Katër breza sportistësh të familjes Skuka
Nga Osman Xhili


Lutfi Skuka ishte sportisti i parë i kësaj dinastie sportistësh të shquar dhe nuk kemi të dhëna nëse kishte të tillë para tij. Thuhet që ishte një futbollist mjaft i talentuar, përderisa luante si titullar me ekipin e Tiranës. Dy djemtë e tij, Esati dhe Adriani ndoqën rrugën e babait të tyre. E dinin që ishte e vështirë dhe e mundimshme, por dhe e bukur e magjike. Ata zgjodhën role të ndryshme në fushë, Esati duke mbrojtur portën, kurse vëllai si bombardues e shënues në të.
Esat Skuka e kish filluar që herët futbollin, por kur ishte akoma në pedagogjike, ra në sy si një sportist i talentuar. Pas mbarimit të saj, ai luajti për gati dhjetë vjet me ekipin dibran, duke u bërë shpesh protagonist i fitoreve. Më vonë Esati largohet nga ekipi, por jo nga sporti. Fillon punë si mësues në Maqellarë dhe tani falë pjekurisë që kishte fituar ndër vite, vihet në rolin e trajnerit. E krijon nga fillimi grupin e volejbollit me vajzat e gjimnazit dhe arrin suksese, që vështirë do ti kishte besuar dhe ai vetë. Ky grup vajzash përfaqësuan Dibrën dhe fituan titullin kampion në spartakiadën e organizuar në Kukës.
Padyshim që ai do t’i kushtonte kujdes dhe vëmendje dhe futbollit për ta përçuar tek brezat e rinj. Për shumë vite krijon ekipe zinxhir të futbollit dhe rezultatet pozitive nuk munguan dhe këtu. Ja, kështu e deshi Esat Skuka sportin dhe jo vetëm futbollin, por gati të gjithë llojet e tij, duke u bërë një shembull për tu ndjekur nga brezat e rinj. Ai ndërroi jetë pa mbushur akoma 70 vite, kur kishte akoma për ti dhënë familjes e shoqërisë.

ARJANI

Esat Skuka do të ndjehej mjaft i plotësuar, kur shihte Arjanin djalin e tij, të ngjiste shkallët magjike të sportit. Por dhe pse luante mjaft mirë futbollin, atë e joshi dhe bëri për vete atletika, mbretëresha e sporteve. Që në shkollë tetëvjeçare ra në sy talenti i tij për garat e vrapimit, sidomos ato të gjatësisë, 800 dhe 1500 metra. Gati për një vit do të ishte pjesë e ekipit të Korabit në atletikë, ku dhe pse i ri konkurronte me të rritur pa asnjë kompleks inferioriteti. Vetëm një vit vazhdoi këtu, se më pas konkurroi e fitoi shkollën e mjeshtërisë sportive në Durrës. Medaljet, fama e suksesi e ndjekin në çdo hap djaloshin, që e dashuronte shumë atletikën. Asokohe Arjani ishte vetëm 19 vjeç dhe nuk e pati të vështirë të përfshihej e të fitonte dhe në gara akoma më të gjata si 3000 dhe 5000 metra. Në harkun kohor të dy viteve ai arrin të fitojë dy kupa kombëtare, njërën në Vlorë e një në Durrës.
Viti 1990 do të mbetet i paharruar për Arjanin. Nuk flasim për ngjarjet politike dhe kthesën që mori Shqipëria drejt demokracisë. Jo, ishte thjeshtë një ngjarje që kishte lidhje gjithnjë me atletikën. Një shqiptaro amerikan donte të organizojë e të financojë një garë maratone, me atletët më të mirë të Shqipërisë. Itinerari do të ishte me nisje nga Vollga në Durrës dhe do të përfundonte në sheshin Skënderbej në Tiranë, me një gjatësi plot 45 kilometër. Ishin gjithsej diku tek 35 atletë. Arjani kujton se ishte kohë vjeshte dhe gjithë ditës ra një shi i dendur. Shiu dhe lodhja e bënë të vetën dhe shumë atletë e lanë garën përgjysmë. Disa hipën nëpër autobusë e disa në ambulancat shoqëruese dhe më pak se gjysma e tyre arritën ta mbarojnë garën. Arian Skuka, stoik, i fortë dhe i vendosur donte fitoren me çdo kusht. Ai vraponte pa parë pas nëse e ndiqnin nga pas, kurse para tij nuk shihte njeri. Ai ishte heroi i ditës, maratonomaku i legjendës dhe i lashtësisë, që sillte lajmin e fitores. Hyri i pari në Tiranë, në sheshin Skënderbej, duke ndalur kronometrin në tre orë e 37 minuta. Organizatorët kishin vendosur dhe shpërblime për tre vendet e para, respektivisht 300, 200 dhe 100 dollarë, para që fituesit nuk i morën kurrë, siç do të ndodhte më vonë dhe për shumë gjëra të tjera. Arjani kujton se këmbët gati iu drunjëzuan dhe për një javë mezi e mori veten.
Mosha bën të vetën dhe Ariani ka 30 vite që punon si mësues i edukimit fizik në shkollën e Majtarës. Dhe pse në kushte jo shumë komode, ai ka ngritur e ka punuar me ekipe volejbolli e futbolli,duke fituar kupa e trofe, pa harruar atletikën, që aq shumë e deshi në rininë e tij.

XHULJANI

Është brezi i katërt i familjes Skuka që ka ndjekur rrugën e sportit, që nga stërgjyshi Lutfiu, gjyshi Esat dhe baba Arjani. Ishte vetëm shtatë tetë vjeç, kur gjyshi Esat e merrte në stërvitje me grupin e të rinjve, që kishin dyfishin e moshës së tij. Ai habitej me mrekullitë që mund të bënte njeriu me atë top të rrumbullakët, duke e lëmuar, duke e përkëdhelur, duke dribluar me të e së fundmi duke gjuajtur në portën e mbrojtur nga një gardian i hekurt. Më pas vinte fjala “gol”, që bënte të hidheshin përpjetë lojtarë e tifozë, të gëzohej një palë e të hidhërohej pala tjetër.
Pasi mbaroi tetëvjeçaren djaloshi u hodh në Francë për të provuar fatin. Ky shtet me kulturë, me ekonomi e me plot histori i fali shumë gjëra djaloshit me emrin Xhuljo. I dha gjuhën frënge, nënshtetësinë franceze dhe klasin për të qenë një lojtar i spikatur e brilant. Erdhi në Shqipëri për të ndenjur pak kohë me familjen, por për shumë kohë mbeti i lidhur me vendlindjen, me familjen, me shoqërinë dhe me ekipin e zemrës, Korabin. Me këtë ekip kishte luajtur gjyshi Esat dhe xhaxhi Adrian për shumë e shumë vite me radhë.
Ka katër vite që Xhuljo luan me Korabin, në qendër të sulmit të tij. Shumë i fortë fizikisht, shumë inteligjent dhe nuhatës i mirë para porte, ai po bëhet një rrezik serioz për trajnerët dhe mbrojtjet kundërshtare. Për sezonin 2018 – 2019 ka shënuar plot 24 gola. Vitin e kaluar bëri një tripletë me Veleçikun dhe para pak javësh bëri të njëjtën gjë me skuadrën e Vorës. Ishte po ky lojtar brilant që shënoi golin ndaj Tiranës kampione, duke e eliminuar nga gara e mëtejshme për kupë.
Shumë skuadra të superiores i kanë vënë syrin djaloshit të talentuar për ta pasur si lojtar të vetin, por ndoshta mund ta shohim shumë shpejt dhe me ndonjë skuadër të huaj.
Natyrisht që Xhuljano Skuka dëshiron të veshë fanellën e ekipit kombëtar dhe shpresojmë që një ditë kjo gjë të bëhet realitet. Falë këtij talenti dhe punës në grup, Korabi është pretendenti kryesor për të shkuar në superiore. Nuk dimë nëse ka pasur sportistë para Lutfiut, siç nuk dimë nëse do të ketë të tillë pas Xhuljanit, por dhe me këta katër breza sportistësh, familja Skuka ka siguruar një vend nderi në historikun sportiv të Dibrës.