Aty ku e nisi…!


Kupa, medalje, dhurata, aktivitete dhe mesazhe paqe dhe shprese me yjet dhe modelet e sportit dibranë dhe shqiptar, Shulku, Demollari, Toska, Cibaku, etj.


Aty ku e nisi…! Një tjetër gjetje e gazetarit të mirënjohur sportiv në vend, Defrim Methasani, një djalë dibran, që jo rastësisht është nderuar me titullin e lartë “Qytetar Nderi” në Dibër. Ai shkoi sërish në vendlindjen e tij, edhe pse atje shkon shpesh, por tashmë me një tjetër mision, që u mirëprit me entuziazëm, ashtu si një vit më parë në fshatin e lindjes së tij, në Sohodoll. Këtë herë ai vajti në shkollën e mesme “Nazmi Rushti” në Peshkopi, aty ku ai nisi të luajë me “Korabin”, aty ku ai nisi të shkruajë në gazetën lokale të kohës “Ushtima e Maleve”, aty ku nisi të shkruajë në gazetën “Sporti” dhe të bashkëpunojë me Radio Tiranën dhe televizionin shqiptar, ku tashmë militon prej 30 vitesh. Ndaj, në shenjë mirënjohje, ai kthehet aty pas 36 vitesh kur ka mbaruar shkollën dhe kërkon të bëjë diçka mes nxënësit e shkollës dhe stafin e saj.
Tashmë, kuptohet që nuk janë ata mësues kur ai studionte aty, por misioni i tij dhe modelet që zgjodhi të merrte me vete flasin shumë. Defrimi mori në grupin e tij edhe Ilir Shulkun, një djalë dibran, që iku prej Peshkopie kur ishte 10 vjeç, por që zanafillën e tij me lojën e futbollit e ka aty. Tashmë Shulku drejton federatën shqiptare të futbollit si sekretar i përgjithshëm i saj dhe ishte dikur futbollisti i Partizanit, ekipit kombëtar dhe arriti të luajë edhe me formacionin më të mirë të botës, në një ndeshje miqësore përballë Brazilit.
Bashkë me të ai mori edhe një emër legjendë të futbollit tek ne, Sulejman Demollarin, Mjeshtër i Madh, ish futbollist i Dinamos dhe kombëtares, por njëherësh i shpallur edhe si futbollisti i huaj më i miri në Rumani. Dy kupat që Methasani i kish pikasur për futbollin, kishin pikërisht emrat e tyre. Por ndërkaq jashtë vëmendjes ai nuk la as Bashkim Lalën, trajnerin e famshëm të volejbollit, që e nderoi pas vdekjes me kupën në volejboll për vajza dhe Ismet Bellovën, legjendën e mikrofonit sportiv në Shqipëri, të cilin e nderoi me kupën e basketbollit për vajza.
Me Defrimin ishin edhe mjaft kolegë gazetarë sportivë të ardhur nga Tirana dhe rrethet, por edhe dy emra të spikatur dhe simbole të sportit dibran, Shpëtim Toska, ylli i futbollit dhe Xhelil Cibaku, një medalist i njohur i tapetit dhe kampion absolut në sportin e mundjes.
Drejtoresha e shkollës Alma Selami, e cila kishte bërë një organizim mjaft të mirë së bashku me stafin e saj dhe veçmas dy mësuesit e edukimit fizik Erblin Laçi dhe Mirela Hoxha, ka ditur t’i presë miqtë e pazakontë të kësaj shkolle. Fillimisht ajo dhe stafi i saj kanë ka pritur personazhet interesantë të një dite të tillë në ambientet e shkollës dhe më pas një bashkëbisedim i ngrohtë ka nisur që aty, duke falënderuar ish nxënësin e kësaj shkolle, sot një model në gazetarinë sportive, Defrim Methasani, për idenë e bukur të tij që të bëjë diçka për atë fole dijeje ku ai mbaroi studimet e shkollës së mesme. Më pas vizitat në klasa dhe laboratorë ia kanë lënë vendin ceremonisë së kësaj veprimtarie, e cila përveç fjalëve dhe dhuratave e mirënjohjeve përkatëse, ka pasur mjaft detaje të tjera.
Me pas kjo ceremoni e bukur ka vijuar edhe me dhurimin e 50 uniformave sportive, 20 topave, rrjetave të volejbollit dhe futbollit, kostumeve sportive për mësuesit e fizkulturës dhe mjaft dhurata e dedikime të tjera.
Selami ka shprehur mirënjohjen e saj, ndërsa kjo është zyrtarizuar edhe për realizuesin e këtij aktiviteti kaq të bukur, ku bashkë me certifikatën falënderuese i kanë dhuruar edhe karakteristikat e katër viteve të shkollës, një gjest ky që e ka emocionuar shumë tashmë jo Defrimin nxënës, por Defrimin gazetar.
Më pas janë nderuar edhe Ilir Shulku e Sulejman Demollari, por edhe miqtë biznesmenë që kanë ndihmuar si zakonisht evente të artit dhe të sportit, konkretisht Muharrem Gjoka, Musa Riçku dhe Faik Bruçi, këto dy të fundit edhe ”Qytetar Nderi” në Qarkun dhe Bashkinë e Dibrës. Certifikata mirënjohje ka pasur edhe për dy prej ish nxënësve të shkollës, Shkëlqime Hasani, ish volejbolliste e talentuar dhe Nuri Balla, njëri prej atyre që ndihmoi në bazë materiale.
Më pas kanë vijuar edhe ndeshjet përkatëse, ku janë karakterizuar nga një emocion i rrallë në ndeshjet mes ekipeve të shkollës “Nazmi Rushiti”. Në mbyllje sërish është realizuar një tjetër ceremoni emocionuese, por tashmë ajo e dorëzimit të trofeve dhe medaljeve përkatëse për nxënësit fitues, që në fakt të dukej se fitues ishin të gjithë….
Protagonistët e ditës, Shulku, Demollari, Toska, Cibaku, por edhe të tjerë, kanë dorëzuar kupat dhe medaljet përkatëse, ndërsa më shumë se një kujtim, ata djem dhe vajza morën me vete një mesazh të madh në ëndrrën e tyre për t’u bërë dikush në të ardhmen.
Methasani dhe protagonistët e mëdhenj të një dite festive treguan përmes pyetje – përgjigjeve për nxënësit, por dhe përmes këtij aktivitet tejet domethënës se rinia e sotme ka shumë nevojë për ditë të tilla dhe detaje që bëjnë diferencën në shoqërinë e sotme, për të shërbyer këtij brezi si energji dhe guxim që ata vetë nesër të bëhen të tillë. Mbi të gjitha gjesti që Defrimi bëri në ish shkollën e tij, tregoi se secili nga ne duhet të kthejë kokën pas për të bërë gjëra të vogla por me dashuri të madhe, siç ka thënë edhe nënë Tereza.
Kjo festë e bukur ka mbetur në kujtesën e atyre djemve dhe vajzave, por edhe në arkivën e asaj shkolle, ashtu si notat dhe ajo karakteristika e mirë e Defrimit, që si duket, e motivoi atë të rikthehej aty ku e nisi dhe pasi e ka mbyllur me sukses, tashmë t’i jap një tjetër energji për të bërë një tjetër stacion të rëndësishëm në jetën e tij dhe atyre që do të kenë fatin të prekin një ditë një ëndërr të tillë të bukur…
B.Karoshi