Pesëdhjetë vjet me penë, me pasion dhe përkushtim të epërm…


Për rreth pesëdhjetë vjet ka ndjekur rrugëtimin e të tjerëve, ëndrrat, kauzat, përballjet e tyre, duke i hedhur ato në letër si kujtesë për kohët dhe brezat. Vëzhgime, mbresa, emocione njerëzore kanë gëluar në penën e tij, duke marrë trajta reportazhesh, portretesh, analizash e reflektimesh rreth të ndodhurave. Një realitet i mbetur përgjithmonë në letër, në shkrime interesante, ku dallohen qartë përvijimet e të ndodhurave nga më të çuditshmet, konturet e një përditshmërie të ngarkuar me zhurmënajë e sherrnajë epokale, gjurmët e kohës dhe të bashkëkohësve.
Tani është radha e tij, të hedhim diçka në letër për këtë njeri pasionant të shkrimit, të publicistikës dhe letrave në përgjithësi, që me modesti shembullore e përkushtim jo më pak shembullor na sjell realitete të prekshme të përditshmërisë dhe historisë.
Quhet Shaqir Skarra, një penë e njohur jo vetëm për lexuesit e gazetës “Rruga e Arbërit”, jo vetëm në qarqet krijuese dibrane, por dhe më gjerë. Një jetë e tërë në ndjekje të personaliteteve njerëzore, të atyre modeleve jetësore që na ofrojnë një qasje drejt një jete më të motivuar, më të kuptimtë dhe më kurajoze. Janë qindra portrete njerëzish të thjeshtë e intelektualësh të fushave e profileve të ndryshme, bujq, blegtorë, specialistë të dalluar, njerëz me pasione të mëdha, problematika e qasje nga më të larmishmet, ku më shumë se me penën pasionante, duket se këto histori janë shkruar me lëkurën e tij.
Ishin vitet ‘70-80 të shekullit të kaluar, kur shoqëria shqiptare, e zhytur në depresionin kolektiv të vetmisë dhe iluzioneve të humbura, kërkonte shtigje sado të vogla për te liria. Një minishteg, që na qasej si një ishull vezullues, gjithë dritëhije dhe farfuritje, ishte dhe libri, një thesar që na joshte me një fuqi të papërballueshme. Shkoja në shtëpinë e Shaqirit, në Shumbat, kur ai kthehej nga ‘kurbeti” brenda vendit dhe merrja ndonjë libër, pasi ai kishte një bibliotekë të pasur, të cilën e furnizonte kohë pas kohe me libra të rinj. Pasioni i Shaqirit për librin ishte një histori e përfolur në atë fshat ku vëmendjes kolektive nuk i shpëtonte asgjë e ku nga shumica konsiderohej një “bjerrje kohe”, nga pakica, ku mendoj se bëja pjesë dhe unë, si një shenjë sqime intelektuale dhe vlerësimi për shijet, kulturën dhe botën shpirtërore në përgjithësi. Shtëpia e tij në fshat qe kthyer në një sallë biblioteke për intelektualët e fshatit.
Mbaj mend shkrimet e tij të herëpashershme në gazetën “Ushtima e maleve” dhe organe të ndryshme të shtypit qendror, shkrime të shkruara me stil të veçantë dhe sharm gjuhësor. Nxirrte në pah njerëzit e thjeshtë, botën e tyre shpirtërore, dashurinë për punën, idealitetin e kërkimit të vlerave më të qenësishme njerëzore, që të çojnë drejt të vështruarit të gjërave përtej hundës tënde dhe interesit të ngushtë vetjak. Ishte bashkëpunëtor aktiv dhe pasionant i gazetës “Puna”, “Bashkimi”, “Zëri i rinisë”, revistës “Ylli”, “Hosteni si dhe I të gjitha gazetave lokale në rrethet ku i rastisi të punonte në ndërmarrjen “Rruga Ura”.
Kjo veprimtari e ngjeshur shkrimore nuk mund të mos tërhiqte vëmendjen e lexuesit dhe të qarqeve vlerësuese të kohës, që vëzhgonin imtësisht gjithçka dhe në rastin e tij shikonin një gazetar të pjekur, që dinte se çfarë shkruante dhe shkruante me një stil që ishte krejt i tij. Në vitin 1986, mori çmim të parë për shkrimin “Udhët e atdheut na thërrasin”, i cili u vlerësua si reportazhi më i mirë dhe u transmetua në “Radio Tirana” për emisionin “Shqiptarët jashtë atdheut” plot një javë rrjesht. Gjithashtu është dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit të Shqipërisë me Medaljen e Punës si dhe Medaljen “Naim Frashëri”.
Shumbati ishte dhe mbeti “Itaka” e tij, kopështi i Edenit, vendlindja e paharruar, të cilën e mbarti dhe e mbart si një Gur Sizifian, kudo që shkon, në çdo cep të dheut shqiptar. Këtij fshati me histori të veçantë dhe sharm të epërm etnopsikik i ka kushtuar qindra shkrime, reportazhe, mbresa, histori të ndodhura e gojëdhëna të përcjella ndër shekuj, gojë më gojë e brez pas brezi. Dy librat e tij të mrekullueshëm për Shumbatin, me një material të pasur faktik dhe analizë të imët të gjithçkaje që e karakterizon këtë fshat, janë pjesë e një trashëgimie vlerash njohje dhe reflektimi, jo vetëm për shumbatasit, kudo që ndodhen, brenda e jashtë kufijve tanë administrativë, por dhe më gjerë.
Gjinia më e lëvruar nga Shaqiri është reportazhi, por jo më pak të preferuara kanë qenë dhe janë portretet, skicat, vëzhgimet e tij të imëta për dukuri të historisë dhe përditshmërisë.
Hapja e shoqërisë shqiptare, pas viteve ’90, me gjithë devijimet e këtij tranzicioni të vështirë, i dha mundësi të reja penës së Shaqirit, publicistikës dhe letërsisë së shkruar prej tij.
“Rruga e Arbërit”, gazeta më serioze e hapësirave mbarëdibrane ishte dhe vazhdon që të mbetet një nga prioritetet e tij, të cilën me një grup bashkëpunëtorësh e nisën nga hiçi dhe e çuan në majat e informimit, ku vazhdon të kontribuojë me zërin e saj origjinal.
Rrjedhat e reja të një kohe tjetër i dhanë impulse të reja Shaqirit, i cili duke qëndruar gjithmonë mes njerëzve, mes halleve dhe gëzimeve të tyre të përditshme, mori shtysa dhe motivime të forta për vazhdimin ende më me pasion dhe përkushtim të rrugës së shkrimtarisë.
Konturet e tjera, të një shoqërie më agresive dhe më pak të ndjeshme ndaj dhimbjes së tjetrit, etja e shfrenuar për para, që zëvendësoi kursin normal të konkurrencës së vlerave, nën stigmën e meritokracisë, nuk e dëshpëruan Shaqirin, i cili vazhdoi si dhe më parë të qëmtonte ngjarje dhe dukuri, të ndiqte rrugë dhe projeksione ëndrrash e realitetesh të thyera, të nxirrte në pah personazhe, që mbartnin vlera dhe që ai i përcillte si modele që duheshin ndjekur nga të gjithë.
Vazhdoi të shkruajë me të njëjtin ritëm, me përkujdesje e pasion, në zhanre të ndryshme publicistike e letrare, duke dhënë një kontribut të çmuar dhe lehtësisht të verifikueshëm në faqet e gazetës “Rruga e Arbërit”, që me kohë do të bëhej tribunë e mendimit dibran, mjaft e kërkuar nga intelektualë të fushave e profileve të ndryshme, por dhe nga njerëzit e thjeshtë.
Një nga një morën rrugë librat e tij: monografi letrare e publicitike, copëza tradite dhe historie, gjurmë të etnosit dhe pasurive të tjera të thellësive kolektive dibrane, fshatra e krahina në fokus, figura historike e të përditshmërisë.
Deri më tani ka shkruajtur dhe botuar 17 libra, ku vlen të veçojmë librin e tij të parë “Zalldardha”, për të vijuar më tej me titujt “Shumbati histori dhe tradita”,”Shtator i përgjakur”,”Dine Hoxha, arkitekti i fjalës së mençur dibrane”,”Haki Hysa”,”Malet e Dibrës”,”Gurrat e Korabit”,”Gjorica, fshati midis ujërave”,”Trokitje në portat e Dibrës”,”Klerikët e Limnjanjit”,”Xhafer Merdini, një emër i njohur në sofrën e arsimit shqiptar”,”Musai, portreti i njeriut fisnik”, “Dritëhijet e një poeti”, monografi kushtuar poetit të njohur dibran Naim Plaku, “Borxhin ta ktheva vendlindje”, monografi e zgjeruar për Shumbatin. Në këtë monografi, më tepër ndoshta se kurrë më parë, spikat pena e tij zhbiruese, pasioni kërkimtar për të na dhënë një histori të plotë dhe impresionuese të një fshati me gjurmë të thella në histori, me kontribute në veçanta në kohëhapësirën dibrane dhe më gjerë.
Shaqiri ka në dorëshkrim, në proces redaktimi e botimi librat “Lirikat e mia”, -poezi, “Vdekja e engjëllit”-tregime, “Trokitje në portat e Dibrës” vëllimi II, “Malet e Dibrës”, vëllimi II, “Sofra e legjendave”-legjenda, “Loti i dhimbjes dhe dashurisë”, kujtime.
Në trevën e Dibrës, odave dibrane, kafeneve dhe ndenjeve me burra të mençur, Shaqiri ka gjetur “lëndën e parë” të librave të tij, materialin bazë, episodet ardhur gojë më gojë deri në ditët tona, alegoritë, folklorin, fjalët me rrotulla, parabolat, shëmbëlltyrat dhe shumë e shumë njësi të tjera të ligjërimit të kodifikuar, që janë veçori e kësaj treve kaq të pasur në njësi frazeologjike dhe stilema të koduara.
Falë njohjeve të shumta në Dibër dhe në Tiranë, kryesisht mes dibranëve, pena e Shaqirit vazhdon të rrëshqasë lirshëm mbi letër, duke shkruar me frymëzim e pasion shkrime që sjellin aromën e jetës dibrane, kultin e punës dhe djersës, thellësinë e fjalës së gjetur në oda e ndenje burrash të fjalës e besës, të traditës e zakonit, të diturisë dhe përgjegjësisë për gjithçka që thonë dhe bëjnë në jetën e tyre.
Në këtë krijimtari të gjerë e të begatë spikat një talent përtej të zakonshmes, një talent që kërkon në histori dhe në përditshmëri, për të gjetur ato fije lidhëse midis kohëve dhe epokave, midis brezave dhe entive, që të mund të përcjell mesazhe të freskëta e kuptimplote për çdo brez e për çdo kohë.
Në këto krijime duket një dora e një krijuesi të përkushtuar, që jetën dhe pasionin e tij e ka të lidhur me letrat, ku me një stil të thjeshtë, komunikues dhe të rrokshëm për të gjitha nivelet kulturologjike të lexuesit, për të gjitha moshat; sjell një lëndë shkrimore të përpunuar hollë dhe me shije, pa lajle lule të kota, pa retorikë dhe proliksitet.
Publicisti dhe shkrimtari Shaqir Skarra është një kërkues realist në psikologjinë dhe shpirtin dibran, ku me një stil të ngjeshur e konciz, por njëherësh të ngrohtë e plot ngjyra, ngërthen rrëfimin dhe depërtimin psikologjik e psikoanalitik, me një gjuhë të zhdërvjellët dhe elegante, duke na sjellë në shkrimet dhe librat e tij më shumë se një shqetësim për fatin historik të një treve sharmante, të një populli qëndrestar, siç është populli dibranë.
Ajo që e bën të dallueshme krijimtarinë e Shaqirit është rrugëtimi i tij i natyrshëm drejt personazheve, drejt ngjarjeve, drejt vetvetes autentike, vetvetes poetike, duke konfiguruar një peizazh të thyer të shpirtit njerëzor, me anë të tablove në lëvizje, si vetë jeta jonë dinamike, në kërkim të gjërave të bukura, për të cilat ia vlen të jetosh.
Krijimtaria e Shaqirit dallohet për stilin e ngjeshur, poetikën e rrëfimit, fuqinë e përshkrimit dhe gjallërinë e mjediseve të përshkruara.
Pesëdhjetë vjet me penë nuk janë pak, por një jetë e tërë dhe udhëtimi në shkrimtarinë e Shaqir Skarrës është një udhëtim mbresëlënës, ku gjallëria e narracionit, përzgjedhja e fjalës, pasuria e stilit dhe thellësia e depërtimit në analet e të ndodhurës, mbetet një shpalim konstant, pavarësisht kurbave herë -herë marramendëse ku ngrihet “lavjerësi” i tij narrativ dhe estetik.
Në artin e tij shkrimor, ngërthehen kohë dhe stinë, protagonistë dhe histori, situata intime dhe universale, gjendje dhe fakte jetësore, të transfiguruara në akte estetike, ikje dhe kthime, modele jete dhe ëndrre, kërkimi në shpirtin universal të së bukurës, të urtësisë dhe mençurisë njerëzore.