Lamtumirë bilbil i pemëtarisë dibrane!


Muhamet Ramizi (majtas) me një koleg

Një mesazh nga Perllat Sadiku.
Shkurt…
Muhamet Ramizi…
Dhe një “zarf” që nuk hapej.
E natyrshme më erdhi pyetja: Çfarë ka Muhamet Ramizi?
Vdiq sot. Rahmet pastë!…
E hënë 9 nëntor 2020…
Iu përgjigja: Më vjen keq!
Kaq? Vetëm “më vjen keq”?
Jo, jo. Më dhemb…
Dhe sa më shumë e kujtoj, aq më shumë më dhemb… Fort, shumë fort.
Kam punuar me Metin në Stacionin Bujqësor të Dibrës… Ai, bashkë me Haki Kolën, në grupin e frutikulturës, e unë në sektorin e propagandës bujqësore.
Në vitet tetëdhjetë… I shihja, grup, tek ngjiteshin e zbrisnin kodrave të Begjunecit, me aparate rilevimi në krah… I jepnin formë brezareve për të mbjellura qershi e lajthi… I dhanë jetë plantacionit më të lartë të pemëtarisë dibrane, Kuplonit…
Në tavolinën e punës shihja projekte e skica… Ëndërronin që ta ngjisin edhe më lart pemëtarinë dibrane…
Muhamet Ramizi ishte një ndër specialistët më të mirë të pemëtarisë… I qetë, buzëqeshur!
Eh si më vjen ajo buzëqeshje shpirt! Më vjen si një tufë gonxhesh qershie, vishnje, molle, dardhe, kajsie… Në pranverë…
Si bistakë frutash që thyenin degë… Në verë e vjeshtë…
E kërkova në arkivin tim fotografik…
Nuk mund të mos e kisha… E gjeta… E kisha fiksuar… Me një shok, me një koleg… Me mollë në dorë, simbol i jetës së tij…
Lamtumirë Muhamet Ramizi!
Lamtumirë bilbil i pemëtarisë dibrane!
Abdurahim Ashiku
Athinë, 10 nëntor 2020