, edhe pse me plagë të rënda nga Lufta e Shkodrës, nuk reshti për asnjë çast ecejaket e takimet me Elez Isufin e të tjerë patriotë të zonave fqinje, për të organizuar çlirimin e vendit, ndërkohë që në zonat e pushtuara “Terrori serb vazhdonte kudo dhe shumë veta largoheshin emigrantë”. Këto përpjekje të patriotëve të Dibrës së Poshtme, për organizimin e një kryengritjeje të fuqishme, nuk kaloi pa u kuptuar nga forcat serbe. Ata kishin zbuluar se diçka po lëvizte, ndaj dhe komandanti i garnizonit të Ostushit, thërret krahinarin e anës së përtejme të Drinit (anës perëndimore të Drinit), Dali Xhikën, për ta pyetur për lëvizjet e dyshimta të patriotëve dhe për organizimin e kryengritjes.
Sigurisht që Daliu u përpoq që çdo gjë ta paraqesë si normale dhe se nuk kish asnjë shenjë të ndonjë organizimi për kryengritje. Komandanti serb nuk i besoi Daliut, prandaj urdhëroi ushtarët që ta përcillnin dhe ta vrisnin. Dhe, në fakt, ashtu ndodhi. Ushtarët e përcollën deri tek Ura e Lushës dhe aty e vranë e më pas e lëshuan në Drin. Trupi i Dali Mud Xhikës u gjet rastësisht në shkurret e lumit pas tre ditësh, afër Rrasës së Bollës.
Varrimi i Daliut u shndërrua në një procesion, i cili, i mobilizoi akoma më shumë çidhnakët për të rrokur armët. Fati e kish sjellë që një pjesë e Çidhnës të ishte në sytë e pangopur të interesave serbe. Se sa të mëdha ishin interesat qeverisë serbe për gjithë anën e lindore të Drinit, e tregon edhe deklerata e përfaqësuesit të Serbisë në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, i cili mes tjerash deklaronte: “Jemi gati të tërhiqemi nga Bregu i detit Adriatik, si dhe nga të gjitha ato vise që do të përfshihen në kufinjtë e Shqipërisë autonome, me përjashtim të Dibrës, Ohërit, Manastririt e sipër, të cilët duhet të hyjnë brenda kufijve të Serbisë.”
Në këto kushte, kur qeveria serbe nuk deshte kurrësesi të lironte trevën e Dibrës dhe, kur Konferenca e Londrës në korrik 1913 la jashta kufijve gati gjysmën e tokave shqiptare, fillimi i kryengritjes kundër pushtuesve serbë, ishte një imperativ i kohës, i cili lidhej me ekzistencën e krahinës, Dibrës e të gjithë kombit tonë. Edhe Qeveria e Përkohëshme e Vlorës e vlerësoi situatën e krijuar, ku me anën e një letre i drejtohet presidentit të Konferencës së Ambasadorëve në Londër, z. Eduard Greit, në të cilën mes tjerash kërkohej: “ … të lejojë që qyteti i Dibrës bashkë me pjesën e pandashme që i përcillet Shqipërisë, të vihet nën regjimin e Qeverisë Provizore Shqiptare… Në emër të drejtësisë, nà e përsërisim lutjen tonë që të mos lejohet që … të shkaktohet një kryengritje.”

Përpjekje të patriotëve për të organizuar kryengritjen
Në këtë kohë, çdo odë në Çidhën e më gjërë ishin kthyer në kuvend burrash, ku flitej për lirinë e atdheut. E, pikërisht në këto kuvende të thjeshta u përgatit kryengritja, e cila ish gati për të shpërthyer. Ishte fillim shtatori dhe forcat patriotike çidhnake zhvillojnë një përpjekje të armatosur me patrullat serbe në Arras. Për këtë përpjekje të armatosur edhe Naçallniku i Dibrës, N.Cirkoviç, në një raport për Shkupin shkruante: “…Më 7 shtator 1913, një njësi e fortë shqiptare e kishte sulmuar pararojën serbe te Ura e Arrasit. Ajo e shpërndau atë dhe kishte kaluar në anën e djathtë të lumit Drin. (Për këtë kemi lajmëruar inspektorin në Shkup)

Përpjekja me armë në mes patrullës serbe dhe dy fshatrave
Siç u përmend edhe më sipër, Selman Alia, megjithëse i sëmurë, ishte marrë vesh me Elez Isufin e udhëheqës të krahinave të tjera, që kryengritja të fillonte nga mezi i shtatorit, por pa caktuar datë fikse. Çdo gjë tashmë ishte gati, pritej vetëm sinjali për fillimin e luftës. Dhe momenti erdhi më 7 shtator 1913.
Sipas Ismail Strazimirit shkak për fillimin e kësaj kryengritjeje është vrasja e një tregtari shëtitës në Rrasë të Bollës. Ne mendojmë se në atë kohë tollovie e ankthi, nuk mund të jetë aq i saktë Strazimiri të përcaktojë, se cili qe shkaku i fillimit të parakohshëm të kryengritjes së palanifikuar. Ne, shumë kohë më parë, në vitin 1983, kemi studiuar dhe pastaj kemi referuar në një sesion shkencor për këtë problem. Duke “gërmuar” për këtë ngjarje, kemi mësuar se, atë ditë, vërtetë ka ndodhë një incident, vrasja e tregtarit belicar, siç e përshkruan I.Strazimiri. Por, po atë ditë, ka ndodhë edhe një përpjekje e armatosur në lagjen Lazrej të Fushë – Alies. Ky incident ishte shumë herë më i rëndë e më i madh, se ai që përshkruan I. Starzimiri.
Ne do të sjellim, siç e kemi vjelë nga pleqtë e atyre viteve.
… Aso kohe (shtator 1913), të gjithë të kthyerit nga Lufta e Shkodrës, vazhdonin të ruheshin e të lëviznin me kujdes, por gjithnjë në anën perëndimore të Drinit. Shumica e familjeve të fshatrave Fushë-Alie, Laçes , Blliçe dhe Rrenx, ishin larguar nga shtëpitë e tyre dhe, që prej nëntorit 1912, vazhdonin të strehoheshin tek të afërmit e tyre, kryesisht në Mustafe, Sinë, Çidhën e Grykë – Nokë, në Zall – Dardhë e deri në Lurë.
Fshatarët, herëpashere i “vizitonin” shtëpitë e tyre fshehurazi, bile me vështirësi të shumëta, ia kishin dalë që të mbillnin edhe gjatë pranverës 1913. Shtatori po vinte, misrat ishin bërë për t’u korrur, familjet vuanin për bukën e gojës. Pothuajse çdo natë në vahet e Drinit, që nga Rrasa e Bollës deri në Mollë të Hoxhe, me dhjetra malësorë kalonin me thasët e mbushur me misër të vjelur përgjatë natës. Në një natë të tillë, edhe Han Tota e Halim Marku, që të dy nga Fushë – Alia, kishin punuar gjithë natën për të zhveshur misër në arat e tyre.
Pasi i mbushën torbat me misër, dy fshatarët, duke iu shmangur vështrimit të patrullave serbe, takohen te Mani i Dukës dhe nisen poshtë, drejt Lazrejve, për të rënë në va tek Kroi i Martinit. Kur ata, me torba në krahë, ishin afër shtëpisë gjysmë të djegur të Vish Martinit, diktohen nga patrulla serbe, e cila sillej vërdallë lagjes. Serbët, sapo i shohin dy fshatarët me torba në krahë, bërtasin: “Stoj,stoj!” dhe vrapojnë drejt tyre. Dy fshatarët e kuptojnë se rreziku po u afrohej me shpejtësi, ndaj ato bënë një lëvizje taktike për t’i shpëtuar rrezikut. Ata u futën në shtëpinë e Vish Martinit nga dera, por dolën nga ana e pasme e saj dhe me vrap po iknin drejt Drinit. Forcat serbe kujonin se i kishin mbyllë në shtëpi, prandaj u pozicionuan para saj dhe filluan t’ju thërrisnin që të dilnin e të dorëzoheshin.
Dy fshatarët po i afroheshin vahut të lumit, kur patrulla serbe e kuptoi hilenë. Ato filluan të qëllojnë mbi dy fshatarët ku njëri prej tyre i plagosur në krahë, me vështirësi po kalonin lumin. Fshatarët, sapo dolën në anën e përtejme, u poziciunuan dhe filluan të qëllojnë në drejtim të patrullës. Gjatë kësaj kohe edhe ushtarët tjerë serbë, që ndodheshin tek posta në Kodër të Mullirit, filluan të qëllojnë. Në këtë mënyrë u krijua një situatë me shumë të shtëna dhe pas pak filluan edhe pushkët në Arras, në Topuze e më vonë, përgjatë gjithë rrjedhës së Drinit.
Është shumë e lehtë të dallohet se si gjithë patriotët në Arras, në Muhurr, në Dardhë e kudo, shkëmbimin e gjatë të zjarrit me patrullën serbe, e kujtojnë si fillimin e kryengritjes. Kështu pra shpërtheu kryengritja e shtatorit 1913, momentin e fillimit të së cilës H.Stërmilli, e shpjegon me vrasjen e tregtarit shëtitës nga Xheladin Xhediku. Ne mendojmë se është koinçidencë, që të vritet tregtari i Dardhës në të njëjtën ditë me “betejën” e zhvilluar në mes Han Totës e Halim Markut, me patrullën serbe. Mund të shtojmë se 1-2 pushkë që vranë tregtarin, të qëlluara nga Mërxhala, nuk mund të dëgjohen në Arras, Sinë e Gur të Zi, ndërsa pushkët e bëra në Fushë-Alie, beteja gjysmë ore e përshkruar më sipër, i kanë ngritur zemrat e dibranëve në kryengritjen e madhe të shtatorit 1913.
Nuk shkoi shumë kohë pas incidentit (përplasjes me armë në mes dy fshtarëve të sipërpërmendur dhe patrullës serbe) dhe çidhnakët, e më pas edhe krahinat fqinje, me pushkë e vikamë, “a besë-a besë” u sulën mbi serbin që nga Rrasa e Bollës, në Ostush e Mollë të Hoxhe. Luftime shumë të ashpra u zhvilluan në Ostush e në Gjarajcë, etj ku serbët kishin vendosur topa të kalibrave të ndryshëm. Përsëri në krye të çidhnakëve do të ishin heronjtë e dalluar në sa e sa luftëra të tjera për liri, si Selman Alia, Halil Kaloshi, Llan kaloshi, Haxhi Noka etj, etj. Çidhnakët, si dhe shumë herë tjera, me krahët përvjelë, shumëkush ndonëse edhe pa pushkë, por me thirrje të fuqishme, i detyruan serbët të lëshojnë pozicionet, duke lënë në fushën e luftës shumë të vrarë e armatime. Ushtria serbe u tërhoq e shpartalluar dhe në panik të plotë drejt Peshkopisë, e cila u çlirua plotësisht në mëngjesin e 8 shtatorit.
Ja se si shprehej Naçallniku i Shkupit, Cirkoviç, për këtë betejë: (Këto forca – H.P.) ”… një pjesë i udhëhiqte Alil Kaloshi prej Dibrës së Poshtme” . Po në këtë dokument, më poshtë thuhet: “… Atë ditë kryengritësit shqiptarë të drejtuar nga Elez Isufi dhe prijësat tjerë popullor Sefedin Pustina, Selman Alia, Haxhi Llan Kaloshi, Isuf Xhelili, Mersim Dema, Iljaz Hoxha, Haziz Lila… etj, organizuan sulmin e mëtejshëm të ndarë në disa kolona, si në drejtim të Strugës e Ohrit, të Mavrovës e Gostivarit. … forcat serbe u tërhoqën me shpejtësi, duke lënë 1000 ushtarë të vrarë, 300 ushtarë u zunë rob, si dhe u kapën 12 topa e materiale tjera ushtarake”.
Ndërsa Sefi Vllamasi, për këtë betejë, në “Ballafaqime Politike” shkruan: “Kur forcat (shqiptare – H:P) ndodheshin te Vorret e Pilafe, nën breshërinë e plumbave të mitralozit, malësori i quajtur Mehmet Skepi, një burrë me mustaqe kapadaji, u bën thirrje shokëve se: ‘ai që vdes sot, asht i pavdekshëm’ dhe thërret që ta kapin armikun të gjallë” Kjo fitore e shkëlqyer e dibranëve bëri bujë të madhe në të gjitha qarqet politike e mediatike na Ballkan.
Gazeta “Taraboshi” e datës 26 shtator 1913, shkruante: ”Fitesat e dibranëve janë të vërtetueme prej Belgradit. Shqyptarët kjen fitusa n’shumë luftime, e para se me mrrit n’Dibër murën Piskopien e serbët patnë shumë t’dekun e t’varruem e t’bierrne (humbur – H.P) dhe katër oficera”

Jehona e Kryengritjes së shtatorit
Kjo luftë, e cila solli fitore të bukur Dibrës, nuk kishte se si të kalonte pa dëshmorët e martirët e saj, të cilët u rreshtuan në altarin e heronjve të tjerë të luftërave të mëparshme. Burra të tillë si Haziz Lusha, Hajdar Noka(Vllanicë), Murat Skepi(Vllanicë), Can Han Xhari (Vllanicë), Llan Pali (Vllanicë), Muharrem Bitri(Vllanicë), Jashar Allaman Maleçka, Lokë Nuz Loka, Maliq Loka, Xhafer Loka, Ali Koltraka­ Kurt Sali Cuni, i vrarë tek Ura e Lushës; Sali Buci në Rrenx te Ara e Xhokës; Hysen Man Tusha, i vrarë tek lapidari i Suhodollit, Halit Kuta, Ferë Nezha, i vrarë në Grykë të Gramës, Dalip Hasi e Taf Hasi u vranë në Vllanicë, Ibrahim Paci në Peshkopi, Rushit Pashnjari, Xhetan Kaloshi, Maliq Loka, Xhafer Sulë Kaloshi, Hysen Bushi, Isuf Shquti, Beqir Loka, Abaz Shquti, Ramadan Doka, Haziz Loka, Hasan Shquti të vrarë në Skërtec, Abaz Isuf Loka, Hysen Jonuz Bitri, Met Osman Buci.
Ndërsa tek Ura e Lushës, në një nga “shëtitjet” e forcave serbe, kapet Ajshe Ramadan Bodi (Skepi), nëna e Fil Skepit, me një torbë me drithë në krah, që e kish marrë te shtëpia e ua çonte fëmijëve që ndodheshin në anën e djathtë të Drinit. Forcat serbe, që ndodheshin tek Ura e Lushës, e kapin dhe me bajoneta fillimisht i çajnë thesin e drithit, pastaj fillojna ta godisin edhe atë vetë, e cila dha shpirt e mbuluar me gjak. Me gjakun e tyre nderuan veten dhe krahinën tonë.
Kryengritja e shtatorit 1913 i tronditi shumë rëndë themelet e ngrehinës pushtuese sllave. Qeveria serbe e shqetësuar nga ky hov luftarak, filloi të organizohet për të përballuar furinë luftarake të dibranëve. Serbët më 22 shtator 1913 largohen nga Dibra, të mundur e të shpartalluar, inatçorë e kryeneçë. Për këtë, qeveria serbe u detyrua të mobilizojë një pjesë të mirë të ushtrisë për të kundërsulmuar. Ja si shprehej gazeta “Taraboshi” e 28 shtatorit 1913: “Qeveria e Belgradit, me një ukazë (urdhër – H.P.) tjetër ka thirrë nën armë oficerat e të dytit rend (rezervistë – H.P.), për me i bà ballë ushtrisë vullnetare të Shqipërisë”. Pra, siç shihet, shovinistët serbë shumë shpejt, mblodhën mbi 60.000 forca ushtarake dhe në fillim të tetorit 1913 u derdhën si zëgjeri ujqërish, me thika e ura zjarri në duar, duke djegur gjithshka u doli përpara, duke therë gra, fëmijë e pleq, që gjetën në shtëpitë e boshatisura dibrane.
Masakrat që ato kryen i kalonin kufijtë e çdo mizorie. Aq të pashembëllta ishin këto masakra, sa një ushtarak serb, i rrënqethur nga skenat mizore që kish parë të bëheshin ndaj shqiptarëve, shkruante në një nga gazetat e kohës: “Nuk kam kohë të shkruaj gjatë, por mund të them se këtu po bëhen gjëra të tmerrshme… mund të them se Luma nuk egziston më. Nuk ka veçse kufoma, pluhur e hi”. Po e njëjta gazetë shkruan edhe kujtimet e një oficeri serb, i cili shprehet: “… Ndërmorëm një sulm duke mos kursyer asnjë dhe asgjë, robërit menjëherë i vramë, bagëtitë i morëm, fshatrat i dogjëm me radhë dhe në shumë vende nuk kursyem as gratë e as fëmijët”.
“Trimëritë” e serbëve me fëmijët e pleqtë ishin unikale. Malësorët dibranë u gjetën të paorganizuar dhe nuk mundën ta përballojnë furinë e serbve. Në të gjitha pikat strategjike të kufirit, forcat shqiptare kishin vënë njerëz, të cilët ruanin me radhë e heroizëm kufirin. Forcat serbe, të riorganizuara e të shumëfishuara, iu vërsulën gjithë vijës së kufirit. Në Malin e Skërtecit ruanin vullnetarët e komanduar nga Murat Kaloshi, të cilët bënë një rezistencë të madhe kundër armikut për të penguar përparimin e tij, derisa të tërhiqeshin banorët nga fshatrat. Ndërsa, në Lake t’Xhipve në rojë me forcat e veta, ishte Zenel Noka. Në këtë betejë u vranë “…Xhetan Kaloshi dhe Xheladin Shehu.”Forcat çidhnake “Duke u zbrapsur tërhoqën me vete dhe fëmijët e gratë për të kaluar sa më shpejt më atë anë të Drinit. Armiku gjente kudo pengesa prej praparojave të fuqive tona.”
Martirët e kësaj kundërmësymje ishin njerëz të pambrojtur: fëmijë, gra, pleq, të pamundur etj. Megjithë terrorin e egër e masakrat çnjerzore që përdori pushtuesi, çidhnakët nuk pushuan për asnjë çast luftën për liri. Edhe pse u derdh shumë gjak, frytet e kryengritjes nuk u ruajtën për shumë arsye, por kjo nuk do të thotë që ajo të quhet spontane. Vërtet fillimi i saj qe spontan, por nuk mund të thuhet ashtu, për mënyrën e zhvillimit të vetë kryengritjes, e cila ishte një luftë popullore e organizuar shumë mirë, duke ngritur më lart patriotizmin e dibranëve, dashurinë për atdheun dhe ndjenjën e sakrificës për mbrojtjen e lirisë.
Ky heroizëm masiv popullor, që treguan të parët tanë në këtë luftë, do të frymëzonte brezat e mëpastajmë për beteja të tjera në mbrojtje të atdheut. Ja si do të shkruante poeti popullor: “Krali serbit à hutue, / Ushtri t’madhe ka hazrue, / Nuk durohet kral Pashiçi, / Nuk durohet n’gji iriçi. / Prej Korabi e n’Radikë, / Vra me pushkë e therë me thikë, / N’gjeshkë t’Zojnave mu ke stani, / Ai Met Dedja musteçemadhi, / Ban huxhum ke istikami: / – Ta farojmë pa ardhë akshami! / Kral Pashiçi, ki rafazi, / Po djeg shpi e vret f’mijë, / Ka ba Çidhnën shkrum e hi, / Si n’dynja s’ka ba vaki. / Mu n’Arras mlidhen trimat,/ Ka dy pluma n’gojë martinat, / Sot pa burra t’i lam’ shkinat,/ E jan’ ujit me gjak celinat. / I ran’ sejrpit n’Ostush. / Me dy s’ra kollanat mbush. / Se kjo Çidhna gjeg si prush. / E ka turrin si arushë.”

Met Dedja dhe cidhnakët
në Qafë të Kolosjanit
Po rikthehemi edhe njëherë në ngjarjet e vitit 1912 e, pikërisht tek momenti, kur çidhnakët u nisën për të ndihmuar shkodranët. Siç u theksua edhe në kapitujt e mëparshëm, Kapedani i Mirditës nuk i lejoi këto forca vullnetare të kalonin sa më shkurt nëpër Mirditë. Kjo i detyroi vullnetarët dibranë të ecin në drejtim të Matit dhe, kur ata po kalonin atyre viseve, një letër i vjen Elez Isufit nga Sheh Zumani i Vleshës, i cili njoftonte se disa ushtri serbe i janë drejtuar Lumës e, ndoshta, hyjnë edhe në Dibër. Çeshtja ishte serioze, ndaj dhe u vendos që forcat derjane të udhëhequra nga heroi Elez Isufi, i mbështetur edhe nga një kompani çidhnakësh të udhëhequr nga Met Dedja, të ktheheshin në zonë. Kështu u vendos dhe kështu u bë.
Rreth 60 çidhnakë u kthyen në fshatra e tyre dhe ishin në gatishmëri të plotë për të rrokur armët në luftë. Nuk vonoi shumë dhe në ditët e para të nëntorit 1912, forcat serbe po përparonin vazhdimisht drejt Lumës. Elez Isufi i dërgoi fjalë Met Dedes, duke i kërkuar sa më shpejt të shkonin në Kolosjan, për t’i dalë përpara hasmit. Ky veprim ishte plotësisht i justifikuar nga pikëpamja taktike, ndaj dhe angazhimi luftarak i malësorëve ishte në lartësinë e nevojshme.
Elez Isufi kish dërguar në Qafë të Kolosjanit mbi 400 forca të shoqëruara edhe me dy topa të vegjël dhe, me 19 nëntor 1912, aty u shkrua një faqe e ndritur e historisë së luftrave kundër serbit. Gjëmimi i topave dhe thirrjet “besa-besë”, gjallëruan si asnjëherë tjetër zemrat e luftëtarve dibranë dhe realizuan fitoren e bukur mbi hasmin e egër serb, të cilit i mbetën në fushën e betejës një regjiment ushtarësh të vrarë. Flamuri i fitores me shqiponjën dykrenare u valëvit në fushën e betejës, në ditën që u shpallë Pavarësia në Vlorë. “… E Isufi, luftoi burrnisht e trimërisht në Qafë të Kolosjanit të Lumës kundër serbve, të cilëve u dha shumë të vdekun, … më 27 Nanduer 1912,…”. Në këtë formacion luftarak, ishin të rreshtuar edhe çidhnakët, të udhëhequr nga Met Dedja, të cilët luftuan heroikisht krah për krah me derjanë e reçjanë. Një këngë e asaj kohe thoshte: “Kush ban mledhje ke istikami? / Ai Met Dedja musteçemadhi. / Ki Met Dedja mustaqekuq, / Bini burra n’qofshi turq! / Tym e flakë bajmë duman, / Si n’Bërdicë e n’Kolosjan.”.
Në këto luftime të përgjakshme, pranë Halil Selmanit të larë në gjak, pushuan përgjithmonë edhe çidhnakët Beqir Dan Bushi, Dan Beshir Sala, Osman Liman Kariçi dhe Rushit Miftar Përseku ndërsa u dalluan edhe luftëtarët çidhnakë, si Destan Tota, Feri Dauti, Halim Xhika, Sahit Xhika, Bajram Xhika, Selam Daci, Selman Xhika, Avdi Xhika, Elez Shehu, Sali Shehu etj, etj.

Episode të heroizmit
të cidhnakëve në Shkodër
Edit Durham shkruante: “Shkodra u dorëzua. Atje vdisnin 30-40 veta në ditë nga uria.”, ndërsa e shoqja e Kryekonsullit të Përgjthshëm të Austrisë në Shkodër, më dt 21.4.1913 shkruante: “…se prej tre ditësh, po rebelohen ushtarët…. Ata nuk duan mish kali, por duan bukë” dhe më poshtë vë në dukje se, “trimnia heroike e oficerave, nuk e përballon dot faktin elementar e forcën madhore: mungesën e bukës.”
Kësaj situate të rëndë në llogoret e luftës, po t’i shtosh edhe njoftimin që ata morën se në Dibër kishte zbritur serbi, i bëri dibranët më të vendosur dhe më trima. Më 9 shkurt 1913, në Bërdicë u zhvillua beteja më e përgjakshme me forcat malazeze. Momente të tilla heroike janë përjetuar në qindra këngë, që qarkullojnë ende në popull. Ja si thuhet në njërën prej tyre: “…Kur i vikati Muda (Basha) Zenelit (Basha),/ Shab Lusha hapi telin…”.Trimi Shaban Lusha del nga istikami dhe, pasi shkatërron gardhin serb të telit me gjemba, si shqiponjë hidhet mbi pozicionet e armikut, duke u përleshur fyt për fyt me malazezët. Një breshëri plumbash qerthullon trupin stërmadh të trimit, i cili rrëzohet në tokë, duke mos ia lëshuar thonjtë nga gryka malazezit, që e kish vënë përposhtë.
Tjetër episod heroik është edhe ai i dy vëllezërve nga fisi i Kukele në Mustafe: Të dy vëllezërit ishin në një distancë prej 30-40 metrash, në mes kishin edhe plot trima tjerë. Lufta qe mjaft e ashpër dhe një plumb merr në gjoks njërin vëlla, Destanin. Gojë më gojë mbërrin lajmi i vrasjes së Destanit tek vëllai tjetër, Imeri, i cili sapo kish mbushur të njëzetat. Në zemrën e re e djaloshare të Imerit, shpërthen lëmshi i dhimbjes për vëllain e vrarë dhe menjëherë del nga istikami me pushkë në dorë, duke ecur e duke qëlluar drejt armikut. Kështu vazhdoi të ecte përmes plumbave Imeri, ndërsa shumë luftëtarë i bërtisnin që të kthehej në istikam. Imeri nuk dëgjonte se dhimbja për vëllain e humbur ia kish errësuar vetëdijen dhe vazhdonte të qëllonte, kur një breshëri plumbash i përshkojnë trupin e njomë. Kur ra nata dhe u errësua, shokët e tërhoqën trupin e pajetë të Imerit dhe e varrosën në një vend me vëllain e tij, Destanin.
Kjo dhimbje e madhe, ku dy vëllezër bien dëshmorë, u përjetua në këngë që këndohej aso kohe në Çidhën:”…Si rrallë herë kish ba vaki, / Dy xhigërli me ni shpi…” Kështu të dy vëllezërit mbetën atje, por kujtimi dhe akti i tyre heroik shpejt mbërriti në odat çidhnake dhe përmendet e kujtohet me respekt edhe sot pas 100 vjetësh.
Le të kujtojmë edhe një episod tjetër, i cili shumë kohë është përmendur e kujtuar në odat tona. Në mes të muhurrakëve pjesëmarrës në këtë luftë, nga Shorokani ishte edhe një burrë në gjysmë të moshës. Fjalët e urta të tij ngrohnin zemrat e shokëve në llogoret e Bërdicës. Ky ishte Ismail Dede Ballazhi. Për shkak të intensitetit të lartë të predhave që binin, askush nuk e kish vënë re, kur plumbi e kish goditur për vdekje muhurrakun, i cili për çudinë e të gjithëve vazhdonte të qëndronte në këmbë. Pas disa orësh, lufta reshti dhe muhurrakët iu afruan trimit, i cili edhe pse i vdekur, qëndronte në këmbë, mbështetur shpinën në llogore, këmbët paksa të larguara, koka e anuar, sytë çelë e pushkën nuk e lëshonte nga dora…
Muskujt e duarve të Dede Ballazhit, kishin ngrirë dhe pushka nuk i shqitej nga dora. Ata nuk e prekën fare kufomën që qëndronte më këmbë dhe, ndërkohë, thirrën nipin e tij, Mehdi Spata, i cili ishte pak më tutje në llogore me çidhnakët. Mediu kish mësuar në Turqi dhe ishte besimtar i fesë islame, si dhe ushtrues i saj. Ai mori abdes me pluhurin e dheut të llogores dhe, duke kënduar ajete (pjesë) të Kuranit, ia nxori pushkën nga dora Ismail Dede Ballazhit. I mbylli sytë dhe e uli ngadalë në tokë. Ai kish mbetë shehit, për tu kujtuar në shekuj, thuhej në popull.
Beteja përfundoi me fitoren e dibranëve, por fusha e luftës ishte mbushur plot me kufoma të armikut. Pas armëpushimit, në muajin maj 1913, të gjithë luftëtarët dibranë po ktheheshin në Dibër. Nga radhët e tyre mungonin 114 prej tyre, të cilët ranë dëshmorë. Selman Alia, i plagosur rëndë, mezi qëndronte në një kalë, të cilin ua kishte falë një nga Bërdica. Ai kishte udhëhequr çidhnakët në sa e sa luftra, kish marrë pjesë në sa e sa beteja, por kurrë si sot nuk i ishin veshur sytë me lot.
Ende në vesh i buçiste zëri kumbues i Shaban Lushës, ndërsa trupi i tij prehej në Bërdicë e në krah të tij ishin varrosur edhe Hakik Ismail Raska, Han Abaz Bitri, Ramadan Miftar Përseku, Shaban Hakik Tola, Taf Lam Pashnjari, Tahir Çup Leshi, Xhetan Fali Kola, Rushit Bajram Përnezha, Destan e Imer Kukeli, Met Osman Buci, Beqir Selman Përnezha, Bajram Martini, Hysen Tahir Çuni, Sulë Nuz Çuni, Bajram Bajram Lusha e shumë të tjerë. “Vetëm në Kushaj te Hani i Hotit, ndodhen 30 varre dhe vendi thirret Varret e Dibranëve.”