Naim Buci, ikja e një njeriu që e deshi shumë Lurën dhe Dibrën


Naim Buci ka qenë një ndër të parët që ka dhënë një kontribut në lobimet për ndërtimin e Rrugës së Arbrit. Me një fjalë të mirë, por edhe me mbështetje financiare. Në foto: Gjatë një ekspeditë në rrugën e Arbërit, maj 2013.

Projektet për Lurën, për rrugën e saj, për kthimin e Lurës në një qendër të turizmit në vend, të zhvilluar e me perspektivë, ishin bisedat kryesore sa herë shiheshim. Ishte aq optimist për krijimin e “Union Lura” sa i buzëqeshnin sytë…

Lajmi për ikjen nga kjo botë të Naim Bucit, ishte një nga lajmet më të trishta të këtij viti.
Naim Buci ishte një nga miqtë më të hershëm në Tiranën e tranzicionit. E kam njohur kur kontribuonte politikisht në partinë Aleanca Demokratike dhe prej atëherë shiheshim shpesh.
Gjatë kohës që kam punuar si gazetar, Naim Buci ishte prej atyre që kërkonte të përcillej përmes shtypit lajmin e mirë. Lajmi për një rrugë, për një shkollë, për një botim të ri, një autor e veprimtari.
Më pas më është dashur të punoj me të dhe them se kemi ndarë së bashku plot vështirësi të punës e të jetës, por ishte prej atyre që optimizmin e kishte pakufi.
Projektet për Lurën, për rrugën e saj, për kthimin e Lurës në një qendër të turizmit në vend, të zhvilluar e me perspektivë, ishin bisedat kryesore sa herë shiheshim. Ishte aq optimist për krijimin e “Union Lura” sa i buzëqeshnin sytë…
Naim Buci ka qenë një ndër të parët që ka dhënë një kontribut në lobimet për ndërtimin e Rrugës së Arbrit. Me një fjalë të mirë, por edhe me mbështetje financiare.
Broshura, fletëpalosje, libra e plot materiale të tjera kishin dashamirësinë e tij dhe kontributin e tij modest, por me shumë dashuri. Kur rruga e Arbërit e nisur nga Tirana në vitin 2011, mbeti në mes, ai ia përcolli shqetësimin një njeriut të rëndësishëm në qeverinë e kohës, i cili nuk e besonte.
“A ikim të bëjmë ca fotografi, – më tha në telefon. Na duhet t’ia tregojmë dikujt e ti themi që nuk po punohet”.
“Kur do të më vijë radha mua të sponsorizoj krejtësisht një numër” – më thoshte shpesh kur takoheshim. “Kur të shkojmë së bashku në Lurë dhe prej atje të shkruajmë reportazhin”. Nuk u bëmë mbarë kurrë. Dhe kurrë nuk na shkonte mendja se kjo nuk do të realizohej… Por ndoshta një ditë do ta shkruajmë edhe reportazhin për Lurën me të njëjtën dashuri siç ai donte.
Dhe bisedat me Naimin ishin të hapura. Për autorë e krijues dibranë, për mundësitë që kishte dhe që donte, për hapsirat e botimit dhe promovimit. Dhe kurrë nuk do të harrohet që ngrihej vetë dhe bënte dhuratë botimet e reja. Kolanën e madhe të librave filozofikë, me të cilën krenohej. Dhe jo vetëm për ta, por për dhjetëra botime të tjera të Xhafer Martinit, Velo Cfarkut, Islam Çengës, Ahmet Prençit e plot të tjerë…
***
Ky vit ishte i trishtë për familjen Buci. Pas ndarjes nga kjo jetë të Sulejmanit, 5 muaj më parë dhe Sanijes para dy muajsh, ikja e Naimit, 54 vjeç, ishte një dhimbje e papërshkruar.
Ndarja nga kjo jetë e botuesit Naim Buci ishte një lajm i hidhur për të gjithë. Jo vetëm për familjarët, miqtë e tij, lurjanët mbarë, por për të gjithë shoqërinë.
Ai ishte një ndër botuesit më të mirë në vend, një i pasionuar pas librit dhe botimeve, një mbështetës i autorëve dhe krijuesve, një nga njerëzit e mirë të Lurës që do të na mungojë.
Naim Buci nuk ka qenë një njeri i mbyllur pas librit. Por ishte edhe i angazhuar në politikë që në fillimet e demokracisë. Ai shpeshherë ishte në prapaskenat e liderëve politikë, duke i mbështetur e inkurajuar për të mirën e Lurës, Dibrës dhe Shqipërisë.
Ishte një nga lobuesit më të parë për Lurën dhe një nga mbështetësit moral e financiar të Rrugës së Arbrit dhe autorëve dibrane, dhjetëra botime të të cilëve, u bënë të mundur falë ndihmës së Naimit.
Botimet “Dita Print”, nën drejtimin e Naimit ka qenë një mbështetëse e fortë e autorëve të teksteve shkollore e universitare.
Naim Buci u lind më 3 tetor 1966 në Arrmallë të Lurës. Shkollën fillore dhe tetëvjeçare i ka mbaruar në vendlindje. Shkollën e mesme mekanike bujqësore në Shkozet, Durrës. Shkollën e lartë për Agronomi e në Institutin Bujqësor.
I martuar me Albina Lleshi nga Rubiku, me të cilën kanë qenë në një klasë në shkollë të lartë. Së bashku kanë punuar për dy vite si mësues në shkollën e mesme Arrmallë. Kanë dy fëmijë, Arlindin dhe Arjolën.
***
“Si mund të shkruaj për ikjen tënde në amshim! Për këtë ikje të beftë e të parakohshme!”, shkruan një homazh për të profesor Adem Bunguri.
“Naimin e kam njohur si nxënës në shkollën 8 vjeçare Arrën-Mallë në vitet 1976-1979! Ishte nxënës i shkëlqyer dhe fëmijë i mrekullueshëm! Djali i dytë i Sulejman dhe Sanie Bucit, pas vëllait Jashar dhe para vëllait Shefki! Një familje e nderuar dhe shumë arsimdashëse! I mëkuar që në vogëli me ndjenjën e dashurisë për njerëzit dhe vendin, ai u bë një djalë me vlera, që nderonte Lurën dhe gjithë Dibrën! Si i rritur, ai e ruajti dhe e zhvilloj më tej fisnikërinë e familjes Buci, dhe me formimin, kontributin, sjelljet dhe mirësitë e tij, krijoj figurën e një të riu të plotësuar, të cilin të gjithë donin ta kishin mik! Në bisedën e fundit në telefon, folëm për projekte botimesh, por më gjatë folëm gjatë për hyjneshën tonë, Lurën magjepse, për ripyllëzimin e saj, për rrugën Kurbnesh-Lurë, që do ta lishte këtë “Zvicër” të vogël në mes të Shqipërisë, me Tiranën”, e kujton profesor Bunguri.
***
Redaksia e gazetës u shpreh ngushëllimet familjarëve, bashkëshortes Albinës dhe fëmijëve Arlindi e Arjola, vëllezërve Jasharit dhe Shefkiut dhe gjithë miqve e shokëve të tij.
Ikja e parakohshme e Naimit do të na dhëmbe gjatë, por do ta kutjojmë gjithmonë të qeshur e të mirë!
Bujar Karoshi